
Fatos Klosi dha një intervistë për Milaim Zekën, ku foli për marëdhëniet Berisha-Rugova –Bukoshi.
Nuk i di marrëdhëniet midis palëve.
Por, pas rrëzimit të diktaturës, Shqipëria i ka mbështetur pa kushte institucionet e Kosovës, Ibrahim Rugovën dhe qeverinë e Kosovës.
Me fitoren e demokracisë, në Shqipëri vinin, iknin e ktheheshin prapë të gjithë figurat politike të Kosovës, akademikët, njerëzit e artit dhe kultures.
Por është edhe një fakt tjetër i njohur që Rugova nuk u kthye më kurrë në Shqipëri.
Nuk e di se kur ka qenë vizita e fundit, por mosardhja tregon se ai ishte i pakënaqur prej të gjitha palëve, përfshi të parin Berishën.
Pastaj Fatos Klosi i tha Milaim Zekës se kishte gjetur një shumë të madhe të hollash në kasafortën që trashëgoi nga Gazidede dhe prej këtej doli në përfundimin se Bukoshi ka financuar Shik-un.
Duhet ta kemi të qartë se Shik-u i Gazidedes ishte i pari shërbim inteligjent shqiptar që kishte vendosur marrëdhënie me shërbimet inteligjente të Perëndimit në përpjekje për të formuar një institucion 180 gradë ndryshe nga Sigurimi i Shtetit që ishte një organizëm kriminal në duart e diktaturës.
Përpara se të emërohej në krye të Shik-ut, Bashkim Gazidede ka qenë pedagog i Fakultetit të Shkencave të Natyrës pra një shkencëtar i mirëfilltë. Dhe nëse prej asaj që ndodhi më 1997 të gjitha palët kanë dalë të lara, kundër tij vijon të hidhet baltë, duke përfituar nga fakti se të vdekurit nuk flasin me të gjallët.
Nuk marr në mbrojtje askënd dhe përpiqem të analizoj në mënyrën sa më korrekte të mundur.
Në administratën kur Berisha ishte president, Gazidede përmendej si një nga zyrtarët e lartë më të pakorruptuar dhe fakti që Fatos Klosi i ka gjetur të hollat në kasafortë flet qartë për këtë, sepse imagjinoni sot babëzinë e ministrave shqiptarë.
Bashkim Gazidede pati fatin e keq të ishte shefi i Shik-ut në 1997, kur në Shqipëri ndodhën trazirat e njohura, që ishin shumë afër luftës civile.
Ai nuk iu largua Berishës e nuk veproi si Safet Zhulali, për shembull.
Safet Zhulali e ruajti veten e tij, duke ia lënë përgjegjshmërinë Berishës, ndërsa Gazidede qëndroi dhe mori përgjegjshmëri që nuk i takonin atij.
E ndërsa për të gjithë aktorët e 1997 dosja është e mbyllur, për Gazideden vijon e mbetet hapur. Nëse Sali Berisha u rikthye në pushtet për dy mandate rresht, ndaj Gazidedes vazhdon gjuetia e shtrigave. Që ka një motivacion: për të fshehur të vërtetën.
Gazidede akuzohet pa prova për zhdukjen e Remzi Hoxhës, ndërsa askush nuk ngre akuza për Fatos Klosin kur në kohën që ishte shefi i Shish u vranë Azem Hajdari dhe Ahmet Krasniqi.
Kundër Gazidedes nuk është ngritur asnjë padi prej 1997-2005 kur e majta qeveriste dhe kishte pushtet absolut. Bashkim Gazidede u kthye në Shqipëri prej 2005-2008 dhe opozita kishte prapë kohë të mjaftueshme për ta paditur.
Nuk e bëri askush.
Nuk e kanë bërë as sot që Gazidede është i vdekur, veç qarkullojnë konspiracione nëpër media si rasti më i fundit, kur gazetari, konkretisht Milaim Zeka, nuk bën me Fatos Klosin një bashkëbisedim të llojit Hard Talk, ashtu si duhet, por veç sa për të ngritur pluhur e teori konspiracioni të reja. Sepse e vërteta përgjysmë i ndihmon vetëm rrenës, fshehjes të së vërtetës së plotë.
Fatos Klosi dhe Bashkim Gazidede duhet të kenë qenë kolegë, dhe duhet të jenë njohur mire që prej kohës kur jepnin mësim në Fakultetin e Shkencave.
Pastaj shteti shqiptar e ka për detyrë që të mbajë qendrim mbrojtës si ndaj shtetasve ashtu edhe ndaj shtetarëve kur për ta hidhet baltë në dëm të personit por edhe në dëm të interesave kombëtare.
Tek ne ndodh ndryshe.
A keni parë që të jetë akuzuar ndonjë ministër për korrupsion, kur Shqipëria konsiderohet nga institucionet Perëndimore si vendi më i korruptuar i Europës?
Asnjë.
Po ndonjë vrasje të zbardhur ?
Asnjë!
Për Gazideden nuk ka as hetim dhe as akuza. Si pati për ish-zvministrin e brëndshëm të asaj kohe, ndaj të cilit u ngrit padi dhe pati vendim gjykate por që Agim Shehu fitoi pafajësinë dhe shteti e zhdëmtoi me miliona.
Po përse mediat merren me Gazideden? Ose po e formuloj pyetjen prapë, nëse kanë fakte le të merren, por përse nuk merren me hetimin e vrasjeve të tjera, të gjitha dosje të pazbardhura?
A nuk ngjan sikur Gazideden e vdekur e bëjnë zhurmues për vrasjet politike ! Çfarë burracakërie!
Po të isha në vendin e Milaim Zekës, do ta pyesja Fatos Klosin si fillim për vrasjen e Ahmet Krasniqi, duke i drejtuar pyetjen:
“Ju zoti Klosi që ishit shef i Shish kur u vranë Azem Hajdari dhe Ahmet Krasniqi, a mbani përgjegjshmëri si institucion ndaj këtyre dy vrasjeve.
Përse nuk e dhatë dorëheqjen, ashtu si e dha dorëheqjen kryeministri dhe ministri i brëndshëm i asaj kohe përkatësisht Fatos Nano dhe Neritan Ceka dhe kur vrasja e Hajdarit konsiderohet vrasja e Shekullit ndërsa vrasja e Ahmet Krasniqit një vrasje shtetërore si është e mundur që edhe 17 vjet pas vrasjes së tyre, për vrasjen e Ahmet Krasniqit nuk kemi asnjë të akuzuar dhe të dënuar, ndërsa për vrasjen e Hajdarit, familja kërkon rigjykim sepse është e zhgënjyer nga drejtësia. »