Kategori
Uncategorized

A është pagëzuar me të vërtetë Edi Rama si katolik nga gjyshja e tij?

Nga Kastriot Myftari/

Mbrëmjen e kaluar, Kryeministri Rama, duke folur në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës, në Top Channel, që nga Britania e Madhe ku gjendet për të marrë pjesë në takimin vjetor të NATO-s, përsëriti atë që ka thënë disa herë në të kaluarën se ai, sa i përket fesë është katolik. Sipas Kryeministrit, kur ai ishte ende fëmijë, gjyshja e tij katolike e ka çuar në një kishë katolike dhe e ka pagëzuar.

Merret vesh, Edi Rama e thotë këtë gjë tani me rastin e vizitës së Papa Franceskut në Shqipëri.
Por, a është e vërtetë që gjyshja e ka pagëzuar Edi Ramën në katolik?

Jo! Kjo së pari se gjyshja për të cilën flet Edi Rama, nëna e babait të tij, Kristaqit, e quajtur Veronika Maria Kolombi, nuk ishte më katolike kur lindi Edi Rama. Kur katolikja Veronika Maria bëri martesë religjioze me të krishterin ortodoks Vlash Rama, ajo u pagëzua në fillim si e krishterë ortodokse në Durrës, ku banonte burri dhe pastaj u bë martesa sipas ritit religjioz ortodoks. Në Kishën Ortodokse ashtu si dhe në atë katolike, nuk mund të bëhet veçse martesa mes dy personave të cilët i përkasin fesë së njëjtë, të kishës përkatëse.
Por arsyeja kryesore për të cilën nuk duket aspak e besueshme që Edi Rama të jetë pagëzuar në katolik, është një tjetër. Edi Rama ka lindur në 4 korrik 1964. Kur lindi ai, tashmë në vend ishte krijuar një frymë zyrtare se ndalimi i fesë ishte një gjë që do të ndodhte së shpejti.

Kështu që nëna e një skulptori i cili po bënte emër, dhe që ishte madje edhe punonjës në sektorin për çështjet kulturore të Komitetit Qendror të Partisë së Punës në pushtet, si Kristaq Rama, nuk mund të guxonte kurrë të shkonte dhe të pagëzonte nipin e saj në kishë, aq më tepër në atë katolike, që shihej nga regjimi si qendra diversioniste e Reaksionit perëndimor kapitalist në Shqipëri.
Në këtë situatë, Kristaq Rama sigurisht që i porosiste vazhdimisht nënën dhe babain e tij që të bënin shumë kujdes me sjelljen e tyre, se ata qenë a priori njerëz të dyshimtë për regjimin.

Nëna e Kristaqit kishte qenë kameriere në oborrin e Mbretit Zog dhe babai i Kristaqit kishte qenë shofer i Mbretit Zog. Kristaqi sapo kishte bërë një martesë me leverdi për statusin e tij shoqëror në regjimin komunist, duke u martuar me mbesën e një anëtari të Byrosë Politike, Spiro Kolekës. Nusja kishte sjellë si pajë gjënë më të çmuar emrin e Spiro Kolekës, që mbante postin e dyfishtë të anëtarit të Byrosë Politike dhe të zëvendskryeministrit. Prandaj Kristaqi, duke qenë i vetëdijshëm se vinte nga një familje me të shkuar të papëlqyeshme për regjimin komunist, bënte gjithçka që të tregohej sa më puritan ideologjikisht.
Në vitin 1964, kur lindi Edi Rama, vajtja në kishë apo në xhami e anëtarëve të familjes të njerëzve të rangut të Kristaq Ramës, shihej si faj i vetë këtyre, pasi nuk kishin bërë punën e duhur edukuese brenda familjes. Frekuentimi i kishave dhe xhamive nuk ishte i ndaluar zyrtarisht, por ata që shkonin atje regjistroheshin nga spiunët e regjimit dhe shiheshin si kundërshtarë potencialë të regjimit nga Sigurimi i Shtetit.

Pak kohë para se të lindte Edi Rama, në vitin 1963, regjimi komunist nxorri ligje që paralajmëronin ndalimin e fesë në Shqipëri. Kështu, në 10 prill 1963, Presidiumi i Kuvendit Popullor nxorri Dekretin 3660, “Mbi disa ndryshime në dekretin n. 743, dt. 26. 11. 1949, ‘Mbi komunitetet fetare”.

Neni 7 i dekretit të vitit 1949 u ndryshua si më poshtë: “Njohja e Komunitetit Fetar mund të revokohet me vendim të Këshillit të Ministrave, kur me veprimtarinë e tij, Komuniteti Fetar ka shkelur ligjet, rendin juridik dhe zakonet e mira”.
Me këtë ndryshim u krijua instrumenti ligjor për ndalimin e komuniteteve fetare tradicionale në vend, të cilat qenë të vetmit që ishin të njohur me ligj. Pas daljes së këtij dekreti nisi një fushatë e dirigjuar e ankesave popullore kundër klerikëve që shpejt arriti deri në kërkesa të hapura për mbylljen tempujve fetarë. Kjo fushatë u kulmua me mbylljen zyrtare të tempujve fetarë dhe ndalimin e fesë në Shqipëri, në 1967.
Imagjinoni tani që në këtë atmosferë të tillë antifetare në vend, nëna e një punonjësi të aparatit të Komitetit Qendror të partisë komuniste, e cila ishte edhe vjehrra e mbesës së një anëtari të Byrosë Politike, do të guxonte ta dërgonte nipin e saj në një kishë katolike për ta pagëzuar! Aq më tepër që pagëzimi nuk do të ishte një akt i fshehtë verbal, se ceremonia e pagëzimit nuk kishte vlerë nëse nuk bëhej sipas ritualit, duke u shënuar emri i të pagëzuarit, kumbari (padrinjo) i tij, si dhe duke u lëshuar më pas çertifikata e pagëzimit.


Prifti që do të bënte pagëzimin kishte detyrim që të pyeste për prindërit e fëmijës që do të pagëzonte se përse ata nuk ishin të pranishëm, dhe nëse e jepnin pëlqimin për pagëzimin e fëmijës së tyre. Aq më tepër në atë kohë duhej ta bënte këtë gjë. Se të nesërmen mund të ndodhte që prindërit e fëmijës ta kallzonin priftin në Sigurimin e Shtetit, duke e akuzuar se e kishte pagëzuar fëmijën e tyre kundër dëshirës së tyre. Në atë kohë arrestimi dhe pushkatimi i priftërinjve katolikë ishte nuk ishte një gjë e rrallë.

Prifti duhej t’ i kërkonte gjyshes autorizim nga prindërit, dhe pastaj ta bënte pagëzimin. Një pagëzim i një fëmije, pa vullnetin e prindërve, në atë kohë ishte një gjë e dënueshme me ligj jo vetëm në Shqipërinë komuniste, por edhe në shumë vende perëndimore të lira dhe laike. Aq më tepër kur fëmijën ia kishte sjellë priftit katolik për ta pagëzuar një grua që nuk ishte katolike, por ortodokse!
Edi Rama ka detyrimin që të na thotë se cili ishte prifti që e pagëzoi atë. Po kumbari? A figuron emri i Edi Ramës në regjistrat e kishës katolike? Ku është çertifikata e pagëzimit? Kur u mbyllën kishat në vitin 1967, regjistrat kishtarë u sekuestruan dhe Sigurimi i Shtetit u bëri një shqyrtim të hollësishëm atyre, duke parë emrat e fëmijëve që ishin pagëzuar në kisha, sidomos vitet e fundit, pasi kishte nisur fushata zyrtare kundër fesë. Me këtë rast Sigurimi i Shtetit do të gjente dhe emrin e Edvin Ramës, dhe me këtë rast prindërve të Edit do t’ u vinte një thirrje për të shkuar në zyrat e Sigurimit e për të dhënë shpjegime. Nëse ata do të mohonin se e kishin bërë këtë gjë, atëherë do t’ u kërkohej se kush e kishte bërë. Kështu do të dilte emri i gjyshes së Edit, nënës së Kristaqit.

Dhe me këtë rast Kristaqi dhe Aneta, prindërit e Edit do të detyroheshin që të denonconin nënën, përkatësisht vjehrrën se kishte bërë pagëzimin e djalit të tyre, fshehur tyre. Veprimi ishte edhe ligjërisht i dënueshëm, dhe jo vetëm në atë kohë, por edhe sot, pasi këtë të drejtë e kishin prindërit.
Gjyshja e Edi Ramës i kishte provuar një herë qelitë e Sigurimit të Shtetit kur e kishin mbajtur atje për disa javë në kohën e Koçi Xoxes, dhe e pyesnin për veprimtarinë e saj si kameriere në oborrin mbretëror, prandaj e dinte mirë se me kë kishte të bënte dhe çfarë e priste.

Në vitin 1964, Sigurimi i Shtetit kishte vendosur spiunët e tij përreth dhe brenda të gjitha kishave katolike të Shqipërisë për të parë se kush hynte atje dhe çfarë bënte.

Nëse do të hynte në kishë nëna e dhëndrrit të vëllait të anëtarit të Byrosë Politike, duke mbajtur në krahë nipin e saj, djalin e mbesës së anëtarit të Byrosë Politikë, për ta pagëzuar atë, ky informacion të nesërmen që në mëngjes do të shkonte në tryezën e Ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiut.

E shumta në mesditë informata do të ishte në tryezën e Enver Hoxhës. Sipas praktikës që kishte ky i fundit, dhe që e përdori edhe me rastin e fejesës së djalit të Mehmet Shehut, me një vajzë nga një familje “reaksionare”, diktatori do të thërriste Spiro Kolekën dhe do t’ i kërkonte që ta sqaronte këtë çështje. Politbyroisti Koleka nga ana e tij do të thërriste vëllain e tij, vjehrrin e Kristaqit, si dhe mbesën dhe e shumta në mbrëmjen e asaj dite do të kishte sqaruar gjithçka.

Mbesa e Spiro Kolekës, nëna e Edit, do të denonconte menjëherë vjehrrën se në bashkëpunim me priftin kishte kryer një akt armiqësor, dhe do të ftonte organet kompetente (eufemizëm i kohës për Sigurimin e Shtetit) që të merreshin me të. Kristaqi do të detyrohej që të bënte të njëjtën gjë.

Gjatë natës do të arrestohej prifti. Kristaqi do të bënte gjithçka që të bindte nënën e tij që ajo të dëshmonte kundër priftit, sikur ai e gënjeu, ndryshe do ta pësonte edhe ai, djali i saj dhe familja e tij. Kjo histori do të merrte fund me një gjyq ku do të dënohej prifti, me dëshminë e gjyshes së Edit, ndërsa ky i fundit do të sillej në gjyq për t’ u ekspozuar si viktimë e priftrinjve reaksionarë, duke u bërë kështu Edi dëshmitari me moshë më të vogël në historinë e jurisprudencës komuniste.
Përfundimisht është e qartë se Edi Rama nuk është pagëzuar në një kishë katolike dhe kjo është një shpikje që ai e ka bërë për konvenim politik, ashtu që katolikët ta shohin atë si përfaqësuesin e tyre politik. Me sa duket Edi Rama pret që katolikët të besojnë se ai është kryeministri i parë katolik në historinë e shtetit shqiptar!/

Kastriot Myftaraj

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s