Kategori
Uncategorized

IKNI DHE SHPIRTIN TIM MERRENI ME VETE.

Rexhep Shahu

Ikni vëllezër, ikni bij të këtij atdheu plak që nuk i hyn askujt në punë
Të këtij atdheu të përdhunuar që dergjet në shtratin e vdekjes
Pa pasë fuqi as të mallkojë dhunuesit e tij.

Ikni bij, ikni udhëve të botës dhe lini qyqet të vajtojnë në atdhe
Lini korbat të ngihen me sy e mëlqi të njerzve që s’kanë fuqi
Të ngrihen në këmbë, të mbysin me pështymë një qeveri.

Ikni pa provuar të mateni me dhunuesit e atdheut, ikni se ikja
Është trimëri më e madhe se qëndresa, në ikje nuk vdes
Ndërsa në qëndresë mund të bëhesh hero që vdes për bukë
Hero që ha thonjtë e tu, hero që ngrihesh dhe vret dhunuesit e atdheut
Hero që shporr dhe dëbon përtej varrit dhunuesit e atdheut.

Ikni bij se koha e herojve ka vdekë e ju nuk jini bij të asaj kohe
Ikni por më parë hapjani një varr atdheut që të mos i dergjet
Kufoma në udhë, të mos ia shkelin kufomën me këmbë
Të mos ia pshurrin kufomën qentë
Të mos ia shqyejnë korbat që po nxjerrin sytë e të nesërmës tuaj përditë
Dhe ju heshtni e thoni me vete, ç’po na duhen sytë.

Shtijeni në varr, në një varr të thellë, më të thellë se sa duhet
Hidhjani një grusht dhe`, një mal me dhe` që atdheu të mos çohet lugat
Të mos çohet lugat të hajë ëndrrat tuaja, të nesermën tuaj në dhera të huaja
Të mos çohet lugat të hajë qeveritë që u dëbojnë ju prej atdheu
Të mos qohet lugat të trembë fëmijët tuaj të nesërm me origjinë shqiptare
Që ndoshta do kenë turp që kanë origjinë shqiptare.

Hidhjani sipër varrit gjithë urrejtjen tuaj atdheut, urrejtjen që u bëhet
Aeroplan, tren, anije dhe ju mban në krahë në udhën e ikjes
Urrejtjen që ju bëhet lot se ishit të pazotë në qëndresë
Që zgjodhët rrugën e ikjes në vend të qëndresës kundër vampirëve
Që shqyejnë atdheun tuaj.

Hidhjani sipër varrit gjithë dashurinë tuaj ju që shqiptarë do të mbeteni
Kudo që të frymoni në botë
Ju që do të mendoni shqip e fëmijët e tuaj do të krenohen me atdheun tuaj.

Derdheni gjithë lotin mbi varrin e thellë të atdheut
Që të çimentohet dheu përmbi varr
Të mos e marrë era e ta shplojë kufomën e atdheut që s’kalbet kurrë
Të mos e marrë era e mallit ta sjellë në dhera të huaja ku jetoni të huaj
Vdisni të huaj, kalbeni të huaj, shaheni të huaj, duheni të huaj
Urreheni e përbuzeni të huaj, mashtroheni të huaj.

Ikni bij të atdheut të marrë peng, ikni anipse atdheu është peng
I lidhur me zingjirë prej disa bij kurvash mbetje të komunizmit vrastar
Ikni se do të vijnë dreqnit ndoshta ta shpëtojnë atdheun që e braktisin bijtë e vet
Që ikja u duket trimëri dhe lotin e dinë qëndresë
Ta shpëtojnë prej hajnave, kopukëve, bijve të së keqës
Ikni në kërkim të ndonjë qeverie tjetër që nuk shkreton atdhe.

Ikni dhe shpirtin tim merreni me vete.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s