Kategori
Uncategorized

“Pema i dha jetë sëpatës dhe për këtë e pagoi shtrenjtë.”

Pema që i dha jetë sëpatës /

Një fjali e shkurtër, por me aq helm brenda sa të mjaftojë për të përmbledhur një pjesë të madhe të historisë njerëzore.

Pema rriti degët, dha dru dhe, pa e ditur fatin e vet, i dha sëpatës edhe dorezën. Pastaj erdhi sëpata dhe e preu. Njëra pjesë e pemës i dha jetë asaj që do ta vriste.

Kjo nuk është vetëm histori peme. Është edhe histori njerëzish.

Populli voton atë që nesër do e dëbojë dhe do t’ia vjedhë pasurinë.

Qytetari ushqen atë që do t’i marrë zërin. Miku e rrit gjarprin në gji dhe habitet kur një ditë ndien kafshimin.

Besimi, kur bie në duart e gabuara, shndërrohet në armën më të përsosur kundër atij që besoi.

Edhe politika e ka këtë sëmundje të vjetër: të mbjellë sot atë që do të korrë nesër si fatkeqësi.

Dhe këtu më kujtohen kooperativat e dikurshme, ku duhej medoemos të realizohej plani.

Nëse kërkohej një sipërfaqe e caktuar me grurë, rëndësi kishte që shifra të dilte në raport. Po qe nevoja, mbillej edhe egjër në vend të grurit. Në dokumente: plan i realizuar. Në hambar: uri.

Por jeta nuk lexon raportet.

Dhe as historia nuk i beson gjatë propagandës.

Prandaj imazhi i sëpatës është kaq i fortë: tehu ende pikon, ndërsa bishti i saj ka nxjerrë gjethe. Një krijesë që ushqehet nga pema, por kthehet kundër saj. Një paradoks që përsëritet sa herë njeriu harron se jo çdo gjë që rritet me dorën e tij është e destinuar t’i bëjë mirë.

Ndoshta mësimi është i hidhur, por i thjeshtë:

Mos i jep dorë sëpatës që do të presë pemën tënde.

Sepse kur ajo të ngrihet mbi kokë, mund të jetë tepër vonë për të pyetur se kush ia dha dorezën.

Dhe atëherë nuk ka më rëndësi nëse në raport shkruhet “grurë”.

Në hambar do të ketë vetëm egjër .









Dhe sot, kjo metaforë merr një kuptim edhe më të hidhur: 

Vota e shitur për pesë mijë lekë ose për një thes mielli, (normal nga varfëria) krimi e korrupsioni, pasiguria, papunësia dhe largimi i shqiptarëve po e boshatisin vendin.

Ndërsa ata që mbajtën sëpatën në dorë tani kërkojnë ta mbushin këtë boshllëk me indianë e egjiptianë.

Jo si zgjidhje për shqiptarët, por si dëshmi e pasojave të një pushteti që ushqehet me varfërinë dhe e kthen votën e blerë në fatkeqësi kombëtare.

Pema i dha sëpatës dorezën. Sot, pema po paguan çmimin.

Avatari i @gjata.com

Nga @gjata.com

Jurnalist . AL in Sweden (alinsweden.blog) is an independent WordPress-based blog focusing on Albanian social, historical, and political commentary, international affairs, human rights, and occasional reflections or historical snapshots concerning Sweden.

Lini një koment