
Arben Abedin Hasa – një jetë në shërbim të detyrës dhe dinjitetit
Arben Abedin Hasa përfaqëson figurën e një njeriu që jetën e tij e ndërtoi mbi punën, përkushtimin dhe ndershmërinë. I lindur në Potom të Skraparit, ai u formua në një familje ku vlerat e thjeshtësisë, respektit dhe sakrificës ishin themeli i edukimit.
Rrugëtimi i tij profesional në Policinë e Shtetit dhe strukturat e rendit është shembull i disiplinës dhe përgjegjësisë së lartë. Në detyra të ndryshme, ai u dallua për korrektësi, profesionalizëm dhe gatishmëri të vazhdueshme në shërbim të qytetarëve dhe ligjit. Për më shumë se katër dekada, uniforma për të nuk ishte thjesht detyrë, por mënyrë jetese.
Përtej angazhimit profesional, ai përballoi edhe sfida të rënda personale, duke treguar forcë karakteri dhe qëndrueshmëri të rrallë. Me përkushtim të plotë, ai u kujdes për familjen dhe fëmijët e tij, duke mbetur shembull i përgjegjësisë prindërore dhe njerëzore.
Sot, emri i Arben Hasës lidhet me një jetë të jetuar me dinjitet dhe shërbim të pandërprerë. Ai mbetet një figurë e respektuar, simbol i përkushtimit ndaj detyrës dhe vlerave njerëzore që nuk zbehen me kohën.
Arben Abedin Hasa
Jetoi me dinjitet, punoi me shpirt, la emër të paharruar në analet e policisë së shtetit
Ka nga ata njerëz që udhëtojnë heshtas në jetë, si rreze drite që nuk synon të duket, por ndriçon më së miri, që i japin kuptim jetës jo me fjalë, por me vepra. Në këtë renditje të rrallë burrash qëndron me dinjitet personazhi i këtij shkrimi, Arben Abedin Hasa, lindur e rritur në Potom të Skraparit, i njohur për tradita patriotike dhe dashuri për atdheun. Rruga e tij është ajo e një djali fshati që me punë të ndershme dhe vullnet të hekurt, fitoi respekt jo vetëm për atë që bëri, po për atë çka përmbledh në thelbin e vet, është rruga e një zemre që i qëndroi besnik deri në fund uniformës.
Historia e tij nuk është thjesht karriera e një ushtaraku, por lartësia e një ideali.
U lind më 15 maj 1961 në familjen e madhe të Abedin Riza Hasës dhe bashkëshortes, që lindën e rritën gjashtë fëmijë, pesë djem e një vajzë, me punë e lodhshme në bujqësi e blegtori. Në këtë familje Arbeni u edukua me dashurinë për punën, respektin për të tjerët dhe ndjenjën e përgjegjësisë. Pas orëve të mësimit ndihmonte familjen në punët e përditshme që nuk mbaronin kurrë, pa u ankuar për lodhjen, se e kuptonte që çdo mundim ishte pjesë e rrugës së jetës.
Djalë i urtë, i sjellshëm, i vendosur për të ecur përpara, pas përfundimit të arsimit tetëvjeçar, u regjistrua në shkollën e mesme bujqësore Potom. Vitet e shkollës ishin vite pune dhe përkushtimi. Paradite mësonte, ndërsa pasdite punonte për të ndihmuar familjen. Rezultatet në mësime dhe serioziteti në punë e dalluan mes bashkëmoshatarëve. Gjatë praktikës në detyrën agronom i mesëm të kooperativës bujqësore, fitoi përvojë të vlefshme për jetën e ardhshme.
Më 5 shtator 1982, u thirr për shërbimin e detyrueshëm ushtarak në repartin special të ndërhyrjes së shpejtë RENEA, Tiranë, detyrë e vështirë, që kërkonte disiplinë, përgatitje fizike dhe guxim.
Arbeni i kishte të tria këto cilësi.
Tre vite shërbeu me profesionalizëm dhe kualitet të lartë në repartin që ndërhynte në situatat më të ndërlikuara në vend, duke u vlerësuan me certifikata dhe fletë nderi.
Pas përfundimit të shërbimit ushtarak, vijoi detyrën me uniformë në strukturat e Ministrisë së Brendshme. Në rajonin policor nr. 1 Tiranë, u përball me sfida të shumta në fushën e rendit dhe sigurisë publike.
Puna e policit nuk njeh orar, as kushte të favorshme dhe ai shërbeu ditën e natën, në vapë e stuhi, i gatshëm për të mbrojtur qytetarët dhe të zbatuar ligjin.
Në vitin 1989 u fejua me vajzën e familjes Dragoi nga Mokra dhe u transferua në Pogradec, ku do të kalonte pjesën më të madhe të jetës profesionale dhe familjare. Për afro pesëmbëdhjetë vjet shërbeu me sukses në strukturat e policisë së qytetit, duke fituar respektin e kolegëve dhe besimin e komunitetit.
Ndërkaq krijoi familjen që u finalizua me dy fëmijë, djalë e vajzë.
Por siç nuk e kishte menduar kurrë, jeta vuri përballë sprovave të rënda. Humbja e bashkëshortes ishte dhimbje e madhe, megjithatë nuk u dorëzua. U bë baba dhe nënë, me përgjegjësi të dyfishtë, një shembull i gjallë sakrifice e qëndrueshmërie për të rritur dhe edukuar fëmijët, duke i arsimuar dhe siguruar të ardhme të denjë.
Gjatë karrierës në detyra të ndryshme në doganën e Tushemishtit, në postat kufitare dhe më pas në sektorin e krimeve, kudo demonstroi profesionalizëm, korrektësi dhe ndershmëri. Përvoja ndër vite e bëri një nga punonjësit më të vlerësuar të policisë, që dinte të komunikonte me qytetarët, të dëgjonte shqetësimet e tyre dhe të përpiqej të gjente zgjidhje të drejta e të matura.
Në Gjirokastër dha katër vjet kontribut me vlerë në ruajtjen e rendit dhe sallën e komandimit. Në vitin 2015 u rikthye në Pogradec, ku shërbeu deri në daljen në pension më 18 maj të vitit 2026. Pas më shumë se katër dekadash shërbim të pandërprerë, e mbylli karrierën me nder e dinjitet.
Sot Arben Hasa gëzon respektin e familjes, miqve, kolegëve dhe qytetarëve që e kanë njohur.
Baba dhe gjysh i dashur, i urtë e shembullor, vazhdon të bashkëpunojë njëlloj si dikur me komunitetin. Karriera e tij është një jete e ndërtuar mbi punën, ndershmërinë dhe shërbimin ndaj njerëzve, historia e njeriut që veshi uniformën dhe i qëndroi besnik asaj deri në fund. Kjo është arsyeja pse emri i Arben Hasës mbetet i respektuar dhe i vlerësuar nga të gjithë ata që kanë pasur fatin ta njohin e të punojnë pranë tij.