Kategori
Uncategorized

MIDIS DY PLLAJAVE BIE VESË

Llambi Gjikuli

MIDIS DY PLLAJAVE BIE VESË

Cikël poetik nga Llambi Gjikuli

Testament

( Djalit tim, Genti.)

Po të le tokën,
djali im.
Po të le plugun dhe farën.
Po të le ujin dhe burimin,
që etjen plisit ti t’ia shuash.
Me shkrim të gjitha po t’i le,
me një tapi prej noterie.
Po lot nuk të le,
o biri im,
as heshtje e vaj.
Po të le këngën, biri im
dhe ison të mos jesh i vetëm,
zërin tim po të le
të zgjohesh herët.
Kur jeta ime të shterojë,
pak tokë lerë për vdekjen time,
te vëndi im,
pak dhe hidh,
ca zaje deti e shkulmë dallge
dhe një fole
ma ngri mbi ballë,
të shlodhen zogjtë në fluturim.

Mjaftoka

Ishte ora shtatë? Shtatë pa pesë?
Pesë minuta përgjonin të nxituara.
Në trafikun qiellor perëndimi lante
fytyrën tënde ngjyrë ari.
I duhej atij një natë e ndriçuar nga ti.
Dhe ora, për çudi, mbeti.
Dhe ajo ishte dehur nga ekspozimi
i perëndimit të mrekullueshëm.
Produkti poetik,
shtrydhte pikë, pikë durimin,
në kupën e qeltë të zemrës ngrinte dolli
erëdehjes së gjirit tënd
të marrosur nga freskitë lakuriqe.
Heshtja sundonte në instiktin e moçëm,
duke puthur buzët symbyllur.

Poezia ime

Arsyetova me ty,
të gjitha marrëveshjet midis nesh
me një kontratë të përjetëshme,
pa pranin’ e avokatëve dhe të kritikëve.
Ma ndeze cigaren
kur nata më pat hidhëruar
e gojët e natës shqyheshin
në një dosje postbllok, që të kujton
gafat e dikurshme të nëpërkëmbjes.
Mbeta i vetëm, fillikat, përsëri
ti më zgjove duke më sjellur
një stinë të ngrohtë nga ato që gjethërojnë
duke më thënë:
“Nën sqetull të kam, shërbëtori im!
Shihemi prapë nesër!”

Ceremoni qirindezura
1
U dogjën ullinjtë,
mbretërimi i gjelbërt fisnik humbi,
vaji i tyre ndezi kandilet e natës
në një varr të heshtur.
2
Kënga e vonuar e gjinkallave
vuri në gjumë një burim të vogël,
që thahej prej vape.
3
Udhëtimet mbaruan dhe pushuesit ikën përsëri,
por pas mbetën tabllotë e tyre,që vështrojnë
të akorduara në mbrëmjen e ndezur të bregdetit.
4
Gjithë jetën ky përrua mes maleve
mban peshën e vetëtimave dhe ujrave që shkumëzojnë.
Zogj endacakë hënën e përmbysur ndjekin pas
me një pelerinë vellombuluar.
5
E mora në gji ndrojtjen tënde,
që ndizte pushtimin rrënues të heshtjes.
Në misterin e papërlyer të mëngjesit
dhe Helena udhëtoi njësoj si ti.
6
Lotë-ëmbëltuar dashuritë e pemëve,
ringjallën përkundruall
hijeshinë fërfëritëse të zjarrmimeve.
Një tempull bari përbri,
hapi sytë lulorë të stinës.
7
Rrëzoheshin orët. Ceremonitë qirindezura,
rroknin hymnet dhe në dritën e dashurisë,
dëshirat dëfrenin në gjuhë të përbashkët.

Në verën e jugut

Të gjitha ishin falas
shikimi dhe buzëqeshja e ngrënë
prej zjarrit të mbetur nga nata.
Një kartolinë fluturuese je,
një konkë poetike, një vjershë,
një pigment i shëtitjeve
në mbrëmjen e deteve.
Hijet e etura kthehen përsëri
duke të gjetur
në forma letrash të vizatuara,
nga brenga e një xhelozie të dikurëshme.
Puthja jote e thellë duket e largët.
Limani i pasionit një pulëbardhë,
një agavë, një qerpik në horizont,
që lëshon lot perëndimit të përhershëm
nga që asnjëherë nuk arrinte të kuptonte
frymëmarrjen e diellit.
Në verën e jugut,
që zvarritej prej erës
si një manaferrë e pjekur,
buza jote e gjakosur,
goja jote e ngrohtë-
pikturë e herëshme e gojës,
që përgjon akoma kalimin e hënës.

Çast i heshtur

Qetësi muresh pa trumbetimet e mëdyshjet,
udhë që kalojnë qafave të ravijëzuara.
Qyteti sovran me kështjellën e coptuar.
Në thyerjen e mesditës, zbukurimi i heshtur
palcën e qiellit thith duke u dehur me deliret.

Zgjohen çaireve hingëllimat e kuajve,
Venera në mëdyshje,
mban akoma fustanin e çelur e të çarë në mes,
që mjaftojnë për një zgjidhje gjokftohtë.
Po ti ç’kërkon këtu, tek ky vënd, në këtë orë?
Mos dashurinë e Pandorës të babëzitur nga heshtja?
Altar të mendimit të moçëm mbajnë perënditë e sotme
duke përcaktuar udhët dhe drejtimet mes sensacioneve,
që kërkojnë lulëzimin e dëshiruar
në limonishten e zgjeruar mbrëmjësore.

Andrallat e tua

Unë mbështetesha në andrallat e tua,
që më mjaftonin për një çast të shkurtër
edhe pse brishtësia jote ishte e pavarur,
edhe pse bukuria jote ishte një burim për manjakët.
Unë mbështetesha në andrallat e tua,
që mbulonin sythat e marsit me lule
edhe pse ti s’më fale asnjë degë të paçelur
në kohën e pakryer të veseve të tua.
tetor 2005

Adhurimi i fshehte

Margaritarët e zhveshur të prillit ndriçuan.
Turtulleshat ngrejnë folet’ e reja
të mbështetura në qiell.
Dikush lexoi shprehjen e fshehur
të shkruar mes iridit të mëngjesit që rrezatonte
me magjin’ e ëndrave që ndërthurrnin
shëmbëllimin e verdhë të vjeshtës.
I lashë mënjanë shkëmbinjt’ e shkrimeve
dhe zgjova buzëgazin tënd
në një epos të ri dashurie
peisazheve të gjalla të trupit të zhveshur.
Ajo lodër tani ecën në një kalë shkumësh,
që e mbështjell deti
me puthje të dhimbëshme.

Balada e hënës

“U vonove,” më thanë gurgullimat,
“U vonove,” më thanë zogjtë te thana.
Erdhi vjeshta, hapën çiklaminat;
“Oh,” tha hëna, “nëpër shkallë u vrava!”

“Oh” tha hëna dhe që tej yjet
U thërmuan mu te këmba e saj.
Në kurriz të moçëm e rrëmbyen,
E lanë perëndimit në një skaj.

Çast

Zgjon një trung
dhe çelin sythet.
Vjen një re
dhe nis një shi.
Shkon një lumë
dhe shelgu dridhet.
Nata piu liqenin e shpirtrave.
Pse nuk fole, o njeri?!

Dhe s’e di

Midis dy pllajave bie vesë,
përfund tyre rrjedh një lumë.
Në krah dielli ndez ylber,
një grifsh mbi degë ulet me zhurmë.

Flokët e tua bërë bar
e vetullat e hequra si mëllënja,
Gishtat prekin një nishan
poshtë dy thithave të argjënta.

I ul buzët përmbi ‘të.
Kush më mashtron, ti a ylberi?
Dhe s’di në jam apo nuk jam,
Në botën tënde unë i vetmi.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: