Kategori
Uncategorized

EMRAT/ Kush janë të burgosurit që Enkelejda Hoxha u hapi dyert e burgut

Megjithëse ishte në shënjestër të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë për lirimin e disa të burgosurve të njohur që kishin provokuar zhurmë në opinion, gjyqtarja Enkelejda Hoxha qe gati t’i ulte dënimin një personi tjetër të dënuar për vrasje.

Saimir Petani, i ekstraduar nga Italia për ekzekutimin e Romeo Beqirit, disa vite më pare ishte ekstraduar nga Italia, por kishte arritur që të binte në ujdi për uljen e dënimit, gjithnjë me vendim të Enkelejda Hoxhës. Pikërisht në sallën e gjyqit, pasi dha vendimin për uljen e dënimit për Petanit, gjyqtarja Enkelejda Hoxha u vu në pranga.

Skema funksiononte përmes avokatit Aldo Tabaku që kryente rolin e ndërmjetësit për të burgosurit e burgut të Fushë-Krujës. Në rastin e Saimir Petanit ishte paguar nga 6 deri në 12 mijë euro. Sekretarja e gjykatës, Manuela Mallakuçi merrte përsipër të fiksonte shortin, në mënyrë që çështjet të kalonin tek gjykatësja Enkelejda Hoxha. Ndërkohë mjeku i arrestuar Shkëlqim Korbi, sipas dosjes, firmoste raportet false për të burgosurit. Por kush janë të burgosurit që fituan lirinë nga Enkelejda Hoxha.

Indrit Dokle

Anëtarit të ‘Bandës së Durrësit’ iu falën rreth 5 vite burg, duke u liruar para kohe. Gjykatësja Enkelejda Hoxha e nxorri Doklen nga burgu, megjithëse ai qe i dënuar me burg përjetë. Hoxha ka pranuar kërkesën e avokatëve për shuarjen e dënimit të përjetshëm, duke ia konvertuar me 25 vite.

Pas konvertimit të dënimit, Dokle u lirua me kusht 5 vite para se t’i përfundonte dënimi. Në muajin tetor të vitit 2019, avokatët të mbrojtës të Dokles kishin depozituar një kërkesë për lirim me kusht me pretendimin që klienti i tyre pjesën më të madhe të dënimit e kishye shlyer në qeli. Avokatët e Dokles kanë kërkuar lirimin e klientit të tyre me pretendimin se gjatë 15 viteve burg ai ka pasur një sjellje të mirë. Numri dy i bandës së Durrësit, gjithashtu ka deklaruar se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Më herët, prishjen e dënimit me burg të përjetshëm për Indrit Doklen e kishte refuzuar Gjykata e Apelit dhe Gjykata Kushtetuese.

Por Enkelejda Hoxha vendosi të kundërtën, ndërsa ankesat e prokurorisë asokohe ranë në vesh të shurdhër.

Endrit Dokle, anëtar i “Bandës së Durrësit”, ishte akuzuar së bashku me 16 persona të tjerë, si pjesë e bandës famëkeqe, ku disa prej tyre janë dënuar për vrasje, plagosje, atentate, rrëmbime, trafik droge e qenie njerëzore.

AKUZAT që rëndonin mbi Indrit Doklen

“Krijim të organizatës kriminale”, sipas nenit 333/1 të Kodit Penal. Kryerjen në kuadër të organizatës kriminale të veprave penale si më poshtë:
– “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, në dëm të shtetasit Dritan Disha, ndodhur më datë 09.07.2000;
– “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, në dëm të shtetasit Erion Lame, ndodhur më datë 14.01.2002;
– “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, ngelur në tentativë, në dëm të shtetasit Lulëzim Berisha, ndodhur më datë 05.04.2005;
– “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, ngelur në tentativë, në dëm të shtetasit Lulëzim Berisha, ndodhur më datë 05.05.2005;
– “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, ngelur në tentativë, në dëm të shtetasit Lulëzim Berisha, ndodhur më datë 30.08.2005;
– “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, ngelur në tentativë, në dëm të shtetasit Lulëzim Berisha, ndodhur në muajin gusht të vitit 2005;
– “Vrasjes me paramendim”, kryer në bashkëpunim, në dëm të shtetasit Avni Gashi, ndodhur më datë 12.05.2005, vepra penale këto sipas neneve 79/d e 334/2 të Kodit Penal.
– “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, kryer në kuadër të organizatës kriminale, sipas neneve 109/1 -25 e 334/2 të Kodit Penal.
– “Moskallëzimit të krimit”, të kryer në kuadër të organizatës kriminale, sipas neneve 300 e 334/1 të Kodit Penal.
– “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, të kryera në kuadër të organizatës kriminale, sipas neneve
– “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, të kryera në kuadër të organizatës kriminale, sipas neneve 278/4 e 334/2 të Kodit Penal.

Genc Tafili

Gjyqtarja e Krujës, Enkelejda Hoxha i dha lirinë Genc Tafilit, i cili ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e kolonelit Arben Zylyftari në gusht të vitit 2000. I liruari konsiderohej me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Genc Tafilit i kishin mbetur më shumë se 3 vjet për të përfunduar dënimin. Prokuroria reagoi atëherë dhe tha se ligji e parashikon që nga lirimi me kusht nuk mund të përfitojnë personat e dënuar për veprën penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, vepër për të cilën ishte dënuar Tafili. Por Gjykata e Krujës nuk e mori parasysh këtë fakt dhe ka urdhëruar lirimin e tij.

ILIR PAJA

Gjykatësja e Krujës liroi nga qelia edhe Ilir Pajën. Personazhin i njohur me nofkën “UFO” nga policia italiane për shkak të dy arratisjeve spektakolare nga burgje të sigurisë së lartë u lirua me kusht para përfundimit të dënimit. Ai po vuante një dënim me burg, për plagosjen e një polici në vitin 2008 dhe për disa krime të kryera në Itali.

Pas më gati 10 vitesh burg, Enkelejda Hoxha i pranoi kërkesën për liri me kusht. Në vitin 2010, “ufoja” i italianeve u dënua me 15 vjet burg për ngjarjen e marsit 2008, kur përplasi me mjetin e tij “Fiat” një punonjës policie gjatë operacionit për arrestimin e tij. Shkalla e Parë e fajësoi për tentativë vrasjeje.

Hekuran Billa

Ekzekutimi i Hekuran Billës në zonën e Tiranës së Re nxorri në dritë historinë e lirimit të tij nga burgu. Hekuran Billa ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj 22 vjeçarit Prel Marku dhe plagosjen e rëndë të Musa Rrahmanit dhe një personi tjetër. Ngjarja ka ndodhur në “Park Royal” të Londrës më 14 tetor 2006 dhe në vitin 2008, Hekuran Billa është dënuar nga gjykata e Kurorës Snaresbook, Angli me burgim të përjetshëm.

Por më pas Billa është deportuar nga Anglia në Shqipëri me qëllim vuajtjen e dënimit me burg përjetë në Shqipëri dhe këtu “ra në duart” e Enkelejda Hoxhës. Fillimisht dënimi i përjetshëm u u rrëzua në Apel nga treshja e gjyqtarëve Fatmira Hajdari, Lefter Jahja dhe Shkëlqim Mustafa, duke e dënuar Hekuran Billan përfundimisht me 25 vite burg.

Pas këtij vendimi Billa është akomoduar në ambientet e burgut të Fushë-Krujës, ku nga ky burg ka filluar të depozitojë kërkesat për lirim nga qelia. Kërkesa e parë për ulje dënimi me 90 ditë në gjykatën e Krujës është pranuar nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha, e cila në 25 maj 2017, ka vendosur uljen e dënimit për Billa. E njëjta gjyqtare brenda një dite, pra në 25 maj 2017 ka marrë në shqyrtim një kërkesë të dytë të depozituar nga Hekuran Billa, duke vendosur uljen e dënimit me 24 muaj burgim.

Ndërsa në 14 shkurt 2018, ditën e Shën Valentinit, gjyqtarja Enkelejda Hoxha, ka vendosur ti njohë Hekuran Billës periudhën e paraburgimit nga data 15 nëntor 2007 në Angli deri në datën 20 korrik 2016, ku vendimi për dënimin e tij me 25 vite burgim ka marrë formë të prerë në Apel. Pra në total kjo gjyqtare i ka ulur dënimin në masën e 9 viteve, kohë kjo që gjyqtarja argumentoi se Billa ka qëndruar në periudhë paraburgimi. Pa kaluar shumë muaj nga ky vendim, në 21 nëntor 2018 gjyqtarja Enkelejda Hoxha, ka vendosur t’i njohë amnistinë e vitit 2016, duke i ulur dënimin në 1 vit burgim. Ndërsa në muajin janar 2019 Hekuran Billa sërish ka përfituar një ulje dënimi me 90 ditë, ku sërish ka qenë gjyqtarja Enkelejda Hoxha.

Një muaj pas këtij përfitimi të radhës, Hekuran Billa, nëpërmjet avokatit të tij Aldo Tabaku, në datën 22 shkurt 2019, ka fituar prej Enkelejda Hoxhës, lirimin me kusht e cila i ka falur 5 vjet e 2 muaj e 11 ditë burgim. Në të gjitha këto vendime prokurori Bujar Memia, nuk ka paraqitur ankimim në gjykatë, duke bërë që vendimi të hyjë në fuqi menjëherë dhe mos pasur asnjë mundësi të kthimit në burg të Billës. Hekuran Billa gjatë kohës së qëndrimit në lirim me kusht duhet të punësohej pranë studios ligjore “Duka” në pronësi të Alma Dukës. Fillimisht procesin e ka pasur gjyqtarja e Krujës, Engjëllushe Tahiri. Por Aldo Tabaku, avokati i Billës kërkoi përjashtimin e saj. Kërkesa është pranuar dhe cështjen e ka marrë Enkelejda Hoxha, e cila ka filluar të njohë uljet e dënimit për Billën dhe njohjet e amnistisë, njësoj si me skemën e Endrit Dokles. Kushti ishte që të punësohej pranë studios ligjore me emrin “Duka”, si korrier dokumentacioni. Gjykata thekson në vendim se kërkesa për lirimin me kusht është pranuar, pasi Billa kishte prindërit të moshuar, të pamundur ekonomikisht dhe jo në gjendje të mirë shëndetësore.

“Hekuran Billa ka arsye të veçanta që përligjin kërkesën e tij për lirimin me kusht, që janë gjendja familjare ku konkretisht është në përbërje familjare me dy prindërit, gjendja shëndetësore e tyre paraqitet me probleme të shëndetit, të dokumentuara. Gjithashtu arsye tjetër është gjendja ekonomike e vështirë, pasi të vetmet të ardhura janë pensioni i prindërve të tij, i cili është i pamjaftueshëm për ilaçet e tyre, ndaj ai ka paraqitur edhe një kontratë punësimi” thuhet në vendim. Gjithashtu theksohet sjellja e mirë e Billës në burg.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s