Kategori
Uncategorized

Emigrantët shqiptarë në Greqi: U bëjmë thirrje familjarëve tanë në Shqipëri, votoni kundër Rilindjes që na diskriminon

Emigrantët shqiptarë në Greqi po reagojnë fuqishëm kundër vendimit politik të Komitetit Teknik të Pandemisë, që të karantinojë 2 javë, çdo emigrant shqiptar që vjen nga Greqia për të votuar në Shqipëri për zgjedhjet parlamentare.

/Gazeta TELEGRAF

Forumi në gazetën “Telegraf”: Rilindja na diskrediton, duke na mohuar të votojmë në Atdhe

Flasin për gazetën “Telegraf”: Luan Zyka, Shpëtim Zinxhiria, Arben Cani, Etmond Guri

Emigrantët shqiptarë në Greqi po reagojnë fuqishëm kundër vendimit politik të Komitetit Teknik të Pandemisë, që të karantinojë 2 javë, çdo emigrant shqiptar që vjen nga Greqia për të votuar në Shqipëri për zgjedhjet parlamentare. Përfaqësues të emigracionit shqiptar në Greqi, flasin në forumin e gazetës “Telegraf” dhe e cilësojnë “vendim i turpshëm politik i një komiteti gjoja ekspertësh mjekësor, që, duke mohuar ardhjen emigrantëve në Atdhe për të votuar, diskriminon diasporën shqiptare në Greqi. Emigrantët shprehen se, kryeministri Rama nuk mbajti asnjë premtim për emigrantët shqiptarë në Greqi, për ndihmën e madhe që i dhanë në 2013 dhe 2017, ndërsa duket se vetëm tani po e kupton që emigrantët mund të votojnë kundër tij. Përfaqësuesit e emigrantëve shqiptarë në Greqi pohojnë për gazetën “Telegraf” se, i kanë dërguar nota proteste qeverisë së kryeministrit Rama dhe se do të protestojnë fuqishëm, ndërkohë, që thonë se u kanë bërë thirrje familjarëve që kanë në Shqipëri, që nesër të votojnë kundër partisë-shtet, për të dënuar vendimin diskriminues.

“Vendimi i Komitetit Teknik për karantinimin e emigrantëve shqiptarë në Greqi është një VENDIM diskriminues, antishqiptar, sepse emigrantët kanë gjithë të drejtën kushtetuese për të votuar në shtetin e tyre”

Pyetjet e gazetës  “Telegraf” për përfaqësuesit e emigrantëve në Greqi

– Si e gjykoni vendimin e Komitetit Teknik mbi  karantinimin pas 25 prillit, të emigrantëve  që mund të vijnë në Shqipëri për të votuar ?

– A duhet që emigrantët t’u kërkojnë familjarëve në Shqipëri që të votojnë kundër qeverisë, e cila arbitrarisht  i përjashtoi nga votimi i 25 prillit?

Ja përgjigjet e dhëna për telegraf.al :

ARBEN CANI, kryetar i  shoqatave të emigrantëve shqiptarë në Greqi: Është një VENDIM antishqiptar

Vendimi i Komitetit teknik për karantinimin e emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Greqi, është një VENDIM diskriminues. Është një VENDIM antishqiptar, sepse emigrantët janë shtetas shqiptarë dhe kanë gjithë të drejtën kushtetuese dhe civile për të votuar në shtetin e tyre. Vota është e lirë dhe e pavarur nga askush. Ne, emigrantët në Greqi, u kemi bërë thirrje familjarëve tanë në Shqipëri, që të mos votojnë këtë qeveri, që na diskriminon dhe na braktis, që na kërkon të na mohojë Atdheun tonë.

“Ne, emigrantët në Greqi, u kemi bërë thirrje familjarëve tanë në Shqipëri, që të mos votojnë këtë qeveri, që na diskriminon dhe na braktis, që kërkon të na mohojë Atdheun tonë”

Luan Zyka, përfaqësuesi  i emigrantëve  shqiptarë  në  Selanik: Protestë e fuqishme e emigrantëve në Greqi: Rilindja na mohon të drejtën kushtetuese për të votuar

Ky urdhër shkaktoi reagimin e shumë shqiptarëve në Greqi, të bindjeve të ndryshme politike dhe partiake, sepse e konsiderojmë si absurd dhe diskriminues për diasporën e madhe shqiptare në Greqi. Greqia ka 5 muaj nën goditjen e valëve të pandemisë, ashtu si edhe Shqipëria. Për festat e fundvitit 2020, nuk doli një urdhër i tillë, deri dhe sot nuk kemi një urdhër të tillë. Çfarë ndryshoi që u mor një vendim i  tillë,duke veçuar  një masë të madhe të shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë e në Greqi? A ka lidhje kjo masë me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit ? Po javën tjetër që në Greqi janë Pashkët Ortodokse dhe shqiptarët kanë rast të shkojnë pranë famijeve të tyre, do u mohojmë edhe këtë ? Në Urdhërin ministror vendoset karantimi i detyrueshëm për shtetasit! Për cilët shtetas ? Vetëm për shqiptarët apo edhe për personat me shtetësi të huaj?! Edhe nga formulimi i urdhërit ministror, duket qartë se, objekti i karantinimit qenkan vetëm shtetasit shqiptarë, diaspora shqiptare e Greqisë, emigrantët që po mbajnë me miliona euro ekonominë shqiptare!  Thjesht dhe qartë, me këtë urdhër, praktikisht u vështirësohet deri në mohim, e drejta kushtetuese e shqiptarëve të Greqisë për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.  Më datë 19 prill një numër i madh organizatash të shqiptarëve nga gjithë Greqia, i dërguan një notë proteste  Qeverisë dhe aktorëve të tjerë politikë dhe administrativë të shtetit shqiptar, për anullimin e këtij urdhëri, që në thelb, pengon ushtrimin e të drejtës kushtetuese të shqiptarëve të Greqisë për të votuar.

Mendoj se dhënia e votës përbën një ndër veprimet më të rëndësishme të një qytetari në botën demokratike, dhe si i tillë nuk e di se deri në çfarë mase mund të lidhet me reagimin përkatës ndaj familjeve të tyre. Por unë jam i sigurt se, ky veprim është politik, antikushtetues dhe antidemokratik dhe do ketë pasoja në ndërgjegjen e Diasporës shqiptare në Greqi. Fatkeqësisht nga politika shqiptare vazhdon diskriminimi politik i shqiptarëve të Diasporës.

“Ky urdhër shkaktoi reagimin e shumë shqiptarëve në Greqi, të bindjeve të ndryshme politike dhe partiake, sepse e konsiderojmë  si absurd dhe diskriminues për Diasporën e madhe shqiptare në Greqi”

Shpëtim Zinxhiria: Kryeministri Rama na diskriminoi si Komunitet Shqiptar në Greqi

Vendimi i qeverisë është një dhunë barbare dhe antikushtetuese. Është një dhunë fashiste që nuk ka ndodhur në asnjë vend demokratik , por fatkeqësisht që ndodh në vendin tonë që drejtohet nga një frikacak, karrierist dhe mbi të gjitha, nga një njeri i sëmurë, i etur për pushtet. Nën justifikimin e pandemisë, me anën e një vendimi nëpërmjet Komitetit Teknik, ai  ka kërkuar të karantinojë pas 25 prillit, emigrantët që mund të vijnë në Shqipëri për të votuar. Ky ndalim që emigrantët të marrim pjesë në votime, është i pajustifikueshëm për ne emigrantët. Në fillim na ndaloi të votojmë këtu në Greqi, por më e keqja është se, na ka ndaluar të udhëtojmë edhe në Shqipëri. Këtë vetëm një i çmendur e bën. Emigracioni dhe problematika e tij gjatë jetës prej 2-3 dekadash në emigrim në Greqi, mua më dha misionin  të përfaqësoja bashkëvuajtësit tanë në Tempullin e Demokracisë, Parlamentin Shqiptar. Në siglën e Partisë së Emigracionit  ku jam dhe i pranishëm ku u bë e mundur që të jem pjesë e këtyre zgjedhjeve parlamentare si kandidat për deputet në koalicionin ABEOK. Por shteti im, kandidat i BE-së, m’a ndaloi këtë mision demokratik.Vendimet e njëpasnjëshme të orëve të fundit të Qeverisë dhe Komitetit Teknik (Tuajin), më heqin të drejtën si emigrant dhe si kandidat për deputet,  sepse duhet të jem në karantinë 14 – ditë!

Ju pyes:

Nëse keni ndërtuar këtë demokraci dhe Kushtetuta është thjesht për sirtaret e monarkisë që dëshironi të ndërtoni, atëhere thuajini shqiptarëve se ato zgjedhje, janë vetëm dhe vetëm për administratën tuaj mbretërore dhe kjo ju bën mosbesues. Nga ana tjetër, si pjesë e emigrantëve dhe problematikës së tyre,  ju them se qeveria juaj, asnjëherë nuk ishte pjesë e tyre dhe politika juaj monarke, jo vetëm që i ka përdorur këta njerëz, por ka shitur edhe ndjenjën e tyre patriotike me pazaret e juaja nëpërmjet  Turqisë. Nuk jam aspak i indinjuar me vendimmarrjen tuaj, sepse është çështje kohe largimi i planeve të tuaja për çrrënjosjen  e historisë dhe kulturës të atij vendi dhe njerëzve të tij, që me qeverisjen tuaj, vetëm brengë dhe përçarje shpirtërore arritët për shqiptarët  në çdo cep të botës! Ju treguat se, premtimet tuaja që shqiptarët të votonin në 2013 ishin mashtrim, po kjo u përsërit  në 2017, ndërsa në 2021, ju na ndaluat që të vinim në Shqipëri. Mund të na tregoni një rast në këtë planet, që kandidatëve për deputet, t’u ndalohet pjesëmarrja në garë, një javë para votimeve?! Do t’u thoja njerëzve të mi në Shqipëri, që të mos votojnë për këtë njeri të sëmurë, sharlatan, mashtrues që po çmend mbarë Shqipërinë.

“Vendimi i qeverisë është një dhunë barbare dhe antikushtetuese. Është një dhunë fashiste që nuk ka ndodhur në asnjë vend demokratik”

Edmond Guri, ish- kreu i Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë në Greqi: Vendim i turpshëm i kryeministrit Rama, për të manipuluar rezultatin zgjedhor

Ish -kreu i Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë në Greqi, Etmond Guri, e konsideron këtë si një vendim të turpshëm, që heq të drejtën e emigrantëve shqiptarë për të marrë pjesë në votimet e 25 Prillit. “Vendim absurd, i cili na gjen kundra dhe nuk e di cilat kanë qenë shkaqet që kanë shtyrë komitetin të marrë këtë vendim në një situatë aspak problematike, ku numri i infektimeve për një milionë banorë në Shqipëri, është më i madh se në Greqi. Kjo mjafton për t’a hedhur poshtë vendimin. Në Greqi kemi një situatë shumë më të menaxhueshme, në kundërshtim me Shqipërinë ku çdo gjë është e lirë, baret, restorantet, kafenetë dhe fushata elektorale që paraqitet nga partitë opozitare. Pra grumbullimet e tyre nuk janë të rrezikshme për infektime, ndërsa qenkan problem emigrantët që vijnë në Shqipëri për të votuar? Plus që emigrantët bëjnë testin për të parë nëse janë të infektuar apo jo dhe disponojnë certifikatë vaksinimi. Pse duhet që qeveria e kryeministrit Rama të trembet dhe të marrë vendime të tilla? Apo kërkon që të manipulojë rezultatin zgjedhor, duke mohuar votën e emigrantëve? Sepse në 2013, emigrantët shqiptarë nga Greqia dhanë kontribut të madh me mijëra vota Aleancës së Majtë të Edi Ramës, ndërsa tani, pas 8 viteve qeverisjeje, derisa nuk mbajti asnjë premtim, derisa i braktisi, i harroi, i mashtroi, kërkon që t’u mohojë votën, duke përdorur Komitetin Teknik të Pandemisë si instrument politik, me atë vendim të turpshëm, aspak të bazuar në të dhëna të ecurisë së pandemisë. Pati një mbështetje shumë të madhe për reagimin tonë kundër vendimit të komitetit të ekspertëve. Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë denoncon këtë vendim dhe kërkon heqjen e tij. Ata gjithashtu, u shprehën se, premtimet e dhëna për të mundësuar që edhe ata të votonin, nuk janë mbajtur. Nëse nuk do merren masa, ne do të vazhdojmë më tej me veprimet tona deri në protesta.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s