Kategori
Uncategorized

Drejtësia në kolaps/ Pas Gjykatës së Lartë po bie edhe Apeli.

Pas bllokimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, prej më shumë se 4 vitesh, drejt mbylljes së “qepenave” janë edhe 6 gjykatat e apelit të vendit. Shkarkimi nga vetingu i gjyqtarëve të Apelit mund t’i fusë në kolaps këto institucione, duke krijuar një kaos të madh. Zëvëndësimi i këtyre gjyqtarëve do të dojë një kohë të gjatë, dhe qytetarët mund të mbeten për shumë kohë pa marrë zgjidhje. 70% e gjyqtarëve që u janë nënshtruar filtrave të vetingut, nuk e kanë kaluar atë.

Nga Elvis Myrta

Shqipëria rrezikon të futet në një krizë të thellë për sa i përket drejtësisë. Pas gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, vendi ynë rrezikon të mbetet edhe pa gjykata apeli. Shkarkimi i njëpasnjëshëm nga procesi i vetingut i gjyqtarëve ka bërë që pothuajse të gjitha gjykatat e apelit në vend të rrezikojnë të dalin jashtë funksionit, pasi gjyqtarët e shkarkuar nuk po zëvendësohen. E gjithë kjo situatë bie në kurriz të qytetarëve, të ciëve do t’u merret më tepër kohë për të marrë drejtësinë e kërkuar.

Gjykatat e apelit në vend u futën në ngërç, pasi puna e Komisionit të Pavarur të Kualfikimit gjatë muajve maj, qershor dhe korrik u fokusua te gjyqtarët e këtyre gjykatave, ku shumica prej tyre nuk mundën t’i kalojnë filtrat e vetingut. Kjo situatë pritet të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë, pasi në Apel nuk mund të shkojnë gjyqtarë të rinj që dalin nga Shkolla e Magjistraturës, sepse duhet të kenë një karrierë pune më parë si gjyqtarë të Shkallës së Parë. Futja në kolaps e gjykatave të apelit u paralajmërua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, që në fillim të këtij viti.

Në atë kohë “qeveria e drejtësisë”, kërkoi nga Parlamenti që të ndryshohet ligji për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit, në mënyrë që të bëhet plotësimi i vendeve vakante. Por, kur kanë kaluar 7 muaj nga kjo kërkesë, ende nuk është marrë në shqyrtim nga Komisioni i Ligjeve. Gjykata e Apelit më problematike në vendin tonë është ajo e Korçës. Kjo gjykatë nuk mund të formojë dot as edhe një trupë gjykuese, pasi ajo aktualisht ka mbetur vetëm me dy gjyqtarë, duke e bërë të pamundur gjykimin e çështjeve.

Pasojat për daljen jashtë funksionit të kësaj gjykate janë duke i vuajtur qytetarët korçarë, kjo pasi shqyrtimi i çështjeve të themelit has vonesa të gjata. Kohëzgjatja e një procesi normal, kur kjo gjykatë ka qenë e plotë, zgjaste 4-5 muaj, ndërsa sot proceset zgjasin 9 muaj deri në 1 vit, pasi gjyqtarët delegohen nga rrethet e tjera për çdo çështje. Kjo situatë, përveç të tjerave, shkel edhe të drejtat themelore të njeriut për një proces të rregullt ligjor, veçanërisht të atyre që mbahen të arrestuar.

Gjithashtu, situata paraqitet problematike edhe në Gjykatën e Apelit të Durrësit. Kjo gjykatë, e cila mbulon edhe çështjet gjyqësore të qarkut të Elbasanit, është e përbërë vetëm nga 4 gjyqtarë, një numër shumë i vogël në krahasim me numrin e dosjeve që duhet të shqyrtojnë këta gjyqtarë. Ndërsa, gjykatat e apelit të Shkodrës dhe Gjirokastrës përbëhen nga 5 gjyqtarë. Numrin më të lartë të gjyqtarëve e ka Gjykata e Apelit të Vlorës, gjykatë e cila është e përbërë nga 7 gjyqtarë.

Qarku i Vlorës është i vetmi në vendin tonë që e bën disi të pjesshëm funksionimin e gjykatës së apelit. Problemet në drejtësi mund të thellohen akoma më shumë, kjo pasi numri i gjyqtarëve të Apelit mund të reduktohet edhe më tej, për shkak të procesit të vettingut, nisur kjo nga një deklarim publik i Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurisë, ku kanë dalë me rezultate negative të kontrollit të pasurisë dhe interesave privatë, rreth gjysma e gjyqtarëve. Pra, nëse shkarkimet e gjyqtarëve të Apelit vazhdojnë me këtë ritëm, atëherë gjykatat do të bëhen jofunksionale, duke e futur drejtësinë në një “ngërç” që mund të zgjasë me vite.

KLGJ-ja kërkoi ndryshimin e ligjit

Alarmi për bllokimin e gjykatave të apelit, fillimisht u dha nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Ditën e fundit të vitit 2019 institucioni më i ri i drejtësi iu drejtua me një shkresë ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, Kuvendit, qeverisë, Komisionit të Ligjeve dhe Euralius-it, ku evidentonte se sistemi i drejtësisë rrezikonte të futej në krizë dhe, për të mos rrezikuar, sugjeroi disa ndryshime ligjore. Sipas KLGJ-së, shkak i kësaj krize ishte bërë procesi i vetingut, pasi në tetor të 2017, kur nisi ky proces, numri i gjyqtarëve në Apel ka qenë 99.

Por ky numër do të vinte duke u reduktuar, pasi shumë gjyqtarë ngelën në të dyja shkallët e vlerësimit. Në atë kohë KLGJ-ja tha se në sistem kishin mbetur vetëm 51 gjyqtarë, ndërsa kur kanë kaluar 7 muaj nga shkresa e KLGJ-së, sot në sistem kanë mbetur vetëm 38 gjyqtarë të Apelit. Gjykatat e apelit shqyrtojnë në shkallë të dytë, me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë, çështjet e gjykuara nga gjykatat e rretheve gjyqësore civile dhe gjykatat e rretheve gjyqësore penale, sipas ndarjes së treguar në grafikën e mësipërme.

Gjykatat e apelit janë të organizuara dhe shpërndara në 6 qytete dhe konkretisht në Tiranë Shkodër, Durrës, Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë. Gjykatat e apelit gjykojnë mbi argumentet e përfshira në ankimin e palëve dhe marrin në analizë cilësinë e vendimit dhe procedurës së ndjekur nga gjykata e rrethit gjyqësor. Gjykimi në këto gjykata është më i shkurtër dhe përgjithësisht nuk ka nevojë për më shumë se një seancë gjyqësore. Vendimet e gjykatave të apelit janë të formës së prerë dhe të ekzekutueshme, përveç rasteve kur Gjykata e Lartë mund të urdhërojë pezullimin e tyre në rastin e paraqitjes së një ankimi pranë kësaj instance./Bl.Ba/Fjala.al

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s