Kategori
Uncategorized

Ramiz Alia: Nuk e sakrifikojmë komunizmin për Shqipërinë etnike.

 

Çëshja e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën në vitin 1990 ishte një tjetër shqetësim për krerët e shtetit komunist shqiptar. Të pranoje tezën e Shqipërisë etnike dhe të nacionalizmit do të thoshte të pranoje të vinin në Shqipëri forcat politike nacionaliste, apo armiqtë e përbetuar të regjimit, ballistët legalistët apo nacionalistët kosovarë, gjë që ishte e palejueshme sipas kreut të regjimit Rami zalia. Me këtë logjikë diskuton Alia në mbledhjen e sekretariatit të Komitetit Qendror të datës 23 korrik 1990, procesverbalin e së cilës po e botojmë prej dy ditësh, ndërsa bën thirrje se kjo gjë duhet shmangur me çdo kusht.

“Parulla e tyre është “Shqipëria etnike”. Por të pranosh nacionalizmin, do të thotë të vijnë këtu Rexhep Krasniqi, Balli Kombëtar, Legaliteti. Ne nuk mund t’i sakrifikojmë idealet tona për një Shqipëri të tillë “etnike”, thotë Ramiz Alia në këtë mbledhje, ndërsa diskutojnë mes të tjerash edhe për masat që duheshin marrë në lidhje me rininë, sidomos studentët që do të vinin në vjeshtë në Tiranë nga të gjithë rrethet, dhe mund të reflektonin problemet dhe trazirat që po përjetonte Shqipëria e verës së vitit 1990. Ramzi alia e shihte shpresën tek manipulimi ideologjik dhe afrimi i të rinjve në rradhët e partisë e mbajtja e tyre nën kontroll që të mos binin në kontakt me ata elementë që sipas tij e kishin hedhur hapin e parë me organizimin e trazirave të korrikut, të cilët sipas tij do ta synonin shtresën e të rinjve për ti nxitur të rebelohen kundër pushtetit.

Pjesa e tretë e dokumentit që po botojmë trajton pikërisht këto çështje, duke i hapur rrugën më tej takimit të famshëm që u mbajt me intelektualët në gusht të po këtij viti.

SHOKU XHELIL GJONI: Ndoshta ka nevojë të organizohen me këta njerëz disa debate në grupe të ngushta për probleme të ndryshme që kërkojnë të sqarohen. Për shembull, ka pasur mjaft pyetje për çështjen e marrjes së kredive. Mund të ftohen në auditorë të ndryshëm njerëzish shokë kompetentë e me nivel, si Farudin Hoxha, t’ua sqarojnë. Po kështu mund të veprohet edhe për çështje të tjera.

Diskutohet mjaft për problemin e Kosovës, si dhe për pozicionin e inteligjencies kosovare. Reaksioni dhe në këtë çështje përpiqet të hedhë vrer kundër nesh. Flitet për problemin e bashkimit të Kosovës me ne, për të cilin thonë se “është e interesuar edhe Amerika e se pas këtij bashkimi vetvetiu mund të arrihet në zgjedhje të përgjithshme”.
SHOKU RAMIZ ALIA: Ka dhe nga ata që e përziejnë këtë çështje me pozitën e disa intelektualëve kosovarë që propagandojnë se duhet braktisur ideologjia dhe duhet të merremi më parë me nacionalizmin. Parulla e tyre është “Shqipëria etnike”. Por të pranosh nacionalizmin, do të thotë të vijnë këtu Rexhep Krasniqi, Balli Kombëtar, Legaliteti. Ne nuk mund t’i sakrifikojmë idealet tona për një Shqipëri të tillë “etnike”. Mund të ketë edhe ndonjë tjetër që ekzaltohet për një “shtëpi evropiane”, krejt të hapur, me plot kate e apartamente, po ta dojë, veç me një ideologji të borgjezisë!!

E theksoj edhe një herë se përballë këtyre dëshirave e parullave, nuk duhet të qëndrojmë të tërhequr, por të hidhemi në sulm. Veprimtaria jonë duhet të jetë e efektshme, e dendur e sistematike. Mitingu që u organizua në Tiranë, për shembull, ishte mjaft i mirë dhe e arriti qëllimin, por ai nuk u shoqëria më pas me një punë intensive. Duhet të njihen mirë tërë anët e problemeve, që të jetë e mundur të ndërtohet një program i qartë e i konkretizuar për zgjidhjen e tyre. Mund të krijohet edhe një shtab kundër parullave armiqësore, ndaj të cilave kërkohet vigjilencë, përgatitje, luftë ideologjike e shkathtësi. Sot nuk mund t’u flitet masave me slogane e fjalë të përgjithshme. Ndonjëherë është më e efektshme një bisedë e çiltër, qoftë edhe me 2-3 veta, ku rrihen pikëpamjet dhe konkluzionet janë bindëse.

Do të ishte mirë të organizohej dhe ndonjë takim me një grup intelektualësh prej 14-15 vetash. Me ta duhet biseduar më parë si e shohin situatën aktuale dhe pastaj, një nga një, t’u thyhet me argumente ndonjë pikëpamje e gabuar. Po kështu duhet vepruar edhe me disa grupe të rinjsh, përpara se të mblidhen organizatat e rinisë. Me inteligjencien duhet ndërtuar një punë e veçantë, e programuar e sipas kategorive, duke u ndalur sidomos në disa institucione e qendra të mëdha, si Kinostudioja, Lidhja e Shkrimtarëve, Radiotelevizioni etj.

Një tjetër program i studiuar dhe mbi bazën e kontakteve direkte duhet ndërtuar edhe në punën me rininë. Duhet të gjallërohet tërë veprimtaria me të rinjtë universitarë e shkollarë, si në formë dhe në përmbajtje. Ajo nuk duhet të reduktohet vetëm në mbledhje e manifestime të mëdha, por të përfshijë dhe një larmi formash, që nga bisedat me grupe të vogla e deri në programet kulturore, artistike, politike etj., të cilat duhet të jenë tërheqëse e të organizuara mirë. Veprimtari të mëdha, mund të zhvillohen, për shembull, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor në mjedise të ndryshme, në formë mitingjesh, koncertesh, lojërash sportive etj., ku të përfshihen e të argëtohen masa të gjera të rinisë.

Që tani dhe gjatë muajit gusht duhen marrë masa për organizim të rregullt të jetës nëpër konvikte duke caktuar e afishuar për çdo konvikt listat e të rinjve sipas fakulteteve dhe kujdestarët apo përgjegjësit që ndjekin veprimtaritë e ndryshme nga Rinia, Partia e pedagogët. Nëpërmjet tërë llojeve të veprimtarive duket synuar që rininë ta mbajmë kurdoherë pranë e ta ushqejmë me ideologjinë tonë, sepse pas dështimit që pësoi në fazën e parë të programit të tij, armiku do të synojë të kërkojë mbështetje te rinia shkollore, studentore dhe tek inteligjencia. Atij i intereson ta prekë këtë shtresë delikate, të përbërë nga bijtë e popullit, për të atakuar vijën e Partisë. Mungesa e kujdesit dhe e vëmendjes sonë në këtë drejtim është e pafalshme. Në rast se ndaj veprimeve të disa huliganëve e patëm më të lehtë të mbanim qëndrim e të ngrinim opinionin, ngaqë populli i njihte si të tillë, është shumë vështirë ta ngresh këtë opinion kundër atyre elementëve të rinisë studentore që mund të bien në prehrin e armikut.

Opinioni i shëndoshë duhet mbajtur në këmbë e duhet hedhur në veprim edhe ndaj familjeve apo kolektivave punonjëse, pjesëtarë të të cilëve hynë nëpër ambasada. Të diskutohen qëndrimet e tyre dhe në bllok e lagje dhe të bëhet i njohur gjykimi i shëndoshë e i përgjithshëm i njerëzve.

Kujdes i duhet kushtuar edhe informacionit për popullin lidhur me zbatimin e vendimeve të plenumeve të fundit dhe për probleme të ndryshme. Nga organet qendrore, si dhe nga disa organe të bazës, ka shumë zvarritje të pajustifikueshme në zbatimin e vendimeve të marra, siç është ai i Plenumit të 8-të të Komitetit Qendror të Partisë për ndërtimin e banesave private. Populli ka nevojë për një informacion më të gjerë, sidomos për ato çështje që janë në studim e në kërkim të rrugëzgjidhjeve të reja të leverdishme për të. Përse ngurrohet, për shembull, të jepet informacion publik nëpërmjet mjeteve të propagandës, për studime të tilla, si ai i rritjes së pagave që janë nën 600 lekë? Ky studim ka kohë që ka filluar.

Situatat kërkojnë që dhe çdo shok i udhëheqjes së Partisë e të shtetit, pa qenë nevoja për fjalime të mëdha, nëpërmjet televizionit apo takimeve direkte me popullin, të zbërthejë ndonjë tezë të plenumeve të fundit. Ai mund të sjellë një informacion më të plotë e më të saktë për sektorin që mbulon, për problemet e rrugëzgjidhjet që kërkohen. Kjo do ta rriste më shumë përgjegjësinë e secilit prej nesh, por dhe do t’u priste rrugën mjaft thashethemeve e parullave armiqësore se “në udhëheqje ka përçarje, ka konservatorë e liberalë”. Natyrisht, në këto pozita nuk qëndron asnjë nga shokët tanë, por ngadalësia, mefshtësia, burokracia e paaftësia, kudo që shfaqen, nuk mund të mos lënë gjurmë në ndërgjegjen e popullit. Ato duhen luftuar me këmbëngulje e punë të palodhur, duke gjallëruar e perfeksionuar vazhdimisht edhe tërë mjetet e format e informacionit dhe të propagandës sonë.
G SH.

Dossier/2711/ramiz-alia-nuk-e-sakrifikojm—komunizmin-p-r-shqip-rin–etnike-292423.html#sthash.o7IYn7Dv.dpuf

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s