Kategori
Uncategorized

PE kemngul per dekriminalizimin.

 

Parlamenti Europian kërkon rezultate konkrete nga procesi i dekriminalizimit të Parlamentit dhe administratës publike në Shqipëri. Gjatë diskutimeve në Komitetin e Jashtëm të Parlamentit Europian mbi projektrezolutën e raportuesit për Shqipërinë, Knut Fleckeinstein eurodeputetët kanë bërë thirrje për rezultate konkrete në procesin e dekriminalizimit, ndërsa kanë kërkuar respektimin e marrëveshjes së 24 dhjetorit për dekriminalizimin e Parlamentit dhe administratës publike nga personat me rekorde kriminale.“Duhet të ecet përpara me rezolutën e dhjetorit për dekriminalizimin”, janë shprehur eurodeputetët, ndërsa e kanë specifikuar kërkesën e tyre edhe në një nga amendamentet e rezolutës në të cilën ndër të tjera thuhet: “Parlamenti Europian mirëpret miratimin e rezolutës së 24 dhjetorit 2014, në të cilën u ra dakord që mazhoranca të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të adresojë çështjen e personave me rekorde kriminale në administratën publike. PE bën thirrje për adresimin e kësaj çështjeje”. Por nga ana tjetër, situata në Shqipëri po rrezikon procesin e integrimit të vendit në BE. Paralel me dekriminalizimin, situata politike dhe ngjarjet në Shqipëri bëjnë që Parlamenti Europian ta konsiderojë procesin e integrimit të Shqipërisë në BE si një proces të rrezikuar.
“Shpreh shqetësimin për situatën e polarizuar politike në Shqipëri, e cila mund të rrezikojë hapat e mëtejshëm drejt integrimit; i kujton mazhorancës dhe opozitës përgjegjësinë ndaj qytetarëve për një dialog konstruktiv, të qendrueshëm dhe gjithpërfshirës çka do të garantojë vijimin e reformave”, u shprehën eurodeputetët në të njëjtën linjë me amendamentet e paraqitura në rezolutë.
E ndërsa theksohet se “hapja e negociatave të anëtarësimit do të ishte një nxitje dhe do të zhvillonte më tej reformat, duke ofruar një perspektivë të besueshme dhe të prekshme të BE-së”, projektrezoluta citon se suksesi i reformave është i lidhur ngushtë me bashkëpunimin dhe frymën konstruktive politike që duhet të jetë në Parlament.
“Suksesi i axhendës së reformave varet fuqishëm nga ekzistenca e një mjedisi politik demokratik. Mazhoranca dhe opozita duhet të ushtrojnë plotësisht përgjegjësitë e tyre politike dhe të jenë në gjendje për të pranuar kompromise, çfarë do të rriste besimin e qytetarëve tek institucionet publike. PE është i shqetësuar për polarizimin e vazhdueshëm politik që vijon në Shqipëri, i cili do të mund të rrezikojë përpjekjet e mëtejshme të integrimit në BE”, vijon rezoluta.
“Është një rezolutë mjaft e balancuar, në përputhje me rekomandimet e KE. Dua t’iu informoj për dialogun e nivelit të lartë që u zhvillua në fund të muajit mars, sa i takon përmbushjes së prioriteteve kryesore. Komisioneri Johannes Hahn është shprehur i kënaqur për progresin. Duhet bërë më shumë sa i takon reformës në gjyqësor, zhvillimit ekonomik, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Është esenciale që të avancohet me pavarësinë e administratës publike. E rëndësishme është dialogu politik. Ka një rrezik sa i përket konfrontimit politik, megjithatë komisioneri Hahn ka mirëpritur ngritjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin, i cili drejtohet nga opozita. Mazhoranca dhe opozita kanë përgjegjësi të përbashkët për dialogun në Parlament. Duhet të ecet përpara me rezolutën e dhjetorit për dekriminalizimin”, janë shprehur eurodeputetët.

Fleckestein: Negociatat nuk hapen pa reforma
Shqipëria duhet të punojë fort për të përfituar hapjen e negociatave të integrimit në BE. Raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckeinstein i kërkon qeverisë shqiptare të angazhohet me masa konkrete dhe në bashkëpunim me opozitën të çojë përpara përmbushjen e detyrimeve për integrimin.
“Kemi patur 192 amandamente në fillim dhe kujtoj dhe takimin e stabilizimit Shqipëri-BE ku kemi përmbledhur 16 amendamente, ku pjesa më e madhe theksohen në reformat në drejtësi, kriminalitet. Dhe po vijon puna në mënyrë që të nisin hapjen e negociatave. Falënderoj deputetët se kemi mundur të nxjerrim disa amendamente të rëndësishme që nuk ishte e lehtë sidomos për ata që donin ta hiqnin. Suksesi i reformave do të varet nga ndryshimet pozitive. Sepse testi i vërtetë i reformave është ajo se çfarë mendojnë vetë qytetarët. Hapjen e negociatave e shoh si një sfidë që mund të kapërcehet nga shqiptarët”, është shprehur Fleckeinstein.
Nga ana tjetër, ai thekson se dialogu konstruktiv është faktor i rëndësishme në përparimin e vendit drejt BE. “Do të doja të diskutoja dhe për disa pika. Kam kryer dy vizita në Shqipëri. Edhe unë e Eduard Kukan kemi ndërmjetësuar me partitë. Ne e dimë që lufta kundër krimit të organizuar duhet të forcohet. Shqipëria ka një rol të rëndësishëm në stabilitetin në rajon, mund të ketë pasur dhe komente jo shumë të drejta në këtë aspekt. Do t’i bëja thirrje shqiptarëve që kjo nuk ndihmon, ata duhet të bashkojnë njerëzit dhe të kemi një dialog konstruktiv”, thekson ai.

Të garantohet liria e medias
Cënimi i pavarësisë së medias ka qenë një tjetër shqetësim i ngritur dje nga eurodeputetët në Parlamentin Europian të cilët kanë kërkuar nga qeveria shqiptare të garantohet liria e medias në vend.
“Mbështes vijën e përgjithshme të raportuesve dhe 16 amandamentet për të cilat kemi rënë dakord. Është e nevojshme për një qasje konstruktive për Shqipërinë. Dua të dërgoj një mesazh: Konfrontimi politik është pengesa kryesore e Shqipërisë për integrimin dhe ky konfrontim është elementi kryesor që rrezikon integrimin. Duket sikur shohim të njëjtën çështje. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit janë sërish pika kryesore. Shqipëria ka probleme me drejtësinë. Reforma administrative dhe territoriale në Shqipëri janë kontestuar, por shpresoj që ta ndihmojnë vendin. Së fundmi do të doja të theksoja pikën 14 të amendamenteve: Duhet shtuar liria e medias” u shpreh eurodpeuteti Kukan.

Arben Shahini

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s