Asambleja Politike e PPE nxit fuqimisht Kuvendin e Shqipërisë që t’i bindet dhe të zbatojë menjëherë opinionin e kërkuar nga Komisioni i Venecias për ndryshimet kushtetuese dhe ligjore lidhur me zgjedhjet e 25 prillit. Gjithashtu, PPE bën thirrje për dënimin e zyrtarëve të partisë në pushtet (Partia Socialiste) të përfshirë në krime zgjedhore referuar dosjeve të Prokurorisë nr. 184 dhe 339 dhe e konsideron të papranueshëm bllokimin e drejtësisë dhe pandëshkueshmërinë.

“PPE i bën thirrje të dënohen zyrtarët e partisë në pushtet të përfshirë në krime zgjedhore referuar dosjeve të Prokurorisë nr. 184 dhe 339 dhe e konsideron të papranueshëm bllokimin e drejtësisë dhe pandëshkueshmërinë. Në këtë kontekst, rezoluta kërkon fuqimisht luftimin e pastrimit të parave të investuara në projektet e ndërtimit në rastet e Bashkisë së Tiranës. Për Asamblenë politike të PPE-së, funksionimi normal i Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Larta dhe institucioneve të tjera të drejtësisë është i domosdoshëm dhe urgjent, ashtu sikundër progresi institucional i Reformës në Drejtësi është i pamjaftueshëm për sa kohë asnjë rast i korrupsionit të lartë nuk është dënuar apo sjellë përpara drejtësisë. Shqipërisë i kërkohet të ofrojë shembuj konkretë dhe të qartë të progresit në këtë drejtim. Gjithashtu, rezoluta adreson shqetësimin e Bashkimit Europian sa i përket Ligjit për Median të Dhjetorit 2019 dhe mosveprimit të qeverisë dhe Kuvendit pas opinionit përkatës të Komisionit të Venecias,”- shkruhet ndër të tjera në dokument.
