Kategori
Uncategorized

Rama- Basha, ç’thuhet rreth takimit?

Në vigjilje të takimit Rama- Basha dhe pas ndërhyrjeve të forta të personaliteteve amerikane dhe europiane (Han, Mogherini, Nuland) që kanë bërë thirrje për votimin e reformës, në shtypin shqiptar po zien debati.

Pikat e tij më të nxehta janë tre. Ka analistë që e etiketojnë këtë reformë si një përfitim ekskluziv të Ramës dhe i bëjnë thirrje liderit demokrat të mos dorëzohet. Ka që e shohin propozimin e “vendeve të rezervuara”sipas të cilëve PD do të ketë njerëzit e saj në organet e kontrolluese të drejtësisë si përpjekjen e fundit të Berishës për të kushtëzuar Bashën. Ka edhe të tjerë që i shohin thirrjet e fundit nga Brukseli si mbështetje për deputetët opozitarë që ata t’i dalin kundër Berishës për këtë reformë.

Të parët i ka përfaqësuar denjësisht Artur Zheji, i cili me shkrimin “Në duart e Bashës”, në 360gradë, pasi thekson këmbënguljen e amerikanëve, vë alarmin se Rama shumë shpejt mund të ketë në duart e tij kryeprokurorin e ri: “…Duket se shpresat e amerikanëve, kaq shumë të investuar në Reformën në Drejtësi, është edhe fruti, i një kompromisi politik, që do të mund të lindë nga takimi, Rama-Basha.

Janë vërtet orë të ethshme dhe sot, më shumë se asnjëherë, në qendër të vendimmarrjes është LulëzimBasha!

Nëse do të hapë rrugë, ndërmjet të tjerash, për një Prokuror të ri të Përgjithshëm, përveç strukturës së re, formale të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Me anë të kësaj reforme, dhe ashtu si janë përcaktuar kriteret e përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, duket se “shorti” do të bjerë, në një figurë juridike, shumë afër influencave të drejtëpërdrejta dhe të tërthorta të Kryeministrit. Dhe kjo është në të vërtetë, një Jo Reformë në Drejtësi”.

Dhe Zheji duke shprehur edhe një merak që e ka edhe LSI-a vë alarmin:

“Është e vërtetë që kemi një Drejtësi të kalbur, por nuk ka Drejtësi më të kalbur dhe vrastare, se sa një drejtësi e komanduar dhe e përdorur, si pisqollë politike, nga një aktor i vetëm”.

Në emër të së njëjtës frikë i bën thirrje edheArian Çani, Lulzim Bashës të mos ketë frikë dhe t’u thotë “Jo” amerikanëve dhe europianëve. “Rama … është duke iu afruar kaq shumë qëllimit të tij politik: Eliminimit me prangat e ndërkombëtarëve të rivaleve të tij politikë brenda dhe jashtë koalicionit. Ndaj ka vetëm një rrugë për ta ndaluar këtë super kryeministër të ketë në duart e tij një super kryeprokuror”, shkruan Çani. Ndaj ai i thotë Bashës:

“Nëse opozita dhe të tjerë bashkë me të, janë të bindur se miratimi i kësaj reforme në drejtësi do të kthehet në një mekanizëm jakobin për të prerë kokat e tyre, ata duhet të tejkalojnë frikën dhe t’u thonë Jo prerazi dhe pa asnjë mëdyshje amerikanëve të Edi Ramës. Pasoja do të kenë, por të paktën do ndjehen të respektuar dhe të drejtë në vendimin e tyre.

Amerikanët janë ende superfuqi dhe ata vazhdojnë të diktojnë politikat e tyre në vende edhe më të forta se Shqipëria. Por tutja (frika) nuk është opsioni i duhur. Qoftë dhe me riskun e zvarritjes në opozitë të gjatë… Lul Basha me të vetët duhet të ketë kurajon t’u thotë Jo Donaldit dhe Viktorias. Më mirë të thonë JO se sa të shkojnë me këmbët e tyre dhe të zbythur në gijotinë”.

Por për të tjerë problemi i Bashës nuk është ky, por Berisha që i ka vendosur përpara një kush të ri, atë të vendeve të rezervuara. Në një editorial të saj «JavaNews» e godiste fort këtë parim që i lejonte opozitës të kishte njerëzit e saj (dhe jo profesionistë të pavarur) në krye të institucioneve që do të kontrollojnë drejtësinë. Ajo e hidhte poshtë modelin e emërimeve si në KQZ, apo në Këshillin e TVSH, të njerëzve që vijnë ekskluzivisht nga partitë. Po në të njëjtën media edhe Arian Vasjari shkruante se « vendet e rrezervuara » janë një formulë e denjë vetëm për në stadiume. Sipas tij kjo formulë bie ndesh me vetë kredon e Bashës se drejtësia është shkatërruar nga politika. Atëhere pyet Vasjari pse i duhet lënë sërish politikës privilegji i emërimeve të njerëzve të saj në krye të drejtësisë?

Ndryshe nga të tjerët, Mero Baze në editorialin e tij në Tema, të titulluar “Brukseli po kërkon “heronjtë” e Perëndimit brenda opozitës” nuk ka besim se Berisha dhe Basha, i kapur peng nga ai, do t’i hapin rrugë reformës. Ai ka shpresë se Brukseli po nxit deputetë të pavarur nga opozita të votojnë reformën kundër urdhërit të partisë së tyre.

“Bashkimi Europian duket se ka një trajektore të re, së paku javët e fundit. Komisioneri për zgjerim Hahn, po ashtu përmendi vetëm termin ligjor “dy të tretat” në thirrjen drejtuar parlamentit shqiptar, ndërsa Mogherini po shkon dhe më tutje duke ju adresuar përgjegjësive personale të deputetëve të secilës parti.

Ky është një sinjal për një votbesim, pro ose kundër Bashkimit Europian në parlament, jo vetëm si forca politike, por dhe si deputetë. Skanimi që perëndimi po i bën vullnetit të çdo deputeti, në këtë rast është një test i rëndësishëm për integritetin e tyre dhe të ardhmen në politikën shqiptare.

Por, nga ana tjetër, kjo thirrje është dhe një lehtësim ndaj atyre deputetëve që mund të dalin nga rreshti dhe do të votojnë reformën.

Qëndrimi i Bashkimit Europian i konsideron ata në një farë mënyre si “heronj” të perëndimit brenda partive refuzuese për reformën”, shkruan Baze.

Se cila nga këto opsione do të triumfojë kjo pritet të shihet pas takimit Rama- Basha. 

Lini një koment