Kategori
Uncategorized

Trekëndëshi Vorë- Lezhë- Kukës…

Trekëndëshi Vorë- Lezhë- Kukës Nga Frrok Çupi

Trekëndëshi!?….Duket si fjalor rreziqesh ose mafie…

Deri më sot, në eksperiencat e përgjakshme të mafias, janë bërë të njohura disa figura gjeometrike. Ashtu si edhe figura mitike a mediatike. Trekëndëshi sicilian, pagëzuar si “trekëndësh i vdekjes” ndodhet mes Altavidha, Milicia dhe Casteldaccia, cepi fundor i gishtit të çizmes silciliane. Edhe studiuesi special i mafies, Xavier Raufer përshkruan “trekëndëshin e artë të ballkanasve”.

… Pak nga pak, këtu në Shqipëri, ku sipas studiuesve më të zotë të krimit mafioz si psh., Raufer dhe Stephane Quere, po zhvillohet mafia në shoqërinë postkomuniste, po shfaqen disa trekëndsha. Fillimisht u quajtën bastione politike; madje edhe sot po ruhen si të tilla në dukje.

Trekëndshi më i ri, edhe ky “politik”, është: Vorë, Lezhë, Kukës. Ndërhyrja brutale dhe explicide e Ilir Metës në këto zona, e bëri që të konsiderohet “trekëndësh”. Më parë, Vora, Lezha dhe Kukësi nuk kishin asnjë lidhje. Ilir Meta, kryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe kryetar i LSI (një parti që po përgojohet si “organizatë kriminale”), ka shtënë në dorë trekëndëshin. Ditët e fundit i është sulur Vorës që të fitojë kryetarin e bashkisë “me hatër a pa hatër”. Ka premtuar, njësoj si në komunizëm, “punë për të gjithë”. Ka nisur të përdorë shantazhin, si vetë me kërcënim politik ashtu edhe me policinë e shtetit, siç po deklaron opozita. Ia ka vënë syrin Vorës që ta marrë me çdo kusht. Vallë pse kështu?

Kush ia ka ndjekur veprën korruptive, kupton se ky nuk po punon ” thjesht për politikë”, as në ajër; por po plotëson trekëndëshin.

– Pse të duhet kaq shumë Vora?- e pyeti gazetari Blendi Fevziu në Klan, parëmbrëmë.

Kryetari i Kuvendit dhe i LSI, thuajse dëshmoi hapur se i duhet si pikë fillestare e trekëndëshit.

“Meqë kaloj për te vila ime në Gji të Lalëzit, më duhet ta kontrolloj Vorën”- u përgjigj…

Pastaj foli per Lezhën dhe për Kukësin. Me të njëjtën ide okupimi në formën e trekëndëshit.

Në fakt, të gjithëve iu ka rënë në sy se si Ilir Meta, i përfolur si ikonë e korrupsisonit, i është ngulur Kukësit, Lezhës dhe tani Vorës. … Fillimisht u ngul në Lezhë. Aty fitoi një deputet gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Më vonë , një tjetër deputet i Lezhës, i angazhuar me opozitën PD, kaloi në radhët e LSI. Lezha u kthye në qytetin më të begatë për nga numri i deputetëve për LSI. Në Lezhë, në qershor të vitit 2013, ditën e votimeve, u vra edhe një militant i LSI duke blerë vota, siç u tha në të gjitha mediat e madje edhe në politikë. Ilir Meta udhëtoi natën për te vendi i krimit dhe u betua para gjakut të militantit. Por ky u betua më shumë për të mos e lëshuar më Lezhën. Lezha është një vend i begatë. Ka male, ka klimë befasuese, ka popullsi me besime të ndryshme fetare, ka edhe varfëri, ka edhe të ardhur. Lezha ka det. Një vend i pashoq për mafian e vendit dhe të huaj. Këto ditë zoti Meta ndërhyri edhe për një linjë speciale detare me Italinë ku do të transportohen, me siguri, plot gjëra për mirë e për keq.

Mbi të gjitha, Lezha është pikë kyçe për të kontrolluar Veriun, në radhë të parë Mirditën- vend i minierave

Po Kukësi?

Në Kukës, zoti Meta ka blerë kryetarin e Bahkisë. Kryetari, Halili, ishte demokrat dhe u bë i majtë i flaktë me LSI. Po lufton që me çdo mjet ta ruajë në pushtet edhe kësaj radhe. Sepse LSI ka blerë gjithë pasuritë e nëntokës dhe mbitokës së Kukësit.

Pse janë kaq të varfër kuksianët, aq të varfër sa të parët lanë vendin drejt emigrimit në vende të Europës? Sepse asnjë kuksian nuk ka për pasuri pasurinë e Kukësit, e gjitha shkon jashtë Kukësit, kryesisht për bosët e LSI, poshtë Shkumbinit. Veç pasuritë minerale të hekur-nikelit në Kukës përbëjnë 45 milionë tonë rezerva. Asnjë gram e kësaj pasurie nuk shkon për kuksianët. E gjitha është nën zotërimin e disa aksionerëve nga LSI,- thonë në Kukës.

As pasuria energjetike që prodhohet në Kukës nuk i jep asgjë kuksianit. Energjia prodhohet, për gjithë vendin, në tokat e papaguara të fshtrave dhe qytetit të Kukësit, por kuksianët janë më të varfrit në vend. Madje shteti iu kërkon edhe miliona për pagesa të energjisë që prodhojnë vetë. Një nga deputetët verior të PS, parti aleate në qeveri, e ka akuzuar Metën se ka marrë gjithë minierat e vendit nën sqetullën e tij. Doganat e Morinit janë një pasuri tjetër për zyrtarët e LSI.

Mbajtja nën kontroll e Kukësit ka edhe një qëllim strategjik për zotin Meta. Si gjeopolitist që e pagëzon veten, ai do që herë pas herë të kontrollojë edhe trevat e Kosovës, ndoshta edhe Beogradin.

… Atëherë ku plotësohet trekëndëshi?

Vora duket pika e fundit, por në fakt këtu fillon “triangolo della morte”. Edhe fizikisht është një trekëndësh frytdhënës: Këndet e tij lidhen me autostradën “Rruga e Kombit” dhe me det- dy rrugët më të gjëra e të pakontrollueshme. Vetë trekëndëshi ka qëllim të përtejmë. Ilir Meta, si një politikan djallëzor dhe i pa princip (ai thotë se “dje ishte dje, sot është sot”), e ka ndërtur strategjinë për një sundim afatgjatë. Në Skrapar (vendi i origjinës dhe bastion i LSI), nuk ka çfarë bën më shumë; të gjithë janë me kapon, por ekonomia me askënd. Zonat e veriut i duhen për të zgjeruar influencat qeverisëse dhe për të realaizuar manipulimin e pasurive të zonës. Në kthimin pas në kohë, ky është një qëllim që kishte diktatura komuniste për ta sunduar veriun me njerëz të ardhur nga jugu. Përgjithësisht ata kanë qenë katilë si individë.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s