Kategori
Uncategorized

Kosova nuk është çiflig i Behgjet Pacollit dhe i askujt tjetër!

Enver Bytyçi

“Unë kam organizuar ardhjen e një delegacioni, i cili është drejtuar tek unë dhe ka pasur mesazh drejtpërdrejt të atij shteti për mua. Unë kam organizuar ardhjen e tyre. Për këtë kam informuar zotëri Kurti dhe ai nuk është përgjigjur”. Kjo është deklarata e ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës së Hashim Thaçit, Behgjet Pacolli.

Ai është i hidhëruar që presidentja, kryeministri dhe ministrja Gërvalla nuk i janë përgjigjur një letre të tij për pritjen e një delegacioni të një shtetit X, i cili dashka ta njohë Kosovën, por përmes zotit Pacolli e jo përmes diplomacisë kosovare.

E nga ana tjetër ai shkruan se “Unë nuk përzihem në punët e zonjës Gërvalla. Nuk kam asnjë kontakt me të”. Që do të thotë se për këtë hap diplomatik privat as që ka marrë mundimin të bëjë dy hapa për ta takuar dhe për ta konsultuar me ministren e Punëve të Jashtme. Se “nuk përzihet në punët e zonjës Gërvalla”!

Për në fund Behgjet Pacolli thotë se …

“për të ulur gjakrat me Serbinë” e respektoi marrëveshjen e Uashingtonit për moratoriumin.

Edhe ky rast nuk duhet lënë pa vëmendje. Pacolli shkeli kushtetutën për “t’i ulur gjakrat e mos e nxeh Serbinë”!

Thaçi deshi ta copëtojë Kosovën për ta qetësuar Serbinë. Rama po e mbështet prej tetë vitesh Serbinë në secilën iniciativë të saj “Për të mos e lënë pa gjumë mikun e tij, Aleksandër Vuçiq”! Dhe Pacolli iu bashkëngjit Open Balkanit së fundmi pikërisht për këto arsye, që ai përmendi për moratoriumin.

Unë nuk dua të hyj në analizën e shkaqeve që e çojnë ish-ministrin e Jashtëm të Kosovës, zotin Pacolli, në këto qëndrime. Nuk dua t’ia di për marrëdhëniet e tij të ngushta me Edi Ramën. Nuk kam ndërmend të bëj investigimin e asaj çfarë përfaqëson ai në veprimtarinë e tij “diplomatike” për të dubluar diplomacinë e Kosovës dhe për të bërë protagonistin. Në këtë rast nuk kam arsye të mbledh të gjitha deklarimet e tij në funksion të këtyre ideve që shpalos. Por më duhet të theksoj se paternalizmi, egoja dhe individualizmi i Behgjet Pacollit është i rrezikshëm.

Së pari, ai me veprimet e tij dëshmon se kur nuk pajtohet me qeverinë e vendit të vet, e dublon atë ose e konkuron jashtë institucioneve të shtetit.

Kjo është shumë e rrezikshme për Kosovën, sepse ajo na shfaqet si çiflig i një personi të vetëm, aq më tepër të demonstruar si njeri i pasur. Ndërkohë Kosova duket te partnerët europianë si një vend fisesh dhe çifligjesh. Kredibiliteti i saj bie, nëse njohjet e shtetësisë i vijnë në mënyrë private përmes marrëdhënies personale.

Kjo i kushton më shumë vendit sesa pranimi i njohjes së një vendi që bën pazare me një multimilioner, qoftë ky edhe Behgjet Pacolli.

Së dyti, historia e paternalizmit dhe konkurencës së zotit Pacolli me njohjet përballë ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj është e njohur. Sherr, konflikte dhe zënka të pafund. Për mua, zoti Hoxhaj kishte të drejtë.

Modeli Pacolli në këtë rast rezultoi shumë shpejt si një model i dështuar, ndërkohë që jo pak vende serioze filluan të humbasin besimin te institucionet e vendit.

Së treti, zoti Pacolli nuk ka qenë dhe nuk është as në rastin e fundit transparent dhe bashkëpunues. Ai shfaqet një egoist i pandreqshëm, njësoj si edhe miku i tij në Tiranë, Edi Rama.

Pikërisht kjo sjellje është anti-kombëtare dhe e paprecedentë. Kjo sjellje i shkon Republikave të Bananeve, por jo një shteti, i cili dëshiron të zërë vendin e vet në institucionet ndërkombëtare dhe për këtë arsye duhet të jetë shtet serioz dhe jo republikë bananesh!

Më së fundmi kjo sjellje është ajo që i duhet Serbisë në këto momente të izolimit të Kosovës. Provokimet e Behgjet Pacollit rrezikojnë shtetin dhe shtetësinë. Për këtë arsye atij i duhet thënë qartë dhe pa mëdyshje: – Të mbajë vendin e e rendin në çigligun e tij të parajsës qindra milionëshe dhe të heqë dorë nga ambicja për ta shndërruar Kosovën në një çiflig të vetin! Kosova nuk është pronë e Behgjet Pacollit dhe e askujt tjetër!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s