Kategori
Uncategorized

”Rusët më morën edhe bolierin, si i njoha gjërat e plaçkitura mbi tank”

Nga Robert Greenall, BBC

Një refugjate ukrainase në Britaninë e Madhe tha se njohu në një foto gjërat e saj të plaçkitura nga shtëpia dhe të vendosura mbi një tank rus.

Alina Koreniuk tha se kutia në foto ka brenda një bolier të ri, që kishte planifikuar ta instalonte përpara se të niste lufta.

Ajo dhe fëmijët e saj u larguan nga Ukraina më 8 prill dhe po qëndrojnë me një çift britanik në Nottinghamshire.

Fotoja e shkrepur në fund të majit tregon tankun që lëviz në mesin e një lagjeje rezidenciale të bombarduar në qytetin Popasna.

Forcat ruse kanë marrë kontrollin mbi qytetin në rajonin Luhansk që prej 8 majit.

Zonja Koreniuk tha se fotoja është bërë në një rrugë rreth pesë minuta larg shtëpisë së saj.

Fillimisht gjërat u pikasën nga bashkëshorti i saj.

“Ai më tha: a nuk të duket diçka e çuditshme te kjo foto dhe më pyeti nëse po shihja atë që shihte edhe ai”, tha ajo për BBC.

Përveç bolierit, mbi tank shihet edhe një mbulesë tavoline nga shtëpia verore e familjes, çarçafët Disney të fëmijëve të saj dhe një batanije e kuqe.

Batanija e kuqe dhe çarçafët janë përdorur për të mbuluar diçka, ndoshta një TV apo pajisje të tjera elektronike, të cilat kishin mbetur në shtëpi kur ata u detyruan të largohen.

Por ajo nuk është habitur nga ajo që ka ndodhur.

“Reagimi ynë ishte se gjithçka nuk është shkatërruar, ata do e vjedhin,” thotë ajo.

“E prisnim që shtëpitë në Popasna të plaçkiteshin, na kanë thënë shumë herë për këtë”.

Zonja Koreniuk po qëndron në Britani me vajzat e saj, Kristina 12 dhe Olha, 8, sipas skemës qeveritare për ndihmën ndaj ukrainasve.

Zonja Koreniuk, police dhe ish-psikologe fëmijësh, u largua bashkë me familjen e saj nga Popasna pasi nisi pushtimi. Bombardimi në këtë zonë kishte nisur.

Familja mori pak gjëra me vete kur u larguan. Mamaja e saj la pas qenin e saj, i cili u vra nga një predhë ose nga forcat pushtuese.

Nëna e saj, gjyshja dhe burri janë akoma në Ukrainë, por në një vend relativisht të sigurtë.

Shumë banorë të zonave të pushtuara në Ukrainë janë ankuar për plaçkitje nga trupat ruse.

Javën e kaluar, portali i pavarur rus Mediazona publikoi një raport që sugjeron se trupat ruse kanë dërguar në shtëpi mbi 58 ton me mallra të plaçkitura nga zonat pranë kufirit mes Ukrainës dhe Rusisë.

Në pakot e plaçkitura ka kryesisht atlete, ushqim të konservuar, TV, goma makinash, tenda.

Rusia nuk iu është përgjigjur akuzave për plaçkitje, por zyrtarët kanë akuzuar Ukrainën se po filmon video false që të akuzohet Rusia për plaçkitje.

Ata kanë akuzuar gjithashtu Ukrainën për mbikëqyrjen e grupeve të plaçkitësve në zonat nën kontrollin e saj.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s