
Këshilltari politik në partinë CDU të kancelares Angela Merkel, bie në dakordësi me akuzat e ish-presidentit Bujar Nishani, se kryeministri Edi Rama është shndërruar në avokatin e Greqisë për zgjerimin me 12 milje në detin Jon.
Në një postim në “Twitter”, Martin Henze shkruan se Rama iku në Amerikë jo për të siguruar vaksinën anti-Covid, sikundër pretendon, por për të takuar përfaqësues të komunitetit grek, si Alexandros Karloutsos, dhe për t’i dhënë mbështetje për zgjerimin e kufijve detar.
Ai gjithashtu shtron pyetjen nëse Shtetet e Bashkuara janë shpërblyer për këtë vendim, duke marrë parasysh se Alexandros Karloutsos njihet si ndërlidhës midis Shtëpisë së Bardhë dhe komunitetit greko-amerikan.

Më 5 dhjetor, Rama lajmëroi se ishte nisur drejt SHBA-ve në kërkim të vaksinës kundër Covid-19. Në tre ditë, nuk pati asnjë lajm nga zyra e shtypit të kryeministrit, se kë kishte takuar dhe si po i kalonte ditët kreu i qeverisë.
Ulja në tavolinë e Ramës me Alexandros Karloutsos, u zbulua për publikun nga Lapsi.al. Në lidhje me këtë takim, kryeministri nuk u prononcua asnjëherë.
Postimi i Martin Henze në “Twitter”:
Bujar, Rama është takuar disa ditë më parë në New York me përfaqësues të nacionalistëve, komunitetit grek në SHBA…Pse mendoni vallë? Pse jo me komunitetet shqiptare?! Ai i ka bërë një favor shumë të madh grekëve, dëshiron që t’i dhurojë sa më shumë territor shqiptar. Të drejtat e peshkimit, burimet minerale, të drejtat territoriale që i ka dhuruar…A ka marrë dhuratë në SHBA për këtë vendim? Nuk ka pasur asnjë ekzaminim të Shqipërisë, deri në çfarë mase ka burime minerale në territor kombëtar apo nëse peshkimi ka disavantazhe…

mapo.al