Kjo që ndodh në Nagorno Karabakh dhe Armeni është ilustrimi më i mirë se çfarë do të ndodhte në Kosovë, me një të ashtuquajtur marrëveshje paqeje që imponohet për llogari të tretëve dhe për keqllogari të dikujt që ka probleme personale.

Situata e provokuar në Armeni duhet të shërbejë si një mësim historik i mirë për botën shqiptare që u përball në dy vitet e fundit me idenë e ndarjes së Kosovës.
🌑 Në Armeni njerëzit po djegin shtëpitë në zonat që do të kalojnë në kontrollin e Azerbajxhanit, ndërkohë që në vend kanë nisur protestat. Sado që marrëveshja u negociua nga Rusia me miratimin e dukshëm të Turqisë, është e qartë se pakënaqësia në Armeni ndaj kësaj që ndodhi do të reflektohet me zhvillime politike në të ardhmen.
Kjo pse marrëveshja që u negociua nga Lart nën presionin e zhvillimeve në terren është në thelb një armëpushim që nuk ka për t’u pranuar.
Kohëzgjatja e konfliktit ilustron më së mirë karakterin e konfliktit ku përzihet elementi etnik me atë territorial, ndërkohë që rreshtimet gjeopolitike janë një farë garancie, por jo garanci e plotë.
🌑 Le të imagjinojmë sesi një marrëveshje e tillë do të mund të zbatohej në Kosovën e tjetërsuar territorialisht, edhe pas një të ashtuquajturi referendum popullor.
🌑 Çështja e territorit është prioritare në vende si Ballkani apo Kaukazi dhe madje është e tillë edhe pse nuk asociohet me ndonjë burim eventual ekonomik.
🌑 Dalja e Kosovës nga suaza serbe ezauron një kërkesë të nacionalizmit shqiptar që ka qenë pjesë e axhendave politike të çdo qeverie në Tiranë dhe e çdo apeli të elitave intelektuale.
🌑 Kështu që cedimi në këtë kuadër do të rikrijonte një moment nacionalizmi që tanimë do të konsumonte energjie në vend të se të mobilizonte.
🌑 Për këtë arsye, kjo që ndodh në Nagorno Karabakh dhe Armeni është ilustrimi më i mirë se çfarë do të ndodhte me një të ashtuquajtur marrëveshje paqeje që imponohet për llogari të tretëve dhe për keqllogari të dikujt që ka probleme personale.
