Kategori
Uncategorized

Raporti i Moskës për gjyqin e Teme Sejkos

Ndërsa ekzekutohej kundëradmirali shqiptar, Titoja ishte përgatitur për mbylljen e kufirit dhe ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë. Fjalimi i Mehmet Shehut në Tropojë që kishte ndezur gjakrat në Moskë e Beograd. Në pjesën e dytë të informacionit të ambasadës sovjetike në Tiranë, zbulohet fakti se shefi i misionit turk në Tiranë nuk miratonte sulmet e Hoxhës ndaj Titos

Nga Th Mustaqi

Lufta e vitit 1999 për çlirimin e Kosovës, është projektuar nga Stalini, Titoja, Enveri dhe NATO-ja, thonë historianë të sotëm rusë. Ndoshta dhe për faktin se në korrik të vitit 1961 “te jugosllavët vihet re njëfarë evoluimi kundrejt Shqipërisë… Nuk përjashtohet mundësia që të gjitha këto të ndodhin nën trysninë e ndonjë fuqie të huaj”, kështu shkruhet në pjesën e dytë të dokumentit sekret diplomatik sovjetik që ka filluar të botojë “Investigim”-i. Sekretari i parë i përfaqësisë së Moskës në Shqipëri, Bespallov, që kryen dhe veprimtari spiunazhi, teksa i raporton shefit të sektorit të Evropës në MPJ të BS, por edhe Andropovit, i cili do të hipte pak më vonë në krye të KGB-së, ka nuhatur që Titon e kanë këshilluar amerikanët të mos presë marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë. Moska dëshironte ashpërsimin e masave të Beogradit ndaj Enver Hoxhës & Co, pasi kështu kishin thënë më parë vetë liderat e Federatës Jugosllave. Por Titoja nuk nxitonte, pavarësisht se shefi i Tiranës nuk linte asgjë pa bërë kundër mareshalit. Po ashtu në dokument zbulohet se “linja e ndjekur nga lidershipi shqiptar ndaj Jugosllavisë nuk gjen mbështetje si në diplomatët perëndimorë ashtu dhe në diplomatët e vendeve socialiste evropiane të akredituar në Tiranë”, deri dhe nga i ngarkuari me punë i Turqisë, Hasan Nurelgin.

POZICIONI PRITËS I RPFJ

Diplomati- agjent, Bespallov, është i shqetësuar se “me gjendjen që është krijuar në marrëdhëniet shqiptare-jugosllave, lidershipi i RPFJ-së është në pozicion pritës, madje, më tepër se kaq”. Kështu, para fillimit të procesit gjyqësor [ndaj “komplotit” të Teme Sejkos] diplomatët jugosllavë deklaronin se qeveria jugosllave, si reagim ndaj procesit gjyqësor… nuk përjashtonte mundësinë të ndalonte kalimin e avionëve që fluturonin dhe ktheheshin nga Shqipëria nëpër territorin e saj, të ndërpriste komunikimet telefonike, të mbyllte kufirin me Shqipërinë dhe në fund të priste marrëdhëniet diplomatike”. Por duke filluar nga muaji maj 1961, “pas procesit gjyqësor, nisën të hidhnin të tjera hamendje mbi perspektivat e zhvillimit të raporteve të Jugosllavisë me Shqipërinë”. Bespallovi është informuar nga se “i ngarkuari ad interim me punë i RPFJ-së, Zduiç, në bisedën me një diplomat polak, deklaroi se në të ardhmen në raportet me Shqipërinë qeveria e tij do të niset nga ecuria raporteve të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Por nuk sqaroi se çfarë fshihej pas kësaj deklarate.”

PO KJO ISHTE LOJË!

Enveri ka luajtur teatër me gjyqin e montuar. Bespallovi informon se “në biseda me diplomatë të tjerë punonjësit e misionit jugosllav në Tiranë e shpjegojnë kështu ndryshimin e politikës së vet ndaj Shqipërisë: Qeveria jugosllave në fakt mendonte t’i priste marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë, por gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor doli se “ai kishte karakter teatror”, se nuk pati akuzë konkrete kundër liderëve të Jugosllavisë. Për më tepër, pas përfundimit të këtij procesi, shqiptarët nuk i drejtuan notë-proteste Jugosllavisë, siç bënin pas çdo procesi të mëparshëm”. Sovjetikët janë të zhgënjyer nga fakti se “gjoja disa vende socialiste u paskëshin rekomanduar jugosllavëve të mos i ndërprisnin raportet diplomatike me RPSH-në, sepse kjo gjë mund të shfrytëzohet nga qeveri armiqësore perëndimore”. Për Bespallovin prandaj “kohët e fundit, te jugosllavët vihet re njëfarë evoluimi kundrejt Shqipërisë, ndonëse [ky evoluim] nuk është përvijuar qartë. Nuk përjashtohet mundësia që të gjitha këto të ndodhin nën trysninë e ndonjë fuqie të huaj. Ambasada po ndjek me vëmendje zhvillimin e raporteve shqiptare- jugosllave”.

NËNA QË KA LINDUR EDHE SHQIPTARËT E KOSOVËS, MALIT TË ZI DHE MAQEDONISË

Enver Hoxha harron internacionalizmin, udhëheqësit shqiptar kanë horizontin të ngushtë tejet nacionalist, sedër të sëmurë, armiqësi ndaj Titos dhe udhëheqësve të tjerë jugosllavë, këto janë akuzat sovjetike nga Tirana. Për Bespallovin, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu “nuk mund t’ua falin jugosllavëve kurrsesi për pohimet që kanë bërë se komunistët jugosllavë ndihmuan shqiptarët për të krijuar Partinë Komuniste. Duke dashur të përligjin politikën e tyre armiqësore kundër Jugosllavinë, udhëheqja shqiptare akuzon vazhdimisht udhëheqësit e Jugosllavisë se ajo terrorizon shqiptarët që jetojnë në Kosovë e Metohi. Në aktivin ekonomik të partisë të rrethit të Tropojës, në tetor të vitit 1958, Mehmet Shehu deklaroi se po të mos ngrinim zërin në mbrojtje të vëllezërve tanë shqiptarë që jetojnë në Kosovë, Malin e Zi dhe Maqedoni, do të tradhtonim popullin dhe atdheun tonë, do të tradhtonim marksizëm-leninizmin. Po ashtu Shehu tha se nuk jemi shovinistë, nuk kërkojmë sot bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por nëna që na ka lindur, ka lindur edhe shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë dhe ne jemi marksistë”, thuhet në dokument .

“COCTAIL DIPLOMATIQUE”

I ngarkuarin me punë i Turqisë, Hasan Nurelgin, shprehu habinë për akuzat, fyerjet dhe sulmet e pandërprera armiqësore të shqiptarëve kundër jugosllavëve. Informacioni i Bespallovit hedh dritë dhe për intrigat sovjetike në qarqet diplomatike lindore-perëndimore. “Linja e ndjekur nga lidershipi shqiptar ndaj Jugosllavisë nuk gjen mbështetje si në diplomatët perëndimorë ashtu dhe në diplomatët e vendeve socialiste evropiane të akredituar në Tiranë. Kur ra fjala mbi raportet shqiptare-jugosllave, gjatë një bisede të këshilltarit të ambasadës sonë Krekotenj me të ngarkuarin me punë të Turqisë, Hasan Nurelgin, [ky i fundit] shprehu habinë për akuzat, fyerjet dhe sulmet e pandërprera armiqësore të udhëheqjes dhe shtypit shqiptar në adresë të qeverisë jugosllave, duke vënë në dukje me këtë rast se në këta 22 muaj që është në Shqipëri, nuk ka parë ndonjë rast konkret se si jugosllavët paskan kërcënuar shqiptarët, ndërkohë që shqiptarët nuk i pushuan akuzat kundër Jugosllavisë. Po kështu kanë folur diplomatë francezë, italianë dhe arabë, ambasadorët e Rumanisë dhe Bullgarisë, i ngarkuari i përkohshëm me punë i Polonisë etj”.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: