Kategori
Uncategorized

Ditar i shkurtër i 8 Dhjetorit ’90

Ditar i shkurtër i 8 Dhjetorit ’90

Ora 10:00.

Kryeministri Çarçani shkon pa njoftuar për vizitë tek studentët në Qytetin “Studenti”. Kalimi i tij nga godina 27-28 krijoi ilaritet të madh, pasi baltës nuk i rezistuan as çizmet që Çarçanit ia dërgoi me shpejtësi policia. Në godinën 10-11, ai priti një grup studentësh. Gjysma e sallës ishte mbushur me sampistë. Studentja A.B. iu drejtua Çarçanit me fjalë dhe tone të ashpra. Ajo tha se, “unë nuk mund të lind kurrë fëmijë për ju dhe partinë tuaj…”

Ora 20:30.

Kabina elektrike në qytetin “Studenti” merr flakë. Gjithçka fillon nga e para. Fillojnë parrullat kundër diktaturës, të thirrurat dhe të sharat ndaj qeverisë komuniste dhe thirrjet për të lëvizur të organizuar. Për herë të parë u këndua nga të gjithë kënga: “Se mjaft në robëri/ O e mjera Shqipëri./ O djem rrëmbeni pushkët/ Ja vdekje ja liri”! Si dhe u hodhën parrullat, “Poshtë komunizmi” dhe “Komunistët në litar”.

Ora 21:00

Nga godina 20-21 erdhën thirrjet për t’u mbledhur të gjithë. Brenda 10 – 15 minutave u mblodhën rreth 200 – 300 studentë, të cilët filluan marshimin drejt drejtorisë. Kur u arrit tek godina 17 u pa se i gjithë trupi pedagogjik i universitetit kishte ardhur i shoqëruar me autoblinda të policisë në përpjekje për të ndërprerë demonstrimin. Meqenëse sheshi para drejtorisë ishte i mbushur plot vetura qeveritare, studentët morën rrugën për në Sheshin që sot quhet “Demokracia”.

Ora 21:00

Në përpjekje për të pasur sa më shumë solidaritet, demonstruesit shkuan drejt godinës 15 për të kërkuar bashkimin e tyre. Ndërkohë dritat kishin ardhur, por askujt nuk i binte ndërmend për to. Pas godinës 15, studentët shkuan tek godina 14. Aty një moment qetësie u kërkua që dikush të zgjidhej për drejtues. Ishin 6-7 djem të tillë. Si më i vjetri si i vetmi prind u zgjodh pa asnjë diskutim, Azem Hajdari. Pastaj itinerari për solidaritet kaloi godinat 6, 13, 11, 12, 9-10, 7-8, dhe uragani i studentëve mori drejtimin e bulevardit qendror të daljes nga rruga e “Elbasanit” me synimin për takim me R.Alinë, ose demonstrim në Sheshin “Skënderbej”.

Ora 22.00

Në hyrje të lagjes afër çerdhes, policia kishte vënë postobllok. Aty foli Pirro Kondi. Dikush e goditi me kokrrat e pemës zbukuruese, të tjerët fishkëllyen. Dikush e pyeti Pirron se sekretari i cilës parti ishte?

Ora 24.00

Tek studentët shkon Hekuran Isai, i cili filloi të qeraste studentët me cigare. I bombarduar me pyetje provokuese, ai u acarua së tepërmi më shumë se një herë. Në këtë orë, 14 studentë u nisën për takim me R.Alinë. Delegacionit iu la afat 30 minuta për kthim, ndryshe ata do të ishin të arrestuar.

Ora 01.10, 9 dhjetor

Nisi dita e re. Delegacioni u kthye nga Alia me premtimin, se policia nuk do të përdorte forcën me studentët dhe të nesërmen ose do të priste 300 studentë në Qytetin “Studenti” ose 3000 në Pallatin e Sportit “Partizani”. Ata komunikuan kompromisin, i cili nuk u pranua dhe u vërshëllye nga studentët demonstrues, numri i të cilëve ishte 2000-2500 vetë. Studentët kërkuan të ecin drejt sheshit. 5-6 vajza që ishin dolën përpara demonstruesve. Acarimi arriti kulmin.

Ora 01.20

Hekuran Isai improvizoi një humbje të pistoletës të një oficeri dhe dha tre herë urdhër: “Bjeruni, bjeruni, pastroni sheshin”. Njëri nga studentët e kapi nga dy duart Hekuran Isain dhe u kujtoi premtimin e Alisë se s’do të përdorej dhuna. Isai nuk reagoi, atëherë studenti e shtyu dhe e hodhi ministrin e Brendshëm të PPSH në grumbullin e ferrave anash rrugës.

Ora 01.35

Pas demonstrimit të përleshjes, të plagosur, të irrituar, të baltosur, dhe me urrejtje të madhe kundër komunistëve, duke thirrur parrulla të ashpra, studentët u kthyen në Sheshin “Demokracia”. U debatua pak nëse do të vazhdohej natën apo të nesërmen, u la për në orën 7.30 të mëngjesit.

Ora 8.00

Vetëm në atë orë u mblodhën grupet e para. Në godina ishte nxjerrë një njoftim dore për bojkotim mësimi. Megjithëse e dielë ishte mësim, pasi zëvendësohej një ditë pas festave të nëntorit. Disa studentë i kishin prerë rrugën atyre që shkonin në fakultete dhe u bënin thirrje për solidaritet. Më të pabindurit ishin FSHN dhe Juridiku.

Ora 9.00

Në qytetin “Studenti” shkon A.H. djemtë e Inxhinierisë, që i rrinin pranë dhe në një farë mënyre ishin organizatorët e ditës. Ndërkohë sheshi i mbushur plot mori itinerarin Kinostudio-Filologjik-Ambasada Amerikane-Sheshi “Skënderbej”.Të gjithë protestonin ndaj R.Alisë që s’mbajti premtimin dhe të gjithë besonin se ishin arrestuar studentë mbrëmjen e parë. Tashmë ishin 5-6 mijë demonstrues. Afër ambasadës amerikane policia i ndau në dysh. Grupi i parë vazhdoi deri afër Liceut. Aty policia e frymëzuar nga Lenini dhe Stalini që vigjëlonin në muze anash, bllokoi rrugën dhe filloi të merrte masa që studentët të mbeten të izoluar nga qytetarët e Tiranës.

Ora 9.30:12.30

Në qytetin “Studenti” shkuan dhe ikën të deleguarit e Alisë. Nuk u arrit asnjë kompromis. Studentët tashmë kishin avancuar në kërkesat politike, thirrjet dhe organizim.

Ora 13.10

Pas një vese të hollë shiu, doli dielli. Policia mori urdhër për veprim, katër herë dështuan. Herën e pestë, pas një sprapje ata u vërsulën fuqishëm mbi studentët. Ishte një masakër e vërtetë. Rreth 20 të arrestuar, 60 të plagosur dhe qindra të tjerë të vrarë në shpirt e në zemër. Për t’i shpëtuar shkopinjve të gomës, u strehuan tek familjarët e lagjes. Gjithçka vazhdoi e tillë në ankthe e pritje, derisa në orën 14.00 shkoi tek studentët Prof. Dr. Sali Berisha, dhe u premtoi atyre se do të bënte të pamundurën se do të lironte studentët e arrestuar. Por atë pasdite do të zgjidhej një komision përgjegjës, i cili kishte mandat për përfaqësimin e mendimeve të studentëve. Policë e ushtarakë u larguan nga Qyteti “Studenti” dhe brenda ditës dhjetëra kujdestarë e punonjës u zëvendësuan me efektiva të 326 ose të Sigurimit të Shtetit.

10 dhjetor ora 9.00:10.00

Studentët u grumbulluan në Sheshin “Demokracia”. U deklarua bojkotimi i mësimit dhe në mënyrë të përgjithshme u përvijuan kërkesat e peticionit që iu dërguan R.Alisë.

72 autoblinga ushtarake të mbushura me studentë të Shkollës së Bashkuar që mbante emrin e E.Hoxha me urdhër të Kiço Mustaqit ishin nisur për në rrethinat e Qytetit “Studenti” në pritje për ndërhyrje. Në mesin e rrugës, disa prejt tyre kishin filluar të bërtisnin pro studentëve, shkak që e detyroi atë kolonë të kthehej pas. “Dezertorët” u përjashtuan 10 ditë më pas. Në Qytetin “Studenti” arritën banorët e rinj. Ata ishin studentët e familjeve tiranase dhe punëtorë. Tashmë, sheshi ishte i mbushur për të mos u zbrazur më. Ndërkohë në mikrofonë dhjetëra liderë të ardhshëm shprehnin solidaritetin me studentët dhe i jepnin opsione të zgjidhjes. Pasdite filloi një shi i tmerrshëm, megjithatë studentët nuk u larguan. Të detyruar nga kushtet, komisioni i studentëve (deri atë natë u bënë dy komisione) i ftoi studentët në mencën e studentëve 7-1 dhe u dha variantet e takimit me Presidentin Alia. Të gjithë kërkuan dhe ranë dakord për takim me R. Alinë ose në Qytetin “Studenti” ose me 3000 studentë në Pallatin e Sportit “Partizani”.

11 dhjetor ora 9.00

Filloi mitingu i ditës. Pjesëmarrje e jashtëzakonshme, sepse tashmë Qyteti “Studenti ” ishte çliruar nga komunizmi. U komunikua se R.Alia priste një përfaqësi prej 30 vetësh në takim në mbrëmje. Çdo fakultet do të zgjidhte përfaqësuesin e vet.

Ora 10:00- 16:00

Vazhdoi zgjedhja e delegatëve nëpër fakultete.

11 dhjetor ora 18.00

Arriti autobuzi dhe në mënyrë madhështore u bë nisja e studentëve dhe pedagogëve për takim me Presidentin komunist Alia.

Ora 20.00

Nëpërmjet RTV u komunikua deklarimi i pluralizmit politik dhe shkarkimet në Byronë Politike të KQPPSH.

Ora 21.00

Delegacioni i kthyer në një pritje entuziaste e madhështore. Delegacioni i cilësoi bisedimet të suksesshme dhe u tha se do të formohej opozita e parë. Pati disa propozime për emrin e partisë së re dhe u la për të nesërmen në mitingun e madh të pasdites.

12 dhjetor Ora 9.00

U mbajt mitingu i parë i punëtorëve në Qytetin “Studenti”, ndërkohë që prej darkës së parë në godinën 15 vazhdonte hartimi i dokumentave prezantuese të PD. U mblodhën 365 nënshkrime të domosdoshme për themelimin e një partie, nga të cilët 194 ishin studentë.

Ora 16.00

Në një miting historik madhështor, u shpall themelimi i PDSH, si forca e parë opozitare antikomuniste e demokratike dhe u komunikua programi minimal i PDSH.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s