Bujar Muçaj
Nafta dhe ulliri
Mund të harrosh gjëra të tjera pa përmendur, por binomin naftë-ulli kurrsesi, se pa këtë binom nuk mund ta njohësh Mallakastrën e sotme. Jo më kotë e përmëndëm në fillimet e librit¹ Nimfeun e famshëm, por duhet të përmëndim edhe një nga emblemat e Muzakëve që kishin të gdhendur dhe dy rrëkeza nafte, duke na treguar që qysh në ato kohë banori i këtyre trojeve, bylyni apo mallakastrioti e myzeqari i mëpasëm e dinte se jetonte mbi këtë xhevair të çmuar. Ndërsa për ullirin këtë hyrje do të doja ta ilustroja me disa vargje të poetit Xhevahir Spahiu.
Raport lufte
I perëndishmi Padishah!
Zjarri i xhehnemit
mbi Arbërinë ra.
Dhjetë mijë frymë
I dërguam në atë botë:
Shtatë mijë arnautë,
Tre mijë ullinj të moçëm.
Të paudhët
I shkuam me shpatë,
Drurët
I dogjëm të gjithë të gjallë.
Tre ditë e tre net: ç’aromë profetike
E një flake ylberore,
Veç të ishe aty.
Zoti im!
Shërbëtori yt i përunjur
Ibrahim
E kundërta ka ndodhur me një pushtues tjetër, me gjermanët e pikërisht në Mallakastër diku midis Hekalit e Kashit ku ishte disklotuar një repart. U ishin mbaruar drurët apo qymyri dhe nuk dinin me çfarë të gatuanin. Një “mik” ideali i tyre nga anët tona e mori vesh seç kërkonin, i papërtuar rrëmben sopatën dhe nisi të presë ullirin më të afërm. Nga çadra ku pushonte i madhi i tyre doli një britmë, e cila sa nuk e rrëzoi nga pema mikun shqiptar.
-Nein!
Ulliri i shpëtoi ndëshkimit të egër, nuk u pre dhe guzhina përdori për gatim ca arka të boshatisura municioni nga Ruhri i largët.
Dy shëmbuj diametralisht të kundërt që flasin shumë nga kohë të ndryshme, nga pushtues që vinin njëri nga lindja e tjetri nga perëndimi, të dy superfuqi të kohës së tyre. Diku kam lexuar se ullinjtë e Hekalit janë ndër më të vjetrit e Shqipërisë e të Ballkanit. Ullinjtë e moçëm mund t’i shohësh në çdo fshat të tejendanë Mallakastrës. Është gjë e rrallë ose e pamundur të gjesh shtëpi në këtë krahinë që të mos kultivojë ullirin. Me nam të mirë janë ullinjtë e Cakranit, Hekalit, Kashit, Greshicës, Ruzhdies, Gjinoqarës, Siqecës, Visokës, Kuqarit, Margëlliçit, Aranitasit, Dukasit, Rrerësit, Kashit, Fratarit etj.
Në librin austriakut Voith “Lufta e Durrësit midis Qezarit dhe Pompeit”na tregon më së miri sipas studimeve të tij se:
“Në kohën e Qezarit Mallakastra merrej me blektori dhe me kultivimin e ullinjve…”
Në fillim nafta sikur i prishi qetësinë shekullore ullirit, por më pas pema e lashtë u mësua, duke e pranuar e duke patur dashur pa dashur një lloj armonie me të. Nga kohë e vjetër e më pas na kanë arritur disa toponime edhe për ullinjtë:
Ullinjtë e Kolës, Ulliri i Kuq, Ullinjtë e Menxarakut, Lagja e Ullinjëve, Ulliri i Rrapo Hekalit, Pesë Ullinjtë, Ullinjtë e Toskëve, Ullinjtë e Qarrishtës, Ullinjtë e Gjeneralit (Mbjellë këta në vitet tridhjetë nga Xhemal Aranitasi ish ministër i mbrojtjes i Zogut 25-39),Ullinjtë e Hajredinit (Fratarit) në Bejar, Ullinjtë e Topave në Hekal etj.
Nuk mund të shikosh një pejsazh me ullinj pa një sondë nafte midis tyre apo anasjelltas. Atë ekollogji që “dogji”pakujdesia e të nxjerrit të “arit të zi” i lashti ulli përpiqet ta çojë në vend pak nga pak, me durim e këmbngulje.
Po citoj përsëri Xhevair Spahiun poetin e dashuruar marrëzisht pas ullinjëve në poezinë e shkurtër por të dhimbëshme “Mallakastra” në librin “Ferrparajsa” në faqen 84.
Valëzim i valëzuar
i një shkretimi të shkretuar-
këto brigje.
Pikëllimin kullosin kopetë e ullinjve.
Burimi i parë i naftës në këtë zonë u çel më 19 korrik 1926 nga shoqëria “Anglo-Persiane” në Patos, e cila kishte marrë me konçension për të kërkuar naftë 220 000 ha dhe për të shfrytëzuar 60 000 ha . Një shoqëri tjetër amerikane që kishte futur kthetrat në naftën shqiptare ishte dhe “Standart Oil”, e cila kishte marrë me konçension 51 000 ha . Më pas kjo zonë u shfrytëzua nga italianët të cilët blenë konçensionet e shoqërisë “Anglo-Persiane”. Shoqëritë italiane ishin “Agip”dhe “Aipa”. Duke folur në librin e tij “Politika e Italisë në Shqipëri” mëkëmbësi i mbretit në Shqipëri Jakomoni kur flet për përparimin teknik në trugun e lashtë të traditave perndimore ndërmjet të tjerave shkruan:
“…Berati, në këmbët e malit të Tomorrit, vendbanimi legjendar i perëndive, në truallin e të cilit gjenden shtresëmbajtëset e naftës së Devollit e të Patosit …”
Për nxjerrjen e naftës janë mbajtur statistika të rregullta nga viti 1929 e këtej. Në vitin që thamë është nxjerr vetëm 100 ton. Viti rekord i nxjerrjes së naftës mbahet viti 1974 me shifrën 2 248 227 ton. Rezervat e llogaritura në zonën Patos-Marinëz dhe asaj të Visokës të mara së bashku janë 280 270 219 tonë, duke nxjerrë prej tyre 24 662 296 tonë. Edhe rëra bituminoze që gjendet në zonën e Patos-Kasnicës në një territor prej disa hektarësh është një pasuri që mendohet deri 15 000 000 m3 . Në ditët e sotme kapaciteti nxjerrës ka arritur deri në 50 000 tonë në vit. Venburimi i gazit metan në Frakull i zbuluar në vitin 72 është shfrytëzuar deri në vitin 88-të dhe mendohet se sasia e përgjithëshme e vendburimit arrin në 107 233 893 N. m3. Nga vendndodhja e dikurshme e zjarrit të famshëm të Nimfeut është nxjerrë sasia 101 841 158 N.m3. Në përfytyrimin popullor nafta mendohet se është një lumë ku një degëz e tij kalon edhe ndër ne dhe po të ecësh me magjinatën popullore pak a shumë bindesh sikur je para një të vërtete. Naftë ka në rrethinat e Kuçovës, ndjekim rrugën duke zbritur në Myzeqe të Beratit në zonën e Kozare – Arrëzës, kalojmë në Myzeqe të Lushnjës në Divjakë ku ka gaz hidhemi në të Fierit drejt Povelçës, bëjmë një kthesë gjarpërushe si lumi i Semanit, por në të kundërt drejt Frakullës, sulemi disa gradë kthesë për në Kallm -Verri, në bregun tjetër pastaj duke filluar nga Jakodina, Belina, Marinza, Sheqishta, Zharrëza, marrim përpjetë Kuqarit, Patosit, Dukasit, Banajt, Rusinjës, Margëlliçit, Rrerësit, Gjorgozit, Visokës, Patosit-Fshat, Belishovës, Ballshit, Drenovës, Kashit, Hekalit, Mollajt, Poçemit, hidhemi pastaj matanë Vjosës drejt Labërisë, në Karbunarë, Gorisht, Amonicë, duke ju shtuar lumit dhe “rrëkeza” e Drashovicës që na kujton se pusi i parë i çpuar për naftë në Shqipëri është pikërisht aty, në vitin 1916 nga italianët. Në Amonicë përpara na del masivi shkëmbor i maleve duke e përfunduar përfytyrimin popullor në Finiq të Sarandës. Ndërsa për specialistët është krejt ndryshe dhe shkencërisht kanë përcaktuar thellësitë e shtresave të ndryeshme, llojin e naftës që nxirret në çdo vendburim, katet e tyre etj. Për naftë është shpuar gjithandej Mallakastrës edhe në Aranitas, Panahor, Kalenjë, Metoh e gjetkë, por pa dhënë ndonjë rezultat. Për kuriozitet po shtojmë se për dekada me radhë në linjat tona detare dhe ndërkombëtare ishte një anije çisternë me emrin “Patosi”. Uzina e përpunimit të thellë të Naftës në Ballsh, e cila bënë pjesë sot në shoqërinë aksionere ARMO, është një uzinë ndër të paktat e më cilësoret që i rezistoi ekonomisë së tregut dhe furisë vetvrasëse të nëntëdhjetë e shtatës. Si përfundim, Nafta dhe Ulliri janë dhe mbeten dy nga pasuritë më të çmuara të krahinës e të vendit. Dhe për të dyja këto pasuri Mallakastra mbanë kreun paçka se në ndonjë shkrim ose studim shkencor e ndonjë “shkencëtar” flokëthinjur e sup rënë nga pesha e gradave të marra kohët e fundit e quan me të pa drejt krahinë e prapambetur.
Figura të shquara në vite në naftë mund të përmëndim:
Lipe Nashi*, Kapllan Hajdari, Sotir Skorovoti, Hysni Ajasllari, Uani Çapo, Avni Liçaj, Zarif Saliaj, Barjam Shehu, Qemal Rrapushi, Kiço Kasapi, Sokrat Pitushi,Myrteza Kepi, Muhamet Shehu**, Sheme Mara, Napolon Mërtiri, Sabri Hoxha, Nexhip Xhuveli, Haki Fejzo, Adil Zotaj, Pjetër Leka, Feruze Nepravishta, Beqir Alia, Ramiz Xhabia, Miti Dhamo, Petro Olldashi, Ilia Karaduni, Piro Bozdo, Bahri Shanaj, Protoko Murati, Nebi Sulkaj, Enriko Veizi***, Abib Pasha, Koço Plaku****, Milto Gjikopulli*****, Kamber Brezhani, Sulo Kamberi, Nikodhim Shtrepi, Skender Elbasani, Belul Kamberi, Fatmir Shehu etj. Ndërsa nga të huajt që i dhanë aq shumë nxjerrjes së naftës në vendin tonë e veçaënrisht në Mallakastër është inxhinieri polak Zuberi****** i cili është i pari që bëri hartën gjeologjike të Shqipërisë dhe njihet si zbulues i vendburimit të Patosit. U eksekutua nga rregjimi komunist si sabotator në zonën e naftës Kuçovë. Kanë dhënë kontributin e tyre plot specialistë nga Italia, Anglia, Jugosllavia, Hungaria, Çekia, Bashkimi Sovjetik, Rumania, Kina etj. Në kohë të komunizmit në Patos dilte një revistë shkencore e titulluar “Nafta dhe Gazi”(1972-1991) e cila ishte e një cilësie të lart.
* Lipe Nashi ish drejtor i përgjithshëm i naftës. Me rastin e festave të çlirimit nëntor 1974 merr titullin Hero i Punës Socialiste. Pak muaj më pas në mars të vitit 75 arrestohet dhe dënohet si armik i popullit, si sabotator në naftë. Pas daljes nga burgu në një intervistë dhënë gazetës “Nimfeu” 1 tetor 1991, Lipe Nashi do të shprehej:
“Nga regjimi 46-vjeçar, ndër të tjera u cilësova si shumë shokë të mi, si armik dhe sabotator në naftë. Këtë akuzë ma bëri Enver Hoxha, të cilit të mos ja hamë hakun, ishte i zgjuar …për poshtërsi, por jo si shkencëtar, siç mundohej të të paraqitej nëpërmjet një matriali të gjerë që la të shkruar dhe që unë s’di se sa ju shërbeu pasardhësve. E vërteta është se veçanërisht në fushën e naftës padituria e tij ishte totale për të mbuluar këtë padituri e mëndjemadhësi që pasqyrohej rrënqethshëm në ekonomi, ai fabrikoi armiq e sabotatorë sipas cikleve të përcaktuar vetëm nga një mëndje e çmendur.”
Mbas vdekjes së Lipe Nashit një nga sheshet kryesore të Patosit mban emrin e tij.
**Myrteza Kepi nga Preza e Tiranës dhe Muhamet Shehu nga Bicaj i Kukësit ranë në krye të detyrës në Linas të Elbasanit pas një shpërthimi të një nënstacioni pompimi që dërgonte naftën në rafinerinë e Cërrikut. Emrin e Myrtezait e mbanë një shkollë e mesme në Kuçovë, ndërsa të Muhametit një shkollë në Patos. Për kujtim të dy heronjëve rruga për nga qendra e Patosit, deri në Stadiumin e futbollit mbanë emrin “Heronjtë e Linasit”
***Enriko Veizi specialist i mirfilltë në insitutin e kërkimeve të naftës, një nga karikaturistët më të mëdhenj që ka nxjerrë Shqipëria.U dënua me grupin e përfolur sabotator në naftë duke parë lirinë me ardhjen e demokaracisë. Pa ju gëzuar mirë lirisë ndërroi jetë më 1992. Nga njerëz të ndryshëm të artit e të kulturës është propozuar që t’i ngrihet një monument në Patos, Fier apo dhe Himarë që ishte vendlindja e tij.
****Koço Plaku një nga specialistët gjeologë më të mirë që kishte nafta, vëllai i të njohurit Panajot Plaku, u dënua me vdekje, kur s’kishte as tre muaj që ishte martuar. Kishte zbuluar vendburimin e Gorishtit dhe atë të Cakranit. Para se të arrestohej kam punuar me të në Pusin Verria 33 në zonën e çpimit Kallm –Verri.
*****Milto Gjikopulli një nga specialistët më të mirë që kish gjeologjia shqiptare dhe ajo e naftës në veçanti. U dënua me vdekje si sabotator në sektorin e naftës.
******Zuberi, inxhinier polak, një nga gjeologët më të mëdhenj të botës. Kishte zbuluar venburimin e Bakusë në Bashkimin Sovjetik në kohë të Leninit. Më vonë u angazhua me Shoqërinë Anglo – Persiane në Gjirin Persik e më pas erdhi në Shqipëri. Kudo ku shkeli hartoi dhe përpiloi me saktësi hartat gjeologjike. Dha një kontribut të madh në zonën e Kuçovës dhe është zbuluesi i zonës naftëmbajtëse të Patosit. Në një nga bormbadimet e aviacionit Anglo – Amerikanë i vritet gruaja në Kuçovë. Në Shqipëri si para lufte e më pas punoi me përkushtim. Hartat gjeologjike të Zuberit referohen edhe sot në shumë vende të botës.
¹Kjo pjesë është shkëputur nga libri “Aranitasi dhe Mallakastra midis legjendës dhe të vërtetës” të Bujar Muçës. Botuar se pari ne gazeten ”Albania Press” Athine.