Kategori
Uncategorized

Soreca, ambasador i BE-së, apo sekser i Ramës.

Nga Engjell Musai/ Dr i Telegraf .

Heshtja juaj inkurajon vjedhjen edhe në 2021, por të jeni të bindur që shqiptarët me çdo mjet demokratik do ta largojnë Ramën dhe shpurën tuaj që kërkoni ta mbani në këmbë një diktaturë të modelit putinist dhe erdoganist. Shqiptarët kanë një fjalë të urtë popullore:´Qeni leh aty ku ha”!

Pasi heshti për prishjen e marrëveshjes së 5 Qershorit, ambasadori Luigi Soreca i kërkon opozitës t’i japë konsensusin kryeministrit arrogant për t’u përfaqwsuar në Konferencën Ndërqeveritare për Integrimin, edhe pse Rama shpërfilli kërkesat e BE, PE, KiE për të reflektuar dhe pritur përgjigjen e Venecias.

Komisioni Europian duhet të ndërhyjë me urgjencë që të tërheqë këtë lloj ambasadori nga Shqipëria, sepse ai nuk është këtu përfaqësues i Brukselit, por zëdhënës i Edi Ramës dhe interesave të tij mafioze!

Ëngjëll Musai

Drejtori i “Telegraf”

Shqiptarët kanë ditur të respektojnë mikun dhe cilindo që ka dëshirën e mirë që me përvojën dhe paanësinë e tij ta meritojë fjalën mik. Por krejt e kundërta po ndodh këto vitet e fundit ku një pjesë e të ashtuquajturve “miq” për shkak të qëndrimit të tyre klientelist, po shikohen nga shqiptarët si djaj. Dhe në këto kushte shërbimi më i mirë që u bëhet shqiptarëve është kur ambasadorë të tipit Soreca, apo të djeshmit Vllahutin e Lu, pse jo në disa qëndrime kontraverse edhe nga zonja Kim, i dalin në mbrojtje kryebaronit të qeverisë. Në një analizë për “Telegraf,” shqiptaro-amerikani Prof.Eshref Ymeri në dt.10 qershor 2020 do të theksonte: “Diplomatët perëndimorë duke njohur natyrën servile dhe mercenare të politikës aktuale të Tiranës ndaj të huajve, janë bërë “rrogozë”, duke mos treguar respekt ndaj popullit. Shtëpia e shqiptarit ka qenë e mikut dhe e shtegtarit, por jo si sot, që i kemi bërë zotër, duke përdhosur dinjitetin kombëtar. Për një fotografi apo shtërngim duarësh më të huajt, qeveritarët tanë janë kthyer në karagjozë.”

Është fatkeqësi që pikërisht këta persona të cilët vijnë në emër të qeverive dhe shteteve tradicionalisht mike të shqiptarëve, po keqëpërdoren duke harruar që miqësinë populli ynë e ka me popujt e tyre, me liderët që kanë bërë histori për demokracinë e kombeve të tyre dhe të kombit shqiptar. Por në këto 7 vite të “Rilindjes Mavi” gjërat kanë ndryshuar dhe rasti i djeshëm i ambasadorit që përfaqëson demokracinë dhe ëndrrën europiane Luigi Soreca, ishte një turp për vetë Luigin. Ai po vetëpërdoret nga Rama për t’i krijuar një mundësi këtij të fundit, duke i pudrosur sado pak fytyrën e nxirë pas maskaradës që bëri me prishjen e marrëveshjes së 5 Qershorit. Por hija e Lukashenkos tashmë ka mbërritur në të gjitha tryezat e kancelarive europiane dhe amerikane duke krijuar bindjen se në Shqipëri, demokracia po rrëshket drejt regjimit totalitar. Por shembulli pas zgjedhjeve në Kirgistan, edhe pse ambasadori Lu i quajti të rregullta, është një opsion që populli shqiptar do e vërë në zbatim, pasi proverbi i famshëm ”Liria nuk dhurohet, por fitohet me çdo mjet” është më aktual se kurrë. Marrëveshja e 14 Janarit ishte një hap pozitiv dhe bëri që pozita dhe opozita të bien dakord që të formojnë një Këshill Politik me përfaqësues nga të gjitha palët.

Pikërisht kjo marrëveshje e cila mori formë të plotë në 5 qershor, kishte edhe urimin e grupit të ambasadorëve të SHBA, Anglisë dhe dora vetë Luigi Soreca. Madje kjo marrëveshje mori bekimin edhe të funksionarëve më të lartë të BE-së, kancelares Merkel, Budenstagut gjerman, ministrit të Jashtëm Italian, Sekretarit të Shtetit, Pompeo dhe gjithë strukturave të PE,BE dhe KiE.

Por që në ditën e parë të takimit më 20 korrik, Këshilli Politik dështoi, pasi Rama këmbëngulte për të zhbërë marrëveshjen e 5 Qershorit dhe kjo strategji e tij u realizua në votimin e 30 korrikut, ku ‘Rilindja’ dhe deputetët listarë të “opozitës së besës” rrëzuan marrëveshjen edhe pse 1 javë më parë DASH, KE dhe Budenstagu gjerman e paralajmëruan Ramën t’i përmbahet marrëveshjes. Dhe për të gjitha këto zhvillime, as ambasadori Soreca që dje na kërkonte konsensus dhe as ambasadorja Kim nuk u ndjenë, por përkundrazi akuzuan opozitën jashtparlamentare. Kjo ishte një papërgjegjshmëri kur dihet fare mirë se çfarë treguan dosjet e përgjimeve të publikuara nga ‘Bild’ në lidhje me kasaphanën e votave. Ndryshimet e njëanshme Kushtetuese në mungesë të Gjykatës Kushtetuese duke rrëzuar marrëveshjen e 5 qershorit në bashkëpunim me “diversantët” e futur nga dritarja duke shkelur ligjin dhe Kodin Zgjedhor nga Kryeparlamentarit Ruçi është më shumë se turp për Luigin dhe ambasadorët sehirxhinj, të cilët si një grup i strukturuar diplomatik, fundosën shtresat për demokraci të shqiptarëve. Në analizën e tij mbi rolin e ambasadorëve mbi reformat e njëanshme të ‘Rilindjes’ dhe kapjen e shtetit, analisti Carloalberto Rossi do të qartësonte se: “Ajo që do të humbë çdo besueshmëri është një reformë e helmuar që në fillim nga vullneti i shpallur i qeverisjes socialiste për të imponuar atë me dhunën e shumicës, e mbështetur dëshpërimisht nga një “grup i strukturuar diplomatik”, i cili sot dukshëm po delegjitimohet e turpërohet për ditë në sytë publikë.”

Në vend të qëndrimit të prerë dhe të ashpër ndaj kreut të ‘Rilindjes’, ambasadori Soreca kërkon konsensus si për të mbuluar arrogancën dhe papërgjegjshmërinë që Edi Rama shprehu ndaj faktorit ndërkombëtar dhe sidomos ndaj eprorëve të tij të BE-së. Po si heshte mor zoti ambassador, nuk the një fjalë të vetme kur në 1 tetor opozita dhe faktori ndërkombëtar kërkuan ekspertizën e OSBE/ODHIR-it ? Ku janë listat e hapura z.Soreca? Ato ishin një mashtrim i Ramës, një mendësi Haxhi Qamiliste, pasi po t’i miratonte, ai nuk do të mund të vendoste në lista të korruptuarit, të cilët në të kundërt do tregonin se ku kanë shkuar dhe kush i ka marrë paratë e drogës, PPP, tenderave dhe projekteve të “Rilindjes Urbane”. Ndaj ju tre ambasadorët që firmosët dhe duartrokitët 5 qershorin do të mbeten të diskretituar përjetsisht. Fuqia e mafies shqiptare z.Soreca, janë Para dhe Vota. Ndërsa ju zj.Kim, keni zhgënjyer shqiptarët dhe rrëzuat mitin e tyre për SHBA-të.

Përse nuk e përkrahët kërkesën e PPE-së që i kërkuan Presidentit të Republikës Ilir Meta, për të rikthyer Kodin e ri Zgjedhor për rishqyrtim. Përse nuk dolët në krah të Kreut të Shtetit, i cili me kthimin e dekretit Kodin e ri Zgjedhor i dha një mundësi Ramës si shans i fundit për të hapur negociatat. Akti i Presidentit Meta u përkrah nga të gjitha vendet Perëndimore, nga DASH, nga PE, nga grupi parlamentar CDU/CSU, nga Vanderphul, nga Lega, nga Varlehyi dhe grupe deputetësh të PE-së. Reforma dështoi zotrinj ambasadorë, pavarësisht se ju e konsideruat dhe e trumbetuat si garanci për zgjedhjet e lira, por në vetvete u katandis si Pazar Votash nga ‘Rilindja’ dhe të bekuara nga dora juaj. Shkelja e marrëveshjes së 5 qershorit, as më shumë dhe as më pak është një “Grusht Shteti” ndaj dhe ju nuk keni moralin të kërkoni konsensus mes qytetarëve të përfaqësuar nga opozita dhe barbarëve të votës të lirë. Pazaret dhe allishverishete që ju po kërkoni të realizoni për të shpëtuar “krimin electoral” të Ramës, duke i kërkuar indirekt opozitës të shoqërojë Ramën në takimin e turpit për Integrimin.

Po tani me çfarë statusi po na flet zoti ambasador ? Ju keni dështuar në misionin tuaj. Si mundet të lëpiheni për interesat klienteliste të Ramës. Ndaj dy janë arsyet që të çojnë në veprimet dhe qëndrimin tuaj zoti Soreca: Ose jeni i papërgjegjshëm, ose jeni i kapur nga interesat personale, intime dhe ato ekonomiko- financiare.

Ju z. Soreca, keni marë përsipër rolin e ndërmjetësit me Ramën, ashtu si dhe shumë oligarkë, dhe tregtarë të naftës kanë bërë me të ndër vite, ndërkohë punëtoret që kanë fituar gjyqet janë në grevë urie dhe pa bukë, ku fëmijët e tyre flenë e zgjohen me barkun bosh, ndryshe nga disa ndërkombëtarë të sotëm, pasardhës të së djeshmëve që në Shqipëri dhe nga Shqipëria u larguan me çantat e mbushura. Ndaj është ora e së vërtetës ku duhet ndarë Shapi nga Sheqeri… Ndaj opozita ka për mision t’ju përcjelli në derën e PS-së dhe ‘Rilindjes’, jo vetëm juve, por edhe ndërkombëtarët e tjerë që bëjnë rolin e “kinezit”, sikur në këtë vend nuk po ndodh asgjë. Jeni ju, ata që shkatërruat Reformën Zgjedhore, sabotuat Reformën në Drejtësi dhe certifikuat blerjen dhe grabitjen e votës. Dhe sipas videopërgjimeve të “BILD”, këto i bëri ‘Rilindja’ e Ramës dhe jo opozita, zotërinj ambasadorë. Heshtja juaj inkurajon vjedhjen edhe në 2021, por të jeni të bindur që shqiptarët me çdo mjet demokratik do ta largojnë Ramën dhe shpurën tuaj që kërkoni ta mbani në këmbë një diktaturë të modelit putinist dhe erdoganist. Shqiptarët kanë një fjalë të urtë popullore:´Qeni leh aty ku ha”!

Kel Demi: Luigi Soreca, si João Amazonas, në Kongreset e Partisë të shokut Veri

Publicisti Kel Demi, duke satirizuar qëndrimet hipokrite të Luigji Sorecës, në kundërshti me misionin e tij diplomatik, e karakterizon ambasadorin e BE-së në Tiranë, sikurse João Amazonas, një kryetar i një partie komuniste marksiste-leniniste, që vinte në Kongreset e Partisë së Punës së shokut Enver. Ja shkrimi i publicistit Kel Demi: “Luigi Soreca, si João Amazonas, në Kongreset e Partisë të shokut Veri.”

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca zëdhënës i Edi Ramës dhe interesave të tij mafioze!

Prof. Dr. Enver Bytyçi

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, dje ka thënë se  ‘Shqipëria vazhdoi të bëjë përparim dhe marsin e kaluar, bëri një hap të madh me BE kur vendosi të hapë negociatat e pranimit. Tani Shqipëria është afër përmbushjes së kushteve të kërkuara. Në këtë moment kritik, të gjitha palët politike duhet të investojnë në ndërtimin e konsensusit të domosdoshëm politik, dhe të gjitha institucionet e pavarura duhet të japin rezultatet e nevojshme, për të ndjekur objektivin e përgjithshëm që ata ndajnë.  Kjo është ajo që dëshirojnë më shumë se 90% e popullit shqiptar’, Kjo deklaratë e përfaqësuesit të BE-së në Tiranë është në kundërshtim me realitetin. Si e tillë është një gënjeshtër, të cilën askush nuk e beson. Që Shqipëria të ketë bërë përparim dhe të ketë hedhur hapa të mëdhenj në rrugën e integrimit, do të duhej të mos merrte kushtëzime të njëpasnjëshme. Në vitin 2017 iu vunë 5 kushte, një vit më vonë 7, vitin e kaluar nëntë dhe në marsin e vitit 2020 mori 15 kushte. Ky është “përparimi” i qeverisë së Edi Ramës. Nga 5 në 15 kushte. Soreca është i vetmi që nuk e sheh dhe nuk e njeh këtë realitet. Mirëpo ambasadori i BE-së në Tiranë do të duhej të mos gënjente veten dhe shefat e tij në Bruksel. Në fund të fundit taksapaguesit europianë e paguajnë atë të thotë të vërtetën. Jam i sigurt se ata nuk e paguajnë që të thotë gënjeshtra. Atëherë si ndodh që ai për tjetër gjë paguhet e të tjera gjëra bën?! Ka vetëm një shpjegim logjik – ka mundësi të paguhet shumëfish më tepër nga kryemashtruesi në krye të qeverisë shqiptare. Ndryshe nuk gjej asnjë arsye që të kërkojë konsensus me Edi Ramën, i cili kurrë në jetën e vet politike nuk i qëndroi marrëveshjeve dhe konsensusit. Në vend t’i kërkojë kryeministrit të respektojë marrëveshjen e 5 qershorit, i kërkon Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit, Nardit, Agronit e Fatmirit, të pajtohen me shkeljet e rënda të Edi Ramës të ndryshimeve kushtetuese dhe kodit zgjedhor, të gjitha në kundërshtim me marrëveshjen e të gjitha palëve. Komisioni Europian duhet të ndërhyjë me urgjencë që të tërheqë këtë lloj ambasadori nga Shqipëria, sepse ai nuk është këtu përfaqësues i Brukselit, por zëdhënës i Edi Ramës dhe interesave të tij mafioze!

Flasin për gazetën “Telegraf” diplomati Spartak Topollaj dhe politologu Red Varaku

Gazeta “Telegraf” ftoi të shprehnin mendimet e tyre për qëndrimin e ambasadorit të BE-së në Shqipëri Luigji Soreca, i cili dje i bëri thirrje opozitës, që të japë konsensusin e saj e të shkojnë në Bruksel, së bashku me mazhorancën e kryeministrit Rama, si ajo përralla e ujkut me qengjin, për hir të integrimit. Ndërkohë, ambasadori Soreca injoron thirrjet e Komisionit Europian, të Parlamentit Europian, të Këshillit të Europës ndaj kryeministrit Rama, që të mos nxitohej të votonte Kodin Zgjedhor, por të priste opinionin e Komisionit të Venecias, pas kërkesës që i përcolli Presidenti i Republikës Ilir Meta. Si mund të shkojnë bashkarisht në Bruksel  për integrimin, kjo mazhorancë, që hodhi poshtë marrëveshjen e 5 qershorit, që njëanshmërisht votoi Kodin Zgjedhor, që paraprakisht hodhi poshtë edhe kushtin kryesor të BE-së ndaj Shqipërisë, miratimin e një reforme zgjedhore konsensuale?

Ambasadori Soreca nuk ka reflektuar qëndrimin e BE-së ndaj Shqipërisë

Red Varaku, politolog

Qëndrimi politik i BE-së ndaj kryeministrit shqiptar ka qenë vazhdimisht i qartë dhe i prerë. Ai duhet të plotësojë kushtet e vendosura nga BE në mënyrë që Shqipëria të avancojë me integrimin, përndryshe nuk do të ketë avancim të integrimit dhe presioni do të rritet deri në realizimin e tyre. Kjo është kështu prej vitit 2014 dhe kjo pritet të ndodhë sërish nëse nuk plotësohen kushtet edhe tani në nëntor.  Çuditërisht, qëndrimi i ambasadorit të BE-së nuk ka qenë i ngjashëm me qëndrimin e vetë institucioneve të BE-së, përkundrazi me qëndrimet e tij qartazi pro qeverisë dhe kundër opozitës, ai ka luajtur rolin e zbutjes së refuzimit të BE-së për këtë kryeministër tek shqiptarët. Fjala vjen qëndrimi i tij nuk ka reflektuar qëndrimin e BE-së dhe nuk ka qenë i qartë në momente kyç të politikës shqiptare, si psh, publikimi i përgjimeve, të cilat prodhuan djegien e mandateve dhe lejimin e zgjedhjeve lokale pa opozitën, kur kryeministri vodhi ditën me diell në mënyrë procedurale 61 bashki, duke asgjësuar kështu edhe demokracinë lokale.Ndërkohë, vjet në tetë qershor patëm një qëndrim të qartë të z. Wahdepul, nënkryetarit të CDU , përfaqësuesit kryesor të Kancelares Merkel, i cili u vetëofrua si negociator për zgjidhjen e krizës shqiptare. Ky qëndrim as që u reflektua në qëndrimet fare pa skrupuj dilomatikë të z. Soreca.  Sipas opinionit tim e gjitha kjo, jo dhe aq për faj tij, sepse Z. Soreca ka dhënë shenja se tashmë e njeh mirë kush është Rama, kujt i shërben ai dhe pse ai do që të rrijë akoma në pushtet.  Por, kryesisht për shkak se ai ndodhet si në një pozicion sandwich; nga njëra anë ka presionin e disa qarqeve në BE, miq të huaj me peshë, për të cilët Rama ka harxhuar plot energji, kohë e pará për t’i rekrutuar gjatë tetë viteve të fundit dhe nga ana tjetër ka presionin e institucioneve serioze të BE-së, të cilat janë të panegociueshme dhe as nuk mund të shiten dhe as nuk mund të blihen. Në këtë kuptim qëndrimet e tij më shumë se anësi reflektojnë pafuqi për t’iu kundërvënë plotësisht këtyre qarqeve dhe “miqve me peshë”, ndaj jo vetëm nuk duhet të paragjykohen, por duhen mirëkuptuar vetëm si të tilla.

Shqipëria e mbuluar  nga kanabisi, nuk shihet nga ambasadori Soreka. Vërtet i di shqiptarët  kaq naivë?

Spartak TOPOLLAJ, Diplomat

Ambasadori Luixhi Soreca është diplomuar në Universitetin privat LUISS – Carlo Gravi                   (inicialet e Libera Universitá Internazionale degli Studi Sociale) të Romës, themeluar nga vëllezërit e njohur të familjes së madhe oligarkike italiane Agnelli, Umberto e Gianni, në vitin 1974. Interesant është fakti, që ky universitet u krijua kryesisht për të përgatitur kuadro antikomunistë për Vatikanin, një pjesë e të cilëve do të synonin infiltrimin në shërbimet sekrete, apo institucione të rëndësishme shtetërore! Kështu, për rreth gjashtë vite Soreca ishte zyrtar në Ministrinë e Brendshme italiane, deri sa më 1998 kaloi pranë BE-së, në detyra  të ndryshme, deri Drejtor i Përgjithshëm për Sigurinë! Me sa duket, njohje e vjetër e Federika Mogherinit, u përzgjodh prej saj si Kryetar i Delegacionit të BE-së në Tiranë, duke zëvendësuar në këtë funksion, kroaten shumë të përfolur në përkrahjen dhe mbrojtjen e Ramës, proqeveritaren e paepur, Romana Vllahutin! Me zëvendësimin e Mogherinit nga ish- ministri i jashtëm socialist spanjoll Borrej (Josep Borrel), vendi i të cilit nuk e njeh Kosovën, Ambasadori Soreca nuk ka lënë rast pa humbur për t’i dalë në mbrojte, shpesh edhe me heshtjen luksoze dhe elegante diplomatike të tij, Qeverisë Socialiste të Ramës, alias ‘Rilindja’, e lidhur dhe e kapur nga oligarkët, të cilët janë fitues të paracaktuar dhe të paevitueshëm të koncensioneve, tenderave           (shumica sekrete – deri dhe ato për letrën higjienike), Përr Përr Përreve, Lejet për kulla etj, etj, !!!… Vendi i mbuluar  nga kanabisi, nuk shihet nga Soreca, që për ironi, e mbuloi shpesh këtë sektor në detyra të mëparëshme?! Me Opozitën e djathtë është treguar gati hipokrit, dhe kurrë nuk përmendi faktin, se arsye madhore e detyruan atë të dorëzojë mandatet dhe të mos marrë pjesë në Zgjedhjet për Pushtetin Lokal!!! Shqipëria ende është pa Gjykatë Kushtetuese, dy vite ishte pa Gjykatë të Lartë, Vetingu po bëhet selektiv dhe në krye të Organeve të Reformës në Drejtësinë e “pavarur” janë ish zyrtarë të organeve të Diktaturës, apo të afërm të drejtuesve të Qeverisë dhe PS -së! Skandalet korruptive, si ai i inceneratorëve, dhe grevën e urisë së naftëtareve, vetëm Soreca nuk i sheh?!!! Ai u bë një nga garantët e Marrëveshjes së 5 Qershorit, të shkelur me këmbë brutalisht nga Rama që të nesërmen duke ndryshuar Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor në favor të tij! Ai nuk sheh uzurpimin autokratik të të gjithë pushteteve nga Rama! Ai  (Rama), haptaz refuzoi të presë përgjigjen e Komisionit të Venecias dhe kërkesat nga Parlamenti Europian dhe PPE, duke aluduar se “gondola” e saj, mund të na presë për t’i hipur për Zgjedhje të tjera! Soreca heshti dhe në një qëndrim haptaz të njëanshëm, i kërkon  konsensus Opozitës?! Vërtetë i di kaq naivë shqiptarët ky ambasador?! Ata kanë gjithë të drejtën t’a konsiderojnë këtë mik të Mogherinit, një vazhdues të denjë me pantallona, të të përfolurës edhe për afera të diskutueshme, Romana Vllahutinit! Le t’a pyesë Soreca  Hollandën, pse ajo përsëri del haptaz kundër negociatave me Shqipërinë dhe pro Maqedonisë së Veriut e pastaj le t’ia kërkojë konsensusin Opozitës?!

  1. Soreca duhet ta ndajë mendjen, është me Shqipërinë në gropë, apo me Shqipërinë në Europë

Ylli Dylgjeri

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca bëri sot thirrje për konsensus mes klasës politike, ndërkohë që prej javësh heshti edhe kur shefat e tij në BE i bënin thirrje Edi Ramës të mos rrëzonte konsensusin për reformën në drejtësi. Gazetari Ylli Dylgjeri, ka reaguar për qëndrimet e paqarta të ambasadorit të BE-së duke i bërë thirrje që të vendosë nëse është për Shqiprinë në Europë, apo për Shqipërinë në gropë. Ylli Dylgjeri: “Zoti Soreca duhet ta ndajë një herë e mirë: A është me Shqipërinë në gropë apo me Shqipërinë në Europë, duhet ta ndajë; a është me Komisionin Europian apo me Qeverinë Rama, a është me Gramoz Ruçin apo Mcalisteri, a është me Elisa Spiropalin apo Angela Merkelin, a është me David Lega apo Taulant Ballën? Kjo është ajo që dëshiron të di më shumë se 90% e popullit shqiptar.”

Soreca, si një ‘marsian’ në Tiranë: Fajëson ‘të gjitha palët’ për negociatat

Pas lajmit se Hollanda pritet që të vendosë veton, duke bllokuar hapjen e negociatave me Shqipërisë, më në fund edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca,  bëri një reagim për këtë proces të rëndësishëm. ‘Shqipëria vazhdoi të bëjë përparim dhe marsin e kaluar, bëri një hap të madh me BE-në kur vendosi të hapë negociatat e pranimit. Tani Shqipëria është afër përmbushjes së kushteve të kërkuara. Në këtë moment kritik, të gjitha palët politike duhet të investojnë në ndërtimin e konsensusit të domosdoshëm politik, dhe të gjitha institucionet e pavarura duhet të japin rezultatet e nevojshme, për të ndjekur objektivin e përgjithshëm që ata ndajnë. Kjo është ajo që dëshirojnë më shumë se 90% e popullit shqiptar’ shkroi ai këtë të hënë në faqen e tij në Twitter. Në këtë prononcim nuk shihet asnjë nga problematikat dhe kushtet e parealizuara nga qeveria Rama që i pretendon qeveria Hollandeze, apo edhe vendet e tjera skeptike si Franca, Spanja, Danimarka dhe së fundmi edhe Gjermania. Lista prej 15 kushtesh që ju vendosën Shqipërisë në muajin Mars, të cilin Soreca e përmend vetëm si datë, është e gjatë por për ambasadorin e BE-së, ajo që ka mbetur për të bërë është vetëm konsensusi mes palëve politike! ‘Në këtë moment kritik, të gjitha palët politike, duhet të investojnë në ndërtimin e konsensusit të domosdoshëm politik’, është zgjidhja, Eureka, sipas ambasadorit Soreca. Problemi është se këto palë politike në Shqipëri janë Partia Socialiste dhe qeveria e saj nga njëra anë, si dhe Partia Demokratike me gjithë forcat e tjera politike, (opozita e bashkuar) nga ana tjetër. Konsensusi që kërkon Soreca, në fakt  këto palë e arritën njëherë. Fillimisht me krijimin e Këshillit Politik dhe më pas me ‘Marrëveshjen e 5 Qershorit’ në të cilën ai vetë, së bashku me ambasadoren e SHBA dhe atë të Britanisë së Madhe, ishin kumbarë dhe garantë. Por kjo marrëveshje që tejkalonte një nga kushtet më kryesore (Reforma Zgjedhore me konsensus) për hapjen reale të negociatave, u prish në mënyrën më flagrante nga Edi Rama. Ai e hodhi përfundimisht në kosh këtë konsensus që kërkon sot Soreca pas votimit të fundit në parlament, edhe pse Gjermania, Komisionieri për Zgjerim dhe shumë deputetë të Parlamentit Europian ‘ju lutën’ dhe e paralajmëruan, që të presë mendimin e Komisionit të Venecias. Këshilli Politik që prodhoi ‘Marrëveshjen konsensuale historike të 5 Qershorit’ siç e quajti në atë kohë vetë ambasadori, në fakt ishte rruga që ai po kërkon sot në mënyrën më absurde. Themi absurde, pasi Edi Rama sa herë që i kërkohej që ti qëndrojë konsensusit të Këshillit Politik, tundte flamurin e ‘parlamentit sovran’. Sa herë që ndërkombëtarët që kanë në dorë fatin e integrimit, e këshillonin dhe paralajmëronin që t’i përmbahet konsensusit të arritur, fliste për ‘deputet legjitim’ të cilët dihet se si u futën në këtë parlament. Nëse Soreca e ka pasur me Edi Ramën që shkel marrëveshje e konsensuse hapur dhe në mënyrën më arrogante, atëherë duhet ta nominojë dhe ta tregojë atë me gisht. Nëse e ka seriozisht këtë, ‘të gjitha palët’, atëherë kemi një ‘marsian’ që punon si ambasador në Tiranë! Sepse parulla të tipit; ‘të gjitha palët duhet…’ apo, ‘kjo është ajo që dëshirojnë më shumë se 90% e popullit shqiptar’, kanë dalë boje me kohë. Sepse është Rama dhe vetëm Rama, ai që po shfaqet hapur kundër BE-së  (të cilën Soreca e përfaqëson në Tiranë) duke shkelur çdo premtim e çdo konsensus brenda e jashtë vendit.

Ish- ministrja e Integrimit Klajda Gjosha: Qëndrimet e Sorecës  të ndryshme nga të BE-së!

Vendimi i Hollandës nuk është aspak një surprizë, pasi Shqipëria nuk ka përmbushur kushtet, siç është Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe Reforma Zgjedhore. Plus u shkua më tej për çështjen e ligjit të medias. Ajo që më ka bërë vaki është sesi ka një mospërputhje të asaj që thotë Komisioni dhe Soreca në Tiranë. Zoti Soreca thotë se puna e qeverisë në përmbushjen e kushteteve është optimiste, ndërsa nga Brukseli nuk është i njëjti perceptim. Me Maqedoninë e Veriut na ndan keqqeverisja. Qeveria nuk është e interesuar të çelë negociatat pasi kështu ajo ruan pushtetin e vet dhe këtë vendimmarrje ajo nuk do t’i duhet ta ndajë me Europën. Vendimmarrja e njëanshme e qeverisë nuk mund të mos pasqyrohet në vendimmarrjen e BE-së”-shtoi Gjosha.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s