Kategori
Uncategorized

Agjenti Grek,STATHI CEHAEF, orgjitë homoseksuale ku rekrutoheshin durrsakët.

Agjenti STATHI CEHAEF,

Historia e pabesueshme e superagjentit që bënte lojë të shumëfishtë. I rekrutuar nga nazistët, vjen në Shqipëri për llogari të anglezëve dhe grekëve. Teksa shndërrohet në bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit, njëkohësisht rekrutonte të rinjtë e Durrësit për llogari të sovjetikëve. Dosja hetimore me listën e emrave të përpunuar prej tij

Nga Gjergj Thanasi

Në vitin 1971 një arrestim i bujshëm, megjithëse i pazhurmë, siç ndodhte në periudhën e diktaturës komuniste, shkaktoi tronditje në Durrës. Shume fjalë që qarkullonin në heshtje. Ishte arrestuar mësuesi i shkollës së mesme të muzikës “Mujo Ulqinaku” dhe për të pas disa muajsh hetuesie, u përfolën shumë gjëra…që në atë periudhë lanë shume shije të hidhur në qytet. Megjithëse arrestimi i tij u bë në mënyrë sekrete nga organet e Sigurimit të Shtetit të Tiranës dhe ata që pyeteshin rreth tij porositeshin me përgjegjësi që për ato probleme që janë biseduar të ruheshin në sekret të plotë, përsëri në qytet u përfol se ishte arrestuar një agjent i rrezikshëm, i cili përveç veprimtarisë së spiunazhit kundër vendit tonë, kishte punuar në mënyrë perspektive për të kompromentuar dhe rekrutuar më pas të rinjtë, të cilët ai i afronte përmes formave të ndryshme komprometuese kryesisht me vepra te turpshme, me qëllim që kur të vinte momenti të rekrutoheshin për llogari të shërbimeve sekrete Sovjetike. Për këto veprime në hetuesi në Tiranë, sipas statistikave të dosjes hetimore, janë shoqëruar rreth 40 të rinj të moshave 15 deri në 20-vjeçare nga qyteti i Durrësit, shumica ish nxënës të tij. Agjenti i arrestuar ishte Stathi Cehaef, për të cilin një nga dëshmitaret ka deklaruar se ai i kishte mësuar seksin oral, madje ia kishte ejakuluar spermën në gojë. Shume prindër u shqetësuan sepse mësuesi i muzikës mund të kishte pasur problem me fëmijët e tyre dhe i janë drejtuar dyerve të policisë, për të marre në mbrojtje fëmijët e tyre, të cilët “mësuesi ua kishte marrë në qafë…”. Sipas një oficeri të shërbimit sekret të kundërzbulimit që përpunonte të huajt në Durrës, të dhënat e dosjeve të tij, në të cilat hetuesia kishte depozituar deri emra fëmijë të kuadrove kryesore që ishin afruar nga profesori i tyre për “përpunim”, janë ende në dosjet e arkivuara të ish-Sigurimit. Së bashku me fotografitë e bëra nga Stathi të rinjve në seanca seksi pederastie, të cilat i ishin marrë atij nga zbulimi shqiptar përpara se t’i niste për në destinacion. Kush pati fatin e keq të njihej me të, ende sot vuan nga pasojat e renda që u shkaktoi…

Mbërritja në Shqipëri

Lindur në Kallamata të Greqisë në vitin 1922, nga prindërit Kostandin dhe Andronika në një vend të njohur për fiqtë kokërrvegjël dhe ullinjtë. Ka punuar fillimisht në një studio personale fotografie që i përkiste të atit të tij. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, sipas dëshmisë së dhënë nga ai vetë pas arrestimit, ai është rekrutuar nga shërbimet sekrete gjermane të Abwerit, gjatë kohës kur ai po ndiqte kurse të mësimit të gjuhës gjermane të organizuara nga ky shërbim i zbulimit ushtarak të Gjermanisë naziste. Dhe më pas, format e grumbullimit të informacionit prej tij kanë qenë pikërisht kurset me të rinjtë. Pas lufte, Stathi është marrë në bashkëpunim nga shërbimet e tjera, të cilat e “gjuajtën” atë nga arkivat që u mbetën në duar. Ai u rekrutua si agjent i shërbimeve partnere anglo-greke dhe, duke qenë mjaft i talentuar në gjuhët e huaja, një karakteristikë mjaft e lakmuar për një zbulues potencial, synohet të hidhet në bastionet lindore. Për këtë në vitin 1949 përgatitet për ta dërguar në Shqipëri si agjent dhe prej këtej do të gjendej mundësia që të hidhej në Republikën Demokratike Gjermane, me perspektivë kalimin e tij në Bashkimin Sovjetik.

Në vitin 1949, në periudhën e njohur si periudha e zhvillimit të provokacioneve greke të gushtit të këtij viti, ai vjen si ushtar grek dhe kur formacioni i tij ushtarak sulmohet nga forcat tona, ai, sipas porosisë së dhënë, dorëzohet si rob lufte. Qëndron pak kohë në një kishë në zonat kufitare ku i kishin grupuar robërit dhe me pas dërgohet në Lushnjë, ku ishte ngritur edhe kampi i grumbullimit të tyre. Në periudhën kur ndodhej në Lushnjë, ai rekrutohet nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar dhe dërgohet për t’u stërvitur në Noe të Krujës në fshehtësi të plotë, sipas kritereve të shërbimeve inteligjente të asaj periudhe, për t’u përgatitur si agjent i Shqipërisë, me perspektivë për ta dërguar më pas si zbulues në Republikën Federale Gjermane. Pas rekrutimit dhe stërvitjes, ai dërgohet si student i gjuhës ruse në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Pikërisht kopertura e tij si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, i lejoi të vepronte për vite të tëra i pashqetësuar për llogari të shërbimeve të tjera të huaja, në rolin e agjentit të shumëfishtë.

Agjenti i shumëfishtë

Gjatë periudhës së mëvonshme, Cehaef kontaktohet nga zbulimet lindore dhe rekrutohet prej tyre si agjent i shërbimeve sekrete sovjetike. Rekrutuesi i tij, sipas deponimit të Stathit ne hetuesi, është oficeri i shërbimit sekret gjermanolindor Leopold Zajder. Për shkëmbimin e informacionit, ai mbahet në lidhje nga përfaqësuesi tregtar i Çekosllovakisë së asaj periudhe, Washek, që punonte si specialist i hekur nikelit në Ndërmarrjen Minerale të Eksportit në portin ë Durrësit, MINERALIMPEKS. Ndërkohë, sipas dëshmisë së tij dhe të informacionit të zbulimit shqiptar, shërbimet sovjetike e kishin kaluar atë në dispozicion te qendrës së zbulimit që e zhvillonte veprimtarinë e vet për llogari të Komandës së Traktatit të Varshavës.

Rekrutimi i të rinjve

Stathi ndërkohë ishte stabilizuar si profesor në shkollën e muzikës. Ishte mjaft i talentuar dhe zotëronte njohuri të gjuhëve te huaja. Ai zotëronte 7 gjuhë ndërsa kishte njohuri në rreth 22 gjuhë. Gjuha e fundit që ai po mësonte, para arrestimit, ishte gjuha kineze. Stathi Cehaef deponoi pas arrestimit se, sipas porosive të dhëna nga shërbimet lindore, ai mbante lidhje me të rinjtë dhe i përpunonte nëpërmjet komprometimit me vepra të turpshme, për të krijuar me pas kushte për t’i rekrutuar nga shërbimet përkatëse.

Në bazë të porosive të dhëna nga “Qendra” për punën perspektive me të rinjtë, Stathi mblidhte në banesën e tij, një dhomë në katin e 4-të të pallatit të Dovanëve, shumë të rinj 15-20-vjeçarë, me pretekstin e kurseve të ndryshme që bënte dhe me to, bazuar në dokumentin e shkruar nga ai me dorën e vet, ka kryer kryesisht këto veprime:

– U siguronte gazeta dhe revista pornografike

– I nxiste që të masturboheshin

– I nxiste që të kryenin marrëdhënie homoseksuale me njëri-tjetrin dhe me pas në sytë e të tjerëve të pranishëm.

Këto veprime ata i bënin në krevatin që profesori ua lejonte ta përdornin “me bujari”. Gjatë këtyre akteve ai u mblidhte spermën në shishe peniciline, të cilën, pasi e etiketonte se kujt i përkiste, e dërgonte në qendrën e zbulimit nëpërmjet ndërlidhësve të huaj që punonin në Albkontroll.

Në këto orgji homoseksuale të tijat ishin përfshirë rreth 40 të rinj, të cilët kanë deponuar në hetuesi për mënyrat e ndryshme të komprometimit që kishte përdorur Cehaefi ndaj tyre. Numri i të rinjve të abuzuar ka qenë edhe me i madh, por hetuesia, për shkak të bujës së madhe që kishte shkaktuar në popull kjo ngjarje, nuk i mori të gjithë në pyetje, por është mjaftuar vetëm me hartimin e listave të tyre të marra nga deponimet e Stathit si dhe listën e paraqitur nga pyetjet e të rinjve rreth tij, lista të cilat janë inkuadruar me pas që të dyja në dosjen hetimore të Cehaefit. Një pjesë e tyre kanë dalë si dëshmitarë në gjyqin e zhvilluar në Gjykatën e Durrësit. Në dosje gjithashtu përshkruhet sesi Stathi Cehaef kishte krijuar lidhje me mësues, intelektualë të ndryshëm, mjekë, dhe së bashku zhvillonin agjitacion e propagandë kundër pushtetit komunist. Gjithashtu kishte një aktivitet të gjatë kontrabande me çekët, polakët dhe mallrat që i merrte i shiste në Durrës

Gjykimi i Stathit

Më 17.07.1972 ka filluar gjyqi ndaj tij i përbërë nga trupi gjykues me Kryetar Arzen Leskoviku, anëtar Sopot Rustemi dhe Pask Bacja. Hetuesi Llambi Gjoni. Në të kanë dëshmuar rreth 17 të rinj dëshmitarë të akuzës. Disponojmë listën e plotë të dëshmitarëve në hetuesi si dhe në gjyq, ashtu si listën e të rinjve kandidatë për rekrutim të cilën Cehaefi e kishte paraqitur për miratim, por për arsye etike nuk po e bëjmë publike. Nga ky gjyq Stathi Cehaef është dënuar me 25 vjet burg për:

– Spiunazh

– Agjitacion e propagandë në bashkëpunim me persona të tjerë.

– Kontrabandë

– Pornografi

Në periudhën e burgimit ai nuk është keqtrajtuar në hetuesi. Policë shërbimi, por edhe të burgosur, kanë deklaruar se kur erdhi një periudhë kohe në burgun e Degës së Punëve të Brendshme në Durrës nga Tirana, për të gatuhej në mënyrë të veçantë. Atij i dërgohej ushqim special. Madje mbahej nën kontrollin e mjekut për arsye se ishte i sëmurë me diabet. Luks që nuk e kishin të burgosurit e tjerë.

Kujtimet e një oficeri

Rreth veprimtarisë së Stathit, një oficer i shërbimit shqiptar të kundërzbulimit me përvojë disavjeçare pune kundër shërbimeve të huaja në sektorin e Turizmit, ka hedhur në letër disa kujtime të cilat sjellin edhe disa nga metodat e ndjekura për ta vënë nën kontroll aktivitetin e tij armiqësor kundër Republikës Popullore të Shqipërisë. Ai thotë se Stathi Cehaefi ka qenë një nga agjentët më të spikatur të fuqive të huaja që kanë zhvilluar veprimtari të suksesshme në vendin tonë. Ai kujton se për të grumbulluar të rinjtë Stathi shfrytëzonte autoritetin e madh që kishin mësuesit e asaj periudhe tek nxënësit dhe prindërit. Aktet që u konstatuan më vonë kanë qenë produkt i këtij mirëbesimi, pasi prindërit nuk shqetësoheshin nga shoqëria e nxënësit me një mësues. Sikur kjo veprimtari e mësuesit me nxënësit e vet të ishte konstatuar në SHBA, me siguri, edhe pa akuzat e një spiunazhi aktiv që kishte mbi kurriz, ai do të përfundonte me siguri në karrige elektrike, thotë shkruesi i kujtimeve sekrete në bisedë e sipër.

Oficeri tregon se shenjen e parë të dyshimit për Stathi Cefaefin, organet e kundërzbulimit shqiptar e morën nga një prind, i cili denoncoi faktin se mësuesi kishte filluar të interesohej mbi transportin që zhvillonin anijet e Flotës Tregtare. Personi që denoncoi K. XH. kishte qenë oficer, komisar i një grupimi baterish kundërajrore dhe me pas kishte kaluar në flotën tregtare. Menjëherë sapo i biri i a tha se çfarë kishte biseduar me mësuesin masovik të të rinjve, ai kërkoi takim me kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme dhe e denoncoi. “Denoncimi, kujton oficeri tashmë në pension, u ruajt i fshehtë dhe që atëherë Cehaefi u mbajt nën vëzhgim të pandërprerë. Gjatë kësaj periudhe ai u ndoq, u fotografua dhe u incizua. Atij i u dokumentuan takimet agjenturore edhe me polakët, çekët, etj. Shkëmbimin e informacionit e bënin në shkallën e brendshme të ish PTT- së 5-katëshe të asaj periudhe të Durrësit. Njëri ulej, tjetri ngjitej dhe në shkallë, kur nuk kishte asnjë njeri, shkëmbenin zarfat”. Në stafin e afërt të tij, me kombinacion u fut edhe një agjent i Sigurimit te Shtetit. Me pas ai u përpunua edhe me dy të tjerë, babë e bijë. “Kur u arrestua Stathi, hetuesia kërkonte që të merrte në pyetje agjentin me të bijën, por duke qenë bashkëpunëtorë të sigurimit, u desh ndërhyrja e Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së rrethit, shokut Iljaz Reka, kujton oficeri shërbimeve, me qëllim që të lejohej pyetja dhe me pas ballafaqimi hetimor para të cilit Stathi, me gjithë inteligjencën që e karakterizonte, mbeti i zbuluar. “Një periudhë kohe ai u nënvleftësua nga punonjësit e sigurimit, duke menduar se ishte njeriu i tyre, më pas ishte ai që i nënvleftësoi ata se sa të aftë ishin, dhe nga kjo pësoi disfatë” shkruan oficeri.

“I defloruar i vjetër”

Gjatë kohës kur bëhej hetuesia e Stathit, një oficer i sigurimit, i cili është ndodhur në shërbim në një natë kur sapo ishte arrestuar superagjenti tregon për të përjavshmen “Investigim” një detaj mjaft interesant. “Ndodhesha me shërbim, kur me bie zilja e telefonit. Më thërrasin në zyrën e kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme. Kur hyra brenda, aty ndodhej edhe shefi i hetuesisë. Ata me dhanë detyrë për të shkuar dhe për të marrë mjekun e shquar të Durrësit, Fiqiri Këlliçin, ish-drejtor materniteti në një periudhë, pasi do të bënte ekzaminimin e të burgosurit Stathi Cehaef. Mjeku pasi e kontrolloi konstatoi se Stathi ishte i defloruar i vjetër në anus dhe se ai kishte pasur marrëdhënie seksuale pederastie pasive “. Nisur nga kjo dëshmi e oficerit të shërbimit të kundërzbulimit mund të mendohet se ndoshta këtë metode komprometuese që ai përdorte në masat e të rinjve, mbase e ka pësuar vetë në kurriz më përpara. Metoda këto të njohura si të përdorura gjerësisht nga zbulimi sovjetik në rekrutimin e grupit të Kembrixhit në Angli. Dhe të Stazzit më pas.

Arrestimi

Stathi u arrestua më 5 nëntor, 3 ditë para festës së themelimit të Partisë Komuniste, pasi kishte arritur në organet e shërbimeve sekrete, një e dhënë se po organizohej diçka me rastin e festës…Nga të gjitha ato kurse që ai kishte organizuar me të rinjtë, na bëri përshtypje në kontrollin e banesës fakti se ai si vegël pune në shtëpi kishte pasur vetëm një violinë…Dhe një broshurë në përkthim e sipër mbi jetën e Rikard Sorges. Mbase synonte ta imitonte…

Ish-oficeri i shërbimeve kujton se ai ishte mjaft i zgjuar dhe i studionte njerëzit shumë mirë përpara se të gjente pikat e tyre të dobëta. Një violinisti shumë të talentuar i kishte premtuar që ta dërgonte për studime në Francë, por kjo nuk u arrit sepse informacioni mbi ç’kërkonte ai kishte ardhur paraprakisht dhe kjo e dogji atë pasi nuk u fut në listë fare. Për dikë tjetër interesohej t’i dilte e drejta e studimit, madje edhe shpenzonte për t’i ndihmuar të rinjtë në nevojë. Interesimi kryesor i tij mbetej njohja me fëmijë të oficerëve dhe kuadrove kryesore me perspektiva studimi dhe karriere. Ai kishte krijuar lidhje deri me femije të njerëzve që bënin pjesë në shtresat e larta të nomenklaturës komuniste. Gazetari Mark Brunga që ka parë njërën nga dosjet e Stathit, thotë se në dosje kishte pasur përpjekje për të “futur duart” . Mbase pikërisht nga ky fakt që sjell oficeri i vjetër. Ose mund të jenë marrë dokumente me qëllim përdorimi për shantazh për arsye të ndryshme ndaj ndonjë personi të caktuar…

Misteri i fundit

Stathi ka vdekur në vitin 1978 në burgun e Ballshit, gjatë periudhës kur ai punonte në bibliotekën e këtij burgu dhe merrej me përkthimin e literaturës profesionale nga shërbimet e huaja, për Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë… Raporti mjeko-ligjor përcakton si shkakun e vdekjes një atak kardiak, por ky është edhe misteri i fundit i superspiunit që shumëkush mund ta dëshironte të vdekur. Ai mbeti agjenti më i përfolur në Durrës, për metodat më të fëlliqura të komprometimit që ka përdorur masivisht me të rinjtë. Në këndvështrimin e oficerëve të shërbimeve sekrete shqiptare që janë marrë me aktivitetin e tij armiqësor kundër vendit tonë, mbetet një agjent nga më të suksesshmit që kanë pasur veprimtari spiunazhi në Shqipëri. Agjent i pamëshirshëm që i shiti po pa mëshirë të gjithë bashkëpunëtorët e vet duke i hartuar vullnetarisht listat e tyre, megjithëse kishte qenë vetë iniciatori i tërheqjes në dafrunga të fëlliqura pa pyetur për moshën e tyre të re dhe pasojat që mund të kishin në një sistem totalitar. Ai i përdori ata për të shtruar rrugën e karrierës së vështirë të një spiuni profesionist dhe me pas i shiti në shenjë bashkëpunimi me drejtësinë komuniste për të siguruar mosdënimin e tij me vdekje. Synimi i fundit që kishte dhe që e arriti.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: