Nga Mitro Çela.

Shkurt 1991
Në Tiranë mbërriti për herë të parë Janullatusi. Ishte në firmosje e sipër dokumenti për t’u shpallur Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare.
Vendosëm të botojmë një intervistë në “RD”. Detyrën e mori përsipër Filipi.
Peshkopi i ardhshëm qëndronte në hotel “Dajti”.
Pa naze, miku pranoi të intervistohej.
Peshkopi fliste anglisht. Pas disa batutave erdhi finalja:
Filipi: – Hirësia Juaj, beson në Zot?
Përkthyesi nisi të përtypet.
Filipi i tha: -Përkthe.
Ai ngurronte.
Janullatusi u shqetësua. Problemin e zgjidhi i zoti i punës.
Pyetjen e shtroi në greqisht.
Peshkopi ngriti të dyja duart lart, me vështrimin nga Perëndia.
E puthi Filipin në lule të ballit dhe tha:
- Zot i Madh! Si ju paska katandisur komunizmi!…