Kategori
Uncategorized

Gazetarja shqiptare flet nga Stockholmi: Pse Suedia nuk aplikoi karantinimin e detyrueshëm

Ndërsa shtetet në mbarë botën kanë aplikuar masa të ashpra në luftën ndaj pandemisë Covid-19, Suedia është i vetmi vend që i ka rezistuar trendit të rregullave strikte.  

Atje jeta vazhdon normalisht, baret dhe restorantet vijojnë të jenë të hapura, lejohen grumbullime njerëzisht deri në 50 persona, madje nuk përdorin maska e doreza që në disa vende po kërkohet të bëhen të detyrueshme, sidomos në vendet publike.

Por, pse Suedia nuk aplikoi karantimimin e detyrueshëm, na tregon me detaje në një intervistë për politiko.al  gazetarja shqiptare Suada Imeri, e cila jeton prej tre vitesh në Stockholm.

Aktualisht, ajo vazhdon të punojë në një kompani (HosHanna AB) që bazohet më ndihmesën për gratë dhe vajzat e dhunuara nga partnerët, në pozicionin e përgjegjëses për stafin dhe mbarëvajtjen e punës.

Suedia është i vetmi vend që nuk ka marrë masa drastike karantimi dhe kufizime në masë si në vendet e tjera të prekura nga Covid-19. Si paraqitet situata në atje?

Po, Suedia është një ndër vendet e Europës që nuk e ka aplikuar karantinimin me detyrim. Po merr shumë kritika nga të gjitha vendet e botës. Ky vend evropian i njohur nuk ka ndërmarrë asnjë masë bllokimi, dhe akoma lejon mbledhjen e njerëzve në grupe deri në 50 veta. Suedezët kanë një mendësi tjetër nga ajo që jemi mësuar. Kanë një marrëdhënie perfekte bashkëpunimi me qeverinë e tyre. Ata besojnë tek ekspertët edhe tek qeveria. Është marrëdhënie shumë korrekte mes njëri-tjetrit, dhe deri diku edhe model për shumë shtete të tjera.

Nuk vjen nga detyrimi me forcë apo dicka tjetër, por nga rrënjosja e thellë që ata e kanë në ndërgjegjen e tyre. Por, edhe qeveria është korrekte edhe e sinqertë me ta. Nuk manipulon por komunikon drejtpërdrejtë me popullin e tij. Duke qenë se ekziston kjo lloj marrëdhënie, ateherë ka një funksionim ideal te cdo hallke apo strukture. Suedezët besojnë tek ekspertët. Nese një ekspert thotë dicka, ateherë të gjithë e respektojnë. Sigurisht, shpjegohet me detaje cdo njoftim apo bashkëpunim.

Është në kulturën e tyre prej brezash. Dhe kjo është ndoshta edhe një nga arsyet pse nuk aplikuan karantinimin. Është një marrëdhënie komunikimi edhe besimi që ekziston mes tyre dhe cdo gjë është lënë në ndërgjegje të plotë. Kanë besim që shteti i tyre se do kujdeset për ta dhe askush nuk e ka as dyshimin më të vogël për këtë. Pra, një ndjesi që cdo gjë duket nën kontroll dhe në dorë të ekspertëve . Normalisht ka rritje të numrit te infektuarve,  i cili deri në momentin që flasim, ka arritur deri 17. 674 persona, kurse numri i të vdekurve në 2158 persona.

Pavarësisht mungesës së kufizimeve krahasuar me vendet e tjera, cilat janë masat që ka marrë qeveria?

Koha e bukur gjatë fundjavës josh shumë njerëz që të dalin në natyrë dhe në restorante. Si në Stokholm, ashtu edhe në Malmö është vërejtur që shumica e klubeve dhe restoranteve kanë respektuar instruksionet. Por janë gjetur edhe nga ata që nuk janë treguar të vëmendshëm. Për ato restorane edhe kafene që nuk respektojnë rregullat aplikohen ndëshkime deri në mbyllje.

Arrin të ruhet distanca mes njëri -tjetrit kudo. Vlen te theksohet se nuk përdoren maska apo doreza . Neper institucione apo kompani të ndryshme, në hyrje kanë vendosur larës për duart dhe dezinfektues.

Shumica e kompanive që e kanë të mundur prej disa javësh punojnë nga shtëpia. Shmangin daljet e panevojshme , kur mendojne se kanë simptomat, dhe gjithashtu takimet. Janë të kujdesshëm të mbrojnë njëri- tjetrin dhe kjo është e admirueshme. Qeveria që nga data 1 Prill ka ndaluar takimet në shtepitë e pleqve, në menyre që të shmangin infektimin ndaj tyre.

Dhe tani se fundmi, autoritetet kane dale edhe me disa urdhëresa të tjera, sipas të cilave anulohen festimet e maturës, të cilat tradicionalisht janë festime të mëdha në Suedi , ku maturantët pas hedhjes së kapeleve, vrapojnë dhe festojnë rrugëve të qyteteve. Anulohen gjithashtu festimet e Valpurgisë (nata e 30 prillit) dhe marshimet tradicionale të 1Maj-it, apo edhe mbylljen e xhamive në muajin e Ramazanit.

Për bizneset që janë mbyllur, apo per ata që kane humbur punën cila është paketa ekonomike që u ka ofruar qeveria?

Shumicat e bizneseve p.sh baret edhe restorantet, qeveria do bëhet ”bashkëpronare” me ta deri sa të kalojë koha e krizës. Do i financojë dhe askush do paguajë taksat për një kohë sa të kalojë kriza. Nuk do falen taksat, por në momentin që kalon kriza , atëhere biznesi do fillojë të paguajë taksat e prapambetura, të reduktuara në perqindje, që mos të falimentojë edhe mos të heqin personelin nga puna.

Mund t’ju sjell në vëmendje që nga konferenca për shtyp 22 prill 2020, qeveria shpalli platformën e kalimit në punësim të pjesshëm për bizneset që cënohen nga pandemia! Jepen versionet që punëtori të punojë 20%, 40% apo 60% për shkak se punëdhënësi nuk ka më shumë punë që ta mbajë dhe paguaj! Shteti për të ndalur largimin nga puna të punëtorit i rimburson pagën për pjesën që duhet të qëndrojë në shtëpi! Qeveria paguan punëtorët dhe ndihmon biznesin që të mos falimentojë. Për periudhën 7-21 prill aplikojnë 41 017 biznese nga të cilat 26 918 përfitojnë bonusin. 208 421 punonjës që përfituan nuk humbëm as punën dhe as pagën ndërsa shteti paguan 1 miliardë euro vetëm për ta në vetëm 2 javë!

Papunësia në Suedi ka arritur deri në 8 përqind, sipas të dhënave më të reja nga Zyra Qendrore për Punë. Numri i paralajmërimeve për pezullim nga puna ka shënuar rënie në krahasim me javët e fundit por numri i të papunëve gjatë krizës së pandemisë ka arritur deri ne rreth 100 000. Deri më tani janë pezulluar për kohë të shkurtër nga puna afër 190 000 veta.

A ka shqiptarë të infektuar atje me aq sa keni mësuar?

Sa i përket përkatësisë etnike të të prekurve ose të atyre që kanë vdekur nga koronavirusi gati është e pamundur që të gjesh ndonjë të dhënë të saktë.

Shqiptarë të infektuar ka pasë dhe ka, por numrin nuk e dimë. Kam mesuar per një te vdekur në Skärholmen, ishte i moshës mbi 80 vjeç dhe gruaja e tij gjithashtu është në gjendje të rëndë. Por ky rast është i një kosovari që ishte për vizitë tek fëmijët e tij ku gati e gjithë familja ishte infektuar, dy prej tyre ende po mjekohen në spital, njëri me respirator.

Si është raporti i testimeve me popullsinë me aq sa ke mësuar nga mediat vendase?

Në momentin që je i sëmurë , të lënë 7 ditë në karantine . Nëse nuk përmirësohesh ateherë të bëjnë testimin në shtëpi dhe nëse ke probleme me frymëmarrjen apo edhe komplikacione të tjera, të dërgojnë në spital.  Nëse simptomat janë të lehta, duhet që personi të qëndrojë për 14 ditë më vete në karantinë, duke shmangur kështu cdo dalje jashtë me qëllim mosinfektimin tek te tjerët.

A keni frikë se mund të infektoheni?

Për sa kohë ndiqen edhe respektohen të gjitha rregullat dhe udhëzimet sic janë të përcaktuara nga Autoriteti i Shëndetit Publik dhe më gjerë, nuk mendoj se do ketë risk të lartë për t’u infektuar, pasi kjo situatë do jetë prezente për një kohë relativisht të gjatë. Për sa i përket konstatimeve të ekspertëve dhe këshillave që publikohen nga qeveria mendoj se nëse ndjekim hapat dhe procedurat do jetë nën kontroll situata. Është një situatë e sikletshme që njerëzimin e ka kapluar dhe të jep një ndjesi pasigurie dhe frike kur sheh numra kaq të lartë vdekjesh nëpër botë. Është e frikshme ! Por kjo frikë nuk ndjehet në Stockholm. Shqetësim ka sidomos për moshën e tretë , sidomos grupmosha 80 vjec e lart e cila është më e riskuar. Më vjen keq që po humbim moshën e tretë, pasi ato kanë dhënë kontributin e tyre në krijimin e këtij shteti ! Por qenka e pashmangshme !

Si i komenton masat që janë marrë në Shqipëri?

Të them të vërtetën është për të ardhur keq që Shqiperia nuk ka kapacitetin e duhur për të perballuar situata të tilla. Por duke qenë në situatë të tille ,mendoj se po bëjnë gjënë e duhur për momentin. Por uroj mos të ketë pasoja të mëtejshme. Shqiperia kaloi edhe një situatë jo të mirë për shkak të tërmeteve dhe ende pa u rimëkëmbur u gjend sërish në një tjetër situatë të vështirë.

Coronavirus e gjeti botën të papërgatitur ne cdo aspekt. Vuri ne lëvizje shumë mekanizma të shtetbërjes, provoi kapacitetin e shumë shteteve se sa ishin të aftë të përballonin, por situata të tilla është vështirë të menaxhohen. Sigurisht humbje do kemi, por uroj që cdo gjë do të shkojë mirë dhe mos të kemi pasoja te parikuperushme. Bota është e jona dhe cdo gjë duhet ta bëjmë të gjithë së bashku!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s