
Nga Basir Çollaku ///
Rama nuk zgjedh President opozitar, por përdor opozitarë të blerë
Një pjesë e opozitës, së paku mandatet i kanë të tilla teorikisht, deklarojnë mospjesemarrjen në Kuvend, kur Rama të zgjiedhë Presidentin. Bojkoti pasi ke negociuar me Taulant Ballën, rekrutin e Ramës dy javë, është komedi.
Rrallëkush kishte iluzione se Rama mban fjalën apo respekton opozitën. Në seancë duhet shkuar, marrë pjesë, votuar kundër, debatuar ashpër dhe thuaj qëndrimin tënd. Njerëzit binden ose dyshojnë sipas aktit politik, veprimit.
Zemërimi pas qokave është tallava e urdhëruar. Ky është delegim vullneti. Jashtë salle janë votuesit jo përfaqesuesit. Kur ke pranuar rezultatin zgjedhor, atë të 25 prillit 2021, pasi ke bërtitur me të drejtë se ishte plaçkitje dhe vjedhje do të ndeshesh me pasojat e mazhorancës së pavërtetë.
Numrat nuk pakësohen duke qëndruar jashtë Parlamentit, as shtohen duke marrë pjesë. Ikja është më tepër kompromentuese se sa qëndrimi. Nëse Rama, ideon diversion me emra gjoja opozitarë, Opozita duhet të gjendet aty, ta kthjellojë përdorjen. Nëse jo, ka diçka që nuk shkon dhe dyshimet kanë të drejtë të përhapen.
Kryeministri është njeriu dërrmues i të gjitha zgjedhjeve, ndaj mos shpresoni se do të ndërrojë lekure në karriken ku është ulur.
Opozitarët e dinë se numrat e mandateve nuk ndryshohen në Parlament pas zgjedhjeve, ndaj prania është më teper, një demonstrim, një heqje maske. Gjithnjë, nëse nuk ka pengesa “demokratike” të dala nga bankat, ndërtimlejet, qokat ekonomike bashkiake veljane dhe qeveritare, dosjeve pezull, e të tjera kusure udhëtimesh në karrierë.
Njerëzia përdoruese e mendjes, e ka marrë vesh se kur të emëron, kandidon, punëson, kontrakton, oferton, koncensionon Edi Rama, nuk mundesh të bësh as të fortin as opozitarin…