Kategori
Uncategorized

KADAVRA

Nga Muç Xhepa

  • Eva më mbaj, po më merren mendtë.
  • Je bërë dyll e verdhë.
  • Është …

Londër. Ela Biçoku ka vite që jeton atje. Është rregulluar në profesionin e saj. Dentiste. Pas mbarimit të shkollës së lartë e emëruan në një fshat të largët të Elbasanit. Një pjesë të udhës e bënim bashkë me autobusin fizarmonikë të linjës Elbasan-Peqin. Natyrë studioze, ashtu në këmbë, sepse vendet i zinin të mushuarit, ato pak ndenjëse kompensate montuar mbi gomat e autobusit, mësonte fjalë të reja. Ndiqte kursin e anglishtes. Sikur ta dinte që jeta do ta hidhte në ishullin britanik.

  • Të kujtohet kur më ra të fikët prej librit që të kërkova ta shoh? – Ela më pyet në mesinxher.
  • Po, kryqëzimi i Krishtit.
  • Faqja që hapa tregonte për jetën e Mikelanxhelos.
  • Po, studionte kufomat nën dritën e qirinjve në një morg të errët.
  • Ja atë dua të të tregoj sot. Ishte viti i parë i universitetit. Disa lëndë i kishim me kurset e tjera të mjekësisë. Bashkë me Eva Afezollin vajtëm të merrnim leksionin e parë.
  • Pedagogu fliste pranë një kadavre. Djalë i ri. Ne shtrongonim njëra-tjetrën fort. Ishte hera e parë. Djaloshi lakuriq na vështronte me sy lutës. Kërkonte ndjesë që e kishin detyruar ashtu. “Ju nga fundi, afrohuni”, na u drejtua pedagogu. Unë u shemba përtokë. Kur erdha në vete gjendesha në infermieri. Kishte ardhur një mesoburrë nga ministria e brendshme. Fytyrëngrysur. Kërkoi që t’na linin vetëm.
    Elën e kapin emocione, fillon t’i dridhet zëri.
  • Mori një karrige dhe u ul pranë. “Të kaloi”, më pyeti. “Përmende një emër kur po humbje ndjenjat. Të kujtohet”? Po, Hysen. “Mbiemri”? Avdyli. “Dëgjo vajzë e mirë! Këtë emër nuk do ta përmendësh më kurrë! Më kupton? Kurrë! As me prindërit. Ndryshe, jo shkollë që jo, por bashkë me nënën dhe babanë do të përfundoni në internim.
  • Ai që i zure emrin është armik. Kadavër shumë e ka”.
    Isha vetëm tetëmbëdhjet vjeç. U tmerrova. Atë vit mbeta në anatomi. Nuk shkela më në atë klasë.
  • Ela, fqinji …?
  • I gjori. Familja e dinte ushtar në kufi. Në fundjavë u ktheva në shtëpi. Në rrugicë ndesha me nënën e tij. Më përqafoi, “ Sot morëm letër nga Hyseni”, më tha plot gëzim. “Pyeste edhe për ty, ‘si po shkon Ela me mësime’”.
    Ela ul kokën, fshin lotët. Qëndrojmë në heshtje.
  • Një natë të akullt Hyseni i kishte thënë shokut të shërbimit, “Ja, një hap na ndan nga bota e lirë”. Të nesërmen e kishin mbaruar me plumb rrëzë veshit, … familjes i dërgonin letra…

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s