
Projekti për shndërrimin e landfillit të Porto Romanos në Eko-Park është shoqëruar që në krye të herës me dyshime për procedura abuzive tenderuese. Mbi këto dyshime publike, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK, ka nisur një hetim, i cili prej dy vjetësh vijon të mbetet në sirtarët e prokurorëve specialë.
Tenderi u zhvillua me procedurë të mbyllur, “me negocim pa shpallje paraprake” dhe u fitua nga një bashkim operatorësh ekonomikë, të përbërë nga italianët e “De Mare” srl dhe “Victoria Invest International”, një filial i kompanisë mëmë të biznesmenit nga Elbasani, Fatmir Kuçi. Kompania italiane “De Mare” është një prej bashkëpunëtoreve më të ngushta të biznesmenit në kërkim, Klodian Zoto, në ndërtimin e landfillit të Sharrës në Tiranë dhe atij të Fierit.
Ndërkohë, “Victoria Invest”, një kompani, e cila së fundmi është ndaluar të marrë pjesë në tendera publikë, njihet ndër të tjera për afërsinë me kryetarin e shkarkuar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Disa vite më parë, në media u publikuan dokumente zyrtarë, të cilat provonin se mjeti që përdor edhe aktualisht deputetit Basha, ai me targë “AA 111 EN” është në pronësi të kompanisë “Victoria Invest” të Fatmir Kuçit.
Me sa duket, kjo duhet të jetë arsyeja që Partia Demokratike për sa kohë ishte nën drejtimin e Lulzim Bashës, nuk ka ngritur asnjë pretendim mbi skandalin 15 milionë euro të tenderit për Eko-Parkun e Porto Romanos.