Kategori
Uncategorized

#NIKAJ-MËRTURI, QËNDRESA E PARË ANTIKOMUNISTE

82-vjetori i Betejës së Qafë Kolqit !
Nga Gjovalin PROGNI

Rezistenca e parë antikomuniste nisi në mesin e nëntorit 1944 nga Nikaj-Mërturasit, në Qafën e Kolqit, ku mbetën të vrarë disa burra, por aty mbeti e vrarë edhe Xhemile Shehu (motra e Mehmet Shehut), komandantja e brigadës partizane.

Për pasojë, Nikaj-Mërturi do të thyhej me çdo çmim, duke vrarë edhe njerëz të pafajshëm, duke djegur edhe shtëpi, për të kulmuar me “manifestin kriminal komunist” të 29 shtatorit 1946 në Lekbibaj (ditën e Shën Mhillit), kur u thirrën 2.000 burra, nga mosha 16 deri në 80 vjeç, me qëllim terrorizimin dhe nënshtrimin përfundimtar, duke pushkatuar në prezencë të burrit të qëndresës, Fet Sadikut, dhe të riut Ukë Çunit.

“Hiq kush t’jesh prej n’shtat e n’shtatdhet, se po vjen komunisti, anmiku i Atdheut dhe Fesë”!

Ky ishte kushtrimi që Pader Nikaj, prej Kishës së Palçit, lëshoi 82 vjet më parë, në mesin e nëntorit të vitit 1944, kur komunisti mësyu si bisha e tërbueme Nikaj-Mërturin për ta nënshtruar, pasi kishte nënshtruar me dhunë rrafshin e Malësisë së Gjakovës. Kushtrimi menjëherë mori dhenë.

E burrat kreshnikë të kësaj krahine legjendare, të cilët ditën të presin me pushkë çdo pushtues që iu mësyu vatanit dhe trojeve shqiptare, si turk e shkja, italian e gjerman, edhe kësaj radhe u bënë bashkë. Qitën kushtrimin edhe ndër shefitaret e tyre të përjetshëm, në Shalë e në Shosh, me të cilët ndanë gjithmonë gëzimin dhe idhnimin.

Të gjithë së bashku filluan përgatitjet për përballjen me bishën komuniste, trupat e së cilës drejtoheshin nga Xhemile Shehu (motra e xhelatit Mehmet Shehu), të cilat ishin drejtuar për në Qafën e Kolqit.

Roli i parisë së krahinës, bajraktarëve e vojvodëve, në përgatitjen e qëndresës ishte i jashtëzakonshëm.

U prenë këmbët e urës mbi lumin e Mërturit, për të penguar kalimin e forcave komuniste në zonë, në qoftë se do të thyhej Qafa e Kolqit. Njëkohësisht, trimat Nikaj-Mërturas mbërritën në Qafën e Kolqit, vendi ku do të organizohej prita, dhe u vendosën nëpër pozicione.

Forcat partizane kishin dërguar emisarë për t’u marrë vesh me parinë, në mënyrë që të mos kishte rezistencë, por malësorët trima, duke e ditur se çfarë i priste, nuk pranuan kurrfarë kompromisi.

Dita e parë e përballjes ishte shumë e përgjakshme.

Nga malësorët trima ranë në fushë-betejë:

* Babun Ukë Gjonpali, nga Perajt e Nikajve;
* Qun Kol Marticanaj, nga Perajt e Nikajve;
* Martin Pal Pepkolaj, nga Raja e Mërturit;
* Kol Zef Kukaj, nga Raja e Mërturit.

Në përpjekje e sipër, vritet Xhemile Shehu, komandantja e forcave partizane.

Vlen për t’u theksuar se humbjen e motrës së Mehmet Shehut në këtë betejë, të cilën nuk ua fali kurrë Nikaj-Mërturit, e pasoi një hakmarrje e egër.

Persekutimi komunist në këtë zonë do të ishte më i egër se askund tjetër.

Pas kësaj qëndrese të pashoqe të kreshnikëve të Nikaj-Mërturit, forcat komuniste tërhiqen për ta vazhduar sulmin ditën e nesërme me hakmarrje, jo nga Qafa e Kolqit, e cila u bë Qafa e Ferrit për ta, por duke përdorur rrugë të tjera, nga Dragobia – Lugu i Sylbicës – Qeresh Mulaj.

Gjatë këtij rrugëtimi, vranë edhe tre fshatarë të pafajshëm Nikaj-Mërturas, me pretekstin e pjesëmarrjes në qëndresën e ditës së parë.

Sulmi i ditës së dytë i gjeti të papërgatitur malësorët. Ndaj, Nikaj-Mërturi iu dorëzua sundimit komunist, për t’u pasuar me ngjarje shtypëse e terrorizuese ndaj familjeve të mëdha dhe burrave veprimtarë antikomunistë.

Paralajmërimi i Pader Nikajt doli i vërtetë; në pushtet erdhën ata që për Fe kishin idealet e Partisë dhe për Atdhe kishin Internacionalizmin proletar.

Vlen të theksohet fakti se qëndresa antikomuniste e Nikaj-Mërturit, pa diskutim, është ndër të parat, për të mos thënë e para në Shqipëri, pra e para e këtyre përmasave, e cila meriton një vend të veçantë në historinë antikomuniste të Shqipërisë.

Nderim për jetë qëndresës heroike të Nikaj-Mërturit, “Nderi i Kombit”!

Lavdi të përjetshme këtyre burrave që dhanë jetën në përpjekje me kuçedrën komuniste, për Atdhe dhe Fe!

Avatari i @gjata.com

Nga @gjata.com

Jurnalist . AL in Sweden (alinsweden.blog) is an independent WordPress-based blog focusing on Albanian social, historical, and political commentary, international affairs, human rights, and occasional reflections or historical snapshots concerning Sweden.

Lini një koment