Kategori
Uncategorized

BRAKTISJA E EMIGRANTEVE….Dhe diskriminimi politik i tyre.

 
BRAKTISJA E EMIGRANTEVE….Dhe diskriminimi politik i tyre.

“Mospërfaqësimi politik i emigrantëve është antikushtetues sepse nuk realizon parimet themelore të vetë Kushtetutes. Dhe për me tepër, vetë Kushteta e një vendi që ka orientim politik të jetë anëtare e familjes demokratike europiane nuk e përmend fare fak

Nga Dr. Luan ZYKA

luanzyka@yahoo.com.

Braktisja e emigranteve 

Pasi lexova dhe rilexova ligjin e ri të parlamentit të Shqipërise m’u fanit një kujtim i hidhur i fillimviteve ’90. Nga dritarja e trenit të linjës së natës Follorinë – Selanik, udhëtarët e strukur në ndenjëset e tyre shikonin me habi dhe keqardhje varganë të tërë emigrantësh shqiptarë që ecnin në këmbë anës hekurudhës për të ardhur në brendësi të Greqisë. Ata nuk kishin pyetur për kufinj para varfërisë së tyre pa kufi, por duke lënë gjithshka mbrapa shkonin drejt shpresës ashtu në këmbë kokëulur anës shinave të kapnin trenin e historisë… Po kështu kishin ikur shqiptarët nëpër det; ku t’i nxirrte dallga, të gjallë a të mbytur… Ata i kish braktisur politika tinzare dhe qorre e atdheut të tyre duke i nxjerre jashtë nga trupi si damarë që kullonin gjak e lotë. 

Edhe pse me kalimin e viteve ikanaku i djeshëm u kthye në shpëtimtarin e familjes shqiptare, edhe pse emigrantët po vetëorganizohen në shoqata, klube kulturore e shkencore, fizikisht apo nëpër rrjetet e komunikimit informatik, shteti amë i afron atyre vetëm nostalgjinë e dhimbjes. Edhe pse shtetet bujtëse po ndërtojnë politika për zgjidhjen e problemeve të bashkjetesës me emigrantet, në shtetin amë politika fshihet pas hipokrizisë së vet tradicionale.

Shteti ame i konsideron emigrantët vetem si shifra statistikore; 15-20 % te GDP vjetore të vendit prej emigrantëve, 1 milion turistë në vit (çfarë cinizmi shtetëror !), mijra makina që hyjnë e dalin nëpër dogana. Ambasada dhe konsullata që raportojnë vetëm për mijra e miliona euro e dollarë nga dokumentat e emigrantëve (pa llogaritur ato që futen në xhepat e sekserëve). Ky është emigranti për shtetin, disa shifra fitimprurëse dhe asgjë më tepër. 

Verbëri para realiteteve të reja të globalizimit, padije ndaj koncepteve moderne te shtetit-komb dhe dinamikës së diasporës me shumë identitet, mungesë fantazie politike apo mosdashje tinzare për të mos u lodhur duke e marrë me hapësirën e madhe gjeonjerëzore shqiptare. Braktisje e kësaj arterie të fuqishme dhe jetëdhënëse të trupit shqiptar. 

Roli historik i diasporës

Pasuria më madhe e kombit shqiptar është vetë njeriu shqiptar. Dëshmi e gjallë është faktori shqiptar në Kosovë dhe Maqedoni i cili po ndryshon historikisht rolin gjeopolitik të shqiptarëve. Kuadri idelogjik, kulturor dhe politik i shtetit të ardhshëm të shqiptarëve u formua nga diaspora shqiptare. Rrënjët ideologjke të ndërgjegjes kombëtare shqiptare fillojnë nga diaspora. Letërsia kombëtare në veçanti, dhe kultura në pjesën më të madhe, janë ngjyer në bojëshkrimin e diasporës. Diaspora shqiptare gjithashtu ishte promotori i lëvizjeve të mëdha politike deri tek ngritja e flamurit dhe ndihmesa për ngritjen dhe mbrothësinë e shtetit shqiptar. Pa ndihmën e gjithanshme dhe angazhimin e diasporës kosovare, çështja e Kosovës ndoshta do të kishte mbetur në udhëkryq. (Akoma psikologët në botë nuk mund të shpjegojnë këtë forcë tërheqëse që ka mëmëdheu për njeriun). Qoftë edhe për këto arsye, çdo shprehje e indeferencës politike ndaj diasporës është antihistorike.

Qysh prej viteve ’80 kam patur fatin e hidhur t’i njoh nga afër në vatrat e shtegtimit të tyre të tre kategoritë e ndryshme historike të diaspores shqiptare. Kam parë tretjen e kategorisë me të hershme, atë të arvanitasve, paralizimin e kategorisë së dytë, atë të diasporës së para Luftës së Dytë Botërore, dhe tani të gjithë jemi spektatorë dhe aktorë të fillimit të zvetënimit të kategorisë se tretë – atë të emigrantëve ekonomikë të pas viteve ’90-të. Veç shkaqeve te tjera, shkaku kryesor i kësaj patologjie kombëtare dhe shoqërore është qëndrimi i politikës indiferente të shtetit shqiptar. (Ndoshta nuk është e rastësishme që rilindasit përmendin termin “mëmëdhe” duke i dhënë rëndësi faktorit shpirtëror që lidhet me frymën e mëmës, dhe jo termin “atdhe” që i referohet më shumë pushtetit atëror).

Pasojat antidemokratike dhe antikushtetuese të indiferencës politike

Por jo vetëm kaq; indeferenca e sotme politike ndaj emigrantëve, si në ligjin e ri të zgjedhjeve ashtu edhe në Kushtetutë, është i papranueshëm në disa rrafshe. 

Pas kalbjes se gardhit që na kish ndarë nga koha, shoqëria shqiptare ka dalë e paorientuar në një botë globale, e cila nga ana e saj gjendet vetë në proçese të ndryshimeve rrënjësore. Sot, zhvillimi i çdo vendi dhe sidomos i një vendi të vogël si Shqipëria, realizohet vetëm me një optikë globale botërore ku nuk mjafton vetëm pavarësia territoriale e shtetit – komb apo edhe e sovranitetit shtetëror, por rëndësi themelore dhe afatgjatë ka ngritja e një shoqërie mbi parime dhe vlera demokratike. Me fjalë të tjera duhet bërë realitet kryeparimi themelor i Kushtetës sonë ku shprehet se “sovraniteti në RSH i perket popullit”

Po a është sovran një popull kur 1/3 e tij, mbi 1 milion shtetas të tij, praktikisht është përjashtuar nga e drejta kushtetuese per te zgjedhur dhe për t’u zgjedhur me pasojë të mosperfaqësimit në parlament dhe në organet e tjera politike vendimarrëse apo ekzekutive për fatin e tij? Përse personelet e përfaqësive diplomatike mund të votojnë në selitë e tyre ndërsa emigrantëve shqiptarë të regjistruar në listat e zgjedhësve nuk u jepet kjo mundësi ?! 

Pra, sovraniteti nuk i përket popullit si tërësi, i cili konsiderohet si turmë amorfe, pa mundësi të kryej proçesin zgjedhës të përfaqësimit të tij politik, që është boshti funksional i sistemeve demokratike. Në ligjin e ri me sovranitet të popullit në thelb dhe praktikisht nënkuptohet sovraniteti shtetëror bazuar në territorin e vendit dhe të atyre që e shkelin përditë atë, dhe nuk merret parasysh realiteti i ri i shpërndarjes së shtetasve shqiptarë nëpër botë. Kjo është miopi politike që zbulon mentalitete anakronike për vlerat dhe thelbin e demokracisë parlamentare. Vetë historia e shtetit shqiptar ka treguar se kur sovraniteti i popullit ështe cënuar apo paralizuar, sovraniteti shtetëror ka qenë i pamjaftueshem për të përballuar kriza që e kanë shpurë shoqërine shqiptare drejt shkatërrimit total ashtu si ndodhi në vitet 1939, në 1990 apo 1997. 

Po në këtë kuptim, mospërfaqësimi politik i emigrantëve është antikushtetues sepse nuk realizon parimet themelore të vetë Kushtetutes. Dhe për me tepër, vetë Kushteta e një vendi që ka orientim politik të jetë anëtare e familjes demokratike europiane nuk e përmend fare faktorin emigrant, kur gjithë vendet e BE (në proces ligjvënës është edhe Greqia) përfshijnë ne sistemin zgjedhor edhe diasporën e tyre të shpërndarë nëpër botë. 

Gjithashtu moskrijimi i kushteve të përfaqësimit politik të emigrantëve përbën shkelje të të drejtave themelore dhe veçanërisht të të drejtave politike të njeriut. Në rrafshin social, përjashtimi nga e drejta e përfaqësimit politik, të së drejtës për të zgjedhur apo edhe për t’u zgjedhur shkakton pabarazi sociale, dhe më tej akoma pabarazi ekonomike, duke dëmtuar kohezionin shoqëror kaq të dobët të shoqërisë sonë shqiptare..

Të vetmet lëvizje që kanë bërë do parti në drejtim të emigrantëve janë krijimi i disa grupëzave emigrantësh nën frymën e patriotizmit partiak dhe të dhe jo të frymës së përpunimit të ideve të reja politike.

Kjo kategori e tretë historike e diasporës shqiptare, e emigrantëve të pasviteve ’90-të gjendet në fazën e diferencimit të saj, fazë kur merr formën dhe funksionin e saj përfundimtar. Eshtë shansi i fundit ku mund të ndikosh mbi të e t’i japësh drejtimin e dëshiruar. Shqipëria ka nevojë jetësore për këtë pjesë të trupit të saj, për aortën e saj ekonomike, për dijen e saj shkencore, për idetë e saj nga bota e përparuar demokratike 

Këto argumente mjaftojnë që t’i biem edhe një herë këmbanës së politikës shqiptare për t’i kujtuar se përjashtimi politik i emigrantëve është me pasoja kombëtar, sa për të tashmen, aq edhe për të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Se me këto politika do vazhdojmë të ecim në këmbë si emigrantë të përjetshëm nëpër gjurmët e lëna nga treni i historisë së zhvillimit njerëzor… 

TRIBUNA
www.tribuna-news.com

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s