Kategori
Uncategorized

Provoje njëherë të jesh i lirë o shqiptar _ Provoje se nuk ke c’humb, ke prekur fundin

Nga Juli Emiri

Provoje njëherë lirinë o shqiptar se ndoshta…

Provoje njëherë të zgjohesh nga gjumi i pafundësisë e të dalësh nga guaska zhgjëndërr ku jeton-se fle prapë

Provoje njëherë të komandosh gjymtyrët e tu se ndoshta të binden

Provoje njëherë të nxjerrësh zërin tënd se ndoshta të dëgjohet

Provoje njëherë ta aktivizosh trurin se ndoshta punon. Ndoshta dhe ti mund të kesh një mendim, ose akoma më mirë, arsyetim. Ndoshta dhe ti mund të bësh dicka. Ndoshta ti nuk ke ardhur thjesht për të vegjetuar në këtë jetë. Ku i dihet? Ndoshta ti nuk je vetëm por je hallkë e një sistemi të tërë, që ndoshta ka ndaluar së funkionuari pikërisht se ti po rri e po fle

Provoje njëherë të shfaqesh e jo të fshihesh

Provoje njëherë të shohësh tablonë e plotë, se ndoshta gjen vendin tënd

Provoje njëherë ndryshe,sikur dhe ashtu, sa për të thyer monotoninë

Provoje njëherë të mos kesh nevojë të gënjesh, por të ndihesh i lirë të thuash të vërtetën

Provoje njëherë të mos të të duhet të mashtrosh a të lutesh a të paguash një diplomë, por të ndiesh pushtetin tënd të papërshkrueshëm kur e ke fituar me forcat e tua e nuk ia ke borxh askujt

Provoje njëherë të fitosh një vend pune pa u futur në ndonjë parti politike e të ndihesh zot i lirisë tënde, e jo të kesh frikë të hapësh gojë se të pushojnë nga puna

Provoje njëherë mos t’ia kthesh buzëqeshje një të pushtetshmi, nëse s’të vjen

Provoje njëherë të mos rrish në mes o qyqar o Kirenar

Provoje njëherë të veprosh pa llogaritur humbjet që mund të kesh (Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh si në kumar, në një të vetme lojë)

Provoje njëherë të clirohesh nga frikërat, e atëherë pushtetin e frikës ta marrë liria

Provoje njëherë të dashurosh lirisht vendin tënd:



Të dashurosh njerëzit e tu lirisht pa u burgosur nga filozofia jote ekzistencialiste “ku po ma fut/ku do me dalë/u bo ky”, thjesht i lirë aty, në atë moment…

Provo njëherë ta vësh veten në dyshim kur të dëgjosh aksiomën “Cdo shtet ka qeverisjen që meriton”


Ti e ke në dorë qeverisjen tënde. Askush tjetër.
Provo të bëhesh I vetëdishëm për forcën tënde.

🔻Provo mos ta shesësh votën – liria më e madhe e njeriut

🔻Provo t’i biesh malit me grushtin e Migjenit

🔻Provo njëherë të marrësh në dorë fatin tënd!

Provoje se ke lindur i lirë o shqiptar! Nuk ia ke borxh askujt jetën. Gjithë jetën të pushtuan e zaptuan e e të bënë të harrosh se je i lirë.

U përpoq Skënderbeu, Qemali, Noli (…)por prapë ti re se ti ishe mësuar me dhunën, madje kishe nisur ta doje…aq sa dhe kur more pavarësinë shumë shpejt re në diktaturë.

Por ka ardhur koha të provosh demokracinë o shqiptar.

Provoje!

Provo të krenohesh me vendin tënd , qoftë edhe sa për të ngopur egon që aq shumë të karakterizon.

Provoje njëherë të njohësh e të duash Shqipërinë para vendeve të huaja o levantin i Konicës

Provoje njëherë ta ndërtosh Shqipërinë para se ta shkatërrosh

Provo ta ruash, para se ta ndërtosh

Provo njëherë të kontribosh para se ta braktisësh

Po ta marrin o shqiptar. Po të marrin atë që të takon. Dikur ta morën me dhunë, sot po e jep vetë.

Pas pak kohësh askush nuk do e dijë më kush je, nuk do e dijë që je ndër qytetërimet më të lashta, që Berati ka qenë qytet para Londrës, që Apollonia është në Shqipëri, që Skënderbeu është shqiptar…askush nuk do i dijë sepse do jenë falur ose fshirë nga faqja e dheut.

Mos i lër të të fshijnë emrin o shqiptar!

Provo ta ruash dinjitetin tënd, të luftosh për emrin tënd.

Provo të luftosh para se të dorëzohesh!

Provoje se ndoshta fiton.

Provoje njëherë të jesh i lirë o shqiptar

Ata po e luajnë tragjedinë e lirisë mu para syve të tu. Ata janë zjarrvënësit që të kërkojnë shkrepse, e ti Bidermani po ia jep. Cohu nga karrigia spektator!

Cohu para se të luhet akti i fundit. Kemi arritur në pikën kulmore të tragjedisë, në pikën kyce.

E simbolikë më e goditur për këtë pikë nuk mund të gjendej nga asnjë dramaturg:

Simbolit të ndërgjegjies, tempullit të lirisë. (E përsëris) Shembja e teatrit nuk është tragjedia, tragjedia është e lirisë, shembja e teatrit është pika kyce. Është pika e kthesës. Pas kësaj vjen zgjidhja.

Apo duhet pritur ndonjë tërmet tjetër deus ex machina që të rrafshojë gjithcka si tërmeti I De Radës?

Do e provosh njëherë të jesh I lirë o shqiptar???

Një herë

Provoje se… MUNDESH

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s