Kategori
Uncategorized

Homazh për studentët e Dhjetorit ‘90!

Homazh për studentët e Dhjetorit ‘90!

Nga Sali Berisha

Çdo fillim dhjetori, unë, si njëri nga ata që pata fatin unik në jetë të isha dëshmitar pjesëmarrës apo dhe protagonist i Revolucionit Demokratik Paqesor të Dhjetorit ‘90, e përjetoj me rritje të adrenalinës, shtrëngatë emocionesh të forta, të një lloji krejt të veçantë nga çdo lloj tjetër që ngjallin kujtimet dhe përjetimet e shkuara.

Në muret e kujtesës time, janë të gdhendura si me daltë, të gjitha pamjet unike, skenat, studentët, guximi, trimëria, entuziazmi i papërmbajtur i tyre, fytyrat e tyre herë të trishtuara, të zbehta e të mavijosura nga grushtet, shqelmat apo shkopinjtë e gomës të falangave të regjimit dhe herë të tjera të shndritshme dhe plot me diell, nga ngazëllimi, entuziazmi dhe gëzimi i papërmbajtur, zërat e tyre kumbues, të çjerrë, por ndonjëherë edhe kafshues nga zemërimi, veshjet, mbledhjet, takimet, bisedat, sallat, mensat, dhomat e godinave të studentëve ku mblidheshim.

Si në filma më dalin para syve, demonstrata e paradites së 9 dhjetorit, sampistët, policët, ushtarët, fytyrat e tyre të vrerosura, uniformat, shkopinjtë, lopatat, kundragazet, kallashët, vringëllimi i armëve, blindat e tyre, shiu, të ftohtit, balta e atyre ditëve, rrugët, sheshet e Qytetit Studenti.

Në kujtesë më vijnë të freskëta, të gjalla, takimet me liderin e Lëvizjes, Azem Hajdarin dhe me bashkëpunëtorët e tij si dhe me pedagogë, intelektualë, studentë dhe qytetarë të tjerë; mitingjet e papërsëritshme dhe festa e 11 dhjetorit në Qytetin e Lirisë, ngashërimet, lotët e gëzimit, përqafimet me njëri-tjetrin e të njohurve dhe të panjohurve në shesh, si në një dehje apo ekstazë kolektive; përndritja e fytyrave të mijëra qytetarëve për fitoren historike të studentëve “liberatorë” dhe mbarë shqiptarëve.

Të gjitha këto, unë i kam përjetuar me aq forcë ato ditë, sa që edhe sot pas 30 vitesh, sa herë më vijnë në mendje ose më shfaqen para syve, më duken sikur i kam parë, i kam jetuar dhe kanë ndodhur tashmë jo dekada, por vetëm disa muaj më parë.

Ato ishin dhe mbeten në kujtesë momente, orë, ditë të rrebesheve emocionale ndjesore më të fuqishme, më të veçanta që kam përjetuar ndonjëherë dhe të një energjie pozitive, rrezatimi të papërsëritshme, të asaj kohe të bekuar, të një mrekullie, të jetuar kurrë më parë.

Ajo ishte mrekullia e ngritjes, e ringjalljes së befasishme dhe të pabesueshme, në këmbë e studentëve me në krye Azem Hajdarin dhe, fill mbrapa, e qytetarëve të Tiranës, gjer atëherë ndër njerëzit më të shtypur, më të frikësuar, më të mjeruar, më të izoluar dhe më të vetëharruar të kësaj toke.

Kanë kaluar 30 vite nga ato ditë, net, mëngjese të lagëta të ftohta e gri të Dhjetorit ‘90 dhe për mua, por besoj edhe qindra dhe mijëra të tjerë si unë, pavarësisht se çfarë momentesh, çastesh, ndodhish edhe ngjarjesh personale, familjare, sociale, politike qoftë edhe të paimagjinueshme që kemi përjetuar më vonë ndër vite, ato të atyre ditëve kanë mbetur thesari shpirtëror më i çmuar i jetës tonë.

Personalisht, që nga ajo kohë, unë kam përjetuar ngjarje të mëdha e të jashtëzakonshme, që ndofta nuk kisha guxuar me fantazinë time t’i rrokja më parë.

Kosova është bërë e lirë, ideali më sublim i jetës sime!

Shqipëria anëtare e NATO-s, kërkesa e parë e madhe, pa kthim, që në javën e parë të qenies sime në politikë!

Por, ato katër ditë e net të bekuara, të para të revolucionit demokratik, të dhjetorit 1990, ishin ditët e gjenezës së lirive tona, ishin nëna që lindi ditët e tjera të mëdha të kombit tonë tre dekadat e fundit, ditët e kthesës së madhe për Shqipërinë dhe për mbarë kombin shqiptar dhe historinë e tyre drejt lirisë.

Ato ditë, për mua dhe çdo shqiptar tjetër liridashës, ndanë jetën tonë në liri nga ajo në diktaturë si ç’ndan agu ditën nga nata. Ndaj, ato ditë janë ditëlindja e lirive tona, ditëlindja jonë e dytë në liri. Falë tyre, ne që kaluam dekada në diktaturë, kemi një jetë të dytë, jetë të vërtetë si njerëz të lirë.

Ato ditë, unë kam parë më shumë se asnjëherë në jetën time maja guximi njerëzor, llave entuziazmi të papërmbajtur, lumenj lotësh gëzimi festiv të njerëzve më së fundi të çliruar, por të gjitha këto të gërshetuara dhe me dhune të egër dhe terror policor.

Ditët e Revolucionit Demokratik të Dhjetorit ‘90 ishin ditë të ftohta, me shi dhe erë, në të cilat udhëtoja rrugëve plot baltë të Qytetit Studenti, në një gjendje pothuaj ekstaze të vërtetë, i shoqëruar për koincidencë që në fillim nga Besnik Mustafaj, në çdo hap të ditës së parë dhe ditëve të tjera, nga studentë dhe, më pas, nga intelektualë, qytetarë të tjerë, të njohur dhe të panjohur më parë po ndonjëherë edhe vetëm me Lilin dhe gjithnjë nga Dema, kushëri i imi, i cili për çështje sigurie dhe bindjet e tij, nuk ndahej asnjëherë nga unë.

Ato ditë, unë kaloja me orë të tëra midis grupeve të vogla, por herë – herë, edhe dhjetëra e qindra, mijëra studentë dhe qytetarë, nga të cilët vetëm disa syresh mund t’i kisha njohur më parë; diskutoja, debatoja, ndaja mendime dhe u drejtohesha edhe me ndonjë fjalim të shkurtër, pa e pas marrë kurrë më parë fjalën në publik.

Si pedagog, kisha ligjëruar para studentëve në auditore dhe klasa, qindra dhe mijëra herë, por para një publiku tjetër, as edhe njëherë të vetme.

Në ato fjalime, belbëzitje të miat të para publike, bëja te pamundurën që ato të mos ngjasonin me fjalimet e zyrtarëve të regjimit, të dallonin prej tyre në gjithçka e të sillnin me fjalë që buronin nga zemra një muzikë tjetër në veshët e qytetarëve.

Ato ishin ditët e fillimit që unë, së bashku me studentët, liderin e lëvizjes së tyre, Azem Hajdari, i pari në llojin e tij i zgjedhur direkt nga sheshi i betejës, nga bashkëmoshatarët e tij, me pedagogët dhe intelektualët e tjerë përpiqeshim të mirrnim përgjegjësitë, të kontribuonim, të hidhnim së bashku hapat e fillesës drejt kohës së panjohur për ne, kohës së lirisë, duke e pas patur atë, gjer atëherë, më së shumti si aspiratë apo si të thuash, si instikt dhe jo si një realitet të njohur pra, në fakt, si një univers që duhej ndërtuar.

Ajo që ndodhi ato ditë, mendoj se ishte para së gjithash, lëvizja e mrekullisë së vërtetë shqiptare kombëtare por, po të kemi parasysh se ku ishim katandisur ne shqiptarët, ajo lëvizje ishte edhe e një mrekullie të vërtetë njerëzore individuale.

Ajo ishte një shpërthim i papritur dhe i papërmbajtur i aspiratave, idealeve të ndrydhura të lirisë, të rinisë studentore, të qënieve njerëzore që kishin lindur, rritur si skllevër të diktaturës më të egër që Europa kishte njohur, që nuk dinin se ç’ishte liria, dinjiteti, prona, dhe në qindra e mijëra raste, as dhe vetë Zoti.

Të shihje dhe dëgjoje, të përjetoje atë çka unë me të dy miqtë e mi dhe një grusht qytetarësh pamë, dëgjuam, përjetuam paraditen e datës 9 dhjetor të vitit 1990, sapo arritëm të jemi vetëm pak metra larg nga balli i protestës së studentëve në rrugën e Elbasanit, në mes të Tiranës, të udhëhequr nga Azem Hajdari, një protestë e vërtetë në pamje të parë, epike në guximin e saj por tragjike në vetminë e saj, ti, papritur bëheshe dëshmitar i një skene sa mahnitëse për trimërinë e studentëve aq edhe barbare për dhunën policore ndaj tyre.

Ato ishin ditët e një mrekullie, e cila më nxori mua por edhe qindra e mijëra shqiptarë, me shpejtësi marramendëse nga honet e dëshpërimit dhe të pesimizmit, dhe zhgënjimit më të plotë të njeriut – në kreshtat më të larta të shpresës, besimit dhe optimizmit që as në ëndërr ndonjëherë nuk i kisha parë.

Ne ato ditë u ngritëm me krahë, si feniksi nga shkrumbi dhe hiri në Zenit. Magjinë, patosin e atyre ditëve, të pandier dhe jetuar ndonjëherë tjetër, sot unë nuk gjej dot fjalë që të përshkruaj. Më kishte pushtuar një gjendje euforie, pothuaj dehje që nuk e kisha provuar kurrë më parë, në të cilën më dukej se unë nuk ecja, nuk rendja, por si të thuash, kisha humbur peshën, fluturoja.

E pabesueshmja ishte bërë reale, tokësore.

Njeriu, ditë si ato, sa magjepsëse me agimet e tyre mahnitëse të lirisë, me zhvillimet intensive, të papriturat, befasitë e tyre, po aq dhe epike me guximin dhe trimërinë e heronjve të tyre studentë dhe studente, mund të ketë fatin t’i takojë, t’i përjetojë vetëm një herë në jetë.

Ato ishin ditët që ndanë epokat!

Ditët që ndajnë epokat, takohen rrallë, shumë rrallë, mundet dhe kurrë ose vetëm një herë në disa gjenerata.

Ne ishim gjenerata që i përjetuam i përqafuam ato! Ishim të bekuar!

Vite me pare ne, kishim dëgjuar për kryengritjet e të burgosurve politikë në burgun e tmerrshëm të Spaçit e të Qafë Barit, por jehona e tyre ishte bërë thërrime në muret e trasha dhe të larta, të bunkerit të frikës dhe të heshtjes në të cilin lëngonim të pashpresë.

Gjatë vitit 1990, Shkodra, në fillim të janarit, kishte hequr shtatoren e Stalinit. Pjesëmarrësit ishin arrestuar, torturuar barbarisht në qeli.

Në fundin e janarit, në Tiranë u realizua demonstrata e heshtjes. Për të dalë, dolëm dhe sheshin pothuaj e mbushëm, por siç e nisëm edhe e sosëm, në heshtje dhe vetëm në heshtje.

Në Kavajë, në mars, kishin shpërthyer protestat e fuqishme qytetare antikomuniste, me përballje të forta me sampistët e regjimit por, sado i fuqishëm zëri i revoltës aty, ai përsëri mbetej jashtë metropolit të pushtetit.

Tirana lëvizi, si asnjëherë në historinë e saj, në fillim të korrikut 1990, shpërtheu me kryengritjen paqësore të ambasadave, kryesisht të rinisë punëtore. Kjo kryengritje, vërtet përmbysi Murin e Berlinit, ngriti peshë zemrat tona, por brenda pak ditëve, diktatura përcolli jashtë vendit kryengritësit dhe rindërtoi përsëri Murin e zi. Kurse ne të tjerët, shpirtndezur dhe zemërthyer si ç’thotë Edgar Alan Poe, u rikthyem të strukur në letargjinë nga e cila na zgjuan kryengritësit e 2 korrikut 1990 dhe paguam ndrojtjen, strukjen, apatinë tonë të pafalshme.

Vetëm dy ditë para fillimit të lëvizjes, ata studentë protestues, lideri i tyre, Azem Hajdari, tashmë tribunë në sytë e mi dhe shumë shpejt të mbarë shqiptarëve, por edhe të botës, kishin qenë studentë të thjeshtë, të topitur nga jeta e përditshme, të cilët të mbërthyer nga hallet, kotësia e dhimbjet e kohës, lëviznin në automatin e jetës se zbrazur universitare, të kontrolluar në çdo cep të saj nga regjimi diktatorial.

Kurse, pas dy ditësh, qytetarët do t’i shpallnin Azemin – Tribun të lirisë dhe bashkëstudentët e tij – “ëngjëjt e demokracisë”, “studentët liberatorë” sepse, ata të tillë u shfaqën në qiellin gri të errët dhe të pashpresë të atij fillimdimri të vitit 1990.

Në të vërtetë, fjalët, epitetet, cilësorët, krahasimet nuk mund të mjaftonin për të përshkruar ogurin e bardhë, trimërinë, guximin e tyre, shpresat që ringjallën ata. Ka gjithnjë një debat për aktin e tyre. Sot, janë të shumtë, madje ka edhe nga ata vetë, që refuzojnë të pranojnë se janë heroizuar ndonjëherë.

Kurse, unë që pata fatin pothuaj në orët e para të jem se bashku me Besnik Mustafën dhe Kujtim Çashkun fare afër para ballit të protestës së tyre, t’i takoj vetëm pak minuta pas sulmit brutal të forcave të rendit, të bashkëpunoj me ta në çdo etapë, moment të veprimtarisë së tyre për tre ditë por edhe më vonë, mendoj se ata ishin heronj.

Të gjithë ata, që unë gjeta në demonstratë në mëngjesin e datës 9 dhjetor 1990, në Rrugën e Elbasanit, ishin heronj sepse, natën e datës 8 dhjetor, kishin dalë në protestën e tyre antikomuniste jo të heshtur siç dolëm ne në janar të 1990, por me parulla të fuqishme kundër diktaturës në Tiranë.

Ata, kishin kërkuar dhe arritur t’i paraqesin kërkesat e tyre me një përfaqësi atë natë Presidentit të vendit, e kishin detyruar atë, me revoltën e tyre, për herë të parë në jetën e tij, të dilte pas mesnate, nga shtëpia për t’i takuar protestuesit.

Madje, ai ju premtoi se, të nesërmen në ora 17:00, do t’i takonte në qytetin Studenti. Por atyre, pas atij takimi krejt të veçantë në llojin e tij, Ramiz Alia, sikur të kishin qenë në takim tek Makbethi, u kishte nxjerrë në pritë tek ktheheshin në fjetoret e tyre, sampistët të drejtuar nga vet Ministri i Brendshëm, për t’i rrahur barbarisht, me shpresën se duke i shtruar me dajak, do të detyroheshin të harronin takimin dhe kërkesat e tyre.

Studentet e atyre ditëve që ndanë historinë, janë heronj sepse, pas atij terrori të pabesë dhe shtazor të orës 02:00 të mëngjesit, të datës 9 dhjetor, pa mbyllur sytë tërë natën, të tronditur nga një shtet kundër, nuk u tutën, nuk u strukën, por mblodhën forcat dhe u ranë brirëve të guximit e dolën përsëri, ballë për ballë, në sheshin e duelit; në orën 8:00 të mëngjesit u nisën në protestë për t’i pushtuar regjimit Sheshin Skëndërbej, sheshin e pushtetit.

Unë i gjeta aty! Aty, në shesh, tashmë kisha para vetes jo një, dy, apo një grusht heronjësh, por disa qindra e mbase njëmijë syresh pra, aq shumë heronj prej të vërteti, që nuk i kisha parë në filmat apo lexuar në libra gjithë jetën time.

Studentet e Dhjetorit ‘90, ishin heronj sepse, asnjëri prej tyre nuk e dinte se çfarë do të ndodhte me të apo me ata pas 10-30 apo 60 minutave, pa lëre të nesërmen, dhe ishin aty me mendjet, thirrjet, gjokset e tyre, sfidues, të gatshëm për përballje dhe të rrethuar nga të gjitha anët me polici, sambista si egërsira, sigurimsa barbarë e ushtri të regjimit komunist më mizor të Europës së pasluftës. Ndofta ata edhe e parandienin se, kushtrimi i tyre do të ushtonte e do të zgjonte shpirtrat e ndrydhur të mbarë shqiptarëve.

Por, në atë betejë tejet të pabarabartë në të gjitha rrafshet, ata përveç guximit të tyre rinor dhe njëri-tjetrit, ishin pa asnjë mbështetje, në vetmi dhe, ishin të rrethuar nga të gjitha anët nga falangat me uniformë të partisë terroriste.

Studentët liberatorë, ishin heronj sepse, pavarësisht nga kjo, ata qëndronin sfidantë e te vendosur si misionarë të pepur, pararendës të një ndryshimi epokal në historinë e kombit dhe vendit të tyre.

Askush nuk duhet të harrojë se në vitin 1990, diktatura komuniste ishte vërtet një pushtet i dobësuar dhe i lodhur, por, përsëri, ajo vriste dhe ekzekutonte në kufij, çdo javë, bashkëmoshatarë të tyre, madje edhe zvarriste barbarisht, në rrugët dhe sheshet e qyteteve Sarandë, Shkodër, Gjirokastër, Korçë kufomat e tyre, të bërë shoshë nga breshëritë e diktaturës.

Ata, ishin heronj sepse, për më shumë se 36 orë të vetëm, pa përkrahje, të vetëm i qëndruan dhëmbë për dhëmbë dhe ballë për ballë diktaturës komuniste.

“Ah, sikur të kishim qenë në Shkodër”, do të ishte një nga psherëtimat e para që do të lëshonte Azem Hajdari, në oborrin e ndërtesës së parë të Qytetit Studenti, rreth 20 minuta pas dhunës brutale të policisë ndaj tyre, në drekën e datë 9 dhjetor. Kjo sepse, në protestën e tyre, në tërësi nuk kishin ardhur studentë që nuk banonin në konvikte, as pedagogët e tyre apo qytetarët e Tiranës.

Prandaj them heronj, se të jesh trim në vetmi është dy herë trimëri!

Studentet liberator ishin heronjtë e mi dhe të shqiptarëve sepse, vetëm 20 minuta pas dhunës më të egër që u ushtrua ndaj tyre në Rrugën e Elbasanit, paraditen e datës 9 dhjetor, në të cilën unë isha dëshmitar,pa mjekuar ende plagët e shkopinjve, lopatave, plumbave të gomës në trupin e tyre dhe të pushtuar edhe nga ndjenja e braktisjes, trima dhe guximtarë e të pamposhtur si ata, do të mblidhnin me shpejtësi forcat dhe do t’i jepnin ultimatumin, e parë dhe historik, Ramiz Alisë me të cilin do të thyenin atë dhe regjimin e tij policor: Ose lironi protestuesit studentë të burgosur, ose në orën 15:30 do të zbresim në sheshin Skënderbej dhe do të bëjmë çdo gjë copë e thërrime!

Pikërisht se ata ishin të tillë, duke pasur për armë të vetme guximin, i kallën datën regjimit dhe nuk u dorëzuan, ndezën peshë zemrat e të rinjve dhe të qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, dhe si luanë të vërtetë, këputën në mes sistemin më ç’njerëzor që shqiptarët kishin njohur në tërë historinë e tyre.

Vërtet ata, lëvizjen e tyre e nisën si me kërkesa ekonomike por, arritën me një taktikë, shkathtësi e guxim dhe vizion të kristaltë, të tregonin që në krye të radhës se, nuk kishin dalë në protestë për një gotë çaj më shumë, siç do t’i thoshte në takimin e mesnatës së datës 8 dhjetor Lideri i tyre Azem Hajdari, Presidentit të vendit, por po protestonin për fatet e lirisë së vendit të tyre dhe të shqiptarëve në tërësi.

Engjëjt e Demokracisë ishin misionarë dhe vizionarë pararendës të një epoke sepse, që në protestën e parë ata shpallen moton e revolucionit të tyre, “Liri – Demokraci”, “Shqipëria si Europa”, thirrje këto që buronin nga thellësitë e shpirtit të tyre rinor, të bashkëmoshatarëve, por edhe nënave, baballarëve, motrave, vëllezërve të tyre, si dhe të qindra, mijëra shqiptarëve që për këto ideale kishin sakrifikuar jetën apo rininë e tyre gjatë kalvarit të egër komunist.

Ishin ato thirrje që me shpejtësi te rrufeshme do të zgjonin, ringjallnin dhe ndriçonin mendjet dhe shpirtrat e ndrydhur të shqiptarëve.

Ato, ishin kohërat kur ata hynë në “Hall of Fame” të heronjve tanë, hynë të gjallë si të pavdekshëm në panteonin e lirisë së shqiptarëve për të lënë aty thesarin, arritjen më të çmuar të jetës së tyre dhe për t’u rikthyer, pas përmbushjes së misionit, në vdekatar, ashtu siç jemi të gjithë.

Liberatorët tanë ishin heronj sepse, në vendosmërinë e tyre për sakrifica sublime, vazhduan betejën gjer në fitoren e idealeve të tyre demokratike.

Si misionarë, ata, me guxim shëtitën në mbarë vendin, duke themeluar pluralizmin politik, degët e Partisë Demokratike, mbjellë shpresën zemrat e shqiptarëve në mbarë qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë.

Studentet e Dhjetorit ‘90 ishin heronj sepse, në shkurt të vitit 1991, do të ngujoheshin, ndryheshin për aktin më sublim, atë të vetëflijimit në grevën e urisë, për çlirimin e shqiptarëve nga kulti i Hitlerit shqiptar të pasluftës, Enver Hoxhës, kulti më poshtërues që kishte pushtuar shpirtin dhe mendjet, rrugët, sheshet, shkollat, banesat e tyre.

Ata ishin heronjtë e mi por jo vetëm të mijtë, por të mbarë shqiptarëve në Shqipëri, në Kosovë, Maqedoni dhe kudo në botë që duan lirinë mbasi, pa një Shqipëri të lirë nuk mund të kishim një Kosovë të lirë apo shqiptarë të lirë në rajon.

Por, të gjithë ata që me kalimin e viteve do të ishin si gjithë të tjerët burrë, grua, prind, nënë, baba, specialist, punonjës, intelektual, politikan përsëri do të mbeteshin njerëz fatlumë. Kjo sepse, sepse ata ne vitet e para te rinise tyre merituan titullin më liberator. Ata patën fatin të jenë pjesëmarrës te asaj lëvizje që me shpejtësi zëri do të shndërrohej në uraganin e revolucionit demokratik më të fuqishëm që Shqipëria kishte njohur në historinë e vet.

Llava e guximit, energjisë se tyre në këtë revolucion theu, shembi në mënyrë paqësore monizmin hoxhist, monizmin më jetëgjatë, më ekstrem e të pashpirt të Europës dhe rrëzoi përsëri, por kësaj here përfundimisht, Murin e Berlinit e sistemin komunist në Shqipëri e cila sot është vite dritë larg asaj të 30 viteve më parë.

Nderim përjetë, Azem Hajdarit dhe studentëve liberatorë të Dhjetorit ‘90.

Azem, ti je gjallë!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s