
Komunizmi nuk mund të jetojë pa heronj të rremë, pa figura të rastësishme që nuk kishin bërë asgjë, por që pas vdekjes u mbuluan me akte heroizmi.
Një ndër ta është edhe ajo që njihet si “Cuca e maleve”.
Le të shohim komunikatën ditën e vrasjes dhe shpalljen me vonëse heroinë në vitin 1969.
Sipas njoftimit të Degës së Zhdukjes së Krimeve të MPB-së, të datës 17.11.1950, në datën 14.11.1950 ora 23.00 nga njerëz të panjohur është vrarë Delica Pjetri në katundin Fregen të Lokalitetin Kashnjet të Lezhës.
📌“Arsyeja e vrasjes është se kjo ka ikur nga burri dhe s’ka pranuar që ta marrë”-thuhej në njoftim.
Mirëpo në vitin 1969, partia kërkonte heroina. Propozohej cuca te Byroja Politika me këtë motivacion:
“Vrarë nga diversantët dhe kulaku i fshatit (ish vjehrri i saj), pasi e kapën në shtëpi vetë me nënën qorre, e torturuan dhe në fund e vranë si shkelëse e kanunit, se zbatonte mësimet e partisë e të shokut Enver.
Shkoi vullnetare dy herë në hekurudhë, e la burrin që e kishin martuar me zot se ishte bir kulaku.
Në vitin 1947 u pranua në organizatën e rinisë dhe u bë një luftëtare e flaktë e përhapjes së të resë në fshat, luftonte kundër zakoneve prapanike, demaskonte me kurajë kulakët dhe armiqtë.
Delica në të gjitha momentet qëndroi trime dhe burrneshë dhe me emrin e partisë në gojë dha jetën.
“E frymëzuar nga mësimet e partisë, me guxim e trimëri shembullore, si një e re revolucionare, u ngrit në luftën kundër zakoneve prapanike të kanunit e të fesë, mori pjesë aktive në shumë aksione politike, ideologjike dhe ekonomike, u bë kështu një nga luftëtaret e para të partisë në Rrethin e Lezhës për çlirimin e plotë të gruas, që qëndroi heroikisht edhe gjatë masakrimit që i bënë diversantët”.
