
Retrospektivë e ngjarjeve të rënda Qershor 2015
Lufta në Lazarat ishte një luftë asimetrike, pasi kemi të bëjmë me organizimin dhe zhvillimin nga shteti të një lufte jo sipas regullave klasike dhe, përveç kësaj, kemi një luftë kundër një kundërshtari jo shtetëror, një luftë që zhvillohet midis shtetit dhe popullsinë së një fshati pjesë integrale e tij, tërësisht shqiptar, por të shpallur armiq nga vetë shteti. Të më falni për krahasimin, pasi jo çdo krahasim është i goditur, por veprimet luftarake të policisë shtetërore kundër popullsisë së Lazaratit i ngjanë Luftës që bëri para një shekulli Turqia në Mashkullorë.
Taborët, Turqia i solli nga qendra e Vilajetit, Janina, edhe qeveria shqiptare i solli po nga qendra e shtetit, nga Tirana. Por e përbashkëta e këtyre dy “luftimeve” është se që të dyja ndodhën në Gjirokastër, e para në Veri-Perëndim të qytetit të saj, e dyta në Jug të tij. E bëra këtë krahasim se edhe kjo luftë dështoi, pasi nuk u kapën organizatorët e vërtetë, as atëherë dhe as sot.
Që do të thotë se Policia e Shtetit shqiptar dështoi, e humbi atë operacion. Këto dy luftra në territorin e rrethit Gjirokastër kanë një ndryshim rrënjësor mes tyre: Turqia e kishte seriozisht, kërkonte t’i asgjësonte kryengritësit dhe një nga trimat e tyre, Hajredin Tremishtin, e vrau, ndërsa lufta e qeverisë në Lazarat ishte fasadë, pasi as u vra ndonjë nga “trimat” e drogës dhe as është kapur ende, përkundrazi vijojnë të merren me “kryengritjen e hashashit”. Por lufta e Lazaratit pati edhe një ndryshim tjetër nga ajo e Mashkullorës, kjo e sotmja pati një epilog edhe më të hidhur: Turqia, kur e pa që dështoi nuk bëri më pas terror duke arrestuar gjithë fshatin Mashkullorë, sikundër bëri shteti shqiptar në Lazarat.
Forcat ushtarake që përdori shteti kundër popullsisë së Lazaratit i dha atij operacioni, njësoj si ajo e Mashkullorës, tiparet e një lufte asimetrike, pasi përdori një forcë të madhe ushtarake, përfshi autoblinda e helikopterë luftarakë, dhe si e tillë, ajo forcë ushtarake nuk ishte e justifikuar dhe as e shkallëzuar. E themi këtë se, bazuar në atë çfarë tregojnë të pandehurit, familjarët dhe dëshmitarët e tyre, forcat e policisë vepruan pa mbrojtur as veten, por as popullsinë e vetë civile në Lazarat, po të kemi parasysh përdorimin e mjeteve të zjarrit dhe shkatërrimet që u bënë në fshat, gjë që na bind fakti se asnjë prej organizatorëve të vërtetë të atij aktiviteti të kundarligjshëm nuk është kapur ende, ndaj dhe veprimet e mëpasme, sikundër është edhe ky gjyq maratonë, nuk tregojnë gjë tjetër, veçse hakmarrje të shtetit si rrjedhojë e dështimit total të operacionit ushtarako-policor me forcat e tij speciale.
Si rrjedhojë, ajo veprimtari ushtarako-policore e shtetit mori pamjen e forcave pushtuese, sikur Lazarati të ishte tokë e huaj.
Është e vërtetë që këto lloj luftrash asimetrike ndodhin zakonisht brenda shtetit, dhe zhvillohen pa ndonjë vijë fronti të caktuar. Dhe këtë tipar kësaj lufte ia plotëson edhe fakti se kishim të bënim me sulm kundër një qendre të banuar, e veçuar nga qendrat e tjera të banimit dhe përsëri nuk pati një rrethim klasik, gjë që tregon se prej fillimit aksioni ishte i destinuar të dështonte si dhe përfundoi.
Lufta në Lazarat, asimetrike
Luftën e policisë në Lazarat mund ta quajmë pa hezitim luftë asimetrike, edhe për faktin, sikundër u shpreha në fillim, se nuk ishte në përputhje të plotë me rregullat klasike të një lufte mes dy forcave kundërshtare afërsisht të barabarta në forca e mjete luftarake.
Por, parë në këtë kënd, nuk duam të themi se bëhet fjalë për një koncept të ri nga ana e luftës kundër grupeve terroriste e kondrabandiste, sepse historia e aksioneve policore në Shqipëri, sidomos në këto tre dekadat e fundit, është dëshmitare e kësaj lloj lufte të zhvilluara shumë herë, e që, për fat të keq, kanë përfunduar edhe me viktima nga të dy palët ose vetëm nga ana e policisë.
Kjo dukuri e luftës asimetrike që ndodhi edhe në Lazarat, vjen si shkak i mospërputhjes së modeleve të kësaj lloj lufte me asnjë rregull juridik apo strategjik tradicional të vendit tonë pas Luftës së Dytë Botërore. Si rrjedhojë, ky fenomen e ka zanafillën në Shqipëri në dukurinë e zhvillimit të teknologjisë së informacionit dhe zhvillimeve të kontrabandës, prodhimit të narkotikëve e shpërndarjes së tyre e të fenomeneve të ngjashme me to.
Ky kontekst i ri bën të mundur zgjimin e kërkesave nga ana e policisë së shtetit për ripërcaktimin e metodave të aksioneve mundësisht pa pasur viktima.
Si rrjedhojë kjo lloj lufte duket e vështirë për t’u kuptuar dhe për t’u ballafaquar, ngaqë gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, vëmendja e mendimit ushtarako-policor ka qenë në mënyrë ekskluzive e fokusuar në “luftën simetrike”, gjë që sot kemi të bëjmë me luftë asimetrike. Në këtë lloj lufte, kuptohet që njëra pale, në rastin tonë shteti, është shumë më e fortë politikisht dhe ushtarakisht se pala tjetër.
Sa herë që është ndeshur policia me këto grupe, shteti ka qenë më i fortë në të dy aspektet, politik dhe ushtarak, por ka ndodhur që teknikisht pala kundërshtare ndaj policisë të ketë qenë edhe më fortë, nëse do t’u besojmë deklaratave zyrtare të policisë, pasi praktikisht në media nuk janë pasqyruar raste që grupet kontrabandiste të kenë qenë më të forta se policia, pavarësisht se kanë qenë më të organizuara dhe më konspirative se policia dhe shërbimet inteligjente të saj.
Mirëpo, luftimi në Lazarat, edhe pse ishte një luftim asimetrik, përsëri ai luftim bëri përjashtime nga të qenit plotësisht asimetrik. E themi këtë sepse luftimet asimetrike brenda shtetit kundër grupeve të ndryshme, (prodhuesve dhe shpërndarësve të drogës sikundër kishim të bënim me Lazaratin), ku ideja kryesore e policisë së shtetit, në vend që të qe frenimi dhe bllokimi i kundërshtarit, policia shkoi me idenë e mposhtjes së kundërshtarit.
Me këtë duam të themi se policia, e armatosur me mjete luftarake që zakonisht i përdor ushtria në konflikte ushtarake, ajo e kaloi kufirin e luftës asimetrike, duke e trajtuar kundërshtarin të barabartë me vetveten. Mirëpo, në luftrat asimetrike, brenda shtetit, qëllimi final është dhe duhet të jetë stabilizimi i situatës, rivendosja e sigurisë në një nivel të pranueshëm, arritja e mundësisë së pajtimit të kundërshtarit dhe mosdëmtimi i objekteve social-kulturore e atyre private e familjare.
Pra, policia jonë në këtë rast doli nga lufta asimetrike, sepse për zgjidhje përdori, apo thënë më mirë, anoi jashtëzakonisht shumë, në zgjidhjen me mënyra ushtarake dhe jo në zgjidhjen me mënyra politike, sikundër duhet të jetë strategjia e saj dhe që kështu e përcakton edhe Kushtetuta si dhe ligji për Policinë.
Dështimi i policisë
Ngaqë policia përdori më së shumti aksionin ushtarak, ky është shkaku kryesor pse policia nuk e zgjidhi përfundimisht problematikën e konfliktit me fshatin Lazarat, por përkundrazi, e ka acaruar edhe më shumë atë konflikt përmes arrestimeve të shumta dhe dënimeve shumë të rënda të shumë qytetarëve të fajshëm e të pafajshëm, gati 700 vite burg! Nuk mund të zgjidhej situata me forca ushtarake, por duhej të përdoreshin kryesisht zgjidhjet me forca politike, gjë që në rastin tonë aspekti i predominimit të politikës nuk është përfillur fare. Madje politika ishte ajo që, me deklaratat e saj para se të kryente atë aksion asimetrik, e nxiti policinë që të mbështetej totalisht te zgjidhja ushtarake.
Si rrjedhim, në këtë ansambël aktorësh në Lazarat, mjeti i vetëm për të vendosur zgjidhjen e konfliktit, nëse do ta quajmë të tillë, ishte forca ushtarake deri në fund të asaj “lufte”, nëse do të shprehemi sipas zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe atij të Drejtorisë së Policisë Shtetërore.
Këto lloj operacione kanë të domosdoshme ndërveprueshmërinë e fenomeneve që kanë impakt direkt në konflikt. Në një konflikt të tillë, si ai i Lazaratit, forcat ushtarake nuk duhet të përbëjnë një ndër aktorët kryesorë të zgjidhjes. Nëse përdorim fuqishëm forcën ushtarake, është e detyrueshme të bëhet koordinimi me të gjithë instrumentat politikë, diplomatikë, ekonomikë, juridikë dhe shoqërorë për të arritur ekzekutimin e një operacioni, apo për të arritur zgjidhjen e mundshme.
Nuk pamë që në atë operacion të ishte aktivizuar më herët ndonjë lloj veprimtarie nga Bashkia e Qarkut të Gjirokastrës; nuk pamë që para kryerjes së aksionit ushtarako-policor Qeveria të kishte kërkuar edhe ndihmën e opozitës, meqenëse në të gjitha akuzat e saj anatemohej opozita si nxitëse e mëhershme e atij prodhimi të jashtëligjshëm; nuk pamë që të përdoreshin organizata të ndryshme shoqërore apo forca të ndryshme politike të koalicionit në pushtet apo forca politike jashtë koalicioneve pozitë-opozitë; nuk pamë angazhimin e asnjë lloj OJF që të ndërhynte për zgjidhjen e atij konflikti Lazarat-Qeveri; nuk pamë asnjë lloj veprimi të Qeverisë për të kërkuar ndihmën qoftë edhe të një ambasade të vetme nga shtetet e BE-së apo atë Amerikane; nuk pamë asnjë plan konkret nga ana e Qeverisë për t’u afruar banorëve të atij fshati ndonjë zgjidhje ekonomike nëse ata do bindeshin ta ndalonin ata vetë prodhimin e drogës si dhe dorëzimin e drogës së grumbulluar; nuk pamë asnjë lloj oferte punësimi nga Qeveria apo pushteti lokal për banorët e atij fshati pasi të ndërpritej ai prodhim i paligjshëm.
Lazaratit iu tha: Dorëzim pa kushte
Me një fjalë, fshatit Lazarat nuk iu hap asnjë lloj drite jeshile, përveç: Dorëzim pa kushte!
Ja pra që nuk kemi të bëjmë as me luftë asimetrike, por thjeshtë me tiparet e një lufte simetrike, edhe pse pala kundërshtare, (nëse do ta quajmë të tillë Lazaratin, sikundër i pëlqente të fliste ministri i Rendit), nuk kishte forcën ushtarake që kishte shteti shqiptar. Kështu që për zgjidhjen e konfliktit midis Shtetit dhe Lazaratit u hap një hendek midis zgjidhjes me mjete ushtarake dhe zgjidhjes me mjete politike. Kjo e fundit pothuajse nuk funksionoi fare. Këto bënë që të hapet edhe një hendek midis banorëve të fshatit Lazarat dhe shtetit të tyre.
Nga ana tjetër mund të themi se operacioni i Policisë së Shtetit i ngjante një luftë tipike të rregullt, simetrike, edhe për vetë faktin se pala kundërshtare, Lazarati, nuk praktikoi luftën guerile që të mund të themi se ajo luftë i kishte plotësisht tiparet e një lufte asimetrike; “rebelët” e Lazaratit nuk i shpërndanë forcat e tyre e t’i godisnin në shpinë forcat e policisë, që të bëhej plotësisht luftë asimetrike, por e gjithë popullsia qëndroi në vend. Prandaj nuk kemi plotësisht një luftë asimetrike. Dhe, për fat të keq, çdo qytetar i Lazaratit u shpall terrorist. Gjithashtu, pala e akuzuar për terrorist nuk përdori ndonjë teknologji moderne, si për armë zjarri ashtu edhe për komunikim që të ishte më e sofistikuar se ato të policisë e që t’i jepte asaj lufte tiparet e plota të luftës asimetrike. Përfundimisht mund të themi, se ishte policia që përdori forma barbare dhe jo fshatarët e Lazaratit.
I vetmi element që mund t’i japi atij konflikti Qeveri-Lazarat ndonjë përafrim me luftën asimetrike, është fakti që kapot kryesorë të organizimit të atij aktiviteti prodhues e shpërndarës të paligjshëm të narkotikëve, nuk u kapën, por ikën. Dhe këtë e deklaroi vetë policia.
Pak më lart thashë se ishte policia që përdori forma barbare; dhe këtë e ilustroj me faktin se, policia, edhe pse deklaroi se kapot ishin larguar, shkoi me forca edhe më të shumta në Lazarat duke bërë kontrolle në çdo orë të ditës dhe të natës në çdo familje, duke i marrë me rradhë, edhe pse një përqindje e konsiderueshme e familjeve të Lazaratit rezultoi se nuk ishin marrë me atë aktivitet të paligjshëm.
Dhe ajo që e bën edhe më të dyshimtë atë terror shtetëror të dështuar në qëllimin e tij, ishte fakti se Shteti ridërgoi në Lazarat policë të tjerë, por jo me mjete të mbrojtura nga plumbat blindshpues, edhe pse kishte thënë dhe thotë se kishte snajpera. Kjo na bind të mendojmë se Policia e bëri këtë veprim për të justifikuar dështimin e saj në atë operacion tërësisht ushtarak, duke u vrarë një polic. Pra, për të justifikuar dështimin total të saj, Policisë, thënë më ndryshe, Shtetit, i duhej një kokë turku. Madje vrasja e policit bëhet edhe më e dyshimte edhe për faktin se mjeti në të cilin ndodhej polici që u vra, nuk pati as edhe një gjurmë tjetër goditjesh që të themi se polici u godit nga “terroristët” e Lazaratit.
Nëse qeveria do ta kishte dëshirën e mirë ta zgjidhte problemin e lindur prej vitesh në Lazarat, qoftë edhe duke përdorur vetëm forcën ushtarake, moment më i mundshëm për një zgjidhje të tillë me violencë ekstreme do të ishte përdorimi i saj në një moment qetësie relative, meqenëse kishim të bënim me një qendër të vetme të banuar.
Gjithashtu, për ta përballuar këtë situatë, nga policia kërkohej një parashikim i saktë i përdorimit të forcës ushtarake si për të gjitha forcat që do të angazhonte ashtu edhe nga një polic të vetëm, apo një agjent të shërbimit publik. Por Qeveria dhe partitë në pushtet bënë të kundërtën, pasi kishin gat një viti që kërcënonin publikisht popullsinë e Lazaratit me të gjitha format dhe mjetet e propagandës. Në këtë mënyrë gjithë populli e kishte të vështirë të dallonte se kush ishte armiku dhe kush ishte kundërshtari.
Si u përdor policia
Por, me keqardhje themi, se përdorimi i drejtpërdrejtë i forcës nga ana e Policisë së Shtetit rezultoi se nuk ishte në funksion të ngjarjes që ajo zhvilloi në terren, por në funksion të zhurmës së madhe, për të bindur Evropën se Qeveria Shqiptare e kishte seriozisht eleminimin e kultivimit të drogës, me prapaskenën dhe qëllimin që atë kultivim ta organizonte vetë me gjithë policinë e shtetit, sikundër tashmë është bërë e qartë.
Policia e shtetit, e nxitur nga qeveria dhe partitë në pushtet, përmes ushtrimit të asaj force ushtarake të gjithanshme bëri të mundur që të shkaktonte dëme të papranueshme për popullsinë e atij fshati, ndërkohë që një ushtrim i moderuar i saj mund ta detyronte kundërshtarin, (pjesën e popullsisë që ishte marrë me atë aktivitet joligjor), që të pranonte zgjidhjen paqësore.
Por një gjë e tillë nuk është kuptuar as sot, jo vetëm nga të gjitha instancat politike e qeveritare, por as edhe nga prokuroria dhe gjykatat e vendit. Kjo përbën edhe dëmin më të madh që i bëhet demokracisë dhe drejtësisë në vendin tonë, si dhe qetësimit të jetës së brendshme. Rrjedhimisht kjo sjell mungesën e njohjes së dimensionit politik të luftës asimetrike, e cila ka impaktet e saj në të gjitha nivelet.
Konfliktet e parregullta, luftrat asimetrike, nuk mund të kenë zgjidhje në mënyrën si veproi policia jonë në Lazarat. Këto lloj konflikte zgjidhen nëpërmjet zgjidhjes politike. Por për fat të keq kjo lloj zgjidhje as u mendua fare nga Qeveria jonë. Kështu që fitorja e Policisë së Shtetit rezultoi e paarritshme, madje edhe në këndvështrimin klasik dhe ushtarak, duke ditur se objektivi final, zbulimi dhe kapja e kapove të atij aktiviteti, ende nuk është realizuar, po të gjykojmë edhe me logjikën e luftës së rregullt, luftës simetrike.
Policia trumbetoi me të madhe se do të bënte një betejë vendimtare, por u pa se u mbars mali e më në fund polli një mi. Dhe, për të justifikuar atë humbje të madhe, u arrestua gjysma e fshatit Lazarat. Policia nuk pati as fitore taktike, as fitore lokale dhe as fitore strategjike, sikundër deklaronte para se ta niste atë luftë.
Madje Qeveria, për inat të dështimit të saj, edhe pse kanë kaluar gati 5 vite, nuk ka marrë asnjë veprim për të vendosur stabilitetin në Lazarat dhe për të bërë qetësimin psikologjik të banorëve të atij fshati, por përkundrazi, me gjyqet e pafundme e të montuara po e trajton atë fshat si një tokë të huaj, si një tokë armike.
Si konkluzion, nisur nga ecuria e deritashme juridike por edhe shtetërore, gjykoj se aplikimi i një operacioni ushtarako-policor, si ky që u përdor kundër popullsisë së Lazaratit, nuk mund të bëjë të mundur arritjen e objektivit final politik, arritjen e një niveli stabiliteti, pasi nuk po përdoren kompromiset midis palëve kundërshtare. Vetëm përmes kompromiseve politike dhe kujdesit në përdorimin sa më pak të forcës ushtarake, dhe mosdhënia e dënimeve juridike me urdhër të politikës do të mund të stabilizohet jeta në fshatin Lazarat si dhe në gjithë vendit tonë në një kohë sa më të shkurtër.
Gjyq asimetrik
Asimetria e mësipërme ka sjellë një proces gjyqësor “asimetrik” për arsye se:
– Dosja hetimore “Lazarati” rezulton e pahetuar penalisht si nga prokuroria ashtu edhe nga hetimi gjyqësor penal.
– Nuk rezulton të jetë evidentuar drejt lidhja klauzole shkak – pasojë.
– Ka munguar vullneti për të hedhur dritë mbi të vërtetën.
– Pas 3 vjetësh hetimesh akuza dhe gjykata nuk vërtetojnë ende edhe sot se kush është vrasësi i vërtetë i punonjësit të policisë Ibrahim Basha.
– Cili është raporti i të vërtetës pas përdorimit të çomanges së shtetit dhe të vërtetës së Radio Popullit?!
Të gjitha këto që sollëm më lart me dëshirën e mirë për të hedhur dritë mbi të vërtetën dhe vetëm të vërtetën përbëjnë shkak të përligjur që Lazarati dhe lazaratasit të mos shikohen si delja e zezë e këtij vendi.
Ai dhe banorët e tij janë shtetas dinjitoz të këtij vendi dhe nuk pranojnë gjyqe farsë politike.
Jepni Çezarit atë që i takon.
– Një dosje e pahetuar si nga hetimi penal dhe nga ai hetim gjyqësor penal.
– Nga lufta e Lazaratit që mund të tërheqim disa Konkluzione:
E para
Ajo mund të shmangej –lidhja shkaku pasoja.
E dyta
Mungoi vullneti për të zbuluar të vërtetën, të tregonte kush ishin autorët e vërtetë të vrasjes së Ibrahim Bashës, ende edhe sot që çështja penale është në shqyrtim në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda s’është vërtetuar se jemi përpara një grupi të strukturuar kriminal.
– Për rëndim të pozitave juridike, pa adresuar e provuar përkatësinë e armëmbajtjes është cituar 3 herë dispozita pa i dhënë përgjigje pyetjes;
– Cili ishte snajperi?!
– Cili kush ishin të interesuar që të krijonte precedentin e dëshmorit të panevojshëm për nxitjen e konfliktit?!
– Ç’ndodhi pas Lazaratit dhe pse “Lazarat” u bë gjithë Shqipëria?!
– Po nëse pas 20 vjetësh del autori i vërtetë i veprës penale a mund të ecim sipas proverbës; “Kali që kapet shin lëmën”?!
– Si janë respektuar të drejtat e të miturve në lidhje me normat Kombëtare dhe Konventat Ndërkombëtare?!
– Cili ishte konteksti i vërtetë i ngjarjes?!
– Cili ishte plani i veprimeve të të arrestuarve nga Tirana?! Pse mbetet ende sekret?!
– A ka paragjykime, ngjyrime politike ky proces gjyqësor penal?
– Pse tremben gjyqtarët të japin drejtësi?!
– Cilat janë Plagët social- ekonomike që la pas lufta e Lazaratit?!
– A janë të tjerë të lirë që u janë konstatuar edhe gjurmët e armëve?!
Konkluzione
Të hapet një folder “dosja penale” ku të ftohen të gjithë ata që kanë dijeni për ngjarjen dhe deklarojnë se:
– Çfarë dini për atë ngjarje?
– Nëse di familja “Basha” kush është autori i krimit?
– Pse u lejua abrogovimi i problemit?
– Kush e paguan koston e ngjarjes të vitit 2015?
– Traumat e shkaktuara,
– Si e mendon shteti a duhet të vazhdojë armiqësinë me këtë fshat?!
– Mirë Gjyqësori që ka procedurën e vet; po Ekzekutivi?!
– Po Shishi?! a di më shumë se shërbimet policore se si është e vërteta?!
Ndajeni këtë me të tjerët:
Pëlqejeni këtë:
Pëlqejeni Po ngarkohet…