
Çka na duhet Husejni në ditët e sotme?
Jeta e njeriut sot ka nevojë për një rishikim dhe, patjetër, për një rishqyrtim.
Njeriu, si asnjëherë më parë, sot duket krejtësisht i lirë, meqë nuk ka luftë, nuk ka epidemi, nuk ka varfëri të skajshme, nuk ka mund të jashtëzakonshëm për të mbijetuar, nuk ka frikë nga vrasja, nuk ka frikë nga përdhunimi, nuk ka frikë nga katastrofat natyrore.
Por, edhe pse jep përshtypjen e një lirie të plotë, si asnjëherë më parë, njeriu i sotëm është skllavi më i madh dhe më i keq i të gjitha kohërave.
A e ndjen veten të tradhtuar?
A e ndjen veten të abuzuar? A e ndjen veten të lënë anash? A e ndjen veten të pakuptuar në rrethin tënd? A e ndjen veten më të aftë sesa të vlerësojnë? A e ndjen veten më meritor sesa pozita që ke? A e sheh dikë që nuk e meriton duke u ushqyer nga pozita që ti e meritoje? A ndihesh i lodhur duke u sqaruar çdo ditë dhe, në fund, heq dorë nga ajo që mendon se është e duhura?
E pse të heqësh dorë, o Husejni?
Pse paaftësinë tënde po e paraqet si vlerë, e revolucionin e Husejnit si gabim?
Nëse ti nuk merr guximin ta mbrosh atë që zemra jote e sheh si të drejtë,
Husejni këtë e bëri.
Ti, që nga dembelia dhe padurimi ndaj zhurmave, nuk e pengon të keqen që të është futur deri në dhomën e fjetjes; Husejni për atë luftë dha jetën dhe nuk hoqi dorë.
Husejnit i thanë: Thuaje vetëm një fjalë: “E pranoj Jezidin për udhëheqës!”
Ah, do të thoshin frikacakët: Pse nuk tha po, e të merrte para të majme e të jetonte si princ në pallate?
Por jo, Husejni nuk tha po; tha jo, dhe Jo-në e tij e mbrojti me kokën e tij.
Ai nuk po luftonte për pushtet, ai nuk po luftonte për pozitë; ai po luftonte për t’u bërë heroi im dhe i yti, o ti që je zhytur në llumin e kapitalizmit dhe po të nxihet fryma dalëngadalë nga modernizmi i pandalur.
Husejni na mësoi të kënaqemi pa pasur asgjë në xhep. Jezidi na mësoi t’i kemi të gjitha e të mos jemi të lumtur.
Husejni është liria, Jezidi është robëria.
Mesazhi i Muhamedit ishte ndërtimi i njeriut e jo ndërtimi i shteteve.
Muhamedi e edukoi Husejnin ta mbrojë jetën dhe vlerën, e jo ta mbrojë sistemin qeverisës. Muhamedi na mësoi të jetojmë të lirë edhe nëse e humbim jetën. Më mirë i vdekur dhe i lirë, sesa në jetë e rob i së keqes.
Husejni luftoi për ne! Bëhuni Husejn një herë në jetë!
✍🏽Besir Musliu
https://www.facebook.com/share/p/1BSxPvpFX1/?mibextid=wwXIfr