Kategori
Uncategorized

Komunistët, edhe në demokraci, e lexojnë CIA-n mbrapsht.

Alfred Lela

Një rifreskim i databazës së të dhënave të CIA-s, më saktë atij raporti që njihet botërisht si World Factbook, me sa duket e ka gjetur të papërgatitur ministrinë e Brendshme shqiptare dhe shefin e saj, Fatmir Xhafaj. Në fund të një tabele të gjatë, me tregues të gjithëfarshëm, CIA jepte, si zakonisht, edhe një panoramë të narkotrafikut shqiptar.

Kështu, sipas raportit  të CIA, Shqipëria është:

-pikë aktive për tranzitin e drogave nga Azia Jugperëndimore;

-rrugë ballkanike për tranzitin e hashashit dhe kanabisit, dhe pjesërisht kokainës, nga Amerika e Jugut, e destinuar për Europën Perëndimore;

-burim kryesor për prodhimin e kanabisit;

-ka organizata aktive shqiptare të narkotrafikut të shpërndara në Europë;

-vulnerabël (e ekspozuar) për pastrimin e parave, që lidhet me trafikimin rajonal të narkotikëve, armëve, kontrabandës dhe qënieve njerëzore.

Si zakonisht, mediat afër opozitës apo ato anti-qeveritare, e kanë publikuar këtë raport ndërkombëtar, ndryshe nga mediat pro-qeveritare, të cilat janë edhe më të shumta. Nga ana tjetër, këto të fundit nuk kanë përtuar t’i bëjnë jehonë reagimit të Ministrisë së Brendshme për këtë raport.

Ministria e quan publikimin e këtij raporti si ‘të pasaktë dhe keqorientues’. Sepse, sipas MB, ‘koordinatat’ e drogës ishin të njëjta për Shqipërinë, duke filluar nga viti 2007 e këtej. Për të ilustruar këtë ‘vëzhgim’ të sajin, deklarata e Ministrisë jep edhe print screen-et (fotot) e raporteve të CIA-s për drogën, të viteve 2018 dhe 2007. Pa shkuar te ky krahasim, dhe gjetja e një ‘ndryshimi’ mes dy raporteve, le të pranojmë për një çast hipotezën së cilës i mëshon ministria e z. Xhafaj, sipas së cilës asgjë nuk ka ndryshuar në panoramën e narkotikëve, që nga vitit 2007. (Të kuptohemi, jepet qëllimisht viti 2007 kur vendin e drejtonte një qeveri e PD, për të thënë se kështu ka qenë në kohën e tyre).

Edhe duke pranuar këtë linjë mendimi, pra duke rënë në ‘kënetën e mosndryshueshmërisë’ që propozon Ministria e Brendshme, kjo nuk na lejon më shumë se të kuptojmë ‘mjerimin’ shqiptar. Si rregull, qeveritë zgjidhen për ta përmirësaur gjendjen, në raport me paraardhëset, dhe fakti se z. Xhafaj pretendon se në 11 vjet nuk ka ndryshuar asgjë, do të thotë se ai, bashkë me PS, dhe kryeministrin Rama, kanë patur plot 5 vjet për të bërë diçka, dhe nuk kanë bërë asgjë. Kjo do të ishte logjika e të menduarit në terma demokratikë, inteligjentë, elektoralë, por edhe dashamirës në raport me popullin tënd.

Kështuqë, z. Xhafaj, edhe nëse nuk ka ndryshuar asgjë, as në Shqipëri as në raportin e CIA-s, prapë ju dhe Kryeministri juaj, jeni fajtorë. Prej 5 vjetësh të tillë.

Duke e lënë atë fushë magnetike iluzionesh që Sabato do e quante ficciones, të hidhemi në terrenin e ashpër të fakteve. Aty gjërat kanë ndryshuar. Kjo jepet qartë edhe në raportin e CIA-s, të rifreskuar më 16 gusht 2018. I cili ka një ndryshim sasior dhe cilësor nga raporti i vittit 2007, që merr si referencë krahasuese ministria e Xhafajt. Në një anglishte të thjeshtë, në raportin e 2007 thuhet: opium i kufizuar dhe prodhim i shtuar kanabisi (limited opium and groëing cannabis production).

Në raportin e vitit 2018, fjalia ndryshon në këtë formë: significant source country for cannabis production (burim kryesor i prodhimit të kanabisit).

Duke perifrazuar togfjalëshin e një prej drejtoreshave të Ramës, me të cilën edhe ju vetë jeni përballur në një Komision parlamentar, z. Xhafaj: Ku (nuk) qëndron ndryshimi këtu?!

Fragmentet e raporteve te CIA-s paraqitur ne deklaraten e MB:

(Fotot ilustruese janë të wordpres.com)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s