Kategori
Uncategorized

Shqiperia si Siria: 13 mije kerkesa per azil ekonomik.

Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, një shifër rekord prej 13 mijë shqiptarësh kanë kërkuar azil ekonomik drejt Gjermanisë.

Për herë të parë kërkesat e shqiptarëve për azil ekonomik kaluan në renditje azilkërkuesit serbë, duke u krahasuar me shtete në gjendje lufte si Siria. Muaji mars ka regjistruar numrin më të madh të azilantëve nga Shqipëria që kanë kërkuar leje qëndrimi në Gjermani.

Një raport i Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë tregon se numri i azilkërkuesve shqiptarë në 3 muajt e parë të këtij viti ka pësuar rritje drastike duke u krahasuar me Sirinë, një shtet i cili ndodhet prej 5 vitesh në luftë civile dhe ku një pjesë e territorit kontrollohet nga grupi terrorist ISIS.

Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, një shifër rekord prej 13 mijë shqiptarësh kanë kërkuar azil ekonomik drejt Gjermanisë.

Shqipëria, një vend që aspiron të bëhet pjesë e BE-së, është kthyer në një problem për Bashkimin Europian, pasi emigrimi i popullsisë shqiptare drejt shteteve të zonës Shengen po rritet në mënyrë të frikshme.

Në raportin e Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, Shqipëria renditet në vendin e tretë mes dhjetë vendeve nga mbërrin fluksi i azilkërkuesve.

Shifrat tregojnë shtimin e kërkesave për azil nga qytetarët shqiptarë nga muaji në muaj.

Në vendin e dytë është Siria, një vend në konflikt. Ndërsa popullata siriane largohet për t’i shpëtuar luftës dhe terrorit të grupeve terroriste nga ana tjetër qëndron edhe Shqipëria.

Shqiptarët muajt e parë të vitit 2015 kanë nisur emigrimin masiv duke kërkuar një vend ku mund të sigurohet punësimi për të jetuar. Mungesa e vendeve të punës dhe për pasojë kriza ekonomike ka bërë që me qindra të rinj dhe familjarë të ikin me shpresën e një jete më të mirë. Nga informacionet bëhet me dije se mungesa e vendeve të punës është problemi kryesor i shqiptarëve, të cilët pasi kanë humbur vendet e punës nuk mund të përballojnë mbijetesën dhe nuk mund të shohin asnjë dritë shprese për të ardhmen e fëmijëve.

Një tjetër faktor, i cili ka nxitur eksodin masiv drejt vendeve të BE e kryesisht në Gjermani është kërcënimi. Nëse në Siri kërcënimi vjen nga lufta në Shqipëri njerëzit që largohen tregojnë se ndihen të kërcënuar nga burgu dhe humbja e pronës, kërcënim ky i dhënë nga Kryeministri Edi Rama në rast mospagese të energjisë. Në pamundësi për të patur një vend pune dhe rrjedhimisht duke mos patur të ardhura ata nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë elektrike dhe nga ana tjetër po me kërcënimet e Edi Ramës u rrezikohet edhe shtëpia, pasuria e vetme që posedojnë.

Ditët e fundit nga qyteti i Kukësit, Bajram Currit, Tropojës, Ballshit, Vlorës, Fierit janë nisur drejt Gjermanisë me qindra qytetarë, një pjesë e të cilëve konfirmohet se janë regjistruar si azilkërkues.

Fenomeni që tashmë është shtrirë në të gjithë territorin e vendit ku familje të shumta largohen me qëllimin e vetëm për patur një jetë më të sigurtë nuk ka kaluar pa prekur edhe rininë, e cila nuk sheh asnjë shpresë për të ngritur të ardhmen. Drejt Gjermanisë numërohen me qindra të rinj me arsim të lartë, të cilët pas përpjekjeve për të gjetur një vend pune kanë parë si shpëtim largimin nga ky vend ku sipas tyre situata ekonomike po bëhet çdo ditë dhe më e rëndë duke iu shuar ëndrrën për të patur një të ardhme të sigurtë.

Pas Kukësit, largime masive edhe nga Vlora.
Pas Kukësit, Vlora është qyteti tjetër, i cili ëahtë prekur nga eksodi masiv ku banorët po largohen drejt Gjermanisë për të kërkuar azil, pamje të cilat të kujtojnë eksodin e pas rënies së komunizmit, ku familje të tëra dhe shumë të rinj u larguan nga vendi. Arsyet e këtij vendimi janë të shumta, por ndër më kryesoret janë mungesa e vendeve të punës, borxhet e shumta të familjeve pa të ardhura, si dhe kriza ekonomike ka bërë që me qindra të rinj dhe familjarë të ikin nga zona e Orikumit të Vlorës. Ashtu si dhe në veriun e Shqipërisë, Gjermania shikohet si e vetmja shpresë për të jetuar. Kriza ekonomike, e cila ka mbërthyer vendin shihet deri në atë pikë sa largimi do t’ju sigurojë të paktën bukën e gojës. “Fëmijët e mi kanë ikur të gjithë andej, qëndrojnë nëpër kampe, por të paktën hanë bukë”, ka thënë një prej të moshuarve. Sipas banorëve, kjo situatë vijon që prej muajit dhjetor, ndërkohë që largimi i njerëzve është ndjerë si në bizneset e zonës po ashtu edhe në shkollat e fshatit. Edhe të rinjtë tregojnë se janë larguar shokë të tyre.

Francë, 200 shqiptarë dëbohen nga Lioni, mes tyre 80 fëmijë.
Mbi 200 persona, kryesisht shqiptarë, mes tyre edhe 80 fëmijë janë dëbuar mëngjesin e djeshëm, 14 prill. Shqiptarët ishin strehuar në një ndërtesë ushtarake në Lion të Francës, që prej vitit 2013. Gazeta franceze “Le Monde” shkruan se këtyre personave iu ishte refuzuar e drejta për azil. “Le Monde” shkruan se mes ish-azilkërkuesve që gjendeshin në këtë objekt ushtarak kishte edhe persona, të cilët kanë marrë urdhër që të lënë territorin francez. Sipas Michel Jouart, një aktivist francez, pasi këta refugjatë shqiptarë dhe kosovarë qëndruan për disa vjet në Lion, disa prej tyre, më parë ishin strehuar poshtë një ure. Sipas tij ky kamp kishte strehuar mbi 500 persona. Ky vendim për dëbimin e shqiptarëve erdhi në prag të shqyrtimit nga ana e Senatit francez të reformës së ligjit për azil, i cili synon të forcojë masat mbrojtëse për aplikantët dhe të reduktojë aplikimet për azil. Ndërkaq, edhe Ministria e Brendshme e Gjermanisë publikoi një raport për kërkesat e azilkërkuesve, ku Shqipëria renditej e 3 nga 10 vende, ndërsa Kosova renditej e para me numrin më të madh të azilkërkuesve.

46 mijë qytetarë braktisën Shqipërinë më 2014-ën.
Ikja e shqiptarëve jashtë vendit i ngjan një eksodi të vërtetë. Brenda vetëm një viti, gjatë 2014 Shqipërinë e braktisën plot 46.413 qytetarë, në përpjekje për të lënë pas varfërinë ekstreme që ka pllakosur në vend. Situata në Shqipëri sa vjen dhe përkeqësohet, mijëra familje janë të pashpresa për të gjeneruar të ardhura në mungesë të një vendi pune. Kriza ekonomike, mungesa e të ardhurave, rritja e taksave, rritja e gjithanshme e çmimeve dhe kushtet e papërballueshme të jetesës janë arsyet kryesore që gjatë vitit 2014 detyruan rreth 46 mijë qytetarë të largoheshin nga Shqipëria për një jetë më të mirë, ndërkohë që numri i largimit të qytetarëve jashtë vendit sa vjen dhe rritet. Nga ana tjetër, numri i lartë i qytetarëve, të cilët janë larguar nga vendi ka bërë që të rrudhet gjithmonë e më shumë popullsia shqiptare. Rritja e emigrimit të shqiptarëve bëhet e ditur nga të dhënat e Institutit të Statistikave. Faktori kryesor i rënies së popullsisë vlerësohet të jetë emigrimi. Ky emigrim i madh i qytetarëve të vendit tonë vjen në një kohë kur vendi është pllakosur nga kriza e ekonomike, ku reformat e ndërmarra nga qeveria kanë vështirësuar jetën e shqiptarëve dhe këta të fundit kanë parë si zgjidhje të vetme emigrimin e tyre në vendet perëndimore.
Varfëria, mjerimi dhe kushtet e vështira të jetesës po detyrojnë shqiptarët që të shohin si zgjidhje të vetme largimin nga vendi. Vendet e Bashkimit Europian japin alarmin për numrin e lartë të azilkërkuesve shqiptarë në këto vende. Në një statistikë të publikuar nga EUROSTAT bëhet e ditur se shtetasit shqiptarë janë të parët për azil në Islandë. Gjithashtu shtetasit shqiptarë në këtë statistikë figurojnë të tretët në Irlandë dhe në Lihtenshtejn. Ndërkohë që edhe në Gjermani numri i azilkërkuesve shqiptarë është shumë i lartë.

Taulant Aliaj

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s