Kategori
Uncategorized

Komenti/ Revolta urbane që po gremis Edi Ramën

Një pushteti të dalë boje, nuk ka bojaxhi e furçe që i bën derman. Këtë e ka kuptuar dhe një dipendent i propagandës si Erjon Veliaj, që ka ndjerë fuqinë e asaj që po ndodh e pritet të ndodhë.

Edi Rama duket i mbërthyer nga paniku, kur 24 orë pasi ka dorëzuar gjeneralin e tij të rendit, gjendet përsëri përballë revoltës së mijëra të rinjve që nuk mund të gënjehen nga kurbanët e rremë. Rama është i frikësuar, sepse ka arritur ta lexojë të qartë mesazhin e zemërimit në rrugët e Tiranës: ai nuk ka lidhje thjesht me një vrasje, vrasja e Klodian Rashkës ishte shkëndija e një shpërthimi që vlonte prej kohësh.

Andi Bushati:Vandalët që dhunuan Tiranën, e kanë me ne të gjithë

Kryeministri që mendon se kontrollon gjithçka, sot gjendet përballë një situate që nëse përshkallëzohet, merr fund vetëm me rrëzimin e tij. Lideri i gjithpushtetshëm nuk është shqetësuar nga protestat e mëparshme të opozitës, madje ndaj tyre nuk ka patur asnjë reagim të përgjegjësisë politike. Atë e tmerrojnë shenjat e pakënaqësisë që shndërrohet në revoltë. Fjalimet e tij më të famshme të zbythjeve publike janë ato përballë protestave kundër armëve kimike, atyre që dogjën traun në rrugën e kombit dhe të studentëve dy vjet më parë. Revoltat e këtyre ditëve, janë të katërtat që e detyruan kryeministrin të shfaqë fytyrën e liderit kokëulur dhe të ndjeshëm, me shpresë se do ta hedhë edhe këtë herë.

Problemi është që në këtë zemërim urban, Edi Rama nuk ka kujt t’i thotë “hajde flasim”, nuk ka se çfarë kurbani tjetër të flijojë, sepse përballë ka shpërthimin e frustrimit kolektiv të një brezi, që është i pashpresë në gjithçka. Rama nuk është shkaktari i vetëm i dëshpërimit të tyre në këto 30 vite tranzicion, por ai është ekzekutori i shpresës për një të ardhme më të mirë. Në tetë vite, rrënimi ekonomik u thellua, përrallat për edukim cilësor dhe të barabartë për të gjithë nuk i beson më askush, hendeku i pabarazisë ka marrë përmasa të frikshme dhe shteti as nuk vë dorë për ta zbutur atë. Të rinjtë që janë sot në rrugë, mishërojnë jo vetëm dëshpërimin për destinin e tyre të paracaktuar, por edhe zhgënjimin e prindërve që po e kalojnë jetën të nënshtruar.

Armand Shkullaku: Policit rilindas nuk i shkon uniforma e xhelatit 

Dinjiteti është kauza e fëmijëve të Shqipërisë së vitit 2020.

Kontrasti i madh mes një pakice dhe atyre që janë derdhur në rrugë, është vepra e plotë e kryeministrit artist. Prandaj ai është i vetëdijshëm dhe i frikësuar njëkohësisht nga ajo që po ndodh këto ditë në Tiranë. Ai nuk e fiton dot paqen me protestuesit me koka gjeneralësh dhe diversione kapterësh. Statusi i fundit i tij në Twitter, ku në mënyrë të mjeruar përpiqej të gjente shpëtim te Saliu, Iliri, Luli e Monika, pasi e çoi Lleshin për lesh, është dëshmia e pafuqisë për t’i dhënë zgjidhje situatës me mjete të reja e filozofi tjetër. Ai nuk mund ta bëjë këtë dhe kjo e tregon të kapitulluar në sytë e shqiptarëve.

“Opozita dhe Presidenti janë jo vetëm nxitësit, po edhe orkestruesit e dhunës që poshtëron kujtimin e Klodianit, gjoja për drejtësi por në fakt vetëm për hesapet politike të LulitSaliutIIliritMonikës! Janë të dëshpëruar se s’kanë asnjë shans të rikthehen në pushtet me zgjedhje!”, shkruan Rama që kërkon të mbyllë sytë përpara të vërtetës që po e rrethon.

Eshtë hera e parë ndoshta në këto 10 vjet, që propaganda e Rilindjes dhe rilindasve mediatikë, po dështon në mënyrë kaq eklatante. Vetëm në tre ditë, tentativat për të bërë me faj viktimën 25 vjeçare, pastaj filmi i rikthyer i 21 janarit, pastaj konspiracionet për organizatorët e protestave, pastaj skenarët me PD e LSI që abuzojnë me të miturit, të gjitha këto janë ndeshur me murin e fortë të reagimit qytetar në rrjete sociale. Një pushteti të dalë boje, nuk ka bojaxhi e furçe që i bën derman. Këtë e ka kuptuar dhe një dipendent i propagandës si Erjon Veliaj, që ka ndjerë fuqinë e asaj që po ndodh e pritet të ndodhë.

Edhe Rama e ka kuptuar, por nuk ka as fuqinë dhe as mundësinë për të dhënë një zgjidhje. Ai gjendet në kurthin që liderë të kallëpit të tij ia ngrenë vetes. Bien aq poshtë në zullumin e pushtetit të tyre, sa historia i klasifikon si mbetje që s’ka impiant që mund t’i riciklojë. ©lapsi.al

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s