Kategori
Uncategorized

Të pushkatuar pasi janë mbajtur fshehur për 12-13 vjet? Dëshmia e ish-oficerit të Sigurimit:

Grupi ynë, me Idriz Seitin dhe me Asim Alikon në krye dhe i kemi marrë e i kemi çuar pas malit të Milotit. Në krahun e djathtë, pa vajtur atje, i kemi pushkatuar këta të dy. Një më poshtë e një më lart.

Të pushkatuar pasi janë mbajtur fshehur për 12-13 vjet? Dëshmia e ish-oficerit të Sigurimit: “E paskeni tradhtuar Mehmetin, jeni bërë me Enverin”

Ish-oficeri i Sigurimit Hodo Bega u thirr si dëshmitar në seancën e 26-të të gjyqit të Kadri Hazbiut.

Ai u ballafaqua me Kadri Hazbiun, Llambi Peçinin e të pandehurit e tjerë të akuzuar për ‘Tradhti ndaj Atdheut në formën e spiunazhit’ dhe me dëshminë e tij e shtoi më tej ‘malin’ e akuzave. 

Midis të tjerave Hodo akuzon se janë bërë ekzekutime pa gjyq të disa personave me urdhër të Kadri Hazbiut e Llambi Ziçishtit nga një skuadèr, pjesë e së cilës ka qenë dhe ai…

Por Hazbiu mohon. Më poshtë, pjesë nga procesverbali origjinal i këtij procesi botuar në 2013 nga DITA:

Seanca e 26

Kryetari (Aranit Çela): -Tani, thirret si dëshmitar Hodo Bega…  Për sa i përket kësaj vrasjes së Mirditës, çfarë di ti?

Hodo: -Për sa u përket dy personave të Mirditës, unë nuk i njihja se kush ishin e cilët ishin këta. Këta, pasi u arrestuan, erdhën pas nja dy-tre muajsh me urdhër të Kadri Hazbiut.

Grupi ynë, me Idriz Seitin dhe me Asim Alikon në krye dhe i kemi marrë e i kemi çuar pas malit të Milotit. Në krahun e djathtë, pa vajtur atje, i kemi pushkatuar këta të dy. Një më poshtë e një më lart.

Dhe kanë marrë një ushtar me kombinimin që ka bërë këtë edhe thanë se ky i gjeti tek burimi dhe i vrau. Ky ushtari ishte korrieri i repartit të ndjekjes në Milot…

Kryetari: -Po ky ushtari i vrau, apo kështu u tha?

Hodo: -Kështu u tha. Jo ky nuk i vrau, i vramë ne, grupi ynë. Kemi qenë 17 vetë atje, s’kam qenë unë vetëm atje. Kështu që ne i lamë atje dhe shkuam në Milot. Kur erdhi ushtari, lajmëroi se ka vrarë dy kriminelë në filan vend. Ushtari u dekorua. Me pa të drejtë…

Kryetari: -Po këta dy kriminelët që u vranë, u gjykuan këta a s’u gjykuan?

Hodo: -Jo nuk u gjykuan. Unë i kisha në dorëzim.

Kryetari: -Po kush e dha urdhrin, kush ishte atje?

Hodo: -Atje ishte grupi ynë. Ishte Idriz Seiti dhe Llambi Ziçishti. Kështu ishte kjo çështje…

Kryetari: -Keni ndonjë pyetje, keni ju shoku prokuror?

Prokurori: -Me që je marrë, ti di raste që të dënuar me vdekje të pushkatohen pas një kohe të gjatë?

Hodo: -Di.

Prokurori: -Na thuaj ndonjë rast.

Hodo: -Kemi pasur Pirro Xhezon nga Vlora, nga Smokthina. Kemi pasur dhe nja dy nga Dukati, një Sinan Hamiti dhe një Mustafa Xezhiu, që ishin të dënuar me vdekje, në Vlorë. Kur kam qenë dhe unë në Vlorë e që janë dënuar me grupin e ‘Bashkimit’ që ishte Maliq Kosheni, Gjoko Zeneli e kompani e tyre…

Kryetari: -Në ç’kohë është kjo, në ç’vit?

Hodo: -Po viti 1949 duhet të ketë qenë, nuk më kujtohet ekzaktësisht se në ç’kohë. Ndërsa këta të katër kanë ardhur në Tiranë kur unë kalova nga banda në grupin special.

Kur erdha këtu në Tiranë, i kam pasur unë gati 12-13 vjet sekret, i ruaja unë këta. Më në fund janë marrë këta dy e nga dy. Pas 13 vjetësh këta bëjnë takim. Pirro Xhezo  bënte takim me Zenel Xhezon, ndërsa Petref Bajrami bënte takim me nipin e tij.

Emri i nipit të këtij Petref Bajramit nuk më kujtohet. Kështu që këta të katër, u morën dy e nga dy në Dukat, e se ç’i bënë, unë nuk di gjë…

Prokurori: -Po kush i mori?

Hodo: -I ka marrë Idriz Seiti dhe Qemal Balluku. Po të njëjtën gjë dhe për Pirro Xhezon dhe Petref Bajramin pas dy vjetëve. U morën për t’u pushkatuar.

Në këtë unë nuk kam marrë pjesë dhe nuk di gjë. Për këtë kam pyetur shoferin, Razipin, mbiemri i të cilit nuk më kujtohet… Tani punon me autobuz Razipi. E pyeta atë se a u pushkatuan. “Nuk di gjë a u pushkatuan se mua deri tek ura e Erzenit më morën”.

Po në këtë kohë, kur e kanë pyetur këtë Pirro Xhezon, sepse këta ishin me ushqime, me thika e ku e di unë, që u shpinin ushqime se gatuanin vetë brenda, i tha Qemal Ballukut: ’Ku do të na çoni, do të na pushkatoni? E paskeni tradhtuar Mehmet Shehun!’ Qemal Balluku nuk u përgjigj. Po këtë gjë, e ka thënë edhe ky, Razipi.

Kur i zbritëm nga makina, tha, prapë paska ardhur koha që na pushkatoni!? “Do na pushkatoni. Na vjen keq që paskeni tradhtuar Mehmet Shehun dhe qenkeni kthyer me Enver Hoxhën” -i thanë këtij Razipit.

Njëkohësisht, ky Pirro Xhezo, kur i nxirrja këtu tek burgu, 3-4 orë ditën sipas urdhrit të Zoi Themelit, më thoshin: ’Duam raport, po ngroheni në diellin e Mehmet Shehut’. Këto gjëra ja kam raportuar Zoi Themelit, jo një herë, por disa herë…

Kryetari: -Pyetje kush ka?

I pandehuri Mihallaqi: -Lidhur me atë të Mirditës, me mua ke biseduar gjë për ato dy vrasjet?

Hodo: -Jo, unë s’kam biseduar.

Kryetari: -I pandehur Kadri Hazbiu, ke ndonjë pyetje?

Kadriu: -Për dy vetat që thotë ky, të Milotit. Unë them se dhe në procesverbalin e tij e ka theksuar këtë, nuk mban mend ndonjë emër të tyre?

Kryetari: -Emër të këtyre mban mend?

Hodo: -Nuk mbaj asnjë more shoku kryetar.

Kadri Hazbiu: -Unë nënvizoj, i nderuar trup gjykues që të shikohet se ky i ngatërron, duhet të ketë qenë në vrasjen e Preng Lleshit dhe që ka qenë një dhe jo dy, që di unë…

Kryetari: -Këtu është dekoruar dhe ushtari, thotë ky…

Kadriu: -Tani, mund të thotë si të dojë. Këtu ka dokumente, është dekoruar, s’është dekoruar, nuk e di… Desha të nënvizoj, nuk kam punë me të, për këtë që janë mbajtur 12 vjet e 13 vjet, ka dokumente.

Unë kam thënë dhe si mund të gjenden, duke iu referuar dosjeve respektive në zbulim. Për dy të tjerët, përveç Piro Xhezos e Petref Bajramit, unë nuk di që të jenë mbajtur nga 12 apo 13 vjet… Mund të jenë mbajur nga një vit apo dy. Për 13 vjet, mua s’më kujtohet. Këta po, dy të parët po…

Prokurori(Rrapi Mino): -Cilët?

Kadriu: -Pirro Xhezo dhe Petref Bajrami. Edhe unë kam thënë i nderuar prokuror në proces, ku mund të kërkohet arsyeja e gjithë hollësitë e tyre në dosjet respektive të Reshat Baramagës edhe të atij Jaup Xhezo Iliazit…

Prokurori: -Po, mirë, lajmëronit ju që këta po mbahen?

Kadriu: -Po, ndoshta nuk është lajmëruar…

Kryetari: -Po për këto kombinacionet nuk lajmërohej atëherë?

Kadriu: -Nuk e ndiqnim këtë praktikë. Këto kam.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s