Kategori
Uncategorized

SPIUNI FISNIK…..DHE…..ÇMENDURI FIERAKE….

Nga Murat Aliaj….

Një qytet mund të fsheh në barkun e tij shumë gjëra te kendeshme e te neveritura. Nuk fsheh dot vetëm kulturën dhe historinë e tij. Ato duken prej të panjohurit qysh nga strehët e shtëpive, tek krasitja e kurorave të drurëve e deri tek kalldremet e rrugëve. Duke qënë se unë i përmbahem parimit që është njeqind herë më i respektuar një qytet pa histori, se sa një qytet me histori të deformuar, po ngre zerin kundër një historie të re fantastike që klane të caktuara po përpiqen t’i veshin padrejtësisht Fierit. Siç mësojmë nga wikipedia, Fieri është një qytet relativisht i ri, i krijuar në vitin 1864 nga Kahreman Pashe Vrioni, ndaj dhe është i kuptueshëm fakti që historia e tij të nisë bashkë me ngjarjen më të madhe historike kombëtare Shpalljen e Pavarsisë. Si shumë qytete të tjerë edhe Fieri ka përfaqësuesit e vet firmëtarë në Aktin e Madh të kombit, të cilët çuditërisht vetëm sa u përmendet emri nën zë, si te ndjeje turp ndokush prej aktit te tyre, ndër kohë që në qëndër të qytetit lulëzojnë buste gogolësh pa meritat e të parëve.

Në pikën më të dukshëme të qytetit është ndërtuar memoriali i kryebashkiakut të parë të qytetit, Tonçi Kilicës, duke i atribuar atij vyrtyte që të gjorit nuk i kishte shkuar kurrë mëndja se do i sherbenin ndonjëherë. Duke qënë se memoriali gënjen qysh me vlerësimin e parë, duke e paraqitur si kryebashkiakun e parë, është e kuptueshme që edhe gjithë vleresimet e tjera per te, duhen marre me rezerva. Kryebashkiak i parë ka qënë Sami Bej Vrioni e jo Tonç Kilica për të cilin s’ka asnjë akt a dokument që të ketë firmosur si kryebashkiak. Për t’ju afruar sado pak të vërtetës, duhet t’i referohemi konceptit fanatik të kohës që “plitharaqi” (kështu quheshin shtepitë e të varfërve që s’lejoheshin të ngrinin shtepi me oxhak.) nuk kishte te drejten e oxhakut te vet, e jo me t’i lihej ne dore drejtimi i qytetit. Mirëpo nipi i tij, sot piktor në zë, këmbëngul se ka qënë kështu e jo ndryshe, dhe memoriali u ngrit.
Duke qënë se nga ngjarjet për të cilat bëhet fjalë, ka kaluar gati një shekull, për t’ju afruar sado pak të vërtetës, është e nevojshëme të gërrvishtim sado pak ndryshkun që koha ka hedhur mbi ngjarjet dhe personalitetet. Janë të pakta e të pamjaftueshme të dhënat e faktet ilustruese për to. Por kjo pamjaftueshmëri është e njejtë si për figurat që himnizohen edhe për ato që anatemohen, ndaj është domosdoshmëri ndërhyrja e historianëve të cilët të vënë nën këmishën e hekurt të klaneve politikë, vetëm guxojnë të mërmërisin, pa e thënë me kopetencë fjalën e tyre, duke lejuar që qytetit t’i bëhet një dëm kaq i madh.
Si bazë për këtë vlerësim të pamerituar të Tonçit, sherbeu një telegram që më datën 29 Nëntor 1912, i paska dërguar Kuvendit të Vlorës për ta përshendetur për misionin e madh. Nuk di ku gjendet ky telegram i cili është gdhendur mbi mermer, por me logjikën mbi bazën e të cilës u ngrit memoriali, më lind e drejta ta diskutoj vlerën e tij. Së pari në mungesë të një fakti të njohur a argumenti të trashëguar nga vet koha, si pikë orjentimi në shqyrtimin e ngjarjes, më sherben shtypi i kohës, kujtimet e shkruara nga vet pjesëmarrësit e ngjarjes së madhe. Po pranojmë për njëç çast se Tonçi paska qënë kryebashkiak i Fierit, por as i pari e as i dyti, siç theksohet në mermer. Në kujtimet e shkruara të Ismail Qemalit theksohen vështirësitë e mëdha që grupi i flamurit ndeshi në kapërcimin e Fierit, ku ishte ngritur në këmbë xhandarmëria e qytetit për ta ndaluar me çdo kusht realizimin e misionit. Kjo është arsya që një natë ata e kalojnë në shtepinë e Nadin Bej Leskovikut në Libofshë dhe natën tjetër në shtepinë e Hajredin Cakranit në Cakran, para se të kapërcenin Vjosën. Këta miq të besuar të tij e shoqëruan deri në hapin e fundit të flamurit. Sigurisht që ata burra të rëndë që kishin marrë përsipër misionin historik të kombit, s’mund të bujtnin në një plitharicë pa oxhak, ku mund te tradhetoheshin kur te duash. Duke qënë se Tonçit i digjej shpirti për ta parë Shqipërinë të lirë, do të ishte i shpiegueshëm padurimi i tij jo për ta përshendetur me telegram, por per te marrë rrugën sëbashku me ta. Parimi themelor i drejtimit të qytetit duhej të ketë qënë: Mbaje mirë me çdo qeverri dhe përpiqu të mos mbështesish asnjerën. Me këtë logjikë mund të shpjegohet edhe telegrami i dërguar një ditë pas ngritjes së flamurit, aherë kur akti i madh ishte bërë fakt. Po me kete logjike shpjegohet edhe nxitimi i grupit te pavarsise per ta lene pas sa me pare Fierin e rrezikshem e kercenues.
Si të mos mjaftojë teksti përshendetës i telegramit, klani që mbështet patriotizmin e Tonçit, i referohet vdekjes së tij në burg. Për mendimin tim, një vdekje në burg, nuk ka asgjë patriotike, madje e Tonçit përbën turp. Le të shpjegohem: Jemi në vitin 1916 i cili mbahet si viti më i egër i përleshjeve të luftës së parë botërore, kur Shqipëria ka edhe problemin e saj të madh kombëtar. Shtetin e dobët që akoma s’po njihet nga Evropa e që po kafshohet herë në jug e herë në veri nga fqinjët që kërkojnë shpërbërjen. Fuqitë e mëdha që po shpejtonin drejt përfundimit të luftës, po mendonin për të ardhem e pasluftës. Shqipëria e asaj kohe ishte tërësisht në vëmëndjen e interesave italjane që më pas do kulmonin me një ndër luftrat më burrërore që bëri populli ynë, me Luftën e Vlorës. Por jo me pak interesa shihnin në Shqipëri edhe grekët dhe serbët të cilët kishin rekrutuar në vëndin tonë një numur të madh agjentësh qe, pas mbarimit të luftës, do të punonin për ta. Këto situata të acaruara qe mësojmë nga kronikat e shtypit të kohës, mund te na shpjegojne edhe logjiken e ngjarjeve te Fierit, te cilat me kalimin e kohes kane ndryshuar kahje duke na u paraqitur si me patriotiket qe kaloi vendi.
Në vitin 1916, ushtria austro–hungareze hyri në Fier dhe puna e parë që bëri, ishte arrestimi i gjithë agjentëve që punonin kundër interesave të saj. Një ndër ta ishte edhe Tonçi i cili punonte për sherbimet italjane. Në vitin 1917 ai vdiq në burg si një qën i harruar nga të gjithë krahët. Këmbëngulja e madhe e Vilson Kilicës për reabilitimin e tij, më duket njerëzore sado e shemtuar të jetë fakti se kjo gjë u bë në këmbim të heqjes së bustit të vëllait të tij dëshmor, Janaq Kilicës. Fieri ka vënd për të gjithë dhe po qe se Tonçi e meritonte, s’do kishte gjë më të bukur se sa të qëndronin në krah të njeri tjetrit gjyshi me nipin. E parë në këtë prizëm, s’mund të lë pa përmendur faktin që ndërsa peneli i tij s’la portrete diktatorësh pa bërë, për të vëllain dëshmor nuk mori mundin të bënte asnjë skicë. Duket se medyshjen e ndryshimit te pushteteve ai e ka patur qysh heret. Por ky ngelet problem personal dhe s’më përket ta tjerr më gjatë, ashtu siç është problem kombëtar edhe ai i dëshmorëve që me gjakun e derdhur për lirinë e atdheut, e veçuan veten prej vlerësimit ndonjëherë meskin të familjes dhe u bënë pronë e atdheut. Kjo është arsya që përmenda paralelizmin e historisë që u shkrua me gjak dhe u gëzua prej kuislingëve dhe klyshëve të tyre që me zell të jashtëzakonshëm po hedhin baltë mbi gjakun idealist të dëshmorëve të atdheut.
Se ç’gjëma mund të bëjë injoranca, aq më tepër kur ajo është e veshur me tituj shkencor dhe me pushtet, kjo mund të merret me mënd. Ajo që më çudit është fakti si ndihen historianët e vërtetë pas kësaj marramëndje arrogante të klaneve që po e përdhosin keq edhe atë pak histori që ka rrethi?
Fakti i mësipërm ishte i mjaftë që të ngrihej klani tjetër i Jorgaqëve e të këmbëngulë për t’u ngritur busti i atit të tyre. Asnjë rëndësi nuk ka per opinionin se kush ishte babai i tyre i vërtetë, dosjet e të cilit nuk u hapën kurrë, duke lënë të hapur shtegun për një abuzim kaq të madh. Kështu pas vitit 1990, te bijte sajuan një përrallë të shplarë, pa asnjë fakt a argument bindës, se shtepia e tyre paskej qënë bazë e luftës N–Çl dhe me këtë sebep i vunë emrin e të atit një rruge kryesore. Me atë aktivitet që ata përmendin, në Fier ka dhjetra në mos qindra veteranë që kanë dhënë shumë më tepër e që janë hequr mënjanë nga këto nderime. Ca për faktin se nuk u pëlqen pjesmarrja në të tillë klane e ca të tjerë se s’duan ta përziejnë veten me këtë çorbë të prishur. Kështu na e mbushën qytetin me emra spiunësh dhe agjentësh duke shmangur patriotët e vërtetë, ata që vunë firmën dhe vulën në aktin e madh të pavarsisë, Jani Mingës dhe Hajredin Cakranit. Por gjithashtu mendoj se ngelet detyrë e hapur studimi dhe evidentimi veprimarisë patriotike të pinjojve Vrioni, të cilët edhe pse figurojnë si përfaqësues të Beratit, kanë aktivitet të fuqishëm në Fier. Inati që nuk i lejuan plitharistët për të ndërtuar oxhaqe në shtepitë e tyre, nuk ka përse të zgjasë gjithë jetën, aq më tepër kur kjo ishte psikollogji anadollake e kohës e cila nuk dëmtoi vetëm Fierin.
Shtepia ku banoi familja Jorgaqi e që thuhet pa asnjë provë, se na paska qënë bazë e luftës N–Çl, është ndërtuar pas luftës. Gjatë luftës atje kanë qënë stallat e kuajve të këngëtarit të shquar të polifonisë labe dhe togerit te gardes mbrojtese te Ismail Qemalit, Qazim Ademi (Ruka) dhe të birit të tij, ish kolonelit të xhandarmerisë shqiptare Idriz Ruka, nga Matogjini i Vlorës. Pas përfundimit të luftës, me arrestimin e Idrizit, u konfiskua edhe pasuria e tij, në trojet e të cilit u ngritën të gjitha ndërtesat që i dhanë këtij blloku pamjen e pas viteve ’50, të cilën e mban mënd gjithë brezi ynë që u rrit në këtë bllok. Këtë pamje ajo e ruajti deri në fund të vitit 1990. E theksoj se përveç dy tri shtepive dy katshe bejleresh që kishte i gjithë blloku, të tjerat, u ndërtuan më vonë. Po qe se duhet nderuar dikush në këtë mes, ai është Qazim Ademi, si patriot i oreve te para dhe këngëtar virtuoz, këngët e të cilit vazhdojnë të këndohen edhe sot. Si rrallë kush tjetër ai krijoi stilin e tij të kënduarit i cili njihet me emrin “stil i këngës qazimademçe”. Ai vdiq dhe u varros po në Fier (ne mos qofsha gabim) aty nga viti 1936, ose i biri Idrizi, i cili shkroi të parin manual shkencor për funksionimin e policisë moderne shqiptare, por kurrsesi Vasil Jorgaqi i cili kthente koken i trembur edhe kur ndodhte qe prane tij t’i shpetonte pordha ndonje te dehuri. Përralla e krijuar nga Nasho Jorgaqi për të atin, ka dy të kqija. E para që lë përshtypjen e gabuar se lufta N–Çl paska pasë si baza ca stalla kuajsh dhe gomerësh dhe e dyta: mëson keq të tjerët se historia mund të bëhet edhe me përralla. Mirëpo oreksi vjen duke ngrënë. Nuk u mjaftoi emërtimi i një rruge me emrin e tij, por …diskutimet vazhdojnë dhe nuk është çudi që të ngrihet edhe busti, pranë memorialit të Tonçit. Se, kur u bë patriot i madh Tonçi, përse të mos bëhet luftëtar i krisur edhe Vasili që s’e shkrepi kurrë në jetën e tij? Pas kësaj e ka radhën ngritja edhe e bustit të Nashos me kompani. Është koha e spiunëve që e kanë detyrë ta nderojnë njeri tjetrin. Një më pak a një më shumë, nuk prish punë. Fieri është zonë fushore që mund të rezervojë vënd edhe për spiunët e rretheve fqinje. Duket se Fierin po e gërryen sindromi i historisë së munguar të cilën po nxitojnë ta mbushin klanet që shpesh ndeshen edhe me njeri tjetrin për supremaci e dominim.
U ndala paksa në këtë pikë sepse kostatoj që kjo çmenduri po lë jashtë vëmëndjes figura të tjera që dhanë shumë herë më tepër për atdheun dhe morën si shpërblim një plumb pas koke. Këtu e kam fjalën për shkencëtarët e naftes Beqir Alinë, Milto Gjikopullin, Protoko Muratin, Koço Plakun, Eriko Veizin e ca të tjerë, të cilët i dhanë atdheut vëndburime të çmuar nafte e gazi. Për turpin e drejtuesve të kulturës së rrethit, ata ose janë lënë jashtë vëmëndjes, ose janë përmendur në mënyrë fyese, siç është rasti i Eriko Veizit e Koço Plakut, emrat e të cilëve u janë vënë dy qorrsokaqeve në fshatin Mbyet, në pjesën juglindore të qytetit. Mirëpo kur fantazitë heroike pushtojnë katedrat, jetëve heroike u vjen turp prej vetes tek shohin qe sakrificat e tyre i shfrytezojne horrat.
Historia e monumenteve që ngrihen me vota dhe jo me fakte e argumente, nuk mbaron këtu. Në një vënd të dukshëm midis turizmit të vjetër dhe bankës së kursimit, një tjetër klan ka marrë përsipër pasurimin e historisë, duke ngritur një monument gati dy metër të lartë. Në pjedestal shkruhet: “KUJTIM MAJACI– legjenda e futbollit shqiptar”. Pavarsisht nga rezervat që do rreshtoj më poshtë, unë kam mendimin se për gjëndjen e mjeruar në të cilën ndodhet futbolli fierak dhe në përgjithësi ai shqiptar, një monument i tillë talenti, për të frymëzuar më të rinjtë, është i nevojshëm. Por që ai ta kryej siç duhet funksionin e tij, duhet edhe pak përmbajtje. Vendi i tij është para stadiumit e jo në qëndër të qytetit, pasi Majaci, sado legjende që të bëhet, nuk është as Pele dhe as Maradonë. Po kështu edhe Fieri ynë i mjerë, nuk është as Barcelonë dhe as Milano. Sa për motivacionin e gdhendur në mermer, mua më duket një çmenduri e plotë, pasi edhe ne ato të pakta ndeshje që Majaci luajti me kombëtaren, ajo humbi. Vërtet që faji i humbjeve është kolektiv dhe Majaci ka vetëm pjesën e tij, por përpara fakteve të tilla trishtues, të bësh fjalë për legjendë, më duket një ironi shumë e hidhur të cilën Majaci nuk e meriton. Duke bërë Majacin legjendë shqiptare, mund të ndodhemi ngushtë, në na u dashtë të japim ndonjë vlerësim për Loro Boriçin apo mjeshtrat e tjerë të futbollit.
Kjo çmenduri ka vite që po i jep pasojat e saj rrënuese. Sigurisht që e përjetshme nuk do jetë. Mirë është që të frenohet sa është akoma herët, pasi për cilindo vjen dita e heqjes zvarrë. Duke qënë se këtë ndëshkim nuk e meriton asnjeri, unë ngre zerin për përmbajtje. Dhe jo vetëm kaq. Nismëtari dhe realizuesi i këtyre perversiteteve Frederik Jorgaqi, duhet të japë dorëheqjen ose të largohet nga detyra e drejtuesit te kultures se rrethit për paaftësi të theksuar profesionale dhe abuzim në kryerjen e detyrës. Ёshtë detyrë e tij dhe e atyre që e kanë në nomeklaturë për te bërë zgjedhjen, ashtu siç ndjej edhe unë detyrën qytetare, të mos hesht për këto turpe që qyteti nuk ua ka borxh.

Murat Aliaj

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s