Kategori
Uncategorized

Do të importohen mbetjet e Italisë, u kthyen nga Maroku se atje u ngrit populli.

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, thotë se opozita ka ndryshuar në kahun pozitiv qëndrimin për importin e mbetjeve. Në një intervistë në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, Paloka tha se qeveria e shkuar ka gabuar me propozimin e këtij ligji.
“Ne ndryshuam në kahun pozitiv. Ndryshimi i Ramës nuk ka shqiptar ta marrë të sinqertë. Ato ndërmarrje riciklimi që thotë Rama ishin edhe para 3 vjetësh”, tha Paloka.

Kreu i grupit demokrat tha se opozita e ka kundërshtuar këtë ligj me argumentin se qeveria është e paaftë për të kontrolluar atë që hyn brenda vendit.

“Rama ka ndryshuar pozicion në një formë shumë interesante. Gjithçka ka pështyrë dje, e lëpin sot me një epsh të paparë. Ne jemi kundër për të gjitha ato rreziqe që ne kemi thënë. Nuk dua t’u kthehem atyre që ka thënë Rama 3 vjet më parë. Një qeveri që nuk kontrollon dot as ushqimet, që i bëhen pista avionësh për drogë vetëm pak km nga Tirana. Një qeveri që nuk jep asnjë siguri, që mund ti kalojë çdo gjë, jo vetëm mbetjet, jo vetëm plehrat e grumbulluara në rajon, që ne i dimë”, tha ai.

Paloka tha se mbetjet e destinuara për import janë në Itali.

“Janë në Itali, u nisën për në Marok dhe i ktheu Maroku se populli protestoi dhe nuk u zbatua marrëveshja që qeveria kishte me Marokun”, tha ai.

Në lidhje me kërkesën për referendum që PD-ja i ka paraqitur Parlamentit, Paloka tha se maxhoranca po shfrytëzon instrumentet procedurale për ta shtyrë, pot nuk mund ta refuzojë.

“Ne kemi depozituar në Parlament kërkesën për referendum. Nuk ka kaluar në Konferencën e Kryetarëve. Aty nuk ka vend për procedura, aty është çështja do apo nuk do, pra duhet vullneti politik. Më kanë thënë që nuk bëhet kuorumi në Konferencën e Kryetarëve. Nëse ndalohet futja e mbetjeve me referendum, nuk ka as Parlament as qeveri ta fusë këtë ligj. Edhe nëse një qeveri tjetër përpiqet ta fusë këtë ligj, është e pamundur”, tha ai.

Lini një koment