
Pogradeci është një qytet i vogël.
Aq i vogël sa njerëzit njihen, përshëndeten në rrugë dhe e dinë mirë se kush i ka dhënë qytetit emër, dinjitet dhe kulturë.
Por duket se qyteti është bërë aq i madh për politikën, sa nuk po gjendet dot një rrugë për një nga bijtë e tij më të shquar.
Akademik Prof. Dr. Inxh. Kopi Kyçyku u nda nga jeta para dy vitesh,por nuk duhet të ndahet nga kujtesa e Pogradecit.
Dhe pyetja është fare e thjeshtë:Pse Pogradeci nuk e ka nderuar ende Kopi Kyçykun?
Nuk po kërkohen monumente prej ari.
Nuk po kërkohen buxhete marramendëse.
Dhe pse e meriton, nuk po kërkohet ceremoni me flamuj, fotografi dhe fjalime politike.
Një simpozium.
Një veprimtari përkujtimore.
Një pllakë përkujtimore.
Një emër rruge.
A është vërtet kaq e vështirë për Bashkinë dhe Këshillin Bashkiak të Pogradecit?
Këtu qëndron edhe problemi.
Kur politika hyn në çdo hapësirë të jetës publike, kultura mbetet jashtë dere.
Dhe kur institucionet fillojnë t’i matin njerëzit jo me atë që kanë bërë për qytetin, por me atë se kujt i shërbejnë politikisht, atëherë një qytet humbet, pak nga pak, kujtesën e vet.
Kopi Kyçyku nuk ishte një emër dosido.
Ishte akademik, profesor doktor, inxhinier, studiues, shkrimtar, poet, përkthyes dhe publicist. Një intelektual me veprimtari të jashtëzakonshme në Shqipëri, Rumani dhe më gjerë.
Ai shkroi e studioi historinë shqiptare dhe ballkanike, marrëdhëniet shqiptaro-rumune, arumunët, Turqinë, Maqedoninë, Azerbajxhanin e vende të tjera.
La pas monografi, vepra letrare, poezi, drama, ese, studime shkencore dhe përkthime. Mori pjesë në konferenca, simpoziume e kongrese ndërkombëtare dhe u bë një zë i njohur në hapësirën kulturore shqiptare, rumune dhe
Dhe mbi të gjitha, ishte bir i Pogradecit.
Kopi Kyçyku e kishte atë privilegj të rrallë: të mos ishte vetëm qytetar i një vendi, por ambasador i kulturës shqiptare dhe i qytetit të tij.
Sepse një njeri i tillë nuk duhet nderuar vetëm kur vdes.
Nderohet sa është gjallë.
Dhe nëse nuk u bë atëherë, duhet bërë tani.
Jo vetëm për Kopin, por për memorjen e qytetit …
Po ku janë qytetarët? Ku është shoqëria civile e Pogradecit?
Këtu lind edhe një pyetje tjetër, ndoshta edhe më e rëndësishme:
Pse Pogradeci nuk ka një shoqatë qytetare të pavarur që të mbrojë dhe të ruajë kujtesën historike e kulturore të qytetit?
Një shoqatë që të mos presë nga partia dhe Bashkia se cilin intelektual duhet të kujtojë.
Një shoqatë që të dokumentonte figurat e shquara pogradecare, të përkujtojë datat historike, të organizojë simpoziume, konferenca e veprimtari kulturore dhe t’u propozojë institucioneve emërtimin e rrugëve, shesheve me emrat e këtyre njerëzve që i kanë dhënë qytetit.
Një shoqatë që të mbledhë dokumente, fotografi, kujtime dhe dëshmi për historinë e Pogradecit dhe t’ua lërë ato brezave që vijnë.
Një shoqatë e Pogradecit për Pogradecin.
Pa parti.
Pa militantizëm.
Pa interesa elektorale.
Pa llogari politike.
Sepse kujtesa e një qyteti nuk mund të jetë pronë e asnjë partie.
Por pyetja është: a do ta lejojë këtë burokracia?
A do ta lejojë militantizmi partiak që një grup qytetarësh të kujtojë një njeri pa pyetur më parë se cilës parti i përkiste?
A do ta lejojë politika që një intelektual të nderohet thjesht sepse ishte i madh, pa qenë nevoja të ishte “i yni”?
Sepse ndonjëherë duket sikur në këtë vend edhe për të vendosur emrin e një rruge duhet të kalosh fillimisht nëpër filtrin e politikës.
Dhe kjo është tragjike.
Robin Hood-i, të paktën sipas legjendës, vidhte jo të varfërit si ju, por nga të pasurit dhe u jepte diçka të varfërve.
Ju, zotërinj të pushtetit që po çaheni së vjedhuri me tendera, koncesione e projekte, të paktën, shkulni një qime nga hunda dhe bëni diçka që nuk kushton miliona:
Nderoni njerëzit që i kanë dhënë Pogradecit kulturë, dije dhe emër!
Nuk po ju kërkohet të hapni thesin e buxhetit.
Nuk po ju kërkohet tender.
Nuk po ju kërkohet koncesion.
Po ju kërkohet vetëm një vendim qytetar.
Sepse politika kalon. Kujtesa mbetet.
Por Pogradeci mbetet.
Dhe bashkë me të duhet të mbeten dhe të nderohen edhe njerëzit që e kanë bërë atë qytet të njohur.
Prandaj pyetja u shkon publikisht Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak:
Kur do ta kujtoni Kopi Kyçykun?
Kur do të merrni një vendim që një nga bijtë më të shquar të Pogradecit të ketë vendin që meriton në qytetin e tij?
Kur do të organizoni një veprimtari për veprën e tij?
Kur do t’i vendosni emrin e tij një rruge?
Apo duhet të presim edhe disa vite, derisa të harrohet gjithçka dhe pastaj të themi me solemnitetin e zakonshëm:
“Ishte një figurë e madhe e qytetit tonë.”
Kjo është hipokrizia që duhet të marrë fund.
Sepse është shumë e lehtë kur thoni nëpër fjalimet tuaja elektorale, “Pogradeci, qytet i kulturës”
Por më pas mbasi merrni pushtetin dhe mbushni xhepat, e keni të vështirë të respektoni njerëzit që e kanë bërë Pogradecin qytet të kulturës.
Një rrugë nuk është shumë.
Një pllakë nuk është shumë.
Një simpozium nuk është shumë.
Një vendim i Këshillit Bashkiak nuk është shumë.
Shumë është vetëm heshtja e juaj, e juaja që keni marrë peng atë qytet.
Prandaj, ndoshta ka ardhur koha që qytetarët e Pogradecit ta marrin vetë përsipër atë që institucionet po e harrojnë.
Sepse një qytet që ua lë kujtesën vetëm politikanëve, rrezikon të kujtojë vetëm ata që politika dëshiron.
Ndërsa një qytet që e mbron vetë kujtesën e tij, nuk mund të ketë frikë nga e ardhmja.
Kopi Kyçyku nuk i përket një partie.
Nuk i përket një kryetari bashkie.
Nuk i përket një këshilli bashkiak.
I përket Pogradecit.
Dhe Pogradeci nuk duhet të presë leje nga askush për të kujtuar bijtë e vet.
Prof. Dr. Akademik Kopi Kyçyku — in memoriam.
Një qytet që harron bijtë e vet të shquar, rrezikon të harrojë edhe veten.