Kategori
Uncategorized

Gjyqtari i shkruan KLGJ-së: Më kërcënon banda e Fatmir Xhafajt.

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Alaudin Malaj, ndihet i kërcënuar personalish dhe familjarisht nga ajo që ai e konsideron si “banda kriminale e Fatmir Xhafaj”, ish-ministrit të Brendshëm.

Në një shkresë zyrtare drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor në Tetor 2019 ku kërkonte mbrojtje fizike, ish-kryetari i Gjykatës së Apelit të kryeqytetit prezanton detaje tronditëse se si, zyrtarë të lartë policorë, nën drejtimin e Xhafajt, i cili në atë kohë ishte Ministër i Brendshëm, i kanë ushtruar atij dhe familjarëve të tij të afërt presion kriminal.

Rreth 2 muaj pas kësaj kërkese, Këshilli i Lartë Gjyqësor ende nuk ka vendosur mbi kërkesën e Alaudim Malaj, ndërkohë që gjyqtari Malaj vijon të jetë i kërcënuar edhe për shkak të mos-reagimit të institucioneve ligjzbatuese ndaj personave të kallëzuar prej tij.

“Boldnews.al” ka siguruar, në mënyrë ekskluzive, shkresën që gjyqtari Alaudin Malaj i dërgon Këshillit të Lartë Gjyqësor, si edhe disa institucioneve të larta shtetërore e ambasadave kryesore në Tiranë, në të cilën kërkon marrjen e masave të menjëhershme për mbrojtjen e integritetit fizik të tij, familjarëve të tij dhe pasurisë së tyre.

Në dokument, gjyqtari Malaj jep detaje mbi ngjarjet kërcënuese dhe emrat e personave, duke përfshirë Fatmir Xhafajn, drejtorin e Policisë së Shtetit Ardi Veliu, disa zyrtarë të tjerë policorë dhe personazhe, të identifikuar prej tij si me rekorde kriminale.

Përplasja ndërmjet Alaudin Malaj dhe Fatmir Xhafaj ka ndodhur për shkak të vëllait trafikant të ish-ministrit të Brendshëm, Agron (Geron) Xhafaj. Gjyqtari Malaj, në një intervistë për “5 pyetje nga Babaramo”, në 25 Nëntor 2019, deklaroi se arrestimet e paligjshme të familjarëve të tij janë bërë nga Fatmir Xhafaj, pasi “…unë i nxora vendimin se vëllai i tij ishte dënuar në Itali. Dhe jam i bindur se kam bërë gjënë e duhur. Nuk mund të pranoja të drejtohesha nga një ministër i Brendshëm që vëllanë e ka të dënuar. Le të rrijë ministër Turizmi dhe jo i Brendshëm …”.

“Xhafaj, pjesë e grupit të strukturuar kriminal”

Alaudin Malaj informon Këshillin e Lartë Gjyqësor se, në datë 22 Tetor 2019, ai ka dorëzuar një kallëzim penal për “krijim të grupit të strukturuar kriminal” kundër Fatmir Xhafaj, ish-ministër i Brendshëm, kryepolicit Ardi Veliu, si edhe punonjësve të policisë Gentjan Shehu e Alket Sulejmani.

Sipas Malajt, vëllai i tij, Agroni, në maj 2019 kishte dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë për Krime të Rënda. Për këtë kërkesë, prokuroria e drejtuar nga Donika Prela, nuk ka kryer asnjë veprim, çështja ishte pushuar dhe ajo që ishte më e rënda, dokumentat ishin zhdukur.

“Mbi interesimin tim personal, më rezultoi se kjo kërkesë ishte zhdukur në Prokurori”, thotë Alaudim Malaj në shkresën për KLGJ-në. “Në këto kushte, u detyrova të dorëzoj sërish atë kërkesë, si edhe kallëzimin ndaj Xhafajt, Veliut, etj..”, në datën 15 Tetor 2019.

Gjyqtari Malaj deklaron se një shtetas nga Vlora, M.M., me ndihmën e oficerëve të Policisë së qytetit, ka ndërhyrë me dhunë në godinën në pronësi të kompanisë së bashkëshortes së tij, dhe ka pushtuar një apartament.

Për këtë rast, por edhe për përplasje të tjera të mëparshme me këtë person, gjyqtari Malaj ka dorëzuar kallëzimet penale në Policinë e Vlorës. Sipas tij, “këtë shtetas (M.M.) e kam kallëzuar disa herë në polici, por ndaj tij nuk është kryer asnjë veprim. Ndërkohë që dokumentat që policia ka dërguar ndaj tij në prokurori janë pa asnjë akt, me qëllim për t’u pushuar ndjekja penale ndaj tij”.

Ai i referon Këshillit të Lartë Gjyqësor edhe një kërcënim serioz për jetën e tij. “Shtetasi M.M më ka kërcënuar me armë. Por, megjithëse ai e hodhi pistoletën në sytë e punonjësve të policisë, ndaj tij nuk u bë as, arrestim, as ndalim, madje as shoqërim, por vetëm e pyet, pavarësisht kallëzimit tim”, shprehet gjyqtari Malaj.

Sipas tij, kjo tregon se M.M “ka nxitjen dhe mbështetjen e autoriteteve policore për kërcënimin dhe eliminimin tim fizik”, thotë Alaudin Malaj.

Gjyqtari i Apelit, Malaj, është i bindur se pas këtyre veprimeve policore, qëndron Fatmir Xhafaj, ish-ministër i Brendshëm, për të cilin ka konsideratën se është person me predentë të shumtë kriminal.

Faktet e gjyqtarit për Fatmir Xhafaj

Në shkresën drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor, institucioneve të tjera të larta dhe ambasadave, gjyqtari Alaudin Malaj rendit ato që ai i konsideron si “precedentët kriminalë”.

Ai i rikujton Këshillit të Lartë Gjyqësor se vëllai i Fatmir Xhafaj, Agron (Geron) Xhafaj, është kreu i një grupi trafikantësh. Gjithashtu, Malaj sjell në vëmendjen e KLGJ-së veprimet e ish-ministrit të Brendshëm për fabrikimin e provave në çështjen penale “Alizoti/Geron”, në bashkëpunim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ard Veliu dhe zyrtarë të tjerë të uniformave blu.

Alaudin Malaj hedh dyshime edhe mbi vdekjen e shoferit të Fatmir Xhafaj, punonjës i Gardës që u gjet i vdekur në garazhin e atij institucioni.

Po ashtu, gjyqtari Malaj i referon Këshillit të Lartë Gjyqësor edhe disa veprime anti-ligjore të kryera nga Policia e Shtetit kundër familjarëve të tij të afërt.

“Vëllai im është mbajtur i arrestuar 12 orë, për një vepër penale që nuk kishte asnjë lidhje. Djali i tezes time, E.Z., është shoqëruar dhe mbajtur për rreth 20 orë në polici, gjithashtu pa kryer asnjë vepër penale dhe në kundërshtim me ligjin”, deklaron gjyqtari Malaj.

“Në ditën e kësaj kërkese, (22 Tetor 2019), babai im dhe djali i tezes, janë rrethuar nga 20 punonjës policorë. Kushëriri im është shoqëruar nga policia dhe është mbajtur për rreth 4 orë në komisariat, ku pyetej nëse kishte konflikt me ndokënd”, vijon Malaj, i cili i konsideron të gjithë këto veprime si forma presioni ndaj tij dhe familjarëve të tij.

Heshtja e KLGJ

Në përfundim të shkresës së tij, gjyqtari Alaudin Malaj kërkoi nga Këshilli i Lartë Gjyqësor që të merrnin në konsideratë kërkesën për mbrojtje të posaçme, për të shërbyer “si mbrojtje përballë kësaj politike kriminale të Fatmir Xhafaj dhe bandës së tij, e cila, për përfitim politik, mund të shtyj dhe nxis nëpërmjet organeve shtetërore vrasjen dhe përçmimin në publik të gjyqtarëve”.

Rreth 2 muaj pas kësaj kërkese, “Boldnews.al” ka mësuar se ndaj gjyqtarit Alaudin Malaj nuk është ndërmarrë asnjë mbrojtje e posaçme. Këshilli i Lartë Gjyqësor është diskret për rastet konkrete mbi kërkesat e gjyqtarëve për mbrojtje të posaçme.

KLGJ, në një komunikim zyrtar të mëhershëm me “Boldnews.al”, iu referua ligjit “Për informacionin e klasifikuar sekret”, duke deklaruar se “emrat e gjyqtarëve (që janë në mbrojtje apo kanë bërë kërkese, shën.red.) dhe gjykatat ku ata ushtrojnë detyrën nuk mund të bëhen publikë, ndërsa afati i ruajtjes së klasifikimit është 10 vjet”.

Rasti “Alaudin Malaj”, si edhe të tjerë të publikuar më parë nga “Boldnews.al” dëshmojnë faktin që institucionet ekzekutive e kanë të lehtë të ushtrojnë presion, kërcënime e shantazhe ndaj gjyqtarëve, ndërkohë që këta të fundit shpenzojnë javë e muaj me kërkesa për mbrojtje, të cilat, si në çështjen e gjyqtarit të Apelit të Tiranës, nuk pranohen ose vonohen shumë. /BOLDNEWS

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s