
MOS LEJONI QË UJKËRIT TË SHQYEJNË SHTËPINË TUAJ!
Demokratëve u thonë: «Që të fitojmë, largoni Berishën!» Ndërsa Berishës i drejtohen me «lutje»: «Doktor, mbani qëndrim ndaj qëndrestarëve, sepse janë të ashpër në përballjen me ne!»
Por çuditërisht, kur përballen me të keqen, këtyre pseudo të djathtëve dhe butakëve kameleonë u zbutet gjuha, u zhduken kritikat dhe u treten qëndrimet. Ndërkohë, ujqërve të uritur u hedhin copa mishi dreri, duke i ndërsyer drejt PD-së dhe demokratëve.
Një pjesë e konsiderueshme e politikanëve që sot mbajnë poste në pushtet vijnë nga familje të nomenklaturës komuniste.
Askush nuk mban përgjegjësi për prejardhjen e tij familjare apo politike.
Por secili duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta, për abuzimin me shtetin dhe për vjedhjen e pasurisë publike.
Dikur, për një kallëp misri të vjedhur, hapej dera e burgut dhe mund të mos dilje më prej saj.
Sot, disa nga ata që kanë në dorë pushtetin nuk ngopen as me miliona euro, as me vila bregdetare dhe as me qindra apartamente.
Lakmia nuk njeh kufi, ndërsa pasuria publike trajtohet si pronë private.
Këta janë politikanë që përdorin çdo mekanizëm për të ruajtur pushtetin dhe privilegjet e tyre.
Një pushtet që, në vend të interesit publik, duket se i shërben gjithnjë e më shumë interesave të ngushta dhe një rrjeti të tërë klientelist e korruptiv.
Ndërsa patronazhistëve u hidhet ndonjë kockë për t’i mbajtur të lidhur me pushtetin, qytetarët e zakonshëm, pa dallim bindjesh politike, paguajnë çmimin e kësaj gjendjeje:
Fëmijët dhe të rinjtë që largohen nga vendi, çmimet e papërballueshme, spitalet në vështirësi, pasiguria dhe frika përballë krimit të organizuar dhe lidhjeve të tij me pushtetin.
Prandaj, mos lejoni që beteja të devijohet!
Mos lejoni që qëndrestari të kthehet në shënjestër, ndërsa përgjegjësit e vërtetë të kësaj gjendjeje të dalin nga fokusi. Mos lejoni që përçarja të bëhet armë kundër demokratëve dhe që zhurma kundër njëri-tjetrit të mbulojë përgjegjësinë e atyre që duhet të japin llogari para drejtësisë.
Mos u merrni me ata që mbrojnë shtëpinë tuaj, ndërsa ata që duan ta grabisin presin t’ua hapni derën!