Duke parë këtë dokument, në fakt një leje qarkullimi për të internuarit e kampit të Savrës, u ktheva menjëherë në kujtime. Është një letër e zverdhur nga koha, e mbajtur për 67 vjet në arkivin e familjes. Një copë letër që, edhe pas kaq shumë vitesh, vazhdon të flasë. Dhe ka shumë për të treguar.
Nuk isha më shumë se shtatë vjeç kur na erdhi lajmi se kishin internuar gjyshen time, Uraninë, 68 vjeçe, dhe tezen Antoninë, vetëm 19 vjeçe.
Ishte dhjetor, një ditë shiu.
Dega e Brendshme ndodhej te shtëpia e Aleko Babës, fare pranë shtëpisë sonë. Sapo morëm vesh lajmin, vrapova bashkë me nënën time. Jashtë gardheve i pamë të dyja, duke qëndruar në shi, të lagura nga ai shi i imët që nuk pushonte. I shikonim, por nuk kishim ç’të bënim.
Me vete kishin vetëm një “kokosh plaçka” dhe dy pula.
Edhe ato pula më janë ngulitur në kujtesë; dukej sikur “qanin” bashkë me to.
Një polic shpirtmirë arriti të na i sillte në shtëpi, por gëzimi ynë zgjati vetëm pak. Pas dy ditësh, pulat e gjora ngordhën.
Pak më vonë sollën aty, të lidhur, edhe Petro Gjonin. Atij i kishte ikur vëllai, njësoj si dajua im.
Petrua kishte edhe një vëlla dëshmor, por në atë kohë kush pyeste për këto?
Mjaftonte të ishe i lidhur me një familje të konsideruar “armike”. Atë natë fjetën mbi plaçkat e tyre dhe të nesërmen i nisën për në Saver.
Nuk kaloi shumë kohë dhe djali i tezes sime, Spiro Kutulla, që ishte shofer i një Skode të madhe me turi, më mori me vete. Kështu, një ditë, u gjenda edhe unë në Saver.
Rruga ishte baltë e llucë. Një tmerr i vërtetë. Në mes kalonte një rrugicë dhe, në të dy anët, shtriheshin barakat e famshme ku jetonin familje të tëra shqiptare.
Familje të mira, të kulturuara, të fisme, të mbledhura aty jo për atë që kishin bërë vetë, por për atë që regjimi mendonte se përfaqësonin.
Pranë tezes dhe gjyshes sime banonte familja e z. Vehap Hoxhës, një burrë zotni dhe shumë i kulturuar.
I ishte arratisur djali i vetëm, kushëri i Enver Hoxhës, bashkë me të bijat. Nerimanin, Suzanën dhe të tjerat nuk i kujtoj më.
Më kujtohet, megjithatë, se ishte një familje intelektuale; njëra prej vajzave ishte teniste, ndërsa tjetra mësuese pianoje.
Përballë tyre ishte familja e Abaz Kupit, atij patrioti që nuk reshti së vepruari për çështjen shqiptare.
Ishin Hyrija, Bardhi e të tjerë. Dhe Saveri, pak nga pak, më shfaqej si një botë e tërë njerëzish, secili me historinë e vet: Tefta Bajraktari, vajza e gjatë dhe e bukur; Zef e Ketrin Miraka; Koço Plashoti; Musta Sina; Simon Miraka; familja e eruditit Lazër Radi; familja Kokali; familjet Merlika e Dema.
Aty pashë edhe për herë të parë Shitin dhe Duffën, djalin dhe gruan e Qazim Mulletit, një prej figurave më të njohura e më të kulturuara të Tiranës.
Ishte e dhimbshme të shihje se si familjeve të tilla u ishte nxirë jeta nga shpifjet, nga frika dhe nga një sistem që nuk kishte nevojë për shumë prova për të dënuar njerëzit.
Por për mua, si fëmijë, Saveri ishte edhe vendi ku krijova shoqërinë time. Rrija gjatë aty dhe shoqërohesha me Lolo e Jot Gjonin, edhe pse ishin më të vegjël. Njihja edhe Taqo e Thoma Gjonin, djemtë e Spiro Gjonit, njëri më i mirë se tjetri. Ne fëmijët gjenim mënyrat tona për të luajtur e për t’u gëzuar, edhe pse rreth nesh ishte një realitet që sot, si i rritur, e kuptoj shumë më thellë.
Një nga gëzimet më të mëdha, jo vetëm për mua, por për të gjithë të internuarit, ishte kur merrnin leje për të dalë në qytetin e Lushnjës.
Atëherë i shihje të veshur bukur, me biçikletat në duar, duke ecur qetë e krenarë nëpër rrugët e qytetit.
Kishte diçka të veçantë në atë pamje. Edhe pse ishin të internuar, nuk e kishin humbur dinjitetin.
Zakonisht më merrte në biçikletë i ndjeri Zef Miraka. Ai më vonë arriti të arratisej në Korfuz dhe prej andej të mbërrinte në Shtetet e Bashkuara.
Në Lushnjë kisha edhe kushëririn tim, Nasi Bano, të atin e Maksit, Isidorit, Artanit e të tjerëve.
Nasi ishte nga ata njerëz që sfidonin frikën dhe na ndihmonin. Nuk mund të harroj as kushërirën e parë të nënës sime, Eleni (Milo) Doko, nënën e dirigjentit të Operës, Edmond Doko, dhe të inxhinierit Vasil Doko.
Edhe shoferët që vinin nga Vlora shpesh ndalonin e na merrnin me vete, duke sfiduar frikën e kohës. Kujtoj të atin e aktorit tonë të shquar Bujar Asqeriut, Andrea e Jani Konomin, Hanon Zenelin e shumë të tjerë.
Ishin njerëz që, në një kohë kur frika ishte bërë pjesë e përditshmërisë, përsëri gjenin një mënyrë për të ndihmuar.
Të paharruar.
Sepse Saveri nuk më ka mbetur në kujtesë vetëm për barakat, baltën, internimin dhe frikën. Më ka mbetur edhe për njerëzit. Për ata që vuajtën, por ruajtën dinjitetin. Për ata që ndihmuan, edhe kur ndihma mund t’u kushtonte. Dhe për ata që, në kohë të vështira, zgjodhën të mbeteshin njerëz.
Sot, pas 67 vitesh, një leje qarkullimi e zverdhur nga koha më ktheu te ato ditë.
Ndoshta dokumentet e tilla duken të vogla përballë historisë së madhe. Por, kur i mban në dorë, kupton se historia nuk është vetëm ajo që shkruhet në libra.
Historia është edhe një copë letër e ruajtur në heshtje për 67 vjet.
Është një fytyrë që të është ngulitur në kujtesë.
Një rrugë me baltë.
Një biçikletë.
Dy pula që ngordhën pas dy ditësh.
Një fëmijë që shikonte nga pas gardhit.
Dhe, në fund të ditës, tingulli i çangës në orën 18:00.