Kategori
Uncategorized

Analizë/ Prof.Dr. Eshref Ymeri: Shqipëria “ Meka” dhe “Vatikani” i diplomatëve të huaj.

Nga Gazeta Telegraf – 9 Qershor, 202012

Diplomatët  perëndimorë  duke njohur natyrën servile dhe mercenare të politikanëve shqiptarë  ndaj të huajve, janë bërë “rrogozë”, duke mos treguar respekt ndaj popullit. Shtëpia e shqiptarit ka qenë  e mikut dhe e shtegtarit, por jo si sot, që i kemi bërë zotër, duke përdhosur dinjitetin kombëtar. Për një fotografi apo shtërngim duarsh me të huajt, politikanët tanë janë kthyer në karagjozë

Diplomatët e huaj nuk mund të qortohen se pse punët nuk shkojnë mirë në stanin e politikës shqiptare.  Sepse ata e shikojnë  dhe janë të bindur,  që ky stan është një shesh ideal për të bërë një përshesh  ideal.  Dhe, siç ka rezultuar gjatë këtyre tridhjetë vjetëve, diplomatët e huaj përsheshin e kanë bërë të përkryer. E në këtë mes, nuk ka asgjë për t’u habitur. Sepse në Shqipëri sistemi kriminal komunist  gjysmëshekullor,  nuk u përmbys në dhjetorin e vitit 1990. Ai sistem thjesht u zëvendësua me një sistem neokomunist, në përputhje  me platformën e kryekomunistit veteran Ramiz Alia, i cili, që në nëntor të vitit 1989, pati deklaruar se “e ardhmja e fëmijëve dhe e nipërve tanë do të jetë e sigurt”, duke lënë të nënkuptohej se këta duhet të jenë përjetësisht në pushtet. Prandaj lëvizja studentore e dhjetorit të vitit 1990  ishte një komedi e hollë, e mirorganizuar dhe me efekte mbresëlënëse, për t’i krijuar bindjen mbarë opinionit publik se sistemi  komunist po “shembej” në Shqipëri,  dhe në vend të tij, po “vendosej” një sistem i ri demokratik, i cili do të ishte “themeli” për ngritjen e mirëqenies së njerëzve. Kryeustai veteran i komunizmit, Ramiz Alia dhe shegertët rreth tij, për t’i mbushur mendjen “miletit”, se sistemi i vjetër komunist u “përmbys”, ishin  të bindur  se atij sistemi i duheshin bërë ca arnime, me ca shtojca  dhe ca zbukurojca  impresionuese, si ekonomia e tregut, iniciativa e lirë, zgjedhje “të lira”, e drejta e grumbullimeve dhe e protestave, fjala e lirë, në bazë të së cilës individi nuk do të ndëshkohej  më për mendimet e tij kundër pushtetit. Por ama, këto shtojca  e zbukurojca bëheshin me kusht që, siç e përmenda më lart, bijtë dhe nipat e veteranokomunistëve  të mos luanin  kurrë nga kolltuku i pushtetit. Siç edhe ka ndodhur realisht gjatë këtyre tridhjetë vjetëve!

Perëndimi europian e ka ditur me kohë  se cila është psikologjia  e politikanëve  shqiptarë, e ka njohur  mirë natyrën e tyre servile dhe  mercenare, për shkak të së cilës ata nuk ushqejnë kurrfarë respekti për popullin e vet, por ama janë gati orë e çast që të shndërrohen  në rrogozë shembullorë  dhe  në lepitka  të zellshme të të huajve. Populli shqiptar,  po ashtu, i njeh mirë politikanët e vet,  se nga gjiri i tij kanë dalë. Por e keqja është se vetë populli  shqiptar, tradicionalisht, të huajin e ka respektuar dhe vazhdon  ta respektojë,  më shumë se vetveten. Prandaj, gjatë shekujve, jo më kot, është krijuar në gjuhën shqipe ajo e famshmja fjalë e urtë:

“Shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e shtegtarit”.

Pra, shqiptari mikun, të huajin e ka bërë  zot shtëpie për shkak  të mikpritjes së tij, jashtë normave  të etikës së komunikimit me të. Një qytetar i nderuar kosovar, me banim në  Zvicër, shkruan:

“… a na solli neve ndonjë të mirë bujaria dhe zemërgjerësia me të huajt? Asnjëherë, kurrë! (Sokol Braha. “Vjen i kodrës, nxjerr të votrës”. Shtypshkronja “Grafobeni”. Prishtinë, 2011, f. 56).

Duke e ngritur kaq lart kultin e të huajit dhe duke shpërfillur kultin e vetvetes, populli shqiptar  ka nxjerrë dhe vazhdon të nxjerrë nga gjiri i vet politikanë pa kurrfarë dinjiteti kombëtar. Nënkuptohet,  që  politikanët  tanë, pa kurrfarë dinjiteti para të huajve, nuk mund të fitonin dot respektin e Perëndimit europian. Për rrjedhojë, në heshtje, nuk mund ta gëzonin, nuk mund ta gëzojnë dhe nuk kanë për ta gëzuar kurrë respektin e diplomatëve të huaj. Sepse servilin, mercenarin,  të huajt e përbuzin në heshtje, por e shfrytëzojnë vetëm për interesat e tyre dhe vetëm kaq.

Politikanët shqiptarë, të etur deri në marrëzi për të dalë në fotografi me udhëheqës perëndimorë, sidomos me presidentë amerikanë, duke shpenzuar shuma të mëdha parash, fotografi këto për t’ua tundur paskëtaj para hundëve qytetarëve të vet gjatë fushatave zgjedhore, janë shndërruar në karagjozë  të vërtetë, sepse me sjellje të tilla, ata nxjerrin në pah, kompleksin e inferioritetit të tyre, i cili është tepër karakteristik për njerëzit e etur për pushtet, si edhe ulin mjaft poshtë vlerat e mbarë kombit shqiptar.

Gjeste të tilla të politikanëve shqiptarë në qëndrimin plot servilizëm dhe mercenarizëm ndaj të huajve, janë nën vëzhgimin e përhershëm  të diplomatëve  perëndimorë. Dhe diplomatët e huaj, kur shikojnë që politikanët shqiptarë, për një fotografi me presidentët amerikanë harxhojnë  aq shumë para, pse të mos bëhen ziliqarë edhe ata, që të nxjerrin prej tyre ndonjë përfitim personal nga përkrahja që do t’u japin në sytë e opinionit publik?  Kjo është arsyeja që diplomatët e huaj braktisin  selitë e tyre dhe  bredhin poshtë e përpjetë  nëpër  Tiranë, sa nga njëra zyrë pushtetarësh  të lartë, në tjetrën. Gjithmonë ka rënë në sy përkrahja që diplomatët e huaj i japin qeverisë, partisë që është në pushtet. Se ajo i administron financat shqiptare, jo opozita. Dhe kjo duket sheshit: diplomatët e huaj vijnë në Tiranë me këmishën të mbërthyer dhe kravatën të shtrënguar deri në fyt. Por, gjatë ushtrimit të mandatit, fillojnë dhe e zbërthejnë pullën e sipërme të këmishës dhe kravatën e lirojnë fare, se qafa vjen e u bëhet si e demit. Kanë të drejtë! Shqipëria e politikanëve  në pushtet,  për ta,  është lopë mjelëse, ndaj ata janë shndërruar në kadilerë. Dhe “kadiu kur shikon paranë, ters e vërtit sherihanë”.

Një gazetar i njohur i njërit prej kanaleve televizive, i cili para do kohësh deklaroi, se janë të panumërta  kërkesat që i drejtohen  Brukselit dhe Vjenës  për t’u emëruar si diplomatë në Shqipëri.  Kishte shumë të drejtë ai gazetar me brumosje nacionaliste: Shqipëria është “toka e premtuar” për diplomatët perëndimorë.

Përkrahja e padrejtë që i jepet qeverisë është vënë re edhe në radhët e europarlamentarëve.

Ish-europarlamentarja Doris Pak (Pack), ka reaguar ashpër kundër Knut Fleckenstein-it për qëndrimin e tij skandaloz ndaj qeverisjes socialiste, gjatë vizitës së tij me 6 europarlamentarë, në Tiranë, më 27 dhe 28 shkurt 2019, ku sulmoi opozitën për djegien e mandateve të deputetëve. Ajo shkruante:

“Knut Fleckenstein, gjykimi i opozitës në Shqipëri për sjellje jodemokratike,  është  hipokrizi, është  një thirrje për ndihmë  nga BE-ja. Asnjëherë në vitet e fundit  nuk keni kritikuar  miqtë socialistë  për krimin dhe qeverisjen e korruptuar. Shqiptarët humbën  shpresën, po vuajnë dhe lënë vendin. Kam turp nga ti” (Citohet sipas: “Deklaratat kundër opozitës, Doris Pack “fshikullon” Knut Fleckenstein: Kam turp nga ti”. Faqja e internetit “Fox Ëeb”. 04 mars 2019).

Nga sa deklaronte zonja Doris Pak, rezulton se Knut Fleckenstein ishte një europarlamentar i korruptuar në Shqipëri dhe, për pasojë, ishte një njeri i pamoralshëm. Le të flasim me gjuhën e fakteve.

            Gazetari i talentuar Elio Laze ka deklaruar publikisht si më poshtë:

“… Kjo është historia e turpshme me ndërkombëtarët, të cilët vijnë, mbushin ca valixhe, shijojnë  benefitet  që u ofrohen hoteleve  të Tiranës dhe ikin dhe mbushin ca raporte të pavërteta, të paqena… Le të marrim zotin Knut, për shembull, jo këtë herë që ishte në Shqipëri para ca ditësh, por herën e kaluar,  zoti Knut, ka kaluar dy netë në hotel “Rogner”, me një vajzë të strukturave të forumit rinor eurosocialist shqiptar… dhe unë nuk besoj që duhen marrë seriozisht  raportet që bën Knuti, pasi ka kaluar gjithë natën pa gjumë…”(Citohet sipas: “Sa para u ofroi mazhoranca kandidatëve  të listës plotësuese  të opozitës?  Gazetari Elio Laze”. Transmetuar në youtube nga “Syri.net”. Intervistues gazetari Alen Xhelili. 05 mars 2019).

Përkrahja e diplomatëve të huaj për qeverinë dhe për partinë socialiste ka arritur herë-herë deri në atë shkallë, saqë ndokush prej tyre ëshë etiketuar edhe si anëtar i asamblesë së partisë socialiste. Ndonjë diplomat tjetër, përkrahjen e vet ndaj  kryeministrit Rama, e ka manifestuar deri edhe në përmasa skandaloze. Rasti i mëposhtëm  dëshmon më së miri, se njëri nga këta diplomat,  është thjesht një rrugaç, që duhej përzënë menjëherë me teneqe nga vendi ynë. Por s’kishte kush ta përzinte, se vendi ynë nuk ka zot.

“Mbrëmë ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Borchard, u ka ngritur gishtin e mesit protestuesve  shqiptarë që ndodheshin  para  Drejtorisë së Policisë në Tiranë, ngaqë protestonin kundër  arrestimeve të  banorëve  të “Unazës së Re” nga policia. Kjo është e turpshme. Një akt i pastër  rrugaçërie nga  një përfaqësues me imunitet diplomatik!  Zhgënjim i madh që  diplomacia gjermane të përfaqësohet me një person të tillë! Gjesti i turpshëm i një ambasadori është i dënueshëm  dhe duhet  ta ndëshkojë  Konventa e Vjenës. Ai gisht i mesit nga ambasadori i OSBE-së,  kundër shqiptarëve, në fakt, shpreh krizën spektakolare që ka drejtimi i OSBE-së, drejtim, i cili do t’i besohet qeverisë më antidemokratike  të vendeve anëtare të OSBE-së, qeverisë së Ramës, që dhunon  egërsisht qytetarët e saj dhe liritë kushtetuese” (Citohet sipas: “Turp. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë u ngre gishtin e mesit protestursve shqiptarë”. Faqja e internetit e gazetës “Telegraf”. 14 tetor 2019).

Diplomati Borchard,  nuk mund të mbante qëndrim tjetër ndaj protestuesve  të “Unazës së Re”, prandaj ai gishti i tij i mesit, i ngritur paturpësisht  para tyre, dëshmonte më së miri se ai ishte radhitur  fuqimisht në përkrahje  të kryeministrit Rama. Kur ata protestues  të gjorë i poshtëronte kryeministri i vendit, siç edhe i poshtëroi publikisht, duke i flakur si lecka nga shtëpitë e tyre, si mund të mos i poshtëronte  ai,  diplomati i huaj!

Por, çuditërisht, këtë sjellje rrugaçërore të këtij diplomati të lartë europian,  Brukseli e mori në mbrojtje. Kjo dëshmon  fare shkoqur se çfarë qëndrimi  “dashamirës”  mban Perëndimi europian  ndaj popullit shqiptar.

Nëse diplomatët e huaj, kryesisht perëndimorë, do të kishin sadopak respekt për popullin shqiptar, atyre nuk mund  të mos u bënte përshtypje shpopullimi  i Shqipërisë  me përmasa të frikshme këta shtatë vjetët e fundit. Dhe, si zëdhënës të qeverive të tyre, do të kërkonin ndryshimin  e stanit politik në Tiranë, në mënyrë që njerëzit, të mos braktisin vendin. Sipas disa të dhënave shifrore, të botuara para do kohësh në gazetën “Telegraf”,  rezulton se gjatë pesë vjetëve , (2012-2017),  në vendet perëndimore kanë marrë  azil  290 mijë shqiptarë, përfshirë edhe  kosovarët, pa llogaritur ata që kanë braktisur vendin, të cilët, në tërësi, kapin shifrën mbi gjysmë milioni,  për të dyja vendet.  Siç vihet re, Rama dhe Thaçi  janë në garë, se kush do të arrijë t’a shpopullojë  më  shpejt vendin përkatës. Që të dy, duke qëndruar kaq gjatë në pushtet (Rama – 22 vjet, Thaçi – 21 vjet), domosdo që janë duke lenë gjurmë në histori me kontributin e tyre  të dukshëm,  për shpërbërjen e kombit shqiptar. Me sa duket,  janë në garë me Putinin, i cili, sipas  disa medieve ruse,  mendon të largohet nga pushteti në vitin 2036. Dihet: një politikan mund të qëndrojë gjithë jetën në pushtet vetëm në dy raste: ose kur vendi është mbretëri, ose kur aty është vendosur  një sistem komunist, apo neokomunist,  si në rastin e Shqipërisë dhe të Kosovës.

Shtetet perëndimore,  të cilat janë anëtare të NATO-s, nuk duhej të lejonin që Athina të vazhdojë ta mbajë në fuqi ligjin paradoksal të luftës me Republikën e Shqipërisë, ndërkohë që kjo po bëhej gati të pranohej si anëtare e saj,  që në pranverën e vitit 2008.  (u pranua në pranverën e vitit 2009).  Mirë që Perëndimi europian nuk e çan fort kokën për vendin tonë,  por  Uashingtoni nuk duhej  t’ia lejonte Athinës  kurrësesi  një gjë të tillë.

Nisur nga sa u parashtrua më lart, mund të thuhet pa mëdyshje, se të pretendosh që diplomatët perëndimorë duhet të mbajnë një tjetër qëndrim në vendin tonë, pra, një qëndrim kundër qeverisjes së keqe të vendit, është jashtë realitetit. Kur i zoti i shtëpisë vendos kallëpet e dinamitit në themelet e saj, i huaji s’e ka për gjë të ndezë fitilat. Praktika e deritanishme tridhjetëvjeçare ka vërtetuar me fakte, se diplomatët perëndimorë, kanë shikuar dhe vazhdojnë të shikojnë vetëm interesin personal, në mënyrë që kur të përfundojnë mandatin, të largohen me valixhe “të majme” nga vendi ynë, domosdo, me kontributin e drejtpërdrejtë të qeverisë. Prandaj asnjëri prej tyre nuk e ngriti kurrë zërin kundër shndërrimit të Shqipërisë në një Kolumbi të Europës, me kontributin e drejtpërdrejtë të kryeministrit Rama. Se derisa qeveria nuk e çan kokën fare për popullin e vet, si mund të mendohet që ta çajnë kokën për të, diplomatët e huaj perëndimorë?!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s