Kategori
Uncategorized

Betejën Rama e ka me Shqipërinë, po kush do të fitojë?

Çdo ditë e më shumë po kuptohet se përtej opozitës, grupeve të interesit, segmenteve të shoqërisë, opinionit publik, Edi Rama e ka në fakt luftën, betejën me Shqipërinë.

Madje nuk ka më asnjë kompleks për ta treguar haptazi. Shefi i rilindjes po e godet Shqipërinë në çdo drejtim.

Po e mban në vend dhe po i pengon integrimin, duke injoruar me kokëfortësi kushtet dhe kërkesat e Europës. Rasti më i fundit, është shpërfillja e këshillës për të pritur Opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Po e thinj e po e plak Shqipërinë duke nxitur ikjen masive të të rinjve, shpresëvrarë se këtu gjërat mund të ndryshojnë për mirë.

Po e varfëron, duke rritur borxhin, dhe duke e çuar buxhetin e shtetit në disa pak duar.

Po e lë pa drejtësi, ku prej dy vitesh mungojnë Gjykatat më të rëndësishme, ajo Kushtetuese dhe e Larta.

I prishi Teatrin, e çoi sistemin e shendetësisë në kolaps, dhe e kanabizoi.

Po bën çdo përpjekje për ta lënë edhe pa zgjedhje të lira e të ndershme.

Po i heq çdo petkë të demokracisë.

Duhet pranuar se deri më tani, Edi Rama është në avantazh.

Shqipëria është në ditën më të keqe.

Po cilët janë skenarët në vijim.

Më i errëti, është ai që Rama ta mundë përfundimisht Shqipërinë, në zgjedhjet që po vijnë. Këtu pastaj ka vetëm një fitues. Shefi i rilindjes, dhe skota e tij shoqëruese. Nuk ka fare problem dhe ndjeshmëri tek këta, që do të hedhin në tokë tërësisht një vend që po kalamendet. Mjaft të jenë vetë në krye.

Do të ishin udhëheqës, anipse të një trualli të mbaruar.

Skenari i dytë është që; Shqipëria ngadhënjen, dhe kjo arrihet vetëm duke e mundur Ramën. Por, duhet një fitore e fortë dhe bindëse që të shërbejë si leksion për këdo në këtë vend, sot e në të ardhmen, që të mos nanurisin ëndrra me sundim mbretëror.

Nuk ka në këtë përplasje rrugë të mesme.

Duhet të ikë njëra palë, që të qendrojë tjetra.

Megjithë fuqinë dhe instrumentat që mund të ketë, duket e pagjasë, që këtë betejë me vendin ta fitojë ndokush. E kanë provuar më parë tiranë, regjime, e pushtues po nuk ja kanë dalë.

Mapo.al

Lini një koment