Kategori
Uncategorized

“FAZ”: Mos besoni Ramën, Shqipëria, droga e Europës

“Shqipëria e vogël është kthyer në furnizuesin më të madh të marijuanës në Evropë”.

Kështu fillon një reportazh i gjatë i gazetarit David Klaubert botuar dje në gazetën kryesore gjermane “Frankfurt Allegmaine Zeitung” rreth kanabisit shqiptar dhe përpjekjeve të policisë kundër kultivimit të tij.
Klaubert ka shoqëruar një operacion të Policisë së Shkodrës për asgjësimin e disa parcelave me kanabis. Ai shpjegon se policia shqiptare merr të dhëna nga filmimet ajrore të kryera nga misioni i Guardia di Finanza dhe më pas ndërmerr aksione për shkatërrimin e plantacioneve.
Reporteri shprehet se Shqipëria është kthyer në parajsën e kultivimit të kanabisit:
Shqipëria, e shtrirë në jugperëndim të Ballkanit. Dielli shkëlqen 300 ditë në vit, ndërsa lumenjtë që rrjedhin nga malet sjellin plot ujë. Këto janë kushte të favorshme jo vetëm për florën dhe faunën e vendit, por edhe për kultivimin e bimës së kanabisit. Kanabisi rritet aq mirë në Shqipëri sa ky vend i vogël është kthyer në prodhuesin dhe furnizuesin kryesor të marijuanës në Evropë. Madje me diferencë të madhe me të tjerët, thotë Europoli.
Për të treguar përmasat e shtrirjes së trafikut të marijuanës shqiptare, autori pastaj jep një përmbledhje të marijuanës shqiptare të kapur së fundmi, nëpër Evropë:
Një pasqyrë e ngarkesave të marijuanës shqiptare të kapura në muajt e fundit: dy tonë në një jaht modern në jug të Peleponezit, 25 kg në një autobus në Vjenë, 674 kg në një furgon në Amsterdam, 2,3 tonë në një gomone të shpejtë në Pulia, 550 kg në një kamion në autostradën 9 në Hof. Kjo e fundit ishte një nga ngarkesat më të mëdha me drogë të zbuluar ndonjëherë në historinë e doganave bavareze.
Më pas reportazhi -një nga qëllimet kryesore të të cilit është të verifikojë sa “seriozisht” e ka qeveria shqiptare luftën kundër mafias së drogës- përshkruan aksionin e Policisë së Shkodrës.
Nuk kanë helikopter. Rruga për në Dukagjin është e vështirë. Makinat e amortizuara të policisë e kanë të vështirë të arrijën në zonat e thella malore. Madje gjatë rrugës për të arritur në një nga fushat e identifikuara makina e policisë e vitit 1998 mbetet në mes të rrugës, nuk përballon dot rrugën malore. “Pra, do të luftojmë kultivimin e kanabisit? Ata kanë më shumë para se ne”, tha një polic.
Klaubert shprehet se lidhjet e krimit me politikën janë arsyeja kryesore e lulëzimit të trafikut të drogës:
Krimi i organizuar ka gjetur në Shqipëri një terren pjellor. Tranzicioni nga komunizmi në demokraci, në fillim të viteve 1990 u shënua me trazira të dhunshme, paligjshmëri dhe korrupsion. Klani mafioz i lidhur me politikanë filloi të bëjë para me kontrabandën e cigareve, armëve, heroinës. E shumë shpejt përfundoi në biznesin e kanabisit.
Lazarati, një fshat afër kufirit grek, u la i lirë nga qeveria të kultivonte kanabis duke u kthyer në simbolin e këtij biznesi. Fshati prodhonte rreth 900 tonë kanabis në vit. Kjo zgjati deri në vitin 2013, kur kryeministri i sapozgjedhur Edi Rama vendosi të ndërhyjë në Lazarat duke shkatërruar bimët e mbjella. Por Kryeministri arrestoi vetëm persona të parëndësishëm dhe trafikantët e vërtetë falë lidhjeve të tyre me politikanët arritën të shpëtojnë.
Më pas gazetari tregon bisedën e zhvilluar me një djalë, i cili ka punuar në arat me kanabis në zonën e Shkodrës. Ai tregon se më parë ka punuar në lavazh makinash dhe paguhej 300 lekë në ditë, ndërsa për të punuar në fushat e kanabisit ai fitonte 3 mijë lekë në ditë.
Edhe pse policia kalonte në mal për të shkatërruar fushat e mbjella, arat e pronarit tim nuk prekeshin. “Pronari im kishte miq në politikë. Dhe kishte paguar shumë para”, shprehet djali i ri.
Lidhjet e politikës me krimin ekzistojnë, Klaubert shprehet pavarësisht thënieve të Kryeministrit për luftë të ashpër ndaj kanabisit dhe deklaratës se ky do të jetë viti i fundit i kanabisit, sasia e marijuanës shqiptare që kalon për në Evropë nuk është ulur.
Përveç se për policët e korruptuar, të cilët lejuan kultivimin masiv të kanabisit gjatë vitit zgjedhor dhe për familjet e varfra në zonat e thella malore, të cilat nuk kanë burim tjetër jetese, miliardat e trafikantëve dhe klaneve mafioze kanë bërë që këta trafikantë të kenë shumë ndikim ndaj pushtetit. Duke përdorur pushtetin që gëzojnë në nivel lokal dhe paratë, trafikantët kanë siguruar që partitë dhe përfaqësuesit e tyre të mos fusin hundët në aktivitetet e tyre të paligjshme.
Si shembull i lidhjes së krimit me politikën në reportazh jepet rasti i Klement Balilit, i cili mbante një post zyrtar dhe kishte ndërtuar një hotel luksoz.
Pavarësisht sinjalizimeve të ndryshme nga qeveritë e vendeve fqinje, Klement Balili jetonte i lirë, madje në inaugurimin e hotelit të tij morën pjesë Arben Ahmetaj, ministër i Financave dhe Ilir Meta, Presidenti aktual.
Bashkimi Evropian, drejt të cilit Rama synon të udhëheqë vendin, ka kritikuar në raportet e tij arritjet e dobëta dhe dështimin e policisë dhe drejtësisë në luftën kundër drogës.

15 tonë drogë nga Vlora me vlerë 160 milionë euro

Klaubert jep disa të dhëna mbi forcimin e organizatave kriminale në Shqipëri dhe Evropë, të financuara nga të ardhurat marramendëse nga trafikimi.
Vetëm gjatë muajit korrik u kapën në detin e Vlorës më shumë se 15 tonë marijuanë, me një vlerë në tregun e zi prej 160 milionë eurosh. Por krahasuar me sasinë e mbledhur vitin e kaluar prej 1 mijë ton, sasia e kapur nga policia nuk është asgjë për trafikantët.
Trafikantët shqiptarë kanë filluar të investojnë lekët e fituara nga biznesi i paligjshëm i drogës në hoteleri dhe pasuri të paluajtshme, agrikulturë dhe kompani në të gjitha sektorët. Vitet e fundit ato janë shtrirë edhe në biznesin e kokainës duke krijuar lidhje të forta në Amerikën Latine.
Në Mbretërinë e Bashkuar është rritur ndikimi i bandave me etni shqiptare në krimin e organizuar, sipas Agjencisë Kombëtare britanike të Krimit. Në Gjermani, raporti mbi kriminalitetin gjatë vitit 2016, dëshmon se të arrestuarit për trafik ndërkombëtar të narkotrafikantëve me etni shqiptare janë rritur me 85,4 për qind.
Në fund reportazhi përshkruan si forcat e policisë mbërritën në objektiv, prenë bimët e kanabist, bënë fotografi me to në sfond, i dogjën dhe pas 5 orësh u kthyen në shtëpi.
100 policë, gati 18 orë në shërbim. Çdo gjë mbaroi: asnjë e shtënë, asnjë të arrestuar dhe u shkatërruan të 12 fushat me kanabis. 1785 rrënjë në total. Shefi i Policisë është i lumtur. Një sasi e konsiderueshme bari u shkatërrua.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: