Kategori
Uncategorized

Donald Lu e gënjen ‘Shtëpinë e Bardhë’, Trump nuk e di çfarë ndodh në Shqipëri.

KUSH T’IA THOTË AMERIKËS?! – OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga Frrok Çupi/Jemi në këtë pikë, që vetëm te Amerika mund të gjejmë shërim. Vendi ka marrë pamjen e një organizmi të sëmurë, kur duhet patjetër kirurgu-mjeku i fundit.

Ja ku jemi:

Një shtet në mes të kontinentit europian, që jeton (në fakt vdes) me prodhimin  e drogës. Një ekonomi me GDP false; aq të ardhura sa shënohen zyrtarisht, po aq qarkullojnë ilegalisht nëpër xhepa dhe nëpër prita krimi. Një popull që BE-ja, dje, na ka quajtur “dembelë”, vetëm me qëllim që të shkarkohet nga përgjegjësitë e veta, duke na e lënë fajin “në gen”. Ministra të qeverisë së ditës, janë kapur nga perëndimorët si pjesëtarë të bandave të trafikut të drogës dhe armëve, por këta nuk i prek ligji. Një shtet që, sipas agjencive inteligjente të Perëndimit, vitin e kaluar, kishte mbi 8 miliardë euro në offshore, të vjedhura nga zyrtarë të lartë, por që nuk ka shpresë se mund t’i kthejë në buxhet. Shteti me një Kushtetutë që secili e përdor si leckë: Ambasadori i Amerikës urdhëron të kapërcehet Kushtetuta e Republikës, ambasadorja e BE-së bëhet pjesë e qeverisë, Kuvendi i zgjedhur shtyp edhe liritë kushtetuese.  Regjimi i përmbysur në fillesat e demokracisë, është ngritur përsëri si trashëgimtar i diktatorëve, si mit dhe si kërcënim. Vetë Europa ku aspironim në shekuj, është alternuar në “BE”; BE-ja luan lojë të ulët, duke bashkëpunuar me qeverinë dhe duke nënçmuar popullin. Vetë opozita jonë, është përtokë…

E vetmja portë ku mund të trokasim, është Amerika. Ironia të çon pas 98 vjet, në vitet ’19, kur iu desh presidentit Willson të shpëtonte Shqipërinë.  Por në një valë tjetër.

Sot, dikush duhet t’ia thotë Amerikës. Por kush?

A mund të besohet se, ambasadori i Amerikës i dërgon të vërtetën Amerikës?

Kjo tashmë është më pak e besueshmja që mund të ndodhë. Ambasadori Lu – thonë analizat – u hodh nga gëzimi kur i erdhi radha të “fshinte” Prokurorin e Përgjithshëm që i ishte bërë pengesë për një aferë të dyshimtë, me një kompani kanadeze të naftës. Si zoti Lu, edhe ambasadorja e BE-së, janë bashkuar me qeverinë për të mbyllur dosjet kriminale të “peshqve” të mëdhenj, duke larguar Prokurorin e Përgjithshëm dhe duke prurë në vend të tij, një prokuror “raja”. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara i përket administratës së vjetër të presidentit që u largua; grupimi i tij është angazhuar, me të gjitha forcat, kundër presidentit aktual, Trump. Zoti Lu është ambasador i Trump, por ndjek politika të Obamës. Para dy ditësh, deklaroi se zgjedhjet kur fitoi Trump “janë hakeruar”. Asnjë ambasador në botë nuk e ka bërë këtë, që të sulmojë presidentin e tij, në emër të një presidenti tjetër… Informacioni mbi Shqipërinë, shkon në Amerikë i shtrembëruar, përderisa këtu, sy për sy, ambasadori flet ndryshe nga e vërteta që ndodh… Më në fund, si mund të dërgojë ambasadori informacion të drejtë në dorën e presidentit që nuk e do?

A mund të besohet se qeveria e dërgon të vërtetën e vendit në duar të Shtëpisë së Bardhë?

Akti më i fundit kundër shtetit Amerikan, u krye dje nga qeveria shqiptare. Dje, ambasadori i Shqipërisë në Turqi, iu bashkua nismës së presidentit të Turqisë, Erdogan,  për një “Bashkim Islamik” kundër vendimit të Shtëpisë së Bardhë për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit. Vendimi i presidentit Trump, vuri në vend padrejtësinë historike si dhe rregulloi shtrembërimin e madh, ku ambasadori i Amerikës aderon, jo në kryeqytetin e vendit, por në një periferi. Edhe bota tjetër ka shans të drejtpeshohet pas këtij akti. Qeveria shqiptare i doli kundër këtij vendimi që vendosi drejtësi dhe shanse për paqe në Lindjen e Mesme…

Asnjëherë qeveria shqiptare, që nga zgjedhja e presidentit Trump, nuk ka qenë në të njëjtën linjë me Amerikën. Mes dy vijave kundërshtare në Amerikë (presidenti i zgjedhur dhe presidenti i humbur (Hillary), plus miliarderi majtist radikal, Soros), qeveria shqiptare ka zgjedhur të dytën. Qeveria nuk mund të trokasë në dyer të Amerikës, as për fatkeqësi të mëdha, aq më pak për të treguar të vërtetat e sotme.

A mund të trokasë opozita në derë të Amerikës?

Sigurisht, nuk është e pamundur… Por opozita duket e pagatshme të ndërmarrë këtë hap. Nuk e ndërmerr këtë hap, sepse po të ndodhte, atëherë do të “zbulonte” qeverinë. Opozita ka marrë përsipër të bëjë opozitë të lehtë e në sipërfaqe, aq sa të mbulojë qeverinë. Nëse do të tregonte të vërteta në Shtëpinë e Bardhë, atëherë do të tronditej klima dhe do të niste  ndryshimi. Amerika nuk mund të lejojë një shtet narkotik e kriminal, në mes të kontinentit dhe në udhëkryqin për në Lindje.

Opozita nuk troket në dyer të presidentit Trump, edhe pse i ka lidhjet me Soros dhe Hillary. Edhe fushatën elektorale ku PD u fundos, e organizoi Podesta i Hillary-së. Edhe takimet “diplomatike” të larta, PD-ja i bën me Institutin e Demokratik të liberalëve Obama –  Soros, Hillary.

Opozita nuk e ndërmerr as hapin e lajmëtarit.

Po cila Amerikë duhet lajmëruar?

Politika shqiptare dhe diplomati amerikan, me qëllim, i ngatërrojnë të “dy Amerikat”.

Për ambasadorin Amerikan, thuhet: “Ore, e dini ju se ai flet në emër të Amerikës?” Në fakt, ai flet në emër të “Amerikës 2”, që përfaqësohet nga presidenti i kaluar, kandidatja e rrëzuar dhe miliarderi George Soros – të gjithë kundër presidentit Trump, “për jetë a vdekje!” . Edhe politikanët (qeveri dhe opozitë), bëjnë deklarata sublime “për Amerikën”. Por për cilën Amerikë? Askush nuk përmend liderin Amerikan, politikën e tij, Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit…  Jo, vetëm “për Amerikën”.

Siç po duket qartë, në këtë rajon ku ndodhemi, zhvillohet beteja mes “Amerikës një”, dhe “Amerikës së dytë”. Ashtu si edhe beteja mes elitave qeveritare të dështuara, globalizmit dhe kufijve të hapur, kundër politikave të konservatorizmit, sovranitetit, respektit për kombin e familjen, qeverinë e punëve dhe jo të fjalëve – që përfaqësohen në glob nga Trump, Brexit, populistët dhe konservatorët…

Amerikës nuk ka kush i thotë….

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s