Edhe pse ka kaptuar vitet, me kokën e rruar ala “Koxhak” dhe mustaqet si të Shon Konerit, korçari Dhori Gërnjoti ruan maksimalisht pamjen e një ish-boksieri. Një pamje që nuk mbetet e pavëzhguar, sidomos për ata që e njohin sportin e boksit, kryesisht lulëzimin e viteve 1960-‘70 në Shtetet e Bashkuara. Por Dhori Gërnjotit nga kohët e lavdishme të shkuara, kur hidhte nokaut në ring më të mirët e Shqipërisë, nuk i ka mbetur vetëm fasada. Vështrimi i patundur e hetues, mënyra se si argumenton të tashmen e të shkuarën, kyçet e eshtërmëdha të duarve dhe linjat perfekte fizike, që do bënin xheloz çdo 35 apo 40-vjeçar të rrumbullakosur nga shëndeti i tepërt, të bindin se përballë tij mund të qëndrojë si e vërtetë ajo thashethemnaja e vjetër e arratisjes jashtë vendit, vetëm për të grushtuar në ring me të madhin Mohamed Ali. “Nuk është krejt e pavërtetë… Do ta shpjegoj përgjatë rrëfimit”, flet me shumë seriozitet Dhori, teksa gjerb me përtesë një teke raki rrushi në verandën gjelbëruese të lokalit të preferuar të tij “Vila Verde”, që gjendet në të dalën jugore të Korçës. Pa nxituar, me një freski të admirueshme kujtimesh, Gërnjoti e nis me rrëfimin për të atin, Rafael Dishnicën (Gërnjoti) një aventurier të suksesshëm, ish-boksier kampion në Argjentinë e gjithë Amerikën e Jugut, por edhe në Ballkanin e para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Një histori që të lë pa mend.

“Babai na stërviste fort”
“Kohët kanë ndryshuar, por në vitet 1950-’60 të ishe biri i Rafael Dishnicës, nuk ishte pak. Ai ishte një legjendë e gjallë, një kampion boksi që kishte shkëlqyer në Ballkan, që nga koha e mbretërisë së Ahmet Zogut, madje edhe para se të vinte në Shqipëri, në Argjentinë dhe në krejt Amerikën e Jugut”, rrëfen Dhori për të atin. Dhe të rriteshe në familjen e njeriut, që themeloi e stërviti ekipin e parë të boksit në Shqipëri, nuk mund të mos dashuroheshe me këtë sport. “Ishim tre vëllezër dhe babai nuk na ndau, duke na stërvitur fort. Në asnjë rast nuk na këshilloi të mos merreshim me këtë sport, në asnjë rast nuk na tha se mund të studionim për të gjetur udhën e jetës përmes një tjetër zanati. Madje, na stërviti qysh fëmijë me normat fizike që kryente edhe vetë. Kështu që në moshën 14-vjeçare unë dhe im vëlla, Ilia, dy vjet më i madh në moshë, u futëm në një ekip të rinjsh, që babai krijoi në Korçë. Këtu nisën edhe ëndrrat…”, rrëfen ish-boksieri, që gjithsesi nuk e censuron faktin, se në ndeshjen e parë zyrtare ka pësuar humbje. “Ishte viti 1958 dhe në Tiranë zhvillohej kampionati i të rinjve. Im vëlla, Ilia, doli kampion në peshën 54-57 kg., ndërsa mua, në peshën 49-51 kg., më mundi Viktor Martini i Shkodrës. Isha vetëm 15-vjeç dhe kujtoj tim atë të më ngushëllonte dhe të më thoshte, se asgjë nuk kishte ndodhur dhe se unë do të bëhesha patjetër një kampion i madh. Dhe vërtet, që pas kësaj ndeshjeje të parë zyrtare derisa përfundova në qelitë e burgut të Burrelit, unë nuk pësova asnjë humbje. Madje u shndërrova në një kundërshtar të fortë, duke i fituar të gjitha ndeshjet me nokaut që në raundet e para”, rrëfen Dhori Gërnjoti. Në të vërtetë i njëjti pohon se sukseset e tij dhe të vëllait kishin ardhur falë stërvitjes dhe këshillave të së atit. Një vit më pas, më 1959 Dhori dhe i vëllai shpallen kampionë kombëtarë në Spartakiadën e Parë të Shqipërisë në Tiranë.
Po kështu edhe në vitin 1960 Dhori zë vëndin e parë në grup në Kampionatin Kombëtar të të Rinjve/Të rriturve që zhvillohej po në Tiranë. “Isha një grushtues i fortë. Por edhe e merrja veten shpejt qoftë edhe nëse kundërshtari arrinte të më rrëzonte. Gjithçka falë stërvitjes që na bënte babai, një stërvitje që mbase tek unë kishte gjetur njeriun e duhur, pasi të gjithë që më njihnin pohonin se isha i lindur për këtë lloj sporti”, rrëfen ish-kampioni. Më në fund, në vitin 1962 Dhori Gërnjoti merr pjesë në kampionatin e të rriturve. “I rrëzova të gjithë me nokaut, por në finale, me Daniel Vidën e famshëm, për pak sa nuk e pësova. Më rrëzoi dy herë nokaut, në raundin e parë dhe në të dytin. Po të më kishte rrëzuar edhe njëherë tjetër, ndeshja fitohej automatikisht nga ai, pasi kështu ishin rregullat. Por në raundin e tretë unë e godita fort dhe ai nuk u ngrit më. Arma më e fortë ishte përgatitja ime fizike”, tregon ish-boksieri duke rrudhur ballin e parë drejt qiellit si ai njeriu që përpiqet të risjellë në mend histori shumë – shumë të vjetra. Por në rrëfimet për ndeshjet e tjera nuk ka më incidente të ngjashme. Duket Dhori Gërnjoti arrin përsosmërinë dhe pjekjen si boksier. “Gjithçka falë stërvitjes që vazhdonte të na bënte babai. Ishte një mjeshtër i vërtetë. E nisnim nxehjen me ngadalë. Por nuk vraponim në fushë. Asnjëherë. Vetëm nëpër male e gërxhe. Kujtoj se përditë merrnin sëpatat dhe çanim dru. Ishte një ushtrim që babait i pëlqente shumë. I binin sëpatës për rreth 30 minuta fort në trungje të mëdha. Nuk kishte ushtrim më të mirë për të forcuar shpatullat. Sot këtë nuk kam parë ta bëjë asnjë boksier. Ndërsa kur stërviteshim në palestër, babai i kushtonte më shumë rëndësi dueleve mes boksierëve që zgjasnin derisa njëri të tërhiqej. Ishte një regjim stërvitjeje i përsosur”, e mbyll me psherëtimë Gërnjoti.

Fitorja e fundit dhe arratisja
Dhori Gërnjoti rrëfen se si në moshën 20-vjeçare kishte shtuar në peshë, duke garuar jo më në kategorinë e 64-67 kilogramëve, por në peshën e mesme, 71-75 kg., që sipas tij është edhe pesha e më të fortëve të botës. Por viti 1962 do të ishte i fundit në karrierën e tij. Edhe pse në moshë të re, boksieri nga Korça, me disa shokë, e kishte menduar ndryshe ndërtimin e mëtejmë të jetës. Kishte vendosur të arratisej jashtë vendit. Andej nga i ati kishte mundur të jetonte pjesën më brilante të jetës. Andej ku edhe dëshira për t’u ngjitur në ringjet më të mëdha të botës ishin më pranë mundësisë. Në vitin 1962, Dhori Gërnjoti inkuadrohet në ekipin e boksit të Beratit, pasi ai i Korçës ishte në kategorinë e dytë. Në shtator të të njëjtit vit, në Durrës, në parkun “Nako Spiru” zhvillohej kampionati i kategorisë së parë. Ky kampionat do njihte edhe shkëlqimin e pazakonshëm të fenomenit nga Korça. Dhori Gërnjoti i fiton të gjithë ndeshjet kualifikuese, duke i rrëzuar kundërshtarët me nokaut. Pothuaj të gjithë që në raundet e para. Në finale korçari i frikshëm ka përballë Todi Jankun e famshëm të Dinamos, një kampion absolut kombëtar. Por kjo ndeshje, e fundit në radhë në karrierën e Gërnjotit, do të ishte krejt e pandershme. Gjithçka për shkak të arbitrit, Sh. Ferri, që sipas Dhorit ishte mik i deklaruar i Jankut. “Jo sepse këtë e pohoj vetëm unë, por kisha arritur në kulm të shkëlqimit tim. Nuk kisha frikë asnjë qenie me dy këmbë të asaj peshe trupore të më dilte përpara. Ndieja se kisha forca të shembja edhe më të mirët në botë”, flet me sinqeritet të dukshëm ish-boksieri.
Kështu kur nga raundi i parë i ndeshjes finale kishin kaluar vetëm pak sekonda, kampioni Janku e sheh vetën përtokë. Çohet dhe pak çaste më pas Gërnjoti e shtrin sërish përtokë. Ndërhyn arbitri. Salla çohet në këmbë. “Arbitri, i cili më pas ka bërë ‘autokritikë’, nisi të favorizojë dukshëm Jankun, unë e humba kontrollin dhe e shava. Ndërsa ai më skualifikoi. Në këtë kohë salla doli jashtë kontrollit, beratasit, por edhe durrsakët, që bënin tifo për mua, u përleshën me tifozët tiranas të Dinamos. Pati një rrahje masive. Kujtoj se atë natë policia prangosi nja 200 vetë”, rrëfen ish-boksieri. Po atë natë, Dhori Gërnjoti largohet për në Korçë. Kishte plane të tjera. Bashkë me disa shokë të ngushtë kishin përllogaritur të arratiseshin për në Greqi. “Ishim gjashtë gjithsej, përfshirë spiunin që na shiti te Sigurimi i Shtetit. Tre nga ne ishin boksierë, një prej të cilëve Andon Vanko, tri herë kampion kombëtar. Na lanë sa shkuam deri në fshatin kufitar Qytezë të Korçës dhe këtu na arrestuan që të gjithë. Ishte data 1 tetor 1962”, rrëfen Dhori Gërnjoti historinë e 46 viteve më parë.
“-Përse duhej lënë pas një karrierë e shkëlqyer, një pozicion jo i keq në shoqëri, për t’u arratisur?”
“-Për shumë arsye. Ishte një varfëri e skajshme, sidomos pas prishjes me sovjetikët. Por edhe sporti i boksit kishte dhënë shenjat e para se do të mbyllej…”.
“-Si është e vërteta e fjalës që doli në ato kohëra, sipas së cilës ju ishit arratisur vetëm për t’u ndeshur me boksierin më të madh të të gjitha kohërave, Mohamed Ali-un?”
“-Ka një të vërtetë në këtë mes. Unë ëndërroja që një ditë të isha ndër më të mirët e botës, qoftë me anë të karrierës jashtë vendit. Ëndërroja të ndeshesha me më të mirët e peshës sime, me argjentinasin Karlo Manzoni dhe italianin Nino Benvenuti, që ishin respektivisht kampion dhe nënkampion bote. Këta ishin të peshës sime. Pra, kjo ishte një nga ëndrrat që më shtynë të kapërceja kufirin. Ndërsa ideja e ndeshjes me Mohamed Ali-në duhet të ketë qenë një shpikje e Sigurimit të Shtetit. Mesa duket ata donin që të justifikonin në opinion arratisjen e sportistëve dhe në këtë rast timen. Për më tepër nuk donin që arratisja ime dhe e të tjerëve të interpretohej për arsye ekonomike, por të dilte se kishte qenë për shkak të sportit. Gjithsesi në popull mbeti për një kohë të gjatë i mbjellë opinioni se unë u arratisa vetëm për t’u ndeshur me Mohamed Ali-në”, shpjegon Dhori Gërnjoti.
Nga Tirana në burgun e Burrelit
Pas 6 muajsh në hetuesi, Dhori Gërnjoti dënohet më 14 janar 1963 me 18 vjet heqje lirie për “krimin e tradhtisë ndaj Atdheut në formën e arratisjes jashtë shtetit, dënohet me humbjen e të drejtës elektorale për 4 vjet dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të pjesës së tij”.
“Gjyqi u bë me ftesa, i hapur, me qëllim që rinisë t’i futej frika dhe të mos i shkonte në mend arratisja jashtë vendit. Dy ditë i mjaftuan prokurorit Thoma Nako dhe gjykatësit ushtarak Shyahip Panariti të mbyllnin gjyqin dhe të shpallnin pretencën e dënimin. Fillimisht më dërguan në kampet e punës, në Tiranë. Ne të burgosurit ndërtuam Uzinën e Autotraktorëve, fabrikat e çimentos në Elbasan dhe Fushë-Krujë, Uzinën e Sodës në Vlorë, Superfosfatin e Laçit e të tjera, duke punuar për 600 gramë bukë në ditë dhe duke bërë normën 100 për qind”, rrëfen Gërnjoti rrënimin e karrierës dhe rinisë së tij. Në këtë kohë, sipas të njëjtit, mes të burgosurve ishin krijuar grupe që planifikonin arratisjen jashtë vendit. Po sipas Gërnjotit, edhe në këto grupe Sigurimi i Shtetit kishte të infiltruarit e vet. Shpejt mësohet për planet dhe 18 vetë, të cilësuar si më të rrezikshmit, përfshirë Dhori Gërnjotin, dërgohen me urgjencë në burgun famëkeq të Burrelit.
“Kujtoj se gjatë muajve të parë në burg kam bërë një analizë të gjithë jetës sime. Isha në formën më të mirë sportive. Në kulmin e moshës dhe të forcës. Më ishte bërë fikse në tru se isha në gjendje të rrëzoja përtokë edhe më të mirët e botës. Të paktën 10-15 të fundit që ishin ngjitur në ring me mua, këtë fat kishin pasur. Pak muaj para se të futesha në burg, Partizani dhe Dinamo kishin nisur sherrin se kush do më rekrutonte, pasi kishin mësuar se duhet të bëja ushtrinë. Solla në mend se si mbusheshin stadiumet plot, sidomos në Berat, sa herë që unë kisha ndeshje. Ehh, të mos ishte ndaluar sporti i boksit në Shqipëri, tani do ishim më të fortët në botë… Kujtova me dhimbje tim atë, që nuk kishte asnjë dijeni për veprimet e mia dhe të them të vërtetën u ndjeva keq. Por fatmirësisht te njeriu shpresa vdes e fundit”, rrëfen Gërnjoti për muajt e parë të kaluar në burgun e sigurisë së lartë të Burrelit. Përsëri edhe në këtë burg të frikshëm, ku kundërshtarët e regjimit shkeleshin me këmbë dhe ku përditë kishte të vdekur nga puna e rëndë dhe keqtrajtimet, apo të vrarë nga oficerët komandues, Dhori Gërnjoti nuk pajtohet me fatin.
Arratisja e përgjakur
“Bashkë me Adem Allçin, Sazan Hadrin dhe një ‘intelektual’ bëmë planin e shpërthimit të burgut të Burrelit. Para nesh nuk kishte guxuar askush. Por edhe pas nesh askush nuk e provoi”, rrëfen ish-boksieri korçar. Por në momentin e fundit “intelektuali” ishte tërhequr, kur kishte mësuar se nuk bëhej fjalë për arratisje me anë të një tuneli, por për largim duke përdorur forcën. “Kishte edhe spiunë mes nesh. Dhe unë jam i bindur se Sigurimi kishte dijeni për këtë arratisje, e priste, vetëm se ka të ngjarë që nuk dinte kohën se kur do të ndodhte”, shpjegon Gërnjoti bindjen e vet. Ndërsa plani i arratisjes kishte qenë i guximshëm, por edhe shumë i rrezikshëm. “Sipas planit të bërë më parë ne sulmuam oficerin e rojës dhe dy policët në orën 9 të mbrëmjes, kur bëhej apeli. I goditëm me grushte sa i lamë pa ndjenja, u lidhëm gojën dhe u morëm çelësat. Me ndihmën e tyre hapëm derën që të nxirrte në ajrim dhe prej këtej, duke u ngjitur nëpër hekurat e dritareve, hipëm në tarracë. Por rojet na dalluan dhe hapën menjëherë zjarr. Sazan Hadri u vra në vend, ndërsa unë dhe Ademi vazhduam nëpër plumba. Arritëm të kapërcenim telat me gjemba të dy rrethimeve dhe dolëm kodrave. Kujtoj se si u dha alarmi dhe se gjithandej na rrethuan njerëz të armatosur, përfshirë ata të forcave vullnetare. Në qiell u ngrit një helikopter që na kërkonte me projektorë, duke na bërë tabelë qitjeje sa herë që arrinte të na diktonte. Unë renda gjithsej 30 minuta. Gjatë gjithë kohës dëgjoja plumbat që më binin pranë dhe që më shponin, por nuk i ndieja sepse isha i ngrohtë. Dikur humbja e gjakut më rrëzoi përtokë. U bllokova. I pari që u afrua ishte qeni i kërkimit. Pastaj ndjeva zhurma njerëzish. Të cilët edhe ashtu siç isha, i shtrirë, më qëlluan sërish”, ish-boksieri ndal frymën për të treguar dy plagë plumbash në këmbë, gjurma e të cilave dëshmonte se ato mund të bëheshin vetëm nëse viktima do të ishte në pozicion të shtrirë. Pak çaste më pas Gërnjoti e sheh veten në një pellg gjaku dhe të rrethuar nga një turmë laramane. Ishin vullnetarë nga populli, ushtarë të korpusit të Burrelit, policia e burgut dhe ajo e rendit. “Kisha marrë gjashtë plumba, në kokë, në shpatull, dy në ije dhe dy në njërën këmbë. Por vazhdoja të isha gjallë dhe i fortë. Pa më dhënë asnjë ndihmë mjekësore më lidhën dy duart dhe më përhoqën zvarrë si të kryqëzuar. Në oborr pashë kufomën e Sazanit Hadrit të shpuar nga 70-80 predha. Më vonë mësova edhe për fatin e Adem Allçit. Ai kishte rezistuar edhe 30 minuta më shumë se unë. E kishin zënë në kodrat e Macukullit, pasi më parë e kishin plagosur në shpatull”, shpjegon Gërnjoti. Por në spitalin e Tiranës ish-boksieri bie në duart e një kirurgu të njohur që e bën sërish njeri, duke i nxjerrë plumbin e shpatullës dhe një tjetër që kishte bërë vend në kockat e legenit. Dhjetë ditë pas ngjarjes, me barelë, sërish Gërnjoti dërgohet në gjykatë. Këtë herë, më 19 gusht 1967 dënohet nga Gjykata e Dibrës “me vdekje me pushkatim, i deklaruar fajtor për vepra terroriste kundër përfaqësuesve të pushtetit”. Por sërish ka fat, pasi me anë të një dekreti të Presidiumit të Kuvendit Popullor, që mban datën 8 shtator 1967, Dhori Gërnjotit i falet jeta duke u dënuar vetëm me 25 vjet heqje lirie. “Më dërguan fjalë në burg se faljen time e kishte kërkuar vetë Enver Hoxha, por kurrë nuk e besova. Më shumë besova se nuk donin të vrisnin një boksier me emër për të mos shkaktuar probleme në opinion”, flet ish-sportisti me bindje.
Më tej nëse nuk do të llogaritet rrahja e një polici të burgut në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e maçokut që Dhori rriste në qelinë e vet, dhe dënimit me 3 muaj të tjera heqje lirie, përmbi 25 vitet e akorduara më parë, nuk ka më rebelizëm për Dhori Gërnjotin. Ai vazhdon të vuajë dënimin dhe të rrumbullakosë pas hekurave gjithsej 20 vjet burg. Kohë që nuk shkon kot në shoqërinë e shumë të dënuarve vip të ndërgjegjes, nisur nga Spartak Ngjela, Vladimir Balluku (djali i Beqir Ballukut), Spartak Spahiu (djali i Bediri Spahiut) dhe Bardhyl Belishova (vëllai i Liri Belishovës). “Ishin njerëz të mençur nga goja e të cilëve mësova shumë të vërteta për jetën dhe sidomos për sistemin komunist. Ndërsa Spartak Ngjela ishte i paarritshëm. Shumë i qartë në ato që thoshte dhe aspak i frikësuar se do e spiunonin”, tregon ai për shoqërinë në burg.
Ish-boksieri Dhori Gërnjoti u la i lirë në vitin 1987, në moshën 43-vjeçare. Ishte koha kur Ramiz Alia pranoi në OKB se kishte nxjerrë nga burgjet të gjithë ata që kishin vuajtur 20 vite dhe më tepër. “Pati një incident, gjithsesi që mua më kushtoi shtrenjtë. Sepse unë nuk isha në grupin e parë të të liruarve. Nëna më priste të dilja dhe kur pa se kjo nuk ndodhi, iu përkeqësua shëndeti dhe vdiq. Ndërkohë që unë dola menjëherë më pas, me anë të një tjetër dekreti faljeje. Gjithsesi gjeta babanë gjallë. Më ka mbetur në mendje dhe nuk kam për ta harruar kurrë se ai në asnjë çast nuk më pa shtrembër. Dy muaj pasi dola nga burgu, u martova. Tani kam dy fëmijë si engjëj, vajzë e djalë. Nuk më bën përshtypje që djali nuk merret me boks. Mendoj se tashmë në pleqëri kam gjetur qetësinë e jetës. Më në fund mendoj se jam duke jetuar si njeri”, e mbyll ligjërimin Dhori Gërnjoti, ish-boksieri nga Korça, që dikur nuk kishte frikë të ndeshej dhe të mundte edhe më të fortët e botës.
“Im atë, Rafael Dishnica, ishte kampion absolut i Amerikës së Jugut”
Kjo është një histori që duket e pabesueshme. Mbase për shkak të kohës së kaluar. Sipas Dhori Gërnjotit, i ati i tij, Rafael Gërnjoti (Dishnica), në vitet e largëta 1927-1931 ishte marrë me boks në Argjentinë dhe në pak kohë ishte shpallur kampion i gjithë kontinentit të Amerikës së Jugut. “E kishte nisur si amator, por shpejt ishte bërë kampion në peshën e mesme i Buenos Airesit dhe pak kohë më pas i gjithë Argjentinës. Më tej ai ka marrë pjesë në turne të ndryshëm në gjithë Amerikën Latine, në Uruguai, Kili, Peru, Paraguai etj., gjithmonë duke i fituar të gjitha duelet dhe duke u shpallur kampion i krejt kontinentit”, rrëfen i biri, Dhori Gërnjoti. Sipas të njëjtit, sapo vë mënjanë ca të holla, i ati ishte nisur në Shqipëri për të marrë me vete familjen. Rri në Shqipëri 3-4 vjet, por në kohën që përgatitet të ikë bashkë me familjen, nis lufta civile në Spanjë, lëvizja e civilëve vështirësohet dhe Rafael Dishnica mbetet në Shqipëri. Por nuk e kalon kohën kot. Nis të mbledhë që në vitin 1932 të rinj të pasionuar pas boksit dhe t’i stërvitë. Edhe vetë aktivizohet dhe kryen disa ndeshje të forta me kampionë të shteteve të ndryshme të Ballkanit. “Ndeshjet më të famshme të tim ati në të gjitha kohërat ishin ato të fituara ndaj kampionit të Bullgarisë, Zvetko Milovan, ndaj rumunit Mihal Kovaç dhe serbit Milan Çelnik, të cilin ai e mundi në mes të Beogradit. Vetëm një humbje e tim ati njihet, ajo me grekun Milo Potamitaqis në Athinë, pasi në Tiranë ndeshja u nda barazim”, rrëfen i biri. Por Rafael Dishnica shkëlqen edhe në ndeshjet me boksierë të famshëm italianë dhe gjermanë përgjatë pushtimit. “Ka mundur në kinema “Donika” në Tiranë, Mario Palumbin, një kampion të ushtrisë italiane dhe pak kohë më pas në kinema “Brigada” hodhi nokaut edhe gjermanin Artur Winter, një tjetër boksier, që ishte kampion në radhët e ushtrisë së Hitlerit. Tregojnë se kanë qenë ndeshje të mëdha që kanë bërë krenarë shqiptarët patriotë të asaj kohe”, tregon Dhori Gërnjoti. Më tej ish-boksieri shpjegon se si Rafael Dishnica, i ati, kishte formuar pas çlirimit ekipin e parë kombëtar të boksit, duke stërvitur talente që më pas do të bënin emër dhe se gjithë jetën ia kushtoi këtij sporti.
Nga Ferdinand Dervishi
Drama e përndjekjes politike – si farsë
Ka 22 vjet apo më shumë, që drama e madhe e përndjekjes politike, luhet si farsë e turpshme. Ndërkaq, e thënë pa kurrfarë ceremonie, nuk pamë e nuk dëgjuam asnjëherë në Parlament a në Qeveri mbiemra të tillë, si: Frashëri, Merlika, Mirakaj, Malëshova, Zavalani, Fundo, etj. Jemi me të vërtetë në rrethana komike. Si do të thoshte Esenini: “Po qeshej si palaçoja hëna…” Po si nuk e morëm njëherë në dorë veten në mënyrë serioze dhe pa u trembur nga harbutët…Se në vend të mbiemrave të nderuar që përmenda më lart, dhe shumë të tjerë, nuk munguan në këto dekada: çalamani, ekonomisti, dizenjatorja, çiftelia, shkrimtari, A.Ballshi, etj., etj., mbeturina të një kohe të errët, që s’ka asnjë shans të ndriçojnë këtë kohë.
Assesi, në këto radhë, dua të tërheq vëmendjen e lexuesve të nderuar të “Zemra Shqiptare”, sa edhe të kolegëve të përkushtuar, mbi dy fenomene: Së pari, në vlerësimin real dhe ndijesinë humane përballë fatit të të përndjekurve politikë, por duke mos baltosur e fajësuar ndërkaq gjithë shqiptarët e tjerë, që e kanë jetuar atë periudhë në rrethana më të lehta e si qytetarë të lirë (aq sa mund të ishte i lirë njeriu në ato kohë). Pavarësisht se çfarë kishin në dorë të bënin, jo të gjithë i përcillnin njësoj episodet e dramës që ceka më lart. Së dyti, koha është që individët e ndotur, me dosje, të largohen nga vendimarrja dhe nga rafshet ku mund të ndikohet në publik.
Po sjell shkurtazi disa episode – në njëfarë mënyre mund të them diçka për to – duke shpresuar t’i ftilloj disi këto argumente.
Episodi i parë. Gërnjotët. Kam qenë në shkollën tetëvjeçare kur tentoi të arratisej dhe pastaj u burgos Dhori Gërnjoti. Atëherë një djalë i ri, boksier i madh. Ai i përkiste një familjeje boksierësh. I ati, Rafaeli (në atë kohë trajnier boksi) kishte qenë edhe ai boksier, madje edhe kampion në Argjentinë. Nuk di për ç’arsye ishte kthyer në Shqipëri dhe kishte ngecur. Edhe djali tjetër, Iljazi, ishte gjithashtu një boksier shumë i mirë. Ne ishim të vegjël dhe megjithatë e dinim që Dhori, me një grup shokësh, tentuan të arratiseshin, por i kapën. Ne e dinim edhe kush i kishte spiunuar, një shok i tyre, edhe ai boksier. Ne flisnim me njëri-tjetrin e na vinte keq.
Janë të njohura tashmë vuajtjet përgjatë tre dekadave të atij kampioni pa fat, përpjekjet për t’u arratisur nga burgu dhe gjithaq vuajtjet e familjes së tij. Dua të ndalem për fare pak në një aspekt të veçantë të kësaj drame. Vëllai i vogël i Dhorit, Thimi, (shpresoj nuk gaboj) ishte nxënës në gjimnazin “Raqi Qirinxhi”, më duket një vit poshtë meje. E mbaj mend si tani, djalë i gjatë, simpatik, i gjallë, aktivizohej në sporte dhe në veprimtari artistike, mbi të gjitha këndonte bukur; ishte një nga djemtë më të mirë dhe më të respektuar në ato vite, jo vetëm në gjimnaz, por edhe në qytet.
Sigurisht, ai dhe familja e tij e dinë ç’kanë hequr, nuk do të mundja ta zbusja a zbukuroja sadopak këtë histori të rëndë. Por mund të them gjithaq pa zbukurime se në një rreth të caktuar shokësh e të njohurish – tani po kujtoj disa prej tyre: Edmond Budina (aktori), Kostaq Duka (shkrimtari), Dhimitër Xhambazi (futbollisti), por edhe Koço Broka, Irena Gjoka, Vaskë Karamelo, Vladimir Dardha, Bujar Gaxhaj, Pandi Papando, Dhimitraq Pllaha, etj. – askush nga ne nuk e vështronte Thimi Gërnjotin shtrembër, askush nuk i binte në sy e t’i kujtonte “biografinë”, si të thuash nuk mbaj mend të kishim dëshirë apo shtirje për t’iu kundërvënë, për ta rënduar qoftë edhe një çast ose për të mos i dhënë miqësi. (Natyrisht, kishte të tjerë që “mendonin” për këtë.)
MARTIRET E 2 GUSHTIT1967.
Burgu i Burrelit, një ferr i vërtetë i diktaturës komuniste, sidomos në periudha të veçanta të saj. Një nga këto periudha është edhe viti i zi 1967 kur, si rezultat i fjalës së diktatorit të 6 marsit 1966 dhe, pas saj, letrës së hapur të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës drejtuar klasës punëtore, në të gjithë vendin filloi një fushatë e çmendur kundër atyre që mendonin ndryshe nga sundimtarët. Filloi një luftë e tmerrshme kundër besimeve fetare, duke shkatërruar që nga themelet kisha e xhamia, një luftë banditeske kundër të ashtuquajturave “shfaqje të huaja” në shoqërinë shqiptare. Në çdo faqe muri do të shihje të ashtuquajturat “fletë-rrufe” ku me emër dhe mbiemër fshikulloheshin kundërshtarët e regjimit.
Një gjendje e tillë, ndoshta edhe më tepër e egër, shfaqej nëpër burgjet e vendit. Natyrisht, burgu i Burrelit, mbante vendin e parë në këtë drejtim. Aty ishin mbledhur kokat më të ndritura të kombit shqiptar dhe ata duheshin eliminuar. Por kjo tirani e pashembullt nuk arriti të thyente dëshirën për liri të atyre që ishin ndrydhur në qelitë e errëta të burgut.
Në rradhët e të burgosurve kishte martirë që mendonin të gjenin rrugën për të shpëtuar nga kjo kasaphanë. Tre të burgosur politikë, Adem Hallçi nga Tropoja, Dhori Grinjoti nga Korça dhe Sazan Hadëri nga Tepelena kishin ditë që bisedonin për të gjetur mënyrën për t’u arratisur drejt lirisë. Së fundi vendosën.
Ishte 2 gushti i vitit 1967. Kapën rojen e brendëshme, e lidhën dhe i morën çelsat. Hapën portën e jashtme dhe dolën në oborr. Aty duke hipur në shpinat e njeri-tjetrit dhe nëpërmjet hekurave të dritareve kërcyen në tarracën e burgut. Rojet që qëndronin në karakollet që rrethonin burgun i diktuan. Një breshëri e paparë armësh shpërtheu nga të katër anët. Por trimat vraponin drejt lirisë. U hodhën nga tarraca dhe vazhduan të vrapojnë. Bateria e armëve vazhdonte. Një plumb i mallkuar kapi Sazanin. Ai ra. Shokët u kthyen ta marrin në krah.
– Ikni, – mundi t’u thoshte dhe i mbylli sytë.
– Lamtumirë, vëlla! – thanë me një zë Ademi dhe Dhori duke vrapuar drejt pyllit që ishte aty pranë. Por breshëritë e paprera të armëve e bënë punën e tyre. Dy plumba i goditën të arratisurit dhe ata ranë të plagosur. Rojet i morën dhe ashtu të plagosur, pa iu dhënë asnjë ndihmë mjeksore, i mbyllën në qelitë e tmerrshme të lidhur këmbë e duar. Të ndjerin Sazan e morën dhe e hodhën në një gropë të hapur të vendi i quajtur “qershiza”.
Në çdo vend të botës ndodhin tentativa arratisje, por kur kapen të burgosurit sillen përsëri në burg për të vazhduar dënimin që u ka mbetur. Kurse te ne ata dënoheshin për së dyti, madje ka raste edhe për së treti. Kështu u ridënuan edhe heronjtë tanë. Në akt-akuzën e tyre figuronte edhe një nen që logjika njerëzore nuk do ta pranonte kurrë, neni i terrorizmit. Do të desha t’i pyesja hartuesit e këtij neni:
– Çfarë terrorizmi zhvilluan këta djem? Mos vallë dogjën? Mos vallë vranë njerëz të pafajshëm?
Asgjë prej këtyre nuk bënë, përkundrazi, ishin këta që u vranë. Ishin këta që u masakruan. Ishin këta që u ridënuan. Përse?
Kanë kaluar dyzeteshtatë vjet nga ajo ditë e kobshme. Eshtrat e Sazan Hadërit ende nuk dihet se ku prehen. A nuk do të ishte në nderin e këtij vendi që ato të gjendeshin dhe të vendoseshin në Varrezat e Kombit? Dhori Grinjoti i mbylli sytë pak kohë më parë. Njëzetedy vjet shtet demokratik nuk mjaftuan për ta rehabilituar plotësisht. Ai iku me zemër të thyer. Jeton vetëm Adem Hallçi. A do ta verë në vend shteti shqiptar detyrimin që ka për këta shtetas martirë?
Unë nuk e di. Do të presim e do të shohim.
– See more at: http://gazetadielli.com/martiret-e-2-gushtit-1967/#sthash.AdhCH9S3.dpuf
Nga Reshat KRIPA/
Ndahet nga jeta legjenda e Boksit Dhori Gërnjoti
Ndahet nga jeta në moshën 67-vjeçare, pas një sëmundje të rëndë, legjenda e boksit shqiptar Dhori Gërnjoti. Filloi të merrej me boks që në moshën 14-vjeçare, në ekipin e të rinve, të themeluar nga babai i tij. Ndeshja e parë për Dhori Gërnjotin ishte ajo në vitin 1958, kur ishte vetëm 15 vjeç dhe ku u mund nga boksieri shkodran Viktor Martini, por që do të ishte humbja e parë dhe e fundit. Në vitin 1959 Dhori së bashku me të vëllanë shpallen kampionë të Spartakiadës së Parë në Tiranë. Në vitin 1960 Dhori zuri vendin e parë në grup në kampionatin kombëtar të të rinjve. Në vitin 1962 merr pjesë në kampionatin kombëtar të të rriturve, ku mundi në finale boksierin e famshëm Daniel Vida. Karriera brilante e boksierit korçar dhe ëndrra e tij u ndërpre në vitin 1962, kur ai së bashku me tre shokë vendosi të arratisej për në Greqi. Gërnjoti dënohet me 18 vjet heqje lirie, për krimin e tradhëtisë ndaj atdheut, në formën e arratisjes jashtë vendit, duke vuajtuar dënimin në burgun e Burrelit. Ai së bashku me disa shokë vendosin sërish të arratisen, por nuk mundën veçse të kalonin rrethimin e burgut, pasi u ndaluan nga breshëritë e plumbave të rojeve. Në vitin 1967 ai gjykohet sërish dhe dënohet me vdekje, me pushkatim, por më pas ky dënim u kthye në 25 vjet burgim. Pasi vuajti plot 20 vjet burg, në vitin 1987, ai lihet i lirë. Në fillim të viteve ’90, Dhori i rikthehet edhe një herë ringut së bashku me të mirënjohurin Ahmet Golemi, në një ndeshje simbolike, në qytetin e Korçës, duke dhuruar emocione të paharruara për të gjithë adhuruesit e tyre, për të shënuar edhe rifillimin e sportit të boksit në Shqipëri. Trupi i pajetë i boksierit të madh pritet të vijë sot nga shteti grek dhe nesër do të përcillet për në banesën e fundit.
Nga Vangjush Saro
Ndajeni këtë me të tjerët:
Pëlqejeni këtë:
Pëlqejeni Po ngarkohet…